........

giovedì 27 febbraio 2014

Perëndesha



PERËNDESHA
Tregim nga Alberto Moravia
Përktheu: A. Mato

            Dal nga shtëpia për të shkuar tek njeriu që kam dashur dy vjetët e fundit dhe kam pushuar së dashuri dymbëdhjetë orë më parë. Dashuria ime zgjati aq sa zgjati suksesi i këtij njeriu, një regjizor kinematografie shumë i njohur dhe mbaroi dje në mbrëmje, atëhere kur në sallën e shtëpisë prodhuese në të cilën projektohej filmi i tij i fundit, u ndez drita dhe spektatorët, në pjesën më të madhe kritikë kinematografie, janë parë në fytyrë në heshtje dhe pastaj, njëri pas tjetrit kanë ikur kokrra kokrra, pa i shtrënguar të paktën dorën autorit, siç është zakoni. Në poltronën time, në errësirë, kam ndjekur zbritjen e lehtë por të pandalëshme të filmit drejt shkatërrimit, dhe, në të njëjtën kohë, të dashurisë sonë drejt ftohtësisë dhe shkëputjes. Bonifaci, regjisori im, ishte ulur përbri; i mbaja dorën në dorë, një zakon që nga fillimet e marrëdhënieve tona, pak para fundit, ia tërhoqa dhe kur ai tentoi ta rimerrte, ia refuzova, duke murmuritur, kushedi përse, këtë frazë të paparashikuar jo vetëm për të por edhe për mua: “Lemë. Gjithshka midis nesh mbaroi.” Shumë shpejt u krruspullua në vetvete, si ta kisha qëlluar në zemër me një shigjetë të helmatisur. Pastaj më shoqëroi i heshtur për në shtëpi dhe mbi prag u shkarkua kështu: “Të lutem, të kursejmë çdo koment të fundit. Tani ne duhet të shpëtojmë mbi të gjitha dashurinë tonë. Mirëupafshim, do të shihemi nesër në mëngjes.”
Të shpëtojmë dashurinë tonë! Ndërsa ngas qetë qetë,  automatikisht, makinën nëpër rrugët e gëzuara e të mbushura me njerëz të mesditës, ul sytë në vetvete dhe bindem se fundi i dashurisë sonë është tashmë është tashmë i lexueshëm në veshjet e mia. Tashmë përse duhet ta di se Bonifaci është bërë që nga fillimi një ide për mua, prej së cilës, në mënyrë të pashmangëshme më është dashur në fund të fundit të përshtatem? Thoshte se kisha një trup prej perëndeshe dhe një shpirt fëmije, dhe se ai nuk e dinte ç’të bënte me fëmijën dhe nuk donte tjetër veçse perëndeshën. E, me pak fjalë, një mazokist autentik, Bonifaci, për ti bërë qejfin, më është dashur të ndryshoj karakterin tim të vërtetë në thelb miturake, kapriçioze, të paqëndrueshme dhe naive duke u sjellur, përkundrazi, si një grua mashkull autoritar, pa emocione, e pamëshirshme. Në mënyrë analoge, në llojin e veshjes, më është dashur të heq dorë nga veshjet e lira hippy, drejt së cilës ndjehesha të shkoja natyrshëm, dhe të adoptoja, përkundrazi, një stil shumë “të veshur”, që do të thotë të  dilja e dekoruar si një statujë mbi një altar. Po tani, falë fundosjes së filmit, i jam rebeluar idesë absurde se jam një perëndeshë. Në vend të parametrave të një prestarie luksi, kam veshur një triko të trashë që varet dhe një palë pantallona të vjetra të zbehura. Bonifaci nuk ka dashur t’ja dijë për fëmijën që është tek unë, sepse në realitet donte të ishte ai fëmija midis ne të dyve, ai gjithmonë nevojtar për të qenë i përkëdhelur, nanurisur dhe ndoshta ndëshkuar. Po çdo lojë zgjat pak: fëmija tashmë çlirohet nga perëndesha dhe gjen vetveten.
