........

lunedì 21 aprile 2014

Shtëpia ime prej deti



SHTËPIA IME PREJ DETI


Një shpellë detare,  me foletë e  pëllumbave të egër në
 krye,
me valët që llokoçiteshin në të
si frymëmarrja e detit,
me pllakat shkëmbore të bardha borë,
me plazhin sa një oborr i vogël, 
ishte limeri ku strehoja fantazinë time fëmijnore.


Shkrova atje emrin tim si një tabelë
që askush të mos ma zinte.
Në të çarat e pareteve të shpellës
plot me kristale shëllire,
ruaja gargale, patla, iriqë deti,
guaska të errëta,
si hajmali
dhe një libër të vogël që fliste për mitet e udhëtarët e
mëdhenj të detrave.


Tetis, Poseidoni, Odiseu, Simbad Detari,
Polifemi, Kolombi e Magelani
vinin e më takonin fshehurazi të tjerëve te kjo seli e
    ëndrrave të mia.


Atëherë Trëndafili i Erërave lulëzonte brenda meje.


Kur prapësitë e jetës
ma sillnin në majë të hundës
dhe doja të shprazja lotët,
i thoshja nënës:
“Do të shkoj te shpella ime!”,
sikur t’i thoshja:
“Do të shkoj te shtëpia ime!”
dhe ikja pa e parë në sy
merakun e saj.


Mbyllesha te kjo shtëpi
me mure transparente prej deti të kaltër,
e ngritur mbi shkulme drite, mbi vela ëndërrash,
mbi barkën  mitike të Odiseut,
me kacekët e erërave të Eolit mbi krye,
me themelet e baticave dhe zbaticave,
me dritaret e  hapura drejt galaktikave,
me trishtimin që s’më ndahej
dhe lotët, që detin e bënin më të hidhur.


Nessun commento:

Posta un commento