TRI POEZI NGA WALT WHITMAN
Përktheu: Agim Mato
NGA RROKULLIMA E
SHKULMEVE TË OQEANIT
Nga rrokullima e shkulmeve të oqeanit erdhi butësisht drejt
meje
një suvalë,
duke mërmëritur: unë të dua, pas pak do të vdes,
kam udhëtuar gjatë vetëm të të shoh, vetëm të të prek,
sepse nuk mund të vdisja
sa kohë nuk do të të shihja,
nga frika se do të të
kisha humbur.
Tani që jemi takuar, që jemi çmallur, jemi të shpëtuar,
Kthehu në paqe në oqean, e dashur,
sepse edhe unë jam pjesë e atij oqeani, nuk jemi
kursesi të ndarë,
konsideroje globin e madh, kohezionin e gjithshkaje, sa
i përsosur!
Por sa për mua, për ty, deti i papërmbajtshëm kërkon të na
ndajë,
E në se për një orë
na mban larg, nuk mund të na
ndajë
përgjithmonë,
Mos u bëj e padurueshme – një çast i vogël – dije, sa të
pëshëndes
ajrin, oqeanin, dheun,
Çdo ditë në perëndim të diellit për hirin tënd, e dashur.
NDËRSA MEDITOJA NË
HESHTJE
Ndërsa meditoja në heshtje,
duke u kthyer tek poezitë e mia, plot mëdyshje dhe
konsiderata për to,
një fantazmë u shfaq para meje, dyshuese,
e frikëshme për nga bukuria, mosha dhe fuqia,
shpirti i poetëve të vendeve të lashta,
i cili hodhi nga unë
sytë e tij si flakë,
duke treguar me gisht shumë këngë të pavdekshme,
dhe me zërin kërcënues tha: Ç’je duke kënduar?
Nuk e di se nuk ka veçse një temë të përjetshme për bardët?
Dhe që është tema e luftës, fati i betejave,
ngjizja e ushtarëve të përsosur?
Ashtu qoftë, ju përgjegja,
edhe unë, o shpirt i
madhërishëm, këndoj luftën,
më jetgjatën dhe më
të madhen se ç’ka qenë ndonjëherë,
luftën që gëlon në librin tim me alternim fati, me ikje,
me sulme, me zbythje, me fitore të paafirmuara e të
pavendosura,
(Po që sërish ndjehem i sigurt, më në fund) Bota
është një
shesh beteje, për jetë a vdekje, për Trupin dhe për
Shpirtin e përjetshëm,
Shikoni, edhe unë vij të këndoj këngën e betejave,
dhe të promovoj mbi të gjitha ushtarë të paepur.
UDHËTIM PËRMES SHTETEVE
Nisemi në udhëtim përmes shteteve,
(përshkojmë botën, të nxitur nga këto këngë,
duke ngritur velat nga këtu për çdo vend, për çdo det,)
ne që dëshirojmë të jemi nxënës të të gjithëve, mësues të
të gjithëve dhe dashamirës të të gjithëve.
Kemi parë stinët të mbushin dheun, të përhapen
dhe kemi thënë: pse një burrë apo një grua nuk duhet të bëjë
si stinët, të
përhapet pandalur si ato?
Ndalojmë pak në çdo qytet të madh apo të vogël,
i biem mespërmes Kanadasë, verilindjes, luginës së madhe të
Misisipit dhe
shteteve të jugut,
konsultohemi për kushte të barabarta me secilin nga shtetet,
vemë në provë vetveten dhe ftojmë burrat dhe gratë për të
dëgjuar,
Kije vëth në vesh, porositim veten dhe të tjerët,mos ki
frikë,
ji i sinqertë, shpengoje trupin
dhe shpirtin,
ndal një copë herë dhe vazhdo sërish, ji i hapur, i mprehtë,
i matur, magnetik,
dhe ajo që ti ke përhapur mund të të kthehet atëhere siç
kthehen stinët,
dhe mund të jetë ashtu si vetë stinët.