Megjithatë, nuk ka dyshim se fiaskoja e Bonifacit më krijon një sasi problemesh të reja. Nuk jam kaq budallaçkë, as kaq mosmirënjohëse që të mos e pranoj se i detyrohem shumë në nivelin material Bonifacit. E punësoi babain tim të papunë, ndjek studimet në Zvicër vëllai im,  i jep herë pas here punë si figurante motrës sime, i premton të banojë në një apartament në pronësi të tij, pa paguar asnjë qira,  Dikush do të mendojë ndoshta se të gjitha këto Bonifaci i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë sepse ia kam kërkuar. Nuk është e vërtetë. Ishte ai që më impononte përkrahjen, që në fund të fundit, nuk i takojnë vetëm familjes sime, me qëllimin pak a shumë të qartë, që të lidhem me të, duke u bërë i nevojshëm, përkundrazi, i domosdoshëm. Me pak fjalë, e thënë shkurtimisht e brutalisht, kanë qenë sukseset dhe jo favoret që më bënin të rrija me Bonifacin, për shkak të nevojës sime, gati fiziologjike të suksesit, i cili është për mua, në të njëjtën kohë, zëvendësuesi, simboli dhe prova e potencës seksuale. Po tani Bonifaci nuk ka më sukses dhe unë zbuloj se nuk është gjithashtu e lehtë ta le, sepse ka hyrë në jetën time, ose më mirë, në atë të familjes sime, dhe që ky kalkulim i tij dinak që të lidhem me të në saje të ndihmave bërë të mive, rezulton të jetë i drejtë, në fund të fundit, në këtë mënyrë vicioze të misterëshme që është e tij për gjërat që na bien përsipër dhe i pranojmë, është shumë vonë tani për t’u çliruar. Pra, e dua unë ose jo, gjendem përballë një dileme poshtëruese: o ta le Bonifacin, duke sakrifikuar familjen time, ose të rri me të duke sakrifikuar vetveten.
Për fat, mbërritur në këtë pikë vdekjeje në reflektimet e mia, vështrimi më bie në një pjesë të një fashikulli të madh të gjelbër, që rri mbi kroskotë, midis një qeske me karamele dhe kutisë së shamive prej letre. Dhe kopjrn e një skenari, që qëndron aty prej një muaji; ma ka dhënë një regjisor i ri , Girolamo, i cili ka patur këtë dimër një sukses të madh e autentik me filmin e tij të parë. Ma ka dhënë duke më kërkuar (absurde) sepse unë njihem për injorancën, ta lexoj dhe pastaj t’i telefonoj se si më është dukur dhe në fakt ka shkruar me laps të kuq mbi kopertinë numërin e tij të telefonit: një mënyrë për të më thënë se i pëlqente të ma bënte të ditur se ai më pëlqente mua. Fashikulli, siç thashë, rri aty që prej një muaji dhe, natyrisht, nuk e kam lexuar; por gjatë këtyre tridhjetë ditëve mesazhi, kuptohet, në këtë kërkresë të çuditshme për konsulencë ka  vepruar ngadalë, por sigurt.  Kam provë për këtë: këtë mëngjes jam veshur si hippy, ndoshta jo shumë për të zemëruar Bonifacin, që më dëshiron perëndeshë, se sa për t’i pëlqyer Girolamos, që ai, të paktën, duke gjykuar nga mënyra e të veshurit, më dëshiron të tillë. Ajo triko e lëshuar, ato pantallona copë e çikë “janë” dukja ime e favorëshme. Kërkesa për të lexuar kopjen e skenarit “ishte” një deklaratë dashurie në ujrat më të mira. Po si të bëj tani për t’i komunikuar mesazhin e kuptueshëm nëpërmjet veshjes sime? Thjesht, duke i telefonuar, duke fiksuar një takim, me pak fjalë, duke e bërë të më shohë.
