TRONDITJET SHPIRTËRORE SI
MESAZHE POETIKE
– Parathënie e prof. Anton Nikë Berishës për librin me poezi të zgjedhura të
poetit Agim Mato, “Shkretëtirë harrimi” botuar në Prishtinë nga sh.b. “Faik
Konica”–
“Poezia nuk është një mënyrë e
lirimit të ndjenjave, po një shmangie nga ndjenjat; nuk është një shprehje e
personalitetit vetjak, po një shmangie nga personaliteti. Natyrisht, vetëm ata
që kanë personalitet dhe ndjenja dinë çka domethënë të shmangësh nga këto
gjëra”.
Thomas S. Eliot
Poezia si etje dhe ngushëllim shpirtëror
Thuhet me të drejtë se secili
poet e ka botën e vet të mëvetësishme poetike dhe këtë e shpreh në secilën
vepër që e krijon. Pra, ai ndryshon prej secilit poet tjetër, siç ndryshon edhe
vepra e tij prej çdo vepre tjetër. Në qoftë se do të pajtoheshim me këtë
përcaktim, atëherë do të ishte e natyrshme të themi se dhe qasja që i bëhet
poezisë së një poeti duhet të jetë ndryshe nga ajo që i bëhet poezisë së një
poeti tjetër. Pa dyshim se, në një mënyrë ose në një tjetër, vetë poezia e kushtëzon
qasjen dhe interpretimin. Tek e fundit, mënyra e komunikimit me një vepër
letrare nuk mund ta kushtëzojë atë si fakt i dhënë, po ajo si art gjuhësor
poetik e kushtëzon qasjen dhe interpretimin që i bëhet ose duhet t’i bëhet.
E përmenda këtë fakt për arsye
se poezitë e zgjedhura të Agim Matos të përfshira në këtë vëllim kushtëzojnë të
merresh me to në mënyrë të mëvetësishme. Arti i tyre, e bukura dhe e
madhërishmja, brumosur në mënyra të ndryshme brenda strukturës gjuhësore
poetike, janë vendimtare për përcaktimin e qasjes dhe të interpretimit.
Qenësia
e poezisë së Agim Matos mund të shprehet mirëfilli nëpërmjet këtij mendimi të
Edgar Allan Poe-s: “Është pranuar, heshtazi e haptazi, në mënyrë të
drejtpërdrejtë e të tërthortë, se objekti përfundimtar i poezisë është e
vërteta. Është thënë se çdo poezi duhet të ngulisë në mendje një moral e prej vetë këtij morali të gjykohet dhe vlera poetike e veprës. Kemi qenë
veçanërisht ne Amerikanët që e kemi përkrahur këtë ide të lumtur e ne
bostonianët, në mënyrë akoma dhe më të veçantë, që e kemi zhvilluar atë
tërësisht. Kemi ngulitur në tru, se të shkruash një poezi thjesht për hir të poezisë e ta
njohësh se ky ka qenë dhe qëllimi yt, do
të thotë ta tregosh veten tërësisht të mangët nga forca
dhe dinjiteti i vërtetë i poetit — por e vërteta e thjeshtë është se, nëse do t’ia lejonim vetes kundrimin në
thellësi të shpirtrave, atëherë do të zbulonim menjëherë që nuk ekziston e as që mund të ekzistojë në këtë botë
ndonjë vepër më tërësisht dinjitoze — më sublimisht fisnike se ajo poezi e vërtetë — ajo poezi per
se — ajo
poezi që është veç poezi
dhe asgjë më shumë — ajo
poezi e shkruar
vetëm e vetëm për hir të poezisë [...] Gjithçka që
është e domosdoshme në një
këngë, është saktësisht gjithçka me të cilën ajo s’ka
të bëjë në asnjë lloj mënyre. Është veçse mbrujtja e saj si një paradoks që
valon i kapardisur, kurorëzimi i saj me
lule e margaritarë. Mirëpo, për fuqizimin e së vërtetës
na lipset më tepër rreptësia se sa rrjedhshmëria e gjuhës. Pra, duhet të jemi
të thjeshtë, të saktë, lakonikë. Do të qe një teoricien i çmendur deri në pa përgjigje, ai që, pavarësisht nga
këto dallime, do këmbëngulë
ende të bashkëpërziejë vajrat e ujërat kokëfortësisht të papërziershëm të
poezisë dhe së vërtetës”.
