........

lunedì 13 marzo 2017

Stilistika befasuese e poetit Agim Mato



PAJTIM   ÇAUSHI



STILISTIKA BEFASUESE E POETIT AGIM MATO


Në një udhëtim prej lexuesi të vemendshëm përgjatë vargjeve  të krijuara nga poeti Agim Mato përfton gjendje emocionale pozitive të veçantë. Kjo pasi ndiehesh i qarkuar dhe i ngacmuar nga dhjetra e qindra njesi stilistike te hijshme e origjinale të cilat të ngopin me kenaqësi estetike të llojllojshme.
Mendoj se figurshmëria e poezisë së Agim Matos, që në krye të herës, ka dy boshte  emocionale të lidhur ngushtë me njeri jetrin: udhëtimin dhe detin. Uni poetik i të gjithë vëllimeve të publikuar tek lexuesi nuk është një udhetar i zakonshëm që fluturon a zvarritet skrëkave a shetitoreve në skaje të ndryshëm të vendit e të globit. Ai është një një lundërtar, një peshkatar, një sfidues i gjithë elementëve të fshehur apo të shfaqur të mosekzistencës që, duke u përplasur me ta, del kundërshtues dhe triumfues. Valvitja e flamurit të jetës sfidon të këqiat e llojllojshme duke lënë pas sakrificën për vazhdimësi gjithëkohore.
Poeti që në vëllimin e parë poetik me titullin shenjues JUG (1970) prezantohet me një metaforë besasuese dhe krahasimin e lindur nga mjedisi i vendindjes së bukur që shenjon identitet, kolorit dhe origjinalitet: “stuhitë jugore kam sjellë,… portretin e peshkatarëve si vet shkëmbinjtë e detit…”
Edhe prezantimi i heroit lirik të poezisë, përmes përsëritjes artistike dhe enumeracionit të krijuar prej elementëve të njohur të mjedisit jepet në raportin e përjetshëm bir – natyrë, me nënteksin bir – nënë: ”jam bir I brigjeve të gjelbra, bir I rërës dhe I detit…”
Përkufizimi për qytetin e Sarandës krijon një polivalencë figurative origjinale dhe është nga më të goditurat që i është bërë perlës së jugut: “Saranda - si një hënë e prerë është ngulur në tokë…” Harmonizohen bukur krahasimi, epiteti dhe metafora duke krijuar bashkëjetesë të përsosur me objektin të cilin përkufizojnë.
Tek vëllimi poetik “JASHTË EKLIPSIT” – 2012, Agimi e ngre në nivel më të lartë cilësin e krijimit të figurës stilistike, e fut atë në një furrë me temperaturë të lartë duke e pjekur dhe duke e bërë më interesante e mbresëlënëse: “u ndezën motorrët e metaforave”,  shkruan ai duke vetëthënë përgjegjësitë krijuese që merr përsipër që t’u përcjellë lexuesve. Tanimë, imagjinata krijues dhe parafytyrimi poetik janë të një shkalle të lartë pasi figurshmëria lind nga ngjizja e detajeve jugorë, tokësorë dhe qiellorë:

“I vetmuar jam në jug,
Far i plakur mbi shkëmb,
I përmjerë nga yjet,
I pëgërë nga glasa hënore…”

Inversioni bëhet emocionues dhe ndikues për kënaqësi estetike kur ndërtohet me ngarkesë figurative  të menduar dhe të vendosur mes vargjeve në formë origjinale. Vargje dhe figura të tilla të përcjellin veti estetike dy – tri formëshe.
Dukuritë e kërcënimit të ekzistencës së jetës njerëzore në kohën e diktaturës realizohen bukur përmes metonimisë e metaforave të veçanta emrore. Krijimi i tyre lidhet ngushtë me përditëshmërin e ngritur në art nëpërmjet detajeve të përzgjedhur tronditës:

“... Gazi i policisë angullinë në të përpjeta:
Erdhi njëmbëdhjeta…

....Qënie që rriteshin në vaskat e absurdit të
një doktrine…

....Tanket derdhin gjakun e luleve…”

Stilistika e poezisë së Agim Matos është e pakrahasueshme për nga eleganca dhe veçantësia edhe kur trajton tema tërësisht të bashkëkohësisë. Ngjarjet absurde, tragji–komike,  shkaterruese me pasoja negative në dhjetra e dhjetra vite s’ka se si të jepen më saktësisht nga ana artistike se në vargjet rrënqethës për vitin e çmendur ’97:

“shtrirë përtokë simetria e zambakëve,
Algjebra e lulishteve,
Gjeometria e trotuareve,
Shtrirë përtokë shteti!...”

Meditimi, përgjithësimi dhe mëvetësia e stilistikës poetike të poetit Agim Mato ngrihen në nivele edhe më të lartë tek vëllimet e viteve të fundit. Kjo për faktin se në vargjet e tyre shpesh poeti kapërcen pragun e arritur dhe futet në shtresat e konceptit estetik të palimpsestit. Kjo është shkalla më e lartë që mund të arrijë filozofia krijuese e në poeti, shkallë të cilën steka e lartesisë së figuracionit të krijuar nga Agim Matos e ka zënë. Mendoj se ky nivel estetik duhet të jetë objekt i një shkrimi tjetër më vete për të dalë më i plotë dhe më shenjues.


Nessun commento:

Posta un commento