........

martedì 20 novembre 2012

WINÉTT DE ROKHA




















WINÉTT DE ROKHA
Kili (1892-1951)

ËNDRRA E ALGAVE

Në erashkën time prej korali janë pikturuar
rrugët e humbura të detit,
në erashkën time prej korali.

Kujtimet që flenë në sirtaret e komosë prej mogani
krehin flokët prej algash nënujore me tymin
e një krehri,
ku një demon i verdhë ka gdhendur një puthje mëngjesore
në çdo dhëmbëz të tyre.

I dritësuar është plazhi dhe këmbët lakuriqe të hënës
bymehen butësisht.
 
Fjalët e detit hovin me baticën:
alge , shkëmbinj, pulëbardha, fare, anije, shkumë e dallgë,
të pushtetëshme, femërore dhe të pafundme dallgë!

Ëndrra e algave, ruan një sekret
të shkruar në shtatë perlat e ngjyrës së një përralle zanash blu,
kur gratë hyjnë lakuriqe në mëndafshin e oqeanit.


Përktheu: A. Mato

lunedì 19 novembre 2012

DEREK WALCOTT



 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DEREK WALCOTT

Saint Lucian – 1932

Çmimi Nobel 1992

 

PËRLESHJE NË BORD

Ishte një bastard në bord, në publik shakara pa kripë bënte-
ishte kuzhinier, një idiot i Shën Vincentit
me lëkurë të kuqërremtë  si një lëvozhgë e zhveshur,
dhe sytë blu të zbehtë; nuk më shqitej asnjë sekondë,
tip që besonte se ishte i bardhë. Kisha një fletore,
këtë që po sheh, në të cilin hidhja vargjet e mia,
nejse, një ditë ma rrëmbeu nga duart
dhe nisi ta hidhte majtas e djathtas
tek pjesa tjetër e ekuipazhit, duke ulëritur: "kapeni"
dhe filloi të më drejtohej gati sikur të isha një zonjë,
shkak i poezive. Raste të tilla përfundojnë me grushta,
me shqyerje rrobash  ose me thika -
kjo meritonte thikën. Ok! në fillim ju luta,
por ai nuk pushoi së lexuari: "O fëmijët e mi, o gruaja ime",
dhe bëri gjasme sikur qarravitej,  që të tjerët të gajaseshin:
u hodha vrik si një peshk fluturues, thika e argjendtë
i shpoi pulpën dhe ai ra ngadalë, ngadalë, dhe
u bë më i bardhë se ç’besonte se ishte. E di, ca gjëra 
lypsen. Nuk është e drejtë, por ja që duhet.
Nuk i bëra kushedi çfarë, vetëm një rrjedhë
gjaku, vëllezër, por askush
nuk e tall më larën me poezinë time.

Përktheu: A. Mato


sabato 17 novembre 2012

LLOGARA
















LLOGARA


Mjegullat flenë ditën në fund të Jonit, pranë anijeve antike
 të mbytura, në Gràmata.
Tufa-tufa, të verbëra, pa zhurmë dalin netëve
 për të ngjitur Qafën e Llogarasë
dhe mërzejnë në pyjet e pafund të pishave. Mbajnë ende
një erë thellësirash, algash dhe kullosin nëpër gremina
kuturu. Ngjeshen para veturës tënde dhe fenerët e verdhë
nuk e çajnë dot asnjë metër verbërinë e tyre.

Pisha të larta e të drejta si tempuj të hirtë. Asnjë hap
s’mund të hedhësh sepse nuk dihet në ç’epokë bie.

Nuk gjen dot portën e asnjë ylli për të trokitur.

Ti e humb durimin. “A ka njeri këtu?” –
dëgjon veten të flasë. Sheh dritën e një feneri që afrohet
dhe kujdestarin e fshatit turistik alpin që vjen të të marrë.

E nëse ende je i acaruar dhe kërkon një krevat pa mjegull,
ai ta bën me shenjë të heshtësh se mos zgjuan perënditë
dhe të thotë në vesh:
” Edhe ato, në një kabinë me mjegull flenë.”