Nëse i lexojmë me vëmendje të
shtuar këto poezi të Agim Matos, atëherë shumëçka nga ajo që thuhet në mendimin
e Poezisë përligjet në mënyrë sa të gjerë aq dhe thellësore. Poeti ynë e ka
ruajtur thellë në vete të vërtetën e tij, të vërtetën e vendit të tij, të
vendlindjes së tij dhe të njeriut të tij, që për rreth tridhjetë vjetësh
heshtjeje është shtresuar e ngjizur, është pjekur e stërpjekur brenda shpirtit
të tij dhe në një çast, kur ka qenë i lirë dhe ka pasur mundësi ta thotë
lirisht, e ka shprehur atë përmes tekstit poetik, përmes mesazheve poetike. Me
fjalë të tjera, këngët e fjetura (i kujtojmë vargjet e poetit tonë, Migjenit: “Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme / të cilat ende vuejtja as
gëzimi s’i nxori, / të cilat flejnë e presin një ditë ma të
lumnueme / me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori”), zënë të marrin
jetë; e vërteta poetike, përmes një sistemi figurativ të pasur, të shtruar dhe
pa ndjenjësime e shprehje retorike, shndërrohet në vargje (në poezi) që kanë
jetuar brenda tij. Shqetësimet, mëdyshjet, tronditjen shpirtërore, vuajtjet
Mato i shpreh përmes strukturës gjuhësore poetike, përligjje e shpirtit dhe
e mendjes (Migjeni do të thoshte: “E unë jam
vullkani që fle i fashitun”). Poezitë janë fjalosje vetmitare me veten, po
dhe me tjetrin (kujto titullin e përmbledhjes me poezi të Martin Camajt:
“Njeriu më vete e me të tjerë”). Fjala e ndaluar, e ndrydhur dhe e nëpërkëmbur
për dhjetëra vjet, e përbuzur deri në zhgënjim dhe përdhosje (“në këtë harrim të pashpirt?”), i shfaqet si një asteroid verbues, që ia lehtëson plagët e pritjes dhe e liron prej
peshës së fjalës poetike të heshtur, prej ankthit që ia gërreu shpirtin për
pamundësinë e të shprehurit dhe komunikimit poetik. Ky komunikim ka qenë
vendimtar edhe në rrethana e në kushte të rënda. Nëpërmjet tij iu
ka kundërvënë rrënimit, zhbërjes. Pra, edhe pse poezia ka qenë hyjnesha e
poetit (“Hyjneshën ime”), që ka bërë të mbijetojë ai dhe fjalët (pagjumësia e
fjalëve), poeti ka pësuar. Ky pësim ka qenë i shumtë dhe rrënues:
U ndesha me censorë që
sterilizonin shpirtrat e poetëve
në dobi të ca perëndive
të rreme që kishin populluar dhunshëm planetin.
Për shumë kohë penën ma sekuestruan
si një armë të paligjshme që nuk më takonte ta mbaja.
Për shumë kohë: “Sus!... sus!”, më ndëshkonin
dhe ngela pa zërin
tim, pa gjuhën time, pa librat e mi.
(Ti
libër)
Përkundër këtyre pësimeve,
hyjnesha e tij ngadhënjeu mbi ndalesat, mbi vuajtjet dhe mbi plagët. Këngët e
heshtura lindën në një formë të re, u ribënë në të folurit poetik dhe,
natyrisht, shqiptuan të vërtetën e tij, si zjarr shpirtëror, që aq sa e ngrohu,
po aq e përcëlloi dhe e dogj. Gjithë këtë Mato e shpreh përmes simbolikës së
krimbit që e gërryente pareshtur në mendje dhe në shpirt: është ndërgjegjja e
pamundësisë së përftimit të poezisë apo më drejt e braktisjes së saj. Ai e
ndien pareshtur gërr – gërrin e
krimbit:
[...] Shihja të nxirrte
në sipërfaqe tallazhin
e imët pas orësh pune
dhe m’i ngatërronte
mendimet, temporitmin,
përfytyrimet.
I lexoja me zë disa
herë ato që shkruaja.
Krimbi ndalte punën dhe
atëherë; më kallte frikën heshtja e tij.
Ç’ishte ky: sizmograf i
ndjenjave të mia? Ndërgjegjja apo censori im?
Shkruaja sërish e
sërish dëgjoja gërr gërrin e tij.
Gjithë natën, të gjitha
herët
i shoqëruar me
autocensurën, dyshimin, pasigurinë.
(Krimbi)
Poeti Mato e përjetoi
historinë e Anteut të lashtë (sinonim i qëndresës së
jashtëzakonshme), të cilit Nëna tokë (Gjea), sa herë Herkuli e hidhte për tokë,
ia kthente forcën. Edhe poeti ynë vuajti dhe e pësoi, këngët (poezitë) heshtën
brenda tij, u zvetënuan dhe u tkurrën, po nuk u shuan. Thënë figurativisht,
“nëna” poezi kushtëzoi që të mos gjunjëzohet, po duke u mbështetur në pasurimin
shpirtëror, në nevojën e komunikimit poetik me veten e me të tjerët, të
mbijetojë, ta jetojë jetën.
