JUDITH NË MADRID
tregim nga
Alberto MORAVIA
Përktheu:
A. Mato
Nuk
ka asgjë më të mjerë se një palë geta
tërë vrima e të shqyera pikërisht në vendin më intim të trupit. Ndërsa i
shpjegoj të dashurit tim se mbërriti momenti të ndahemi, shoh trupin tim të
shtrirë mbi divanin e shprishur dhe them se getat, të vetmet që kisha deri tani
të sakta, janë bërë tashmë për të hedhur poshtë. Natyra e çuditëshme si prej
sirene që getat i japin trupit femëror, duke ja rrumbullakosur format dhe
unifikuar ngjyrat, por tek unë, e kompromentuar nga një grisje e parregulltë,
që nis nga ana dhe përfundon në ije, zbulon një pjesë të mirë të lëkurës së
bardhë, sikur sirena të kishte humbur një pjesë të luspave. Ndërkohë, nga ana
tjetër e telefonit, dëgjoj zërin e tij, që më pyet me ankth, se pse dua të
ndahemi.
I
përgjigjem aty për aty: “Sepse është një burrë i ri në jetën time”, dhe gati
tentova t’i shtoj: “falë të cilit do të kem të gjitha getat që dua dhe shumë
gjëra të tjera akoma”. I dashuri im atëhere e ngre zërin për të më pyetur në se
këtë burrë të ri e dashuroj.
Në respektin skrupuloz
të së vërtetës i përgjigjem: “Nuk e dashuroj, por i dua të mirën, pastaj është
i pasur dhe kjo më mjafton.” Nuk do ta kisha bërë kurrë. Me këtë frazë të
sinqertë, shembet diga e respektit dhe lumi, deri tani i përmbajtur i fyerjeve më sulet, i
shkumbëzuar. Dëgjoj zërin plot zemëratë, pak e hutuar, duke zgjeruar me majën e
gishtit grisjen e getave, gati me një kënaqësi shkatërruese miturake. Po kur ai
më thotë zuskë, (ngrihem përpjetë përballë breshërive të tij, në një rrugicë të
periferisë) se është njëqind herë më i mirë se unë, sepse të paktën nuk e
maskon shitjen e trupit të tij me justifikimin se i do dikujt të mirën; vendos
brenda meje me logjikë të ftohtë, e cila nuk më mungon, dhe i bëj një truk
telefonik të përdorur tashmë me të tjerë pretendues shumë këmbëngulës: shtirem
që linja ka rënë dhe filloj të thërrasë: “Alooo, alooo”, gjoja se nuk e dëgjoj
më zërin e të dashurit tim, që përkundrazi, e dëgjoj shumë mirë.
Ai për pak vazhdon të më
fyejë, por ndërkohë fillon edhe ai të thërrasë: “Alooo, alooo”, i bindur se
midis nesh nuk ka më komunikim. Vazhdojmë akoma kështu, të thërrasim herë njeri
e herë tjetri, ai gjithmonë e më i dëshpëruar, unë gjithmonë e më indiferente:
“Alooo, alooo”; pastaj, dalëngadalë,
duke reflektuar një lloj hakmarrjeje, vendos dorezën dhe ndërpres telefonatën.
Uf! Edhe kjo mbaroi. Ngrihem nga divani dhe filloj të bëj gati valixhet. Njeriu
i ri i jetës sime më pret në aeroport. Është një afarist, shkon në Spanjë për
një çështje eksporti, do që ta shoqëroj.
