........

martedì 4 agosto 2015

Vuvi i Tushit



VUVI I TUSHIT



Në fëmijërinë time burrat i ngjiteshin Llotroit
me një mëngë të zhveshur të xhaketës,
që u varej e boshatisur
dhe shtynin përpara gjoksin e tyre leshtor

Për t’u ndjerë burrë
fillova të gjarpëroja edhe unë  nëpër monopate,
duke tundur mëngën e hequr të xhaketës,
i fryrë si gjel.

E trashja zërin me shokët.

Qentë, macet dhe pulat
më hapnin rrugën të trembur.

Po një ditë, nga kroi i Agait, pashë të vinte,  si 
                                                             katallan,
i ngarkuar me bucelë, Vuvi i Tushit.

Mbajta këmbët
dhe, me një alarm të brendshëm,
u fsheha pas një shkëmbi,
me krenarinë e burrërinë e deriatëhershme, 
                                                    të shembur.

Kur u afrua,
shputa e tij e stërmadhe u ngrit mbi kokën time,
gati për të më shtypur dhe, përmes ulërimave,
pashë të ngrihej shputa tjetër tërë pluhur,
si në një film me xhiro të ngadalësuara.
Po Vuvi, duke u lëkundur e duke lëshuar
një  “ëh!” në çdo hap, nuk më përfilli kurrsesi,
po vazhdoi rrugën e tij.

Si i shpëtova gjëmës, qetësova të rrahurat e zemrës
dhe e futa krahun në mëngën që i takonte.

I trallisur fillova ta ndiqja së largu,
deri te gardhi i shtëpisë të rrethuar me fiq deti.

Pas gjetheve të gjera gjithë gjemba
e pashë tek zgjidhi litarët në sofat,
hodhi ujë në një ibrik
dhe ja zgjati butësisht një fëmije
me nojma e pasthirrma.

Që atëherë, kurrë nuk e zbraza mëngën e xhaketës,
duke hequr dorë nga fiksimi i të ndjerit burrë para kohe.



sabato 11 luglio 2015

Ikja e Margarit Sulit



IKJA E MARGARIT SULIT



Ike dhe le pas një traktat filozofik qesëndisës për jetën,
me një buzëqeshje të hidhur,
që të tregonte enigmatik në sytë e të tjerëve.


Pe të të sulej vdekja dhe nuk u përpoqe t’i shpëtoje,
  t’i merrje mendjen,
që të mund të thithje edhe ca metër kub ajër nga kjo botë.


“Po shkoj,  the,
e kotë t’i qaravitem fatit!”.


Dhe mbylle llogaritë me jetën,
në një mënyrë që vetëm ti mund t’i mbyllje.


Kur të bëmë bilancin,
kur gërmuam në thellësitë e heshtura të karakterit tënd,
shtangëm para diamanteve të paprekura të virtyteve
që i ruajte me aq xhelozi nëpër labirintet  ku të çoi fati.


Djalë i hajthëm, eshtërfort i fisit suljot nga rridhje,
mes nesh ti ishe një mineral që s’e gjenim te Mendelejevi,
ishe klithma pezull mbi mahnitjen e kaltëreme të Jonit,
ishe refren i melodive të pa luajtura ende,
ishe një petal  ëndrre.


Shpirti yt  i lirë, si një qilim fluturues
shëtiste sipër fenomeneve
dhe gjithë të panjohurat dorëzoheshin para teje.


Nuk e ngrije zërin kurrë. Gjithë jetën mërmërisje
melodi të pafundme për t’ju shmangur
kotësive dhe keqkuptimeve të përditshme.


Në vend të nekrologjisë
pate kërkuar të këndohej mbi dheun që hapëm
e famshmja  “I giardini di marzo*” 
e Lucio Battistit.

Pas kësaj
nuk e di në të qetësuan “lumenjtë e kaltër, kodrat dhe
livadhet ku bredhin melankolitë e tua të ëmbla” ,
“në gjeti hapësirë universi brenda teje”
dhe a t’u “ngjall sërish kuraja për të jetuar”?

* Kopshtet e marsit. Rreshtat në thonjëza janë nga kënga  me këtë titull.

martedì 2 giugno 2015

Fati im - delfin Mesdheu



FATI IM - DELFIN MESDHEU




Jam biri i brigjeve të gjelbra,
biri i rërës dhe i detit.
Fytyrën time nuk mund ta ndash kurrsesi
nga buzëqeshja e portokajve,
nga trungjet e menduara të  ullinjve.

E kam harruar fare ditëlindjen
siç ka harruar deti të tijën
me ujin që rilind çdo ditë.
Nuk e di sa vjeç jam. Nuk e di
prej sa kohësh e kam pirë
këtë dritë të kaltër
  rrjedh sipër këtij dheu të gurtë.