Për poetin Mato magjia e poezisë nuk është as e
rastit dhe as e çastit, po e lashtë sa vetë njeriu, sa vetë kujtesa; si e tillë
ajo është e nevojshme dhe e qenësishme për gjallimin e qenies njerëzore:
Që në fëmijëri, gërvishtja në kujtesë
skena primitive
si skenat e gjuetisë
në artin prehistorik të shpellave.
(Erdhe vonë, hyjnia ime)
Poezia gjalloi pas çdo gjallese, pas çdo shenje, edhe kur një yll binte
nga qielli, pas çdo dritareje që hapej, kudo; ajo jo vetëm i dha fuqi të
qëndrojë, po dhe e lidhi me njerëzit, me jetën; e bëri të ngadhënjejë mbi
vetminë, mbi vuajtjen, mbi pësimet.
Ditë e natë, i vetëm, ngrija
gurët e rëndë të fjalëve,
që nga themelet, zhytur
në kohëra...
(I murosur)
Për shkak të rrethanave të
rënda jetësore që solli sistemi komunist në jetën letrare, në varfërimin
kulturor e shpirtëror (gjithë kjo bëhej në emër të barazisë, të “përparimit të
masave”, të “luftës së klasave”), kur , siç thotë poeti Mato,“[...] shkelnin mbi
gjuhët tona të prera, / mbi librat tanë që i hiqnin nga libraritë, bibliotekat
/ dhe i kthenin sërish në brumë” (Ne të pagojët), Zana e frymëzimit të
tij poetik detyrohet të heshtë; detyrohet ta ndrydhë fjalën e vet: “Ai tallazh i imët, i verdhë,
si pluhur farmacie, ishte doza / që merrja rregullisht për të fashitur ethet e
frymëzimeve (Krimbi); të vuajë e të qëndrojë
bashkë me të (fjalën, poezinë); t’i ndërpresë fluturimet nëpër hapësira të
pafund të përfytyrimit poetik, të kërkimit të bukurive të përftuara përmes
tekstit, fryt i mendjes dhe i shpirtit.
Dhe kur kalvarit shpirtëror të poetit i vjen fundi,
zënë fill vuajtjet e një natyre tjetër: rifillimi i përftimit të poezisë, të
asaj bote që i kishte munguar (si akt konkret i krijimit, i ballafaqimit me
shumësinë e kuptimeve e të ngulmimit për të shtjelluar tekstin poetik në një rrafsh
sa më të lartë), si kënaqësi dhe ngushëllim shpirtëror. I dhembshëm është
rifillimi, po i pashmangshëm, jetësor:
Kur zbrita sërish pas
tridhjetë vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në
galeritë e lëna përgjysmë,
duke kërkuar arin e
fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes
në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe
ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart,
ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të
vdekjes.
Vallë sërish do të
fillonin vuajtjet netëve të vetmuara,
derisa zjarret e
shpirtit do të më kthenin në zhele
këmishët e hekurosura
dhe jelekun e çmuar të dhëndërisë?
(Mea Culpa)
Vuajtjet shpirtërore që dikur i shkaktoi ndarja nga për-ftimi
i poezive (dhe mungesa e botimit të frytit të punës së vet), shndërrohen në
dhembje të natyrës tjetër: poeti vëren se (ndonjëherë) i mbarojnë fjalët, se
hyjnesha e tij, i shtillet brenda; ai dëgjon hapa, që kanë gjëmimin e oqeanit,
që në qenësi është klithja e këngës:
M’u mbaruan dhe fjalët
dhe tani kam këto hapa
shokësh,
këtë gjëmim oqeani,
për të klithur këngën
time,
zemërimin tim”.
(Këngëtari zezak)
²
Që Urë e Poezisë të
mbajë
mbi lumin e
llahtarisur,
ti duhet veten të
murosësh,
në murin që ke stisur.
(I murosur)
Nisur nga përvoja jetësore dhe nga mbrojtja që i bëri
poezia dhe në kushte të skajshme të pësimeve shpirtërore, poeti Mato i bën të
ditur poetes së re që ta ruajë qenësinë e poezisë, t’i kushtojë kujdes bukurisë
së poezisë, ta ruajë frymësinë, afshin e saj. Këto e bëjnë atë të mirëfilltë,
të njëmendtë, i japin vlerë të mirëfilltë.
