........

martedì 4 agosto 2015

Vuvi i Tushit



VUVI I TUSHIT



Në fëmijërinë time burrat i ngjiteshin Llotroit
me një mëngë të zhveshur të xhaketës,
që u varej e boshatisur
dhe shtynin përpara gjoksin e tyre leshtor

Për t’u ndjerë burrë
fillova të gjarpëroja edhe unë  nëpër monopate,
duke tundur mëngën e hequr të xhaketës,
i fryrë si gjel.

E trashja zërin me shokët.

Qentë, macet dhe pulat
më hapnin rrugën të trembur.

Po një ditë, nga kroi i Agait, pashë të vinte,  si 
                                                             katallan,
i ngarkuar me bucelë, Vuvi i Tushit.

Mbajta këmbët
dhe, me një alarm të brendshëm,
u fsheha pas një shkëmbi,
me krenarinë e burrërinë e deriatëhershme, 
                                                    të shembur.

Kur u afrua,
shputa e tij e stërmadhe u ngrit mbi kokën time,
gati për të më shtypur dhe, përmes ulërimave,
pashë të ngrihej shputa tjetër tërë pluhur,
si në një film me xhiro të ngadalësuara.
Po Vuvi, duke u lëkundur e duke lëshuar
një  “ëh!” në çdo hap, nuk më përfilli kurrsesi,
po vazhdoi rrugën e tij.

Si i shpëtova gjëmës, qetësova të rrahurat e zemrës
dhe e futa krahun në mëngën që i takonte.

I trallisur fillova ta ndiqja së largu,
deri te gardhi i shtëpisë të rrethuar me fiq deti.

Pas gjetheve të gjera gjithë gjemba
e pashë tek zgjidhi litarët në sofat,
hodhi ujë në një ibrik
dhe ja zgjati butësisht një fëmije
me nojma e pasthirrma.

Që atëherë, kurrë nuk e zbraza mëngën e xhaketës,
duke hequr dorë nga fiksimi i të ndjerit burrë para kohe.



Nessun commento:

Posta un commento