Po kur filloj të vendos
veshjet nga sirtarët, në valixhen time, më kujtohet që garderoba ime është pak
a shumë në atë gjendje që janë getat e mia: sutjenat e çngjyrosura, pantallonat
e shkurtra me vrima, çorape të qepura, këmishë të përzhitura, funde të
deformuara, pantallona të shqyera: të gjitha veshjet e mia, si ato të
brendëshmet dhe ato përsipër, dëshmojnë disavatazhin për të patur një shpirt
krenar dhe të çinteresuar. E vërtetë, kam patur shumë dashuri deri tani, por të
gjitha si një rreckamane e ndershme dhe e pasionuar, që nuk kujdeset për
interesin dhe mendon vetëm për ndjenjën. Është e para herë sot që ndjenjën e
nxit interesi, jeta e re, po më shumë se e re, e pafytyrë, cinike. Me që ra
fjala për pafytyrësinë, pas një provimi të shpejtë të gjendjes së mjerueshme të
garderobës sime, marr një vendim tërësisht në përshtatje me gjendjen time: le në lagjen time prej studenteje të varfër
të gjitha leckat e mia, hedh përsipër vetëm një pardesy dhe i paraqitem në
aeroport. njeriut të ri të jetës sime, lakuriq, siç kam ardhur në jetë. Në
qoftë se nuk është budalla, do ta kuptojë domethënien simbolike të lakuriqësisë.
Dhe në Madrid
do të kujdeset të më veshë nga koka deri te këmbët.
Kështu, pak orë më vonë,
ndërsa aeroplani ulet duke u lëkundur mbi pistë, i them shokut tim të ulur bri
meje: “Kam ardhur jo vetëm pa valixhe, por edhe pa veshje: shiko”, dhe pa u
kujdesur se do të skandalizohet, hap pardesynë gjersa mund të shohë se nuk kam
asgjë në trup, pikërisht asgjë. Shtoj: “Në Madrid do të më blesh gjithshka që më
nevojitet, jo?” Dhe ai: “Do t’i blejmë të gjitha”. Në të njëjtën kohë më merr
dorën, sepse është i dashur, shumë, dhe kërkon që të jem edhe unë. Shtrëngojmë
duart; pastaj avioni, me një goditje të fuqishme hidhet përpara, ecën për një
copë rrugë, stakohet nga trualli dhe ngrihet, i pjerrët, drejt reve.
Në Madrid prenotojmë një hotel luksi, pastaj
kalojmë gjithë mbasditen e ditës së parë duke shkuar nga një dyqan në tjetrin,
për të ringritur garderobën time. Është si të luash me një nga këto kukullat
moderne, që shihen lakuriqe me veshjet mënjanë dhe fëmijtë argëtohen duke i
veshur, që nga slipi e deri te këmishët e tek fundet. Kukulla jam unë, lakuriq
nën pardesynë dhe, të rivishem, për shokun tim, është një lojë erotike, sepse
është i dashuruar dhe dëfrehet të shpenzojë për mua dhe mua më jep kënaqësi fakti
që dëfrehet në këtë mënyrë. Sytjena, geta, slip, pantallona, funde, këmishë,
çorape, mbajtëse çorapesh, këpucë, shami, çanta, dorashka, robëdëshambër dhe në
fund, një valixhe të madhe dhe e lehtë për aviona, ku do të vendos gjithë këto
rroba. Mbasditja fluturon, e lehtë, e qeshur, e butë dhe me humor, pikërisht si të loznim të dy me
këtë kukull për ta riveshur nga koka deri te këmbët, që është trupi im.
Herë pas here, në rrugë,
ai ndalon, më hap pardesynë dhe thotë: “Pa të shohim, pa të shohim, diçka
mungon akoma.”; dhe unë nuk mund të bëj gjë tjetër veçse t’ja shkrep së
qeshuri, e lumtur. Në fund, kthehemi në hotel të lodhur dhe të kënaqur, me
valixhen time të madhe plot me rroba të reja. Miku im del për bizneset e tij, dhe unë, si ngelem
vetëm, i dorëzohem një vekënaqësie naive për luksin në të cilin gjendem e
zhytur për herë të parë në jetën time. Sa i ëmbël e i butë, nën këmbë, është
moketi i dhomës! Sa mikluese janë të gjitha pasqyrat që në hije e ridërgojnë imazhin tim! Si janë
të lehtë, të freskët, të butë çarçafët , midis të cilëve, në fund, e le veten
të rrëshqasë me kënaqësi për një pushim të shkurtër. Po,
pa dyshim, njeriu që nuk e dua, por të cilit i dua të mirën, po fiton gjithmon
e më shumë terren. Sigurisht, në se midis nesh gjërat do të vazhdojnë në këtë
mënyrë, do të përfundoj ta dua me të vërtetë.