Mbaje, të lutem, nurin femëror në poezi [...]
Ruaje
me këmbëngulje afshin e vargjeve të tua.
Është
një avull dehës...
(Një poeteje të re)
Poeti ynë këmbëngul që poezinë e tij ta cilësojë shprehja e bukur poetike,
bukuria; vetëm ajo e bën atë të përjetshme, siç
thoshte me të drejtë Edgar Allan Poe: “[...] poezinë unë do ta përcaktoja si një krijim ritmik të bukurisë. Arbitri i saj i vetëm është shija.
Me intelektin apo me vetëdijen ajo ka veç lidhje të tërthorta. E në mos rastësisht, s’ka të bëjë fare as me detyrën e as me të vërtetën. Sidoqoftë, le të themi pak fjalë si shpjegim. E vetmja kënaqësi
që është njëherësh më e kulluara, më e ethshmja, më shpirtlartonjësja, besoj se
rrjedh nga kundrimi i së bukurës. Vetëm nëpërmjet kundrimit të së bukurës, arrin të na jepet
mundë-sia e arritjes së atij lartësimi të kënaqësisë apo ngacmimit emocional
të shpirtit, që ne njohim si ndjenjë poetike e që është kaq lehtësisht e dallueshme nga
e vërteta, që mund të quhet kënaqja e arsyes apo pasionit, të emëruar si
dalldisja e zemrës”.
E
bukura që përligjet thellësisht në poezitë e përfshira në këtë vëllim, nuk
është e qenësishme vetëm për poetin, për pasurimin shpirtëror të tij dhe të
tjetrit që do ta lexojë dhe do të ndikohet prej saj, po edhe kundër gjithçkaje
që i kundërvihet poezisë si art, e rrënon natyrën dhe rëndësinë e saj
artistike. Në këtë rrjedhë Mato e përdor poezinë (kumtin poetik) edhe si
refuzim estetik, kundërvënie gjithë asaj që nuk i përket artit të mirëfilltë,
funksionimit dhe ndikimit në marrësin, siç do të thoshte studiuesi i letërsisë,
Ibrahim Rugova: “Do thënë,
se edhe në kulturat e
mëdha, e edhe në ato më të vogla,
sot është bërë legjitime vetëdija se imponimit të jashtëm
që i bëhet artit dhe letërsisë i duhet kundërvënë me refuzimin estetik. Pra duhet krijuar
letërsi e mirë, e qëndrueshme me qenësi të fortë estetike, në mënyrë që të mbahet zhvillimi i saj, se ky
është rezultat më i rëndësishëm në aktualitetin e një kohe dhe në rendin
historik kulturor. Ky do të ishte efekti praktik i refuzimit
estetik kundër çdo veprimi dhe diskursi represiv. Vetëm kështu
letërsia mbetet letërsi dhe ndikon në pushtet
dhe në shoqëri. Çdo formë tjetër mbetet diçka tjetër, me veprim tjetër”.
Simbolika e shumëfishtë e detit
Në poezinë e Agim Matos deti
zë një vend të rëndësishëm dhe ka një funksion dhe një kuptimësi të
shumëfishtë. Përmes tij poeti shpreh veten dhe tjetrin, shpreh mjedisin ku
jeton dhe botën që i përket. Deti është frymëzimi dhe frymëmarrja e tij, shqetësimi
dhe dhembja, gëzimi dhe vuajtja, po dhe mbrojtja e tij, është vatra e
mendimeve, ku gjejnë qetësimin, po dhe shtjellën e tyre. Deti është ngjizur me
poetin dhe si i tillë shprehet përmes tekstit poetik dhe mesazheve poetike;
është magji, që shndërrohet edhe në magji poetike:
Deti ishte vetë magjia që na ishte falur [...]
nga merrnim me vete
ëndrrat
për natën që po vinte.
(Ishte magjia)
Deti është vendi i gjallimit dhe i
ngushëllimit shpirtëror, ku lindin nismat, synimet
dhe ku rilind etje për jetë.
Shaluar mbi një kalë
deti bridhja në thellësirat e
ëndërrta të koraleve
dhe ndjeja të më
firasej trishtimi,
të më avitej Poezia,
si rrezet e dritës
që kullosnin mbi
hapësirën tënde, o det.
(Deti)
Poeti
i flet detit si një qenieje të gjallë, ia rrëfen të mirën dhe të keqen; atij ia
beson fshehtësitë më të mëdha që i vlojnë dhe “luftojnë”në brendësi të tij. I
rrëfen detit dhe ai bëhet shëru-esi i tij shpirtëror. Mirëpo, poeti është i
bindur se edhe deti i flet atij, i flet me mijëra zëra që i dëgjon vetëm ai, që
janë prehje për të.
