........

mercoledì 8 marzo 2017

Luleshqerrat



LULESHQERRAT

Ç' ishin ato zëra që më thërrisnin me ngut nga poshtë?
Ç'të kishte ndodhur?Zgjata kokën në dritare
dhe pashë sheshin e erërave të shkurtit
të mbushur plot e për plot me shoqezat e mia të hershme:
luleshqerrat e sapoçelura. 
 "Eja, eja", tundeshin të gëzuara 
nën dritën e virgjër mëngjesore.
Nuk e di si u injektua një padurim brenda meje
dhe nisa të zbres dy e nga dy shkallët e viteve,  
duke braktisur kohën,
i shndërruar në çdo hap,
derisa mbërrita atje poshtë 
një fëmijë i vogël në pakohësi.

U prekja kërcellin e hajthëm,
petalet ngjyrë ëndrre
dhe një lot më rrëshqiti 
para dëlirësisë e pafajësisë së tyre.
I mbuloja me pëllëmbët e vocka
nga frika se mos kthehej sërish thëllimi.
Nga vinin kështu? 
Nga thellësia e kujtimeve të mia
apo ndonjë qenie e përrallave të fëmijërisë
m’i dërgonte nga nëndheu?

U harrova gjatë si fëmijë 
dhe nuk kujtohesha më
të ngjitesha atje lartë 
te mosha ime e shkuar.

Ku e gjenin forcën ato lule të imta
të magjepsnin psikikën time të lodhur nga jeta
e të më kthenin atje ku pata skicuar
bukurinë e shpirtit dhe ëndrrat?



Nessun commento:

Posta un commento