Afër mëngjesit, mjegullat, zbresin sërish në Gràmata
dhe lëshojnë vezët e tyre në fund të Jonit,
si margaritarë në mes lëndinave të koraleve.


lunedì 12 novembre 2012

VDEKJA E MJELLMËS



PABLO NERUDA





















VDEKJA E MJELLMËS

Përktheu: A. Mato

Në liqenin Budi shfarosnin pa mëshirë mjellma. U afroheshin
pa u ndier mbi barka dhe befas me shpejtësi u jepnin remave.
Mjellmat, si albatrosët, donin kohë që të merrnin fluturimin
dhe rrëshqisin me ngathtësi mbi ujë. Ngrenin me vështirësi
krahët e mëdha para se të nisin fluturimin.
Por ata i arrinin dhe i gjuanin me shkopinj.
Më sollën një mjellmë gjysmë të vdekur. Ajo ishte një prej atyre
zogjve të mrekullueshëm,
që nuk i kam parë më kurrë në të gjithë botën, nga lloji me
qafë të zezë.
Ishte si një anije prej dëbore dhe një qafë e mbërthyer
si në një çorape të ngushtë prej mëndafshi të zi.
Sqep ngjyrë portokalli dhe sytë e kuq.
Ma dhuruan pothuajse të vdekur. Unë i mjekoja  plagët
dhe i shtija në fyt copa buke dhe peshq. E refuzonte gjithçka.
Megjithatë filluan t'i qetësoheshin plagët dhe  të kuptonte
se unë isha një mik. Ndërsa unë nisa ta ndjeja se malli
                                                                         e mundonte.
Atëhere e mora në krahë zogun e rëndë dhe e çova tek lumi.
Ai notoi pak më afër meje. Doja që të peshkonte dhe unë
 i tregoja zallin në fund të lumit, rërën ku shndrisnin
peshqit e argjentë të Jugut. Por ai i shihte me sytë
e trishtuar në  distancë.
Pra, çdo ditë, për më shumë se njëzet, unë e çoja
 në lumë dhe e risillja sërish në shtëpinë time.
Një mbrëmje notonte bri meje e përhumbur,
nuk tundohej nga insektet me të cilat përpiqesha ta  mësoja
të peshkonte sërish. Ajo qëndronte e pavullnetëshme
dhe përsëri e mora në krahë për ta sjellë në  shtëpi.
Pastaj, kur e mbajta në lartësinë e gjoksin tim,
ndjeva të lëshohej si një rrip, diçka si një krah i zi më
prekur fytyrën.
Ishte qafa e saj e  gjatë që binte si e valëzuar.
Kështu që unë mësova se mjellmat nuk këndojnë
ndërsa vdesin, ndërsa vdesin nga trishtimi.

venerdì 9 novembre 2012

JON



JON 

Një hap më tej fillon gjithësia. Pranë meje - palombarë që
                                                              ngjiten në qiell,
astronautë që cekin fundin e oqeaneve.
Një botë fanepsjesh më rrethon.
Ç’ rrinte e fjetur brenda meje për vite me radhë
çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe vërshon
rrugëve të një Butrinti që shullëhet në zgrip të hapësirave.

Kuaj lumenjsh gremisen nëpër kaskada.
I dal Noes përpara dhe marr në dorëzim listën me të gjitha
          speciet e tokës që mbarti në arkën e tij. 
Përmbytja zmbrapset.
Toka që kërkonte është tek unë. Faret,
me një dritë radiumi ma bëjnë me shenjë si sinjalet e një
 piste aeroporti në mes të natës.

Një hap më tej është gjithësia. Këtu, pranë meje,
valët nxjerrin në breg statuja. Të mos kesh mendjen,
gremiset një kapitel drite dhe tingujt vagnerianë,
nga tendosja e telave të hapësirës, jehojnë thellë
                                                                zbrazëtive. 
Mbështetem mbi një mur resh që të mos vithisem.
Vë veshin dhe dëgjoj zërin e Thamosit që oshëtin nga 
                                                                          anijet
dhe lajmëron se Pani i Madh vdiq.
Drithërima e liqenit Pelod atje pranë,
me një simfoni të qarash, ndihet nga bregu tjetër.
Kush jam unë? Si më braktisën kështu perënditë pagane
dhe më lanë të vetëm në mes të sirenave që fillojnë të
                                                                       mbushin
radhët e koreve jonike të polifonisë ?