Sa herë më ke folur me mijëra zëra
duke oshëtitur nëpër
tërë qenien time
gjersa ndjehesha i
çliruar
dhe i mbushur me
kthjelltësi.
(Sa herë më ke folur me mijëra zëra)
Ky
njësim i poetit me detin nuk është i rastit për arsye se “Jam biri i brigjeve të gjelbra, biri i rërës dhe i detit” (Për ç’ udhëtime
gatiten anijet?), ai e ka detit brenda qenies së vet; jeton me qetësinë dhe me
zemëratat e dallgëve të tij dhe dallgëve të jetës; deti ia fashit dhembjet që
ia shkakton verbimi i ideologjisë komuniste, sistemi që, për të mbijetuar,
ushtron dhunë shpirtë-rore dhe fizike ndaj qytetarëve. Deti është vëllai i
poetit, që gëzohet e vuan bashkë me të.
Vëllai im, det!
Të betohesha në vetminë time [...]
se nuk do të rroja dot larg zemëratave të tua,
larg paqtimit tënd
nanuritës [...]
Duke u futur çdo natë brenda meje, ma zgjerove shpirtin,
m’i fashite dhimbjet dhe më bëre t’i mëshiroj ata që
luftuan njeriun, të verbuar prej ideologjive.
(Nuk jam bardi yt, o det)
²
Ishe altari ku rrëfehesha.
Flisja e flisja mes mërmërimës
së dallgëve
me një zë që të mos
kuptohej nga të tjerët [...]
Më mbuloje atëherë me
shkumë
dhe lëpija kripën tënde
së bashku me lotët.
(Deti)
Duke e
pasur detin brenda tij (shtëpi shpirtërore) poeti Mato flet me të e në të
vërtetë dialogon me veten, me brengat e veta, me vetminë, me pikëllimin, po dhe
me shpresën se jeta do të marrë rrjedhën e mirëfilltë.
Tërë fjalosjet vetmitare,
tërë rrëfimet e
pafundme me ty
filluan të më rrethonin
si një brerore e
padukshme shpresash
që ngjitej nga
thellësia e labirinteve nënujore.
(Deti)
²
Shkrova atje emrin tim në ballin e saj prej guri [...]
Atëherë Trëndafili i
Erërave lulëzonte brenda meje [...]
me pikëllimin e madh
dhe lotët që detin e
bënin përherë e më të hidhur.
(Shtëpia ime prej deti)
Agimi
Mato ka përftuar për detin disa pamje poetike shumë të rralla, që si të tilla
nuk i gjen në poezinë tonë bashkëkohore. Për të dëshmuar këtë do të mund të
sillja disa shembuj, po sjell vetëm një, që mund të shërbejë si përfaqësues:
Pastaj del hëna që zhvishet, hedh të linjtat mbi vinç,
bën rrotullime në ajër
si në një trampolinë
dhe zhytet poshtë
ujërave. Dhe ujërat mbushen dritë,
bëhen pasqyrë e një
qyteti ëndrrash
si një halucinacion
që shkreptinë imazhe.
(Nata në port)
Kohë akullnajash ose verbimi brenda nesh
Në poezinë e Agim Matos
shqiptohen edhe një varg duku-rish që kanë të bëjnë me jetën e tij dhe të
njerëzve të tij, me vend-lindjen dhe me atdheun, sidomos gjatë kohës së
komunizmit - enverizmit. Poeti i shmanget skajshmërisht retorikës dhe mesa-zheve
të drejtpërdrejta (pohuese) dhe i jep jetë të shprehurit figurativ të pasur,
simbolikës dhe metaforikes të tekstit për shkak se përmes tyre shpaloset më
thellë shpirti i tij dhe depërtohet më thellë në thelbin e dukurive; përmes kumtit
poetik shprehet një realitet më i ndërliqshëm dhe më i pasur që si i tillë do
të përfillet më shumë nga marrësi dhe do të ndikojë më fuqishëm në të.
Përkundër gjendjes së rëndë, ku pësohet dhe ku është kufizuar liria e të
shprehurit dhe e veprimit, poeti e do atdheun e vet dhe duron të keqen;
dashuria për të (atdheun) është më e madhe se vuajtjet që i shkaktojnë
sundimtarët e kuq; ai i duron dhe i përballon të gjitha për shkak të atdheut.
Më ka mjaftuar ky atdhe ku rroj
edhe atëherë kur
perënditë e rreme
e kapnin për fyti
këngën time
dhe e përplasnin në
harrim.
