LETRA E KRYETARIT TË SEATTLE
Kryetari i Seattle ishte njeri nga të fundmit e rregullit
moral Paleolitik. Aty nga viti 1852,
Qeveria e Shteteve të Bashkuara kërkoi blerjen e tokave të indigjenëve
lëkurëkuq, për njerëzit e sapoardhur në Shtetet e Bashkuara dhe, si përgjigje,
Kryetari i Seattle shkroi këtë letër të mrekullueshme.
Joseph
Campbell – “Fuqia e mitit”
Unë veçse e
kopjova dhe e shtriva në vargje letrën
e tij.
A. Mato
“Presidenti në Uashington dërgoi fjalë se dëshiron të
blejë
tokën tonë.
Por, si mund të blihet e të shitet toka, qielli?
Këtë nuk jemi në gjendje ta kuptojmë.
Nëse ne nuk e zotërojmë freskinë e ajrit dhe llamburitjen
e ujërave,
po ju, si mund t’i blini ato?
Çdo thërrmijë e këtij dheu është e shenjtë për
njerëzit e mi.
Çdo halë pishe, çdo breg rëre, çdo bulëz vese në
pyjet e errët,
çdo lëndinë e shkurre,
çdo kërcell e gjeth me të cilin përgatisim melhemin
për të
përtharë plagët,
çdo aromë rrëshire,
çdo gumëzhimë insekti,
të gjitha janë të shenjta në kujtesën
dhe përvojën tonë.
Ne e dëgjojmë limfën që rrjedh në drurët si
gjaku në venat
tona.
Ne jemi bijtë e tokës dhe ajo është nëna
jonë.
Lulet e parfumosuara janë motrat tona.
Ariu, dreri, shqiponja e madhe, janë vëllezërit
tanë.
Kreshtat e shkëmbinjve, lëngu i vesës, trupi i
nxehtë
i mëzave dhe njeriu, të tërë i përkasin një
familjeje.
Ujërat vetëtitës që derdhen në shtratin e lumenjve
nuk
janë thjesht ujë,
por gjaku i paraardhësve tanë.. Mërmërima e ujërave
është zëri i babait të babait tim që nuk shteret
kurrë.
Lumenjtë janë vëllezërit tanë.
Ata shuajnë etjen tonë.
Ata bartin kanoet tona
dhe ushqejnë fëmijët tanë.
Kështu që ne duhet t’u ofrojmë lumenjve atë
ngrohtësi që
ju i dhuroni çdo vëllai.
Nëse ne ju shesim tokën tonë,
kuptojeni që ajri është i virgjër
dhe i vyer për ne, ai dhuron shpirtin e vet për
tërë jetët që
mbështet.
Era që i dha gjyshit tonë frymën e parë
gjithashtu mori psherëtimën e tij të mbrame.
Kështu, nëse e shesim tokën tonë,
ju duhet ta mbani atë veçmas dhe të bekuar,
si një vend ku njerëzit
mund të shkojnë të provojnë erën që është
ëmbëlsuar
prej luleve të lëndinave e livadheve.
A do t’u mësoni ju fëmijëve tuaj
ato që u mësonim ne fëmijëve tanë?
Që toka është nëna jonë?
Gjithçka që i ndodh tokës, u ndodh tërë bijve të
saj.
Ne këtë dimë:
toka nuk i përket njeriut,
është njeriu që i përket asaj.
Tërë gjërat janë të lidhura,
si gjaku që na bashkon të gjithëve.
Një gjë e dimë mirë:
Zoti ynë është njëherazi edhe Zoti juaj.
Toka është e adhuruara e tij
dhe të dëmtosh tokën është të ngresh një mal
mos-
respekti për krijuesin.
Fati i së ardhmes sonë është mister.
Çfarë mund të ndodh kur buajt të jenë therur të
gjithë
dhe kuajt e egër t’i kemi zbutur?
Çfarë ka për të ndodhur,
kur në thellësitë sekrete të pyjeve
të ndjehet prania e njeriut
dhe kur pamja e kodrave të zhvoshket prej
rrjetit të
telave telefonikë?
Ku vallë të jenë pyjet e dendur,
ku?
Askund më.
Dhe ku të jetë shqiponja?
Askund.
Do t’i themi lamtumirë mëzit të shpejtë dhe
gjuetisë?
Kur më i fundit Njeri i Kuq ka për t’u zhdukur
bashkë
me tërë viset e virgjëra dhe kujtesën e tij
dhe do të jetë veç hija e ndonjë reje
duke u zhvendosur përmes rrafshinave me bar,
a do të mbeten këto pyje dhe këto brigje aty ku
janë?
A do të mbetet këndej
ndonjë prej shpirtrave të njerëzve të mi?
Ne e duam këtë tokë,
si një i sapolindur
që kërkon gjirin e së ëmës.
Kështu, nëse ne ua shesim këtë tokë,
duajeni siç e kemi dashur ne.
Kujdesuni për të siç u kujdesëm ne.
Mbajeni në mendje dëlirësinë e tokës siç ishte
në momentin që e morët atë.
Mbrojeni tokën për tërë fëmijët
dhe duajeni,
si Zoti na do ne të gjithëve.
Siç jemi ne bijtë e këtij dheu,
edhe ju jeni bijtë e tij.
Së paku një gjë, ne e dimë mirë:
Ka vetëm një Zot.
Asnjë njeri, qoftë ai i Kuq apo i Bardhë,
nuk mund të veçohet e të mburret
se ky zot i takon vetëm atij.
Ne
jemi vëllezër, tek e fundit.”
Nessun commento:
Posta un commento