........

domenica 29 marzo 2015

Një klik larg



NJË KLIK LARG


Kur ajo ende nuk shfaqet,
kur ende gishtat e saj nuk kanë
trokitur si një shi i rrëmbyer mbi tastierë,
ashtu, në pritje,
ndjehet si një shtrat lumi i shterur.

Çasti vjen. Imazhi i saj e mbush ekranin
dhe gjaku hov me gurgullimë,
si shkreptimë refleksesh drite,
si një potere e madhe zogjsh
mes  gjethe ëndrrash, që lëvrijnë.

Tani dashuria nuk është veçse një klik larg.

Nuk ka postierë me letra në prag,
nuk ka pritje dhe ankth të pafund,
as pliko të mbushura me lotët e saj,
as ofshamat e tij brenda një pusulle.

Ja ndien aromën, edhe pse larg merr frymë,
vibron zëri i saj nga bokset e kompjuterit
si një këngë,
një dorë që zgjatet nga ekrani e përkëdhel,
distancat dhe pengesat i shemb.

Nessun commento:

Posta un commento