(Bjerrje atdheu)
Poeti
Mato është i vetëdijshëm se atdheu nuk qeveriset dhe nuk mbahet me diktaturë e
me dhunë ndaj qytetarëve: Lëndohem kur
shoh se përditë bjerret atdheu (Bjerrje atdheu). Këtë ai ndjen thellë në
shpirt dhe ndihet i zhbërë, një guaskë e zbrazur dhe pa frymëmarrje të
mirëfilltë.
Isha si një guaskë e
zbrazur, e flakur mes guralecëve
të yjeve, një spirancë anijesh e këputur nga zinxhirët
isha, me hekurin e udhëtimeve të ndryshkur.
(Rrethi i mbyllur i një kohe)
Poeti
vuan për arsye se si individ nuk mund të bëjë asgjë; e ndien vetminë dhe
burgimin brenda vetes. Mjetin kryesor, këngën, poezinë i ka të burgosura; rreth
i lakut në fyt e shtrën-gon përherë e më shumë. Pësimet kanë mbërritur deri në
zgrip të rrënimit të plotë. Pushtetarët e kuq me ideologjinë e tyre
shkatërruese jo vetëm që ua kanë marrë shtëpitë të ndërtuara me djersë e gjak,
po i fyejnë dhe i përbuzin.
Të
tjerë njerëz dilnin në ballkonet e shtëpive tona
të djeshme
dhe
shkundnin sipër nesh çarçafët e përgjakur të viteve,
dhe
hidhnin nga dritaret mbeturinat e darkave,
dhe
vërtitnin shishet e zemërimit të dehur.
(Nga kush kishe frikë, o Zot?)
²
Të vetmuar dhe me
shpirtin e sakatuar
më çuan drejt
kryqëzimit të ri në Golgota.
Gozhdët,
pikat e gjakut,
ringjallja
ishin një provë e
vështirë,
në kohën kur parimet
klonoheshin me shiringat e
ideologjive.
(Kryqëzimi im)
²
Ndodhitë pëlcisnin si
flluska
me pak frikë dhe pak
vdekje.
Na linin mes një drite
të verbër në majëmale
mjegullash,
na shkonin mespërmes
tehut të poshtërimit,
na futnin në labirintet
e ankthit, në shoqëri me
rrëqebujt e pasigurisë,
na ndëshkonin ëndrrat
dhe udhët.
(Pinjollët)
Pres të ik nga ky trup. Nuk mund të banoj më
në këtë karakatinë të
djegur nga ëndrrat
e harruara ndezur
netëve të vetmuara,
nga zjarret që kaq herë
e përpinë
e gati e shkrumbuan të
tërin.
(Pres të ik nga ky trup)
Në
kushtet ku sistemi kishte shtrirë pafund rrjetin e së keqes dhe të dhunës,
ishte shndërruar në një ushejzë, Poeti, bashkë me të tjerët synojnë të
mbijetojnë: “kishin frikë shpresat të na trokisnin në dritare / dhe dielli ngrinte
supet tek perëndonte” (Nga kush kishe frikë, o Zot?). Ai e di se
fjala poetike si kundërvënie dhe refuzim poetik bëhet e qenësishme. F. I. Tjutçev thoshte: “Mëso të jetosh në
shpirtin tënd, në të ka një botë të tërë”. Pra, përkundër pësimeve, poeti
nuk jepet, nuk jepen as bashkat-dhetarët e tij; rëndësia e qëndresës jetësore
duhet të dëshmohet para së gjithash në rrethana të tilla të rënda.
Çdo ditë
nxitojmë të dalim nga
rrugët e ngushta,
ku na zihet fryma,
nga zagushia e
qerthullit të këtij makthi vertikal,
se mos gjejmë pak ajër
për mushkëritë tona në
hapësirën mbi det,
për të gënjyer më kot
veten
sepse edhe aty na
presin labirinte të reja
për kujtesën tonë të
lodhur.
(Vegimi i tretë vetëm për
Sarandën)
Shkulme prehje dhe dritësimi
Brenda një jete të tillë të
stërmbushur me vuajtje dhe me pësime, poeti Mato trajton poetikisht edhe
dukuritë që si shkul-me prehje dhe drite e përshkojnë jetën. Edhe pse të pakta
e të rastit poeti gjakon që edhe ato t’i përjetësojë poetikisht. Këtë nuk e bën
vetëm për rëndësinë e dukurive, po të komunikojë me to poetikisht, qoftë si
pasurim vetjak, qoftë si pasurim për tjetrin. Mato e di se tematika nuk e bën
një poezi të madhe që mbijeton nëpër kohë, po vlera artistike, mesazhet poetike
që dalin nga teksti dhe bëjnë ndikim estetik në marrësin (si, fjala vjen, “ku harpat dhe
violinat ndërrojnë stinët e gjetheve” – “Stuhia”).
