BORA DHE BANANET E TROPIKUT NË SARANDË
Me një gëzim naiv i
pritën flokëzat e borës, bananet e tropikut
në
Sarandë,
bananet me krahët
gjigantë e të gjelbër,
të gënjyera nga ngazëllimi
i papritur i fëmijëve
që gjuanin me topa
bore moshatarët
nëpër parqet e hutuara buzë detit.
Gëzimi zuri t’u
mekej, kur pak e nga pak, shtresa e bardhë
dhe
e ftohtë e borës
filloi t’u rëndonte përsipër.
Atëherë krahët e tyre
elegantë,
si krahë albatrosësh oqeanikë,
e humbën energjinë e
lundrimit në ajër
dhe nuk e patën më
forcën të hapeshin si më parë.
Po nata e pazakontë
erdhi.
Bananet e tropikut,
të pamësuara
me acarin, apo ngricat
nuk arrinin të
ndalnin dridhmat me pelerinat e tyre të holla
në
shpatulla
dhe shtrëngoheshin
për t’u ngrohur,
duke ndjerë t’u
shqepen teshat e gjelbra,
e t’u boshatisen e
damarët.
Mëngjesi i gjeti të
gjunjëzuara,
në parqet ku rronin,
në një peizazh të bardhë
e të panjohur bore
dhe kur hapën sytë, veten
e panë me lemeri,
të katandisura me ca
zhele të zverdhura,
me gjymtyrë të këputura
e pa jetë.
Nessun commento:
Posta un commento