ALUSH
AVDULI
MENDIME PA STREHË
RRETH VËLLIMIT POETIK “LUNDRIMET” TË AGIM MATOS
Poezia kujtohet për ardhmërinë.
Tanimë është nisur dhe ka mbërritur dje
si vdekje në pavdeksi. Poezi– pulbardha flatruese në eter si drita që nuk
njohin shuarjen. Ndjeshmëri e brishtë kaotike e çliruar nga shpirti si papeshë
përjetësie. E trishtë. Në rënien e tiranisë kërkon plagët e saj. Përrethësia e
poetizuar në çdo metër katrore dhe më tepër, gjerësi e pamatë hapsirore,
tingëlluese, vegimtare në universializmin e lirisë. Fundo në misterin e
vetvetes. Në nivele të epërme absolute e copëzuar, errësirë e zhvirgjëruar nga
vezullimi i ndezur, pllenuese e vijimeve... Anije e dehur lundruese në
pabregzim. Furi e një ligjërimi, në zhbërje dalldi e ritëm. Risike deri në vdekjen e së shkuarës. Fjalët
gjallërojnë, lëvizin, përthyhen, provokojnë, manifestojnë, në ngritje vibruese
, nga dëshira për të përfshirë gjithçka. Cilësia kundër sasisë. Përbri poezisë
së vërtetë pandashmëri dinjitoze e kursyer nga superlativat në hakërrim. Poezia
dhe poeti të tretur në njëjtësi... Të gjitha këto edhe më shumë të vegullojnë
në mëndje gjatë leximit të vëllimit poetik
“Lundrimet’’ të krijuesit, mjeshtrit të madh të fjalës, Agim Mato. Janë
të rrallë poetët që arritën të çlirojnë
natyrshëm një energji shpirtërore tejet drithëruese, si kjo e Matos. Po
ç’është kjo egzistencë poetike përherë në befasime spirale?!.. Përgjigjia në përsosje del nga vargjet :
“ Kam përshtypjen se u mblodhën aromat e
tokës,
gjithë dritat, gjithë rënkimet e detit,
gjithë dritat, gjithë rënkimet e detit,
meditimet e ullinjëve
dhe më krijuan mua.
Kam
përshtypjen se jam çdo gjë
mbi këtë
dhe që rrahin valët’’.
Origjina ka braktisur mjerimin e
saj për të na mësuar ndryshe...Ndjesia jashtë zhurmës së mendimeve, ftilluese
në qetësinë e vrenjtësirës e pacënuar
nga synimi. Të zotroja një mundësi të artë do ta lija mëndjen time të
parëndësishme tejet të lirë për të vlerësuar poezinë me fjalët që mungojnë. Por
dyert e hapura mbyllin dëshirën. Etimologjitë
dhe tabutë afrohen me pako për të korrnizuar frymarrjen. Vlerësimet
sipas motit. “ Syri i kohës në ballin e
Qikllopit’’... Marrëdhëniet janë të
diela tek pasqyrat. Këtë e ndjenë më shumë në poetikën e Matos. Poezi e
pabarabartë me vështrimet, përparimi i dritës
në rrugën e mugëtirës. E lexueshme me jermin e vëmëndjes, magjepse kur
pohon:
“Tani ushtrohem të prek errësirën
Si i verbëri që kërkon të prek rrezikun
Ky rrezik është emocioni që prodhon
Gjëndjen e misterit që duam
Hovin për të panjohurën që na pret.’’
Pa dyshim poezia e titullur
“Pjalmi i yjeve’’ nga e cila shkëputëm vargjet e mësipërme, është një dialogim
i pashëmbullt me të dashurën për dashurinë. E pakraha-sueshme nuk sponson
“lirizëm’’ në masakër trëndafilash. Meteorike zvogëlon bëmat e realitetit. Si e
vetme shton kapërcimet... Kumtare e hyjnores me gjuhën e lartësuar. Qielli dhe
deti mundësi të barabarta për njëri tjetrin. Kështu edhe “Lundrimet që nisin
nga shpirti’’ nuk njohin largësitë që vëren syri si shërbëtor i vështrimeve.
Është fuqia e së dukshmes deri tek padukshmëria që mrekullon universin poetik
të Agim Matos. Kalendarët janë shpikje. Realitetet që i marrim për kohën tonë
janë mungesë. Kështu shkrehen britmat në qetësi. Poezia është “vetmi kozmike
apo fundi i saj?!’’.. Përgjigja rri pezull mbi humnerë si e zeza e korbit shuar
në agullime. Ëndërroj Poetin (Agimin) në një kënd pa emër të planetit që
shkruan një poezi që nuk flet për asgjë. Mbase kështu poezia e tij si gjëndje e
paqetë shpirtrore ka për të shpëtuar nga robëria që ofrojnë përcaktimet dhe
kufizimet steriotipe të kritikëve dhe analistëve të vetshpallur si gojë publike
në llomotitje të njëtrajtëshme. Si servile njëherësh ato projektojnë edhe
shkatrrimin e saj (poezisë). Vetëm në mendime pa strehë poezia ndjehet e
vlerësuar dhe... Ç’largësi e mrekullueshme përfundimi!...
Nessun commento:
Posta un commento