Mato e përfton realitetin
poetik mbi bazën e realitetit konkret. Realiteti i tij është realitet më i
pasur për arsye se është i përftuar nga fjalët, nga tablotë, nga struktura
gjuhësore shprehëse. Në qenësinë e vet ky realitet është më shumë një gjakim, një
projeksion; është fryt i mendjes dhe i përfytyrimit të poetit. Në realitetin e
tij gjuhësor shprehës ngjizen dhe gërshetohen imagjinata, legjenda, miti.
U prekja kërcellin e hajthëm
petalet ngjyrë ëndrre
dhe një lot më
rrëshqiti
para dëlirësisë e
pafajësisë së tyre.
(I mbuloja me pëllëmbët
e vogla
nga frika se mos
rikthehej sërish thëllimi).
Nga vinin kështu?
Nga thellësia e
kujtimeve të mia
apo ndonjë qenie e
përrallave të fëmijërisë
m’i dërgonte nga
nëndheu?
(Luleshqerrat)
²
Uleshe në dritare çdo
natë
me këmishën që të
avullonte
nga mendimet dhe
ëndrrat,
Shkruaje. Ngrije
fshatra të reja,
të ndërtuara me lëndën
e prerë nga dielli.
Pastaj merrje violinën.
(Në muzeun e vogël i mësuam të
gjitha)
Poeti
Mato është dëshmuar mjeshtër i përftimit të pamjeve poetikisht të rralla. Për
këtë i ka ndihmuar gjuha poetike dhe sistemi poetik i të shprehurit që përdor,
të folurit e veçantë poetik përmes të cilit shpreh të parëndomtën brenda të
rëndomtës, ku nxiten përfytyrimet, vegimet, vizionet: erërat që marrin frymë,
shkuma e ndriçuar e detit e të ngjashme që të bëjnë përshtypje të fuqishme dhe
të mbesin për shumë kohë në kujtesë.
Dukej sikur mbi gjithë çatitë e rruzullit
mbrëmë frynin erëra.
Tufa mjegullash
rrëzonin kolonat e
tymit nga oxhaqet.
Në llambat e rrugëve,
mbi shkumën e ndriçuar
të detit
silleshin pareshtur
mijëra flutura të
çuditshme bore.
(Borë në jug)
²
Nën strehët e Kashtës
së Kumtrit
na zinte gjumi
të shurdhuar nga
cinxujt e yjeve
dhe drapri i ëndrrave
tona
fëshfërinte
në arat e pakorrura të
diellit.
(Qafa e botës)
Poeti
i kundërvihet realitetit konkret jetësor, dhunës që bën sistemi në të e në
njerëzit e botës së tij, ai e ndërton realitetin e vet poetik me përkushtim, më
drejt: e projekton atë që i mungon në jetën e përditshme; vizaton shandanë që
ende nuk janë shpikur, tempuj, motive mitike, që në qenësi shprehin zjarrin e
shpirtit:
aQQ
Më pas, me lëngjet e bimëve, që veç unë i dija, vizatoja në mure skena
gjuetie, me drerë që u rritja së tepërmi brirët, si shandanët që ende s’ishin
shpikur.
Kur nisëm të ndërtonim tempujt e parë shtroja mozaikë me motive nga fauna
dhe flora, pa harruar motivet surrealiste të legjendave e të miteve.
Gdhendja statujat e perëndive, shkallët e amfiteatrove, portat e mëdha të
qyteteve me luanë dhe dragonj sipër tyre.
Dhe e kuptova sa dobi pati zjarri
që mbajta ndezur, zjarri që digjej
brenda meje, duke shtyrë
mijëvjeçarët.
(Ruajtësi i zjarrit)
Dashuria – dritësim i syve të saj
Agim Mato përligj veçantinë e
poetit të madh kur e shqipton edhe dashurinë, këtë ndjenjë thellësisht
njerëzore, për të cilën në “Këngën e këngëve” thuhet “[...] është e fortë si vdekja, / pasioni është këmbëngulës si mbretëria e të
vdekurve, / flakërimet e saj janë shkëndija zjarri, / një flakë hyjnore!
(8, 6). Dashuria ekziston në çdo
kohë dhe në çdo rrethanë, edhe në ato më të pazakonshmet. Mato i qaset dhe e
shpreh atë nga qenësia e saj: si pjesë e panda-shme e veprimit të njeriut; e
ndërlidh me dukuritë që e bëjnë gjallimin e njeriut. Në kushte të rënda të
jetesës dashuria i ndez “qirinjtë e zhurmshëm të yjeve” dhe i vjen poetit si
lehtësim i verbimit që ka mbretëruar brenda tij, si prehje dhe kënaqësi
shpirtërore.