U mblodhën aromat e tokës,
gjithë dritat, rënkimet e detit,
meditimet e ullinjve,
delikatesa e  portokajve dhe më krijuan mua.

Po fati im - delfin Mesdheu -,
ka dhjetëra e dhjetëra vjet
që shoqëron 
një regatë  shpresash të rraskapitura   
detin e trazuar të tij.

sabato 25 aprile 2015

Shumë mund na u desh



SHUMË MUND NA U DESH






Shumë mund na u desh ta fitonim njëri tjetrin,
kur lufta e klasave na nginte pusitë,
dhe ishte sikur të hapnim një tunel
nga të dyja anët,
për t’u bashkuar në një pikë.

Nëpër natë
u gjendëm në arrati
me detin pranë,
me dallgët e tij,
të vetmit dasmorë që patëm; 
ku velloja e hënës të mbulonte gjer te këmbët
dhe ylli i Afërditës të ulej në gisht si unazë.

Nuk ngopeshim në ato çaste dashurie,
kaq pranë ëndrrave të përmbytura
me kundërmim.

Gjoksi im ulej e ngrihej 
i tërhequr nga frymëmarrja jote e shpeshtë,
ashtu si hëna, duke tërhequr oqeanet,
shkaktonte baticat e zbaticat pranë nesh.

Kur të preknin gishtat e mi
ndienin elektricitetin që të fërgëllonte
nga supet gjer tek ijet
dhe atëherë nga sytë e tu derdhej një dritë
e ngjashme me dritën  minerare të yjeve.

Ajo dritë ishte djegia e përjetshme e lëndëve kozmike
që ngjiz çuditërisht jetën e këtij dheu.

Po kush përpiqej ta shuante atë lëndë
që ushqeu tek ne zjarrin e madh të shpirtit,
ende të ndezuar pas kaq vitesh?

O helm i ëmbël si mjalti!



O HELM I ËMBËL SI MJALTI!



Të kujtohet historia e atij magjistari gjigant brenda një
shisheje?

Jam unë ai që tallazitet brenda  shishes sate
sa herë që ti e tund e shkujdesur
nga një zemërim i beftë.

Kur bie zemërimi, qelqi duket se ka marrë plasaritje
dhe unë pres të thyhet, t’i shpëtoj skllavërisë.

Eh, po të më lesh një gyp të marr frymë lirisht,
nuk do të përpiqem ta braktis atë qelq
të mbushur me djallëzi.

O helm i ëmbël si mjalti!

Sa vetmitar do të isha i flakur në lirinë time,
në lirinë e mallkuar, larg torturës sate!

domenica 29 marzo 2015

Një klik larg



NJË KLIK LARG


Kur ajo ende nuk shfaqet,
kur ende gishtat e saj nuk kanë
trokitur si një shi i rrëmbyer mbi tastierë,
ashtu, në pritje,
ndjehet si një shtrat lumi i shterur.

Çasti vjen. Imazhi i saj e mbush ekranin
dhe gjaku hov me gurgullimë,
si shkreptimë refleksesh drite,
si një potere e madhe zogjsh
mes  gjethe ëndrrash, që lëvrijnë.

Tani dashuria nuk është veçse një klik larg.

Nuk ka postierë me letra në prag,
nuk ka pritje dhe ankth të pafund,
as pliko të mbushura me lotët e saj,
as ofshamat e tij brenda një pusulle.

Ja ndien aromën, edhe pse larg merr frymë,
vibron zëri i saj nga bokset e kompjuterit
si një këngë,
një dorë që zgjatet nga ekrani e përkëdhel,
distancat dhe pengesat i shemb.

mercoledì 4 marzo 2015

Virtuale



VIRTUALE


Herë-herë e braktis realitetin ku rroj,
ja mbath, pa u vënë re, në virtualitet,
bëhem frymë, erë,
dhe  përpiqem t’i afrohem i ndrojtur
një vorbulle shpirtrash të përjetshëm që vërtiten mbi
 qytetërimin e sotëm.

Si adoleshent e ndjek nga pas këtë ekspeditë  poetësh,
filozofësh,
eksploratorësh, 
                         shpikësish
  me dritën e tyre u ndriçojnë udhën planetëve dhe
     kohërave.

Më përshkon tejetej ajo dritë  biologjike e pashuar
që zë fill nga antikiteti,
më tërheqin si me magnet sistemet e përsosura të ligjërimit
      të gjenive të mëdhenj,
guximi i eksploratorëve që zgjidhin njërën pas tjetrës
misteret e të panjohurave,
furia e teknologjive të erës digitale.

Atje poshtë, i tërë dheu më ngjan si një foshnje
në djepin e përkundur prej tyre.