Ditën tjetër ai vazhdon
përsëri me punët e veta; dhe atëhere, duke u gjendur vetëm, shkoj të vizitoj
muzeun Prado. Jo se piktura më intereson shumë, por e veshur dhe, e theksoj, e
veshur bukur, çfarë mund të bëjë një grua vetëm, e bukur dhe elegante, në një
qytet të huaj, në të cilin nuk njeh asnjë, në se nuk do të shkojë të vizitojë
ndonjë muzeum? Ja pra, duke lëvizur në Prado, nga salla në sallë, duke hedhur
shikimin mbi kryeveprat e pikturës! Mendoj se duhet të ndaloj përballë një
kuadri dhe ta egzaminoj me kujdes; por në një farë mënyre, ndihem e hutuar dhe
e largët. Pastaj, përnjëherë, ja, ndaloj, e magjepsur. Është një kuadër i madh
që paraqet një subjekt të njohur: vrasjen e
Holofernes nga dora e Judithit. Nuk është subjekti që më magjeps, por më
shumë ngjashmëria e jashtëzakonshme midis meje dhe Judithit. I njëjti shtat i
fuqishëm e gati atletik, të njëjtit gjinj të hijshëm, e njëjta shpinë
energjike, të njëjtët çapokë, e njëjta qafë delikate, e njëjta kokë e vogël, e
njëjta fytyrë me sytë e mëdhenj, të zinj e të qartë, nga hunda në profil, nga
goja e kuqe e mishtore si një qershi.
Jam unë, nuk ka dyshim,
jam pikërisht unë; dhe kjo që bëj, misteriozisht, më përshtatet. Çfarë bëj? Ngre lart kokën e
Holofernes, të përgjakur, me flokët që i varen dhe me qepallat e ulura, i
spikatur nga busti, që në fakt, më shtrihet përpara me kokë të prerë. Përse
pastaj ky gjest i tmerrshëm më përshtatet, as vet nuk e di. Mendohem pak, duke
mos m’u sjellur ndërmend asgjë, dal nga muzeu, kthehem në hotel.
Gjej mikun tim; dhe
kështu shkojmë sëbashku për të vizituar Eskurialin, jo larg nga Madridi. Gjatë
vizitës dhe pastaj në restorantin e vendit ku hamë, ai tregohet jashtëzakonisht
i përzemërt dhe i dashuruar. Në Eskurial, gjatë vizitës në apartamentin privat
të Filipit II, i pakujdesshëm nga fakti
që dhoma e vogël duket mbi humnerën gri
e të ngrirë të kishës, do të më përqafojë me çdo kusht, në restorant ha
me një dorë të vetme, me tjetrën shtrëngon timen, duke fërkuar gishtat e tij me
të mitë, gati duke përfytyruar përqafime analoge të trupave tanë. Pasioni i
shumtë, e ndiej, fillon të më bëjë efekt. Dhe në se më rezulton ta dua? Nuk jam
një shpirt i pastër; jam dikush prej mishi e eshtrash. Dëshira për një burrë
dhe gjithë gjërat që dëshmojnë dëshirën e njëjtë, pra dhuratat, luksi, veshjet e reja, dhe me
pak fjalë, paratë, që tashmë ngjan e thjeshtë, paratë brutale në kartmonedhat
bankare, në monedha të vogla, të gjitha këto nuk më lenë indiferente. Kush ka thënë se dashuria është një ndjenjë e pastër dhe
e çinteresuar? Kush e ka thënë, nuk e ka
njohur dashurinë që është në realitet ,
një bimë me lule të bukura, aromatike dhe me rrënjë të thella në plehun
organik.