Nuk e dija që ekzistonte ai dritësim i syve të tu,
që përshkëndit mijëra
nuanca të kaltra rreth e rrotull
dhe ndez në qiellin e
parambrëmjes qirinjtë e
zhurmshëm të yjeve.
U frenua verbimi brenda
meje
dhe një puhizë e lehtë
shprese
filloi të shtyjë dy
vela të bardha
për të mbërritur në
farin e vetmuar
ku rroja si një eremit
deti i harruar
nga lutjet dhe
blasfemitë e të tjerëve.
(Të falënderoj që ekziston)
E dashura
e poetit është e veçantë; është e pranishme kudo; tërë natën endet nëpër lulet
e thara të përkëdheljeve, ndërsa në qiparisat e natës lëkundet shalli i saj, ku
vetëvriten ëndrrat; një pamje për shumëçka e parëndomtë, po poetikisht e
qenësishme:
Tërë ditën në kopsht barisje mbi lulet e thara të
përkëdheljeve,
ku flutura të errëta
fluturonin rreth qiparisave të
shkretuar
dhe sillnin me vete
buzëmbrëmjen
dhe verbërinë e
dritares me kujtesën që vdiste.
Në qiparisin e natës,
me foletë e zbrazura të
lejlekëve,
lëkundej shalli yt ku
sapo ishin vetëvarur ëndrrat.
(Ti numëroje hijet e
lejlekëve)
E
dashura e poetit është e përshkuar nga magjikja, një urë drite “ku bien gjethe hëne e luspa yjesh”. Ajo
u ngjan tingujve të muzikës; sipër saj “ngrihej
si aureolë një fashë hyjnore”. Poeti e përfton një tekst skajshmërisht
modern dhe të lartësuar si shqiptim poetik.
Vete e vjen ti nëpër
atë urë drite
ku bien gjethe hëne e
luspa yjesh,
ku varen çarçafët e
reve, diejt e horizontet mbrëmësore
nën tingujt e një
muzike
që luhet në ato çaste
nga shpirtrat tanë.
(Nëpër atë urë drite)
²
Sipër nesh ngrihej si
aureolë një fashë hyjnore
e ëndrrave të notepsura me dritë.
Ajo që nuk e thoshim me zë ishte më e bukur se fjalët, më e ëndshme se
qumështi i yjeve që xixëllonjat pinin mbrëmjeve nëpër qiell.
Dëgjonim në heshtje muzikën e
shpirtrave tanë...
(Kur dashuronim)
Agim
Mato, siç u tha dhe më parë, ka dëshmuar një aftësi të madhe për të përftuar
tekste poetike të pasura e të veçanta, që janë në gjendje të vënë një komunikim
të jashtëzakonshëm me lexuesin. Për të konkretizuar këtë po sjell dy shembuj kushtuar
të dashurës:
Të ec në ty,
koha e ka ndalur rrjedhën,
hëna është si një thelë
pjepri e pambaruar së ngrëni,
e hedhur në cep të kopshtit,
dielli i rrokullisur në ledhin
e një mëngjesi të
harruar,
yjet e çrregulluar si qershitë e shpërndara nëpër
barin e oborrit
(Të ec
në ty)
²
Nëpër natë u gjendëm në arrati me detin pranë, me dallgët e tij, të vetmit
dasmorë që patëm; ku velloja e hënës të mbulonte gjer te këmbët dhe ylli i
Afërditës të ulej në gisht si unazë.
Nuk ngopeshim në ato çaste dashurie, kaq pranë ëndrrave të përmbytura me
kundërmim.
(Shumë mund na u desh)
²
Në
këtë parathënie me qëllim u përpoqa që vlerën dhe veçantitë e poezisë së Agim
Matos t’i dëshmoj përmes teksteve të poezive të tij, të mesazheve poetike që
dalin prej tyre, të modernitetit të tablove poetike të rralla dhe kuptimisht
shumësore – aq sa mundëson një shkrim i natyrës së këtillë që i prin vëllimit.
Mirëpo, dëshmia më e mirë është vetë përmbledhja “Shkretëtirë harrimi”, që me
të shprehurit e pasur poetik dhe të natyrshëm dhe me ndikimin estetik që mund
të bëjë në lexuesin, hyn, pa asnjë dyshim, në radhën e vlerave qenësore të
poezisë sonë bashkëkohore.
Prishtinë,
janar 2018
ANTON NIKË BERISHA