Një botë fanepsjesh më rrethon.

2012

domenica 4 novembre 2012

POETI QË MERR…FUNDO



POETI  QË MERR…FUNDO
Mbi  vëllimi poetik “Fundo” të poetit Agim Mato
në  ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”
Nga Timo Mërkuri.

 1- Pak e dinë  se jeta e Agim Matos ka kaluar mes privimeve sociale dhe shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të rëndomtat, për vet karakterin klasor të sistemit që lamë pas.  Arrestimi dhe dënimi politik i të jatit, i solli si pasojë  heqjen e të drejtës së botimit. Ndonëse ai  pohon me sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës së botimit,  solli një heshtje gati 30 vjeçare të këtij bilbili të poezisë shqipe..
Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte kohë  brohoritjesh.. ..Dy ditë me rradhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …
Kështu shpjegohet fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korigjonte e sidomos…heshtëte si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në buzë” , duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm…
Dhe unë, ndërsa kujtoja dhe shkruaja  këtë fakt, s’di pse nisa të rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë  vargjet…Vetëm neve na kërkojnë/çertifikata virgjërie.
Kjo puna e “biografisë” së tij edhe mua  më nxori disa herë “telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “  këshillonte babain, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që kishte me të birin e një të  burgosuri politik”. Im atë   më  pyeste i merakosur  se…  “mos  do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani që  s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me faktin se  para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja ime  e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ja mbushte shumë mendjen. Po ja që   një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik “Jug” të Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.
I qetë, sikur nuk më pa mua, duke e lënë librin në tavolinë, gjasme fliste me vete, tha:
-Po ky budalla, pse nuk i enveros këto vjersha? Apo mos do që  të kalbet burgjeve, më keq se i jati?!

sabato 3 novembre 2012

VDEKJA E PALMAVE















VDEKJA E PALMAVE



Kur pashë gjëmën të  pllakoste amfiteatrin gjigant të palmave
                                    të Mesdheut,
e braktisa Otranton e rrethuar
këtë radhë
jo nga çallmat e kuqe të jeniçerëve
po nga hordhitë e buburrecave të kuq.

Pas meje mbetën palmat e martirizuara
që ngriheshin si cungje drejt qiellit.

Po në tragetin që më çonte drejt veriut
më kot hetoja se mos udhëtonin bashkë me mua
koleoptera spiunë
të kësaj perandorie të padukëshme që vërshonte nga Azia e
  largët.

Telepatia më thoshte se ata  kishin mbërritur para meje.

Dhe sa m’u shfaq Saranda në mes makthit të mbrëmjes
më bëhej se dëgjoja kujen e peizazheve të mia. I vija veshin
trungut të çdo palme, se mos ndjeja luzmën mizëri të tyre.

E keqja nuk  kishte më kohë të më priste mua.

Nga një marramendje e çuditëshme fillova të fotografoja i 
                                                                          trallisur
                                                            palmat një nga një,  
tek parku “Hasan Tahsini”,
tek parku i shatërvanëve,
tek ajo mrekulli vigane e lulishtes “Butrinti”,
duke bluar mendime të poterëshme në kokë, sepse po
                                                                    realizohej  
                                                  më në fund  profecia
kur qielli do të boshatisej nga hierorja e gjelbër e tyre.

Stivosja peizazhet
që do të më mungonin
kur nga ana tjetër e telefonit
dëgjova zërin e inxhinjerit të gjelbërimit
t’i bashkohej vajtimit tim,
dhe u ndjeva një humbës i terratisur nga fati.

Kush mund ta durojë më sharrimin e sharmit,
përplasjen përtokë të hieroreve qiellore,
nga këto fshikëza që sapo dalin nga vezët
dhe fillojnë të mbllaçisin me makutëri
tërë këtë bukuri që pata?

Mos më leni të shoh më
autovinçin me koshin që ngjit deri tek kurora
punëtorin me motosharrën që pret trupin tim.

As te laboratoret tashmë,
as duke rrëmuar te Wikipedia
ende nuk gjej shërim.