Në mbrëmje shkojmë në
një lokal karakteristik dhe ulemi në një tavolinë për të pirë verë e për të
parë vallet folkloristike. Miku im përherë më mërmërit fraza plot pasion dhe
unë nuk mund ta mohoj dhe çast pas çasti i hedh shikime të përflakura. Ai,
natyrisht, e sheh flakën në vështrimin tim dhe dyfishon kujdesit dhe pasionin.
Mbi një podium të vogël, afër nesh, një grua, në një shall mëndafshi kërcen flamenkon; dhe unë
atëhere e eksituar nga ky shpërthim ekzaltues i kastanjetave dhe rrahja e
takave të valltares, përnjëherësh, duke ju dorëzuar, nuk e di kujt impulsi, i
fus gojën në vesh dhe i mërmërit me zë të ngrohtë e vibrues: “Të adhuroj.” Dhe
ai ma kthen; “Edhe unë.”
Është shumë vonë kur
hyjmë në hotel, dhe, të lidhur si dy të rinj, kalojmë tremen nën sytë e
pandjeshëm të portjerit të natës. Në dhomë bëjmë dashuri dhe më vonë flemë
kështu si jemi, lakuriq, të dy. Fle ndoshta disa orë dhe pastaj zgjohem me hov.
Errësira më rrethon, jam e gjitha lakuriq, më bëhet se jam e gjunjëzuar mbi
krevat dhe se shtrëngoj në grusht një thikë të gjatë dhe të mprehtë gjahu që
patëm blerë ditën e parë gjatë kontrolleve tona
nëpër dyqane. Ndjehem e gjitha e tensionuar dhe konvulsive; pikërisht si
gjendja shpirtërore e atij që po ndërmerr një delikt, një krim. E trembur, e
ethëshme, kërkoj dhe gjej llambën mbi tavolinën e natës, e ndez dhe shikoj me
tmerr se maja e thikës është e kthyer drejt shpinës lakuriq të mikut tim, i
cili nga pozicioni i shtrirjes, të le përshtypjen se është pa kokë.
Përnjëherësh më kthehet kujtimi i pikturës në Prado, në të cilën shihet Judithi
që lartësohet, hakmarrëse, përbri bustit pa kokë të Holofernit. Automatikisht
flak thikën, mbulohem me robdëshamrin dhe dal në majë të gishtave nga dhoma.
Zbres poshtë në treme,
nxitoj të mbyllem në kabinën telefonike, formoj numërin e ish dashnorit tim, në
Romë. Atëhere më bëhet diçka si panik. Në telefon, gati shpejt, ndjej zërin e
tij që thotë: “Alooo”; ngutem t’i përgjigjem: “Jam unë, po të telefonoj nga
Madridi, alooo, alooo”; po ai qoftë për hakmarrje, qoftë prishje telefoni, ja
si unë me të në Romë, kufizohet të thërrasë “alooo, alooo” sikur diçka, e futur
midis nesh, na ndalon të komunikojmë. Vazhdojmë t’i themi: “alooo, alooo”,
njeri tjetrit, ai me zë të qetë dhe unë gjithmonë e më e dëshpëruar; gjersa, me
një tringëllimë, komunikimi u ndërpre me të vërtetë. Dal nga kabina dhe
ringjitem në dhomë.
Në errësirë, heq
rrobdëshambrin, futem nën mbulesë. Jam Judithi që ende nuk e ka kryer vrasjen,
që shtrihet përbri Holofernit, akoma gjallë. Mendoj se për tani, nuk më
përshtatet ta tejkaloj këtë fazë fillestare të episodit biblik; më vonë të
shohim. Shumë shpejt më ze gjumi.