........

venerdì 24 gennaio 2014

Spektakli i luleve



SPEKTAKLI I LULEVE

Ëndërrza të mia që çelni në hone, në livadhe e në pyje,
të selitura nga flladet,
të notepsura nga mjegullat, vesa dhe bletët,
të ndriçuara nga kaviteti i brëndëshëm i petaleve tuaja,
 nga ylberet, nga hëna e dielli,
ju që bëni tërë dheun të parfumojë,
luleshqerra që populloni pllajat e fëmijërisë,
manushaqe kokulura që i vinit veshin, atje ku jeni
fshehur, hapave të mia,
ti, Ylli i Alpeve, Fillikatja e Pyjeve,  Adonisi i Verës,
ti lule rradhiqe  si bojë shkrimi,
lulëkuqe që shtroni fushat me një qilim si të
 avëlmendeve fshatare,  
lule të vogla imcake që kujdeseni vet për veten tuaj,
- ka kohë që nuk rroj më pranë jush.
 
Më është rëndur hapi. Nuk ua  shoqëroj dot  si dikur
spektaklin madhështor të  ringjalljes biblike,
nuk bares më në kopshtet e lulëzuara. Tani rroj
pranë kushërirave tuaja të largëta, luleve që rriten në
 sera,  të vendosura në rresht nëpër parqe,
rroj pranë atyre që bëjnë rojenderi rrotull monumenteve
 prej  bronxi të qyteteve,  
që mbushin dritaret e ballkonet,
që nuk krahasohen me dlirësinë, thjeshtësinë,   
sinqeritetin dhe finesën  e ngjyrave tuaja.

Më ze meraku për prekjen tuaj,
për dridhjen e brishtësinë e linjave estetike që
fisnikërojnë dheun, 
për bukurinë e heshtur,
për misterin që u vishni peisazheve të ndriçuara nga
abazhuret e gonxheve tuaja.

Spektaklin tuaj e dirigjojnë erërat e ngrohta të gjithësisë.
dhe të qarat e fëmijëve të porsalindur në pelena.

Nessun commento:

Posta un commento