........

sabato 11 luglio 2015

Ikja e Margarit Sulit



IKJA E MARGARIT SULIT



Ike dhe le pas një traktat filozofik qesëndisës për jetën,
me një buzëqeshje të hidhur,
që të tregonte enigmatik në sytë e të tjerëve.


Pe të të sulej vdekja dhe nuk u përpoqe t’i shpëtoje,
  t’i merrje mendjen,
që të mund të thithje edhe ca metër kub ajër nga kjo botë.


“Po shkoj,  the,
e kotë t’i qaravitem fatit!”.


Dhe mbylle llogaritë me jetën,
në një mënyrë që vetëm ti mund t’i mbyllje.


Kur të bëmë bilancin,
kur gërmuam në thellësitë e heshtura të karakterit tënd,
shtangëm para diamanteve të paprekura të virtyteve
që i ruajte me aq xhelozi nëpër labirintet  ku të çoi fati.


Djalë i hajthëm, eshtërfort i fisit suljot nga rridhje,
mes nesh ti ishe një mineral që s’e gjenim te Mendelejevi,
ishe klithma pezull mbi mahnitjen e kaltëreme të Jonit,
ishe refren i melodive të pa luajtura ende,
ishe një petal  ëndrre.


Shpirti yt  i lirë, si një qilim fluturues
shëtiste sipër fenomeneve
dhe gjithë të panjohurat dorëzoheshin para teje.


Nuk e ngrije zërin kurrë. Gjithë jetën mërmërisje
melodi të pafundme për t’ju shmangur
kotësive dhe keqkuptimeve të përditshme.


Në vend të nekrologjisë
pate kërkuar të këndohej mbi dheun që hapëm
e famshmja  “I giardini di marzo*” 
e Lucio Battistit.

Pas kësaj
nuk e di në të qetësuan “lumenjtë e kaltër, kodrat dhe
livadhet ku bredhin melankolitë e tua të ëmbla” ,
“në gjeti hapësirë universi brenda teje”
dhe a t’u “ngjall sërish kuraja për të jetuar”?

* Kopshtet e marsit. Rreshtat në thonjëza janë nga kënga  me këtë titull.

Nessun commento:

Posta un commento