........

venerdì 4 marzo 2016

Ti libër



TI  LIBËR


Ti libër do të zësh vend tani në raftet e bibliotekave
  hijerënda
dhe do të të bjerë ndoshta të skedohesh
pranë emra poetësh të përmendur në këtë botë.

Që të të sillja ty,  
lexova libra që ende nuk janë shkruar,
shkela vise që ende nuk gjenden në harta,
mblodha frytet e ideve
që nuk kanë rënë ende në tokë.

U ndesha me censorë
që sterilizonin shpirtërat e poetëve
në dobi të ca perëndive të rreme
që kishin populluar dhunshëm planetin.

Për shumë kohë penën ma sekuestruan  
si një armë të paligjëshme
që nuk më takonte ta mbaja.
Për shumë kohë: “Sus!... sus!”, më ndëshkonin
dhe ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pa librat
      e mi.

Ti libër, tani, je me kapakët e akullt e të pacënuar,
me fletët e pathyera
dhe me bukurinë që nuk dua ta gëzosh tepër.

Do të lenë shenja gishtat e padurimit mbi ty?

Mollëza gishtash të mësuara me prekjen e librave,
të mësuara me pluhurin e artë të përjetësive,
me pluhurin e  pergamenëve të lashtë,
a do ta venë re praninë tënde?

Mirëvafsh!


Nessun commento:

Posta un commento