Puhiza “poetike” e artit poetik të Agim Matos
Nga Fatmir Terziu
Aspektet e simetrisë në poezi nga mjaft
studiues janë marrë për të përfaqësuar tensionin poetik. Në kuadër të procesit
kompozicional mes impulseve spontane dhe nuhatjes së brendshme nga njëra anë,
dhe më shumë vetëdije e imponuar nga struktura dhe organizimi nga ana tjetër,
shihen edhe mjaft poezi të poetit shqiptar, tashmë me emër, Agim Mato. Poezitë e tij të hershme,
që shpëtuan përkohësisht nga ‘kartonëzimi’ apo ‘brumëzimi ideologjik’, si “Sazani” (1983); “Mug” (1982); “Pulëbardha”
(1980) kanë një konsideratë të tillë të qartë, me të cilën ne do të ndalemi më
tej në këtë analizë. Këto forca nuk janë parë si kontradiktore por si të
nevojshme dhe plotësuese elemente të muzikalitetit poetik, me një ngarkesë
strukturore, ku spikat nevoja për ekuilibër midis të dyjave, (poetikës dhe
muzikalitetit) është konsideruar thelbësore. Intuita, apo sensi logjik i
poetit, luan një rol të rëndësishëm në afrimin e elementeve të ndryshëm të
procesit kompozicional në një tërësi muzikale me simbiozë artistike dhe me një
penelatë piktoreske të akuarielit mental, ku ngjyrimet janë kaçube të detajuara
e të minidetajuara spatulanteske, të cilat babai i spatulës në pikturën
shqiptare, mjeshtri Sefedin Agolli do t’i quante arti që të jep shpirti.
Struktura, si formale dhe e konceptuar ndryshe,
ka një pjesë të madhe për të luajtur, por pasi organizimi logjik është jo nga
tema të frymëzuara automatikisht, në penelatën poetike të Matos, aq edhe në
timbrin muzikal të poezive të tij, do të krijojë një pjesë të kënaqshme të
muzikalitetit të fshehur në determinim, por të hapësinuar në shpirtqasjen
poetike mes logjikës, konceptualitetit dhe funksionit filozofik të kohës,
vendit dhe hapësirës. Ja konceptualiteti, funksioni filozofik dhe shpirtqasja
poetike si funksionojnë tek poezia “Sazani”:
“Dhjetë kilometra të një
toke në det
si shpina e një peshku
mbi ujë,
po sa u munduan
ta zinin në rrjetë
të ardhur nga tejdeti
gjeneralët e huaj.
Po unë i sajti do të jem
nga shokët poetë
që vargje shkruaj për
ishullin tim,
për ishullin që rri
i ngjeshur në helmetë
te porta e Atdheut
në përgjim?”
Për poetin Mato, qasjes në ndjenjë intuitive
mund ti arrihet edhe duke mbajtur parasysh një ‘poemë’ të veçantë ‘, foto ose
pikturë tonike, si një parim të përgjithshëm organizues. Kështu poezia, në
kuptimin më të gjerë, ka udhëzuar në heshtjen e saj mesazhiere formën e
përgjithshme të shumë prej kompozitave muzikale si dhe sigurimin e stimujve
fillestare. Për qëllim të analizës dhe diskutimt, ky shkrim ndan copat e
portofolit shoqërues në tre grupe kryesore në mënyrë që të përshkruajë rolin e
veçantë të stimulit poetik, organizimit simetrik fushën dhe veprimin intuitiv
mes forcave integruese. Nokturni i fundit është përdorur për të ilustruar se si
të gjitha këto aspekte janë sjellë së bashku në një copë. Ndaj edhe hyrja në këtë
studim na sjell hapësirën kilometrike mes poezisë së Matos, ku ‘Dhjetë
kilometra të një toke në det’ nuk janë thjesht ajo që lexojmë ‘si shpina e një
peshku mbi ujë’, por logjika me të cilën funksionon simetrikja dhe asimetrikja
e shekujve me gjeneralë, pushtues e ardhës e ikës tek ‘porta e Atdheut’. Dhe
ajo është “në përgjim?” Poeti e di më së miri këtë nga bunkerizimi, nga vetë
ishulli që ka emrin “Sazani” dhe jo thjesht në krye të poezisë.
Ndër poetët më me ndikim në këtë pikë të hershme
të autorit Mato, janë ndoshta emra të cilët vijnë nga kultura e ashtuquajtur ‘e
artë poetike’ e poetëve të pyllit të mall rus, mes të cilit lastarë të njomë
lisash dhe mështeknash mbajnë ende kampionin e qasjes. Këtë qasje nga periudha
e fundit e simbolizmit në fundin e realizmit socialist (simbolistë, futuristë,
imazhionistë, akmeistë e socrealistë) të gjithë të zhgënjyer nga epoka e
socializmit e mbajnë strofkave të arta të letërsisë, Blloku, Pasternaku,
Mandelshtami, Cvetajeva, Esenini, Jevtushenko, Ahmadulina dhe Brodskij. Dhe
qasja e ‘ndikuar’ kapërcimërisht në vrugun e zellit dhe pasionit është marë e
konsideruar si e tërhequr nga muzikaliteti dhe simetria mes strukturës dhe
trajtesës së temave dhe poezive tyre, idetë dhe teoritë e tilla që u ndriçuan
prej analistëve të mëvonshëm. Muzikaliteti dhe poezitë e tila me muzikalitet
dhe simetri kanë pasur gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në kompozitat e
mëvonshme poetike shqiptare, nëpërmjet mendimeve të qasura në procesin
kompozicional dhe rolin më të gjerë të muzikalitetit në poezi.
Më tej këtë muzikalitet
e ndjejmë në poezinë tjetër “Mug” të
poetit Mato. Ja si shkruan ai me zellin e penelatën e tij të brendshme:
“Rrija vetëm me
gjithësinë.
Mbaja vesh puhizën e
yjeve që çelnin si luleshqerra...”.
Është ky muzikalitet poetik që ndihet si nga
mesazhi, struktura, po aq edhe nga zbrazëtia si nocion filozofik. Çfarë e bren
shpirtin e poetit? Pse ai gjendet ‘vetëm me gjithësinë’? Të gjitha këto
kuptohen qartë. Ai kishte një baba shkencëtar, aristokrat, një baba që dinte të
sillte gjëra të reja në jetë, që dinte të mbante gjallë shqiptarinë edhe në
emrat e fëmijëve, (Agim, Luan, Vullnet etj.) Emra që i jepnin më shumë liri,
por edhe një zbrazëtirë që dikushnaja, apo rrethnaja do ta cmirëzonte dhe kjo
do të ndihej atje, pikërisht ku arti flet me heshtjen, në artin poetik të
Matos...Ja si shkruan poeti dhe hulumtuesi Timo Mërkuri kur shprehet mbi vëllimin poetik “Fundo” të poetit Agim Mato në
ciklin “Kur flasim për Artin
Jonian”: “Pak e dinë se jeta e Agim
Matos ka kaluar mes privimeve sociale dhe shoqërore, duke u detyruar të kryejë
punë nga më të rëndomtat, për vet karakterin klasor të sistemit që lamë
pas. Arrestimi dhe dënimi politik i të
jatit, i solli si pasojë heqjen e të
drejtës së botimit. Ndonëse ai pohon me
sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më
flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe
pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës
së botimit, solli një heshtje gati 30
vjeçare të këtij bilbili të poezisë shqipe..” Mërkuri që thuajse i di të
gjitha, ndoshta jo ato zbrazëti mes vargut, apo heshtjes ‘me gjithësinë’ të
poetit Mato, shton se ajo kohë “Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica
pleniumesh na ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte
kohë brohoritjesh.. ..Dy ditë me rradhë
na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe duartrokitjet tona për
pritjen e Hrushovit/të madh/ . …” Sipas Mërkurit “Kështu shpjegohet fakti që
poeti punonte, censuronte vetveten, korigjonte e sidomos…heshtëte si…peshku në
ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në buzë” , duke thënë më von me
sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të
bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm… Dhe unë, ndërsa kujtoja dhe
shkruaja këtë fakt, s’di pse nisa të
rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të
përpiktë në leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë
gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë vargjet…Vetëm neve na kërkojnë/çertifikata
virgjërie.
Për Mërkurin më tej “Kjo puna e “biografisë” së
tij edhe mua më nxori disa herë
“telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “
këshillonte babain, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që
kishte me të birin e një të burgosuri
politik”. Im atë më pyeste i merakosur se…
“mos do ma punosh dhe ti si yt
vëlla tani që s’kam takat t’ju ndjek
burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e
Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me faktin se para disa muajsh ishte arestuar im vëlla,
ndaj përgjigja ime e thjeshtë …”
bisedojmë për poezinë”, nuk ja mbushte shumë mendjen. Po
ja që një ditë e gjeta duke lexuar
vëllimin poetik “Jug” të Agimit, të
cilin e mbaja në biblotekën time.”
Atëherë, qartësia e vonuar e “Mug”-t poetik në
shpirtin e tij është më shumë se një asimetri me kohën që jetojmë. Prej kohësh,
arti i tij poetik pret vendin e duhur, ndoshta më shumë se sa shpirti i tij i