Frenoj papritur në rrugë, në të cilën lejoj të kalojë një burrë, pra dal nga rreshti i makinave dhe shkoj të ndaloj përpara një bari të madh të mbushur me njerëz. Zbres, hyj në bar, blej në kasë xhetonin, shkoj të mbyllem në kabinën telefonike. Jam shumë e trembur, e kuptoj se, ndërsa formoj numrin, zemra më hidhet në kraharor dhe frymëmarrja gati më mungon. Kur zëri i Girolamos thotë: “Alo!”  tek marrësi, për një moment, para se të them emrin me një fill zëri, më duhet të luftoj kundër një turbullimi që më pushton. Po shikoni se ç’do të thotë sukses! Menjëherë pas kësaj, toni i tij i mprehtë, i guximshëm, agresiv, si një pije e fuqishme dhe me efekt të menjëhershëm, më ngriti nga depresioni ku më çoi mbrëmjen e shkuar fiaskoja e Bonifacit., më gjallëroi, më bëri gati  të ngrihem fizikisht, saqë përnjëherësh ndjeva ngushtësi në zagushinë e kabinës telefonike. Thamë një sasi gjërash ashtu në mënyrë konfuze, plot rrëmet, si shpërthim i të dyve në të njëjtin moment. Në fund ai më kërkoi me një mbetje pasigurie në se mund të shiheshim nga java. Paturpësisht i përgjigjem se do të jem nga ai po këtë mbasdite.
Kur dal nga kabina kam përshtypjen e saktë se njerëzit që mbushnin barin, kthejnë kokën në kalimin tim, sikur biseda me Girolamon, më pati bërë përnjëherë të dukëshme, në një farë mënyrë të hapët e provokuese. Atëhere, gati e surprizuar, zbuloj se, pa e kuptuar, kam zgjidhur dilemën time: të rri me Bonifacion dhe kështu të mos e dëmtoj familjen time, që tashmë varet nga ai, por suksesi i Gerolamos nuk mund të bëjë më pak, tani e tutje do t’ja kërkoj atij. Jam kështu e kënaqur me këtë zgjidhje. Një çast në makinë, para se të filloj të guidoj, shikohem në pasqyrën sipër xhamit mbrojtës dhe miturisht i shkel syrin dhe i nxjerr gjuhën. Pastaj, në vend që të shkoj drejt nga Bonifaci, ja mbaj nga shtëpia ime, heq nga trupi  bluzën, pantallonat dhe vesh sërish teshat solemne që më transformojnë në statujë.
            Më vonë hyj në ashensorin për në apartamentin e Bonifacit. Ashensori është një karro fatale në të cilin qëndron  në këmbë një perëndeshë e qetë, e pandjeshme, çnjerëzore. Dhe në fakt, kur Bonifaci më hap portën e më sheh në prag që e shikoj, e heshtur dhe palëvizur, ka gati një lëvizje si për të m’u hedhur tek këmbët. Por përmbahet dhe më udhëheq para, duke shkuar të ulet në tavolinën e tij të punës. Unë qëndroj para tij, në heshtje, duke iu ofruar shikimeve të tij. Në fund thotë me sinqeritet, i përulur: “Sa e bukur je! Filmi im ishte i shëmtuar.”

1 commento:

  1. Dr.Agbazara është një njeri i mrekullueshëm, ky mjek më ndihmon ta sjell përsëri dashurin tim Jenny Williams, i cili u prish me mua 2 vjet më parë me hedhjen e magjisë së tij të fuqishme dhe sot ajo është kthyer tek unë kështu që nëse keni nevojë për ndihmë, kontaktoni atë me email: ( agbazara@gmail.com ) ose telefononi / WhatsApp +2348104102662. Dhe zgjidh problemin tuaj si unë.

    RispondiElimina