........

sabato 25 aprile 2015

Shumë mund na u desh



SHUMË MUND NA U DESH






Shumë mund na u desh ta fitonim njëri tjetrin,
kur lufta e klasave na nginte pusitë,
dhe ishte sikur të hapnim një tunel
nga të dyja anët,
për t’u bashkuar në një pikë.

Nëpër natë
u gjendëm në arrati
me detin pranë,
me dallgët e tij,
të vetmit dasmorë që patëm; 
ku velloja e hënës të mbulonte gjer te këmbët
dhe ylli i Afërditës të ulej në gisht si unazë.

Nuk ngopeshim në ato çaste dashurie,
kaq pranë ëndrrave të përmbytura
me kundërmim.

Gjoksi im ulej e ngrihej 
i tërhequr nga frymëmarrja jote e shpeshtë,
ashtu si hëna, duke tërhequr oqeanet,
shkaktonte baticat e zbaticat pranë nesh.

Kur të preknin gishtat e mi
ndienin elektricitetin që të fërgëllonte
nga supet gjer tek ijet
dhe atëherë nga sytë e tu derdhej një dritë
e ngjashme me dritën  minerare të yjeve.

Ajo dritë ishte djegia e përjetshme e lëndëve kozmike
që ngjiz çuditërisht jetën e këtij dheu.

Po kush përpiqej ta shuante atë lëndë
që ushqeu tek ne zjarrin e madh të shpirtit,
ende të ndezuar pas kaq vitesh?

Nessun commento:

Posta un commento