........

mercoledì 16 aprile 2014

Duart e Tatës



DUART E TATËS[1]





Në ditët e para të burgut shihte se si i tretej nga duart
bromuri i  argjendit
ngelur nga dhoma e errët e laboratorit të tij fotografik, 
si i zhdukej nga poret pluhuri i shkumësave
dhe  lëkura i  bëhej gati sterile.


Duke i lëvizur duart si dy kafshëza nervoze,
të cilat nuk ndjeheshin në livadhet e veta,
shihte e shihte me tmerr  se po i holloheshin.


Pas bastisjes së arkivit të familjes
Nuk dinte më se ku kishin përfunduar skicat
e  fabrikës së tharjes e të përpunimit të  frutave,
kalkulimet e tij për parashikimin e  eklipsit të hënës e të
   diellit;
librat e pedagogjisë, tekstet shkollore, biblioteka
dhe fletoret e nxënësve, të pambaruara së korrigjuari,
në ç’ humbella të errëta do t’i kishin degdisur;
Sirtarët e mbushur me sahatë dhe veglat e imta
për riparimin e qostekëve e orëve të dorës,
nuk u gjendën më në gjithë atë rrëmujë policore...


Vejevinte në hapësirën e ngushtë të qelisë,
i izoluar nga pasionet e tij,  tundte duart,
të cilat nuk lejoheshin më të mbanin një penel
të përfundonin tablonë e lënë përgjysëm, 
as të mbanin një gjilpërë me pe
të triposnin astarët e  kostumeve që la pa qepur, 
të mbushnin ornamentet e qëndismave;
nuk lejoheshin të mbanin një  sharrë
për të shartuar drufrutorët e kopështeve
që shtriheshin në pjerrësitë e kodrave.


Edhe shtëpitë,  edhe orenditë edhe kopshtet
ishin sekuestruar dhe nuk e dinte
se familja e tij jetonte tani në një  stallë kuajsh.


Lëvizte nëpër qeli brenda mureve të trasha
të kështjellës burg, me duart  si dy qenie
që nuk gjenin dot prehje,
të ndara forcërisht nga punët
me të cilat ishin mësuar.

Ato duar, damarë tempujsh, zemberekë
ëndërrash, dritë zografisjesh,
përrenj mitesh, ledhe karakteresh,
fluturuan si dy zogj mbi honet e harrimit
dhe zunë vend në gjymtyrët e të bijve.



16.04.2014



[1] Tata -  ati ynë, Remzi Mato, i dënuar me akuzën e "pjesmarrjes në një grup armiqësor për rrëzimin e pushtetit popullor" në vitin 1949. 


Nessun commento:

Posta un commento