........

martedì 8 aprile 2014

Teuta



TEUTA

Rashë të fle mbi Majën e Hekurave
dhe u gdhiva në skajin tjetër të qytetërimit.

Tërë natën mes reve nxitonin karroca mbretërore ilire
duke hapur rrugën me fshikullima rrufeshë.
“Erdhi, erdhi”
                        thërrisnin ardianët dhe ndiqnin
gjarpërimet e ndritëshme të vetëtimave
që vizatonin në qiell përkrenaren e mbretëreshës Teutë.

“Në prill është grua,
në tetor dragua”, tha një ilir
kur e pa të zbriste me tërë hiret e saj. Lulet alpine
drithëroheshin kur i ndjenin hapat.

Pas shkëmbinjve rrinin mjegullat në pritje.
Vetëtimat dhe bubullimat nxirrnin kokën
nga kukurja e saj.

Nga ç’betejë kthehej?
Ku do t’a ndalte sërisht vrapin?

Kuajt gulçonin dhe me patkonj mihnin dheun.

Ilirikumi i tërë dhe detrat 
trandeshin
nga qerret dhe flotat.

Teuta kryeneçe
nuk ndalej me shpurën dhe trimat.

Po kukurja e saj,
një ditë do t’i soste
gjëmimet dhe vetëtimat.

Nessun commento:

Posta un commento