........

lunedì 27 marzo 2017

Aristidhi



ARISTIDHI


Ju kujtohet Aristidhi i gjorë, truppakët
e i hajthëm me gjymtyrët  si një buratin?
Natyrën e mbushi me pemë
rrotull shtëpisë përdhese
të ngritur me gurët që nxori
nga hapja e kopshtit  me mundim.

Vetëm me natyrën kuptohej,
asaj ia dha ç’ kishte në jetë.

Fotoja e të birit të burgosur në Spaç
i rëndonte në xhep më  shumë se vitet,
më shumë se shkëmbinjtë
i peshonte dhimbja  që hiqte zvarrë në qytet.

Atëherë shtyllat e shpirtit ja rrëzuan
skenat e kinemasë dimërore
të mbushur cit më cit me sehirxhinj.
Në bankën e të akuzuarve i biri dridhej
me të gjashtëmbëdhjetë vitet në shpinë.

Atëherë një ulërimë e thekshme e mbuloi të tërin
kur dëgjoi pretencën me njëzetë e pesë  vjet
dhe thanë se shkalloi duke sokëllitur në brigje,
në shkëmbinjtë e thepisur mbi det.

Njëzetë e pesë vjet, 
se i biri guxoi
të nisej me not deri në  Korfuz,
kur befas i dolën si ujqër prozhektorët
dhe rrugën ja ndërprenë
në natën pus.

Vite më vonë, të gjorin  Aristidh,
tek rrinte i vetmuar si një statujë mbi det
e pyetën, të ardhur nga Tirana  ca të rinj:
- Sa larg është ishulli që këtej?
dhe një zë të zvargur, tjetërsoj, dëgjuan:
               - Njëzetë e pesë vjet!.

Nessun commento:

Posta un commento