........

domenica 27 aprile 2014

Pinjoj



PINJOJ

 Në këndin ku u afishuan të drejtat e studimit
kërkova edhe unë emrin nëpër lista.
Gjëkundi. M’u zbardh shikimi, m’u morën mentë në
diellin e egër të korrikut
dhe zbrita duke ngashëryer pranë detit.

“Kërkon kallëza në dëborë”,  më thanë,
kur trokita në derën e komitetit ekzekutiv.
U fola, duke belbëzuar, për poezitë, për një libër. Qeshën
            me ironi. 
Ma mbyllën derën dhe më nisën në zyrat e rekrutimit.
Atje më morën lirinë që ëndëroja, më kontrolluan
lakuriq dhe më dërguan 
ushtar në një ndërmarrje bujqësore ushtarake.


Shpyllëzonim malet për të hapur toka buke.
Në Qafën e Gjarpërit,
në Gurin e Prerë mbillnim patate, flinim poshtë shiut dhe
 borimës nëpër çadra. 
Hunda e Tomori përballë  shfaqej pas një dritareje reshë.

Ishim larg botës, filmave, librave, muzikës,
në ca kurrize malesh ku askush nuk shkelte.

Si duhej të ishin femrat atje poshtë? Si visheshin?
I kishim harruar linjat dhe kurbat e trupit të tyre.

Pak nga pak, pranë fatit të djemve  si unë,
u mësova të mendoja ndryshe. Na rreshtonin dhe
ndonjërit prej nesh i hidhnin prangat, 
të mos harronim se  ç’ishte diktatura. Dy të tjerë, të
terrorizuar, 
braktisën  çadrat dhe të nesërmen erdhi lajmi i arratisjes.

Rronim me frikën se mos i kapnin. Komandanti
bubullinte sipër nesh predikimin e tij:
“Pinjoj të armiqve! Bakterie parazitare!
Ka perënduar koha juaj! Nuk keni ku shkoni! Ulni
kurrizin!”   

Atëherë u vumë në pritje të ndodhive të reja.
Na rreshtonin në shi me gavetën në qiell të hapur
dhe na bënin orë e çast apelin.

Ndodhitë pëlcisnin si flluska
me pak frikë dhe pak vdekje.
Na linin mes një drite të verbër në majëmale mjegullash,
na shkonin mes përmes tehut të poshtërimit,
përmes labirinteve të ankthit,  përmes rrëqebujve të  
                                                                  pasigurisë,
na ndëshkonin ëndërrat dhe udhët.

Nëpër gremina,  ku rritej salepi
numëronim ditët që ma mbeteshin. Halat shponin 
                    cipën e durimit,
 hijet e drurëve ishin kufiri i liridaljeve.


Kur hoqa kambalet dhe ju qasa shtëpisë sime i ndryshuar
krejt,
nëna si një e verbër më hetonte mes  cipës së lotëve,
 prekte mbresat e vuajtjeve, të çarat brenda meje,
zërin e tjetërsuar nga kalvari i parë i jetës.

I thashë, po iki të çmallem me detin,
të mbush me të zgavrat e boshatisura
të guackës së shpirtit tim. 

Nessun commento:

Posta un commento