........

venerdì 4 aprile 2014

Zhytem



ZHYTEM


Horizonti, si një gjergjef, mban të mbërthyer qiellin e
    qëndisur me yje.
Rroj nën këtë punëdore të perëndisë
dhe shijoj tërë arredimin gati hyjnor të hapësirës.

Akrokeraunet, lë bregun me shkëmbinjtë
si skulptura të bardha të punuara në shekuj,
lë rërën koralore
që shushurin në tërheqje të valës
dhe zhytem thellë ujrave të Jonit.

Jam brënda pajimeve
që më japin lirinë e një peshku.

Notoj mbi kopështe koralesh,
mbi sfungjerë e spirografë me tubin gëlqeror të tyre,
në mes të një bote mrekullish,
ku retë e  planktonëve iluminishentë më përshkojnë tej e
          tej si në një hapësirë kozmike.

Në thellësi gjej sedimente anijesh antike të populluara
nga qenie shumëngjyrëshe,
amfora nga dalin oktapodët e shqetësuar prej meje
dhe lëshojnë mellanin për të humbur gjurmët.

Gjej lumenj që derdhen nga ca zgavra karstike
dhe ndjej të ftohet nga gulshet e tyre
uji i kristaltë rreth meje. Përshkoj
lëndina algash
ku kullosin tufa peshqish
dhe një sepie e madhe guxon e më afrohet
duke u lëkundur nga kurioziteti.

Sfilojnë para meje
me zhdërvjelltësinë e bishtit të tyre
peshq të artë e të ndritshëm të thellësive.

Këtu drita filtrohet që nga lart,
vezullimet  vizatojnë ëndërra të xhamta,
të lëvizëshme,
dhe të mbushin me një lloj euforie shpirtin, që endet në
  shurdhërinë  sureale të funddetit.

Ku jam? E paanë është hapësira rrotull meje
e mbushur me instikte të panjohura,
ku endem mbi relikte të qytetërimit,
të pushtuara nga një jetë tjetër.

Kur dal, plandosem në rërë
me gjithë bombolën, këmbëzat e maskën,
duke honepsur ende brënda meje
relaksin e botes  ku u zhyta.

Gjergjefi i horizontit atje tej,
si një punëdore e perëndisë
qëndis Detin Jon, Rivierën,
Sarandën si një gjysmëhënë
dhe tërë bukuritë që ndesh.




Nessun commento:

Posta un commento