GJETHE
ULLIRI
skicë
Kujtimi, tani i shkuar në
moshë, çdo javë më sjell gjethe nga ulliri i vjetër i tim ati, ngelur tek
trualli i ish shtëpisë që e zuri projekti i rrugës si arterie e re e qytetit.
Prekem nga gjesti i tij, kur m’i fut në xhepin e
sipërm të këmishës, i shtron me pëllëmbë duke i rrahur te zemra dhe bën sikur
nuk e sheh ngashërimin që ngjitet përpjetë gjoksit. Ai ulli, i mbjellë, i
shartuar nga duart e tim ati në ish oborrin e vogël të shtëpisë, u rrit si
kanakar pranë një fiku dhe një pjeshke, duke u bërë hije domateve dhe specave
të kuqe që ai mbillte. Po ulliri pati historitë e veta kur filloi të prodhonte
kokrrat e tij të shëndetshme. Vinte një brigadë frutikulture nga ferma pranë
qytetit dhe fillonte ta shkundte me shufra. Tim ati i visheshin syzet me avull
dhe u drejtohej sikur të rrihnin për vdekje një fëmijë. U hiqte nga duart
shufrat ndërsa dikush prej tyre thoshte:
- Mos na pengo ti, armiku i klasës, sikur nuk e
di që ulliri është monopol shteti dhe të drejtën e kemi vetëm ne ta vjelim.
Një
vit tjetër, erdhi një grup që e voli me kujdes ullirin dhe dy thasët plot me
kokrra i lanë në oborrin tonë dhe ikën. Babai më nisi mua t’i kujtoja për to që
t’i merrnin. Njeriu që iu drejtova, më përkëdheli në faqe dhe më tha:
-
Merrini ju, prandaj i lamë.
Unë
u habita dhe ngela i hutuar. Ai më pa me mirësi dhe shtoi:
-
Ik dhe mos e bëj llaf.
I thashë tim ati për çka
ndodhi. Ai deshi ta takonte atë person për ta falënderuar por nuk e arriti.
U kthye, pa gjitonin që
rrinte te porta e tij, e thirri dhe i tha:
- Shemo, ky ulli ju bën hije
edhe juve, ju mbush oborrin edhe me gjethe, herë herë. Merr edhe ti atë që të
takon – dhe i dha njërin prej thasëve.
Kujtimi rron shumë me të
shkuarën dhe sa herë më takon ose më sjell gjethet që këput nga ulliri i xha Remziut,
kur kalon nga ajo rrugë, ose më kujton ndonjë ngjarje që unë e kam harruar.
Babai i tij mbillte ashtu si im at domate në oborr dhe shpesh ato nuk
prodhonin. E kishte merak të arrinte të skuqte oborrin me produktin e tyre. Një
herë xha Shemua hipën mbi murin që na ndante dhe i flet tim ati:
- Xha Remzi, shiko, u
poqën edhe domatet e mia.
Remziu i sheh mirë penjtë e
zinj me të cilat kishte lidhur domatet e blera në treg dhe i përgjigjet:
- Po, e shoh, kanë preferuar
të prodhojnë varietet tjetër dhe janë zbukuruar me lastarë të zinj!
Nessun commento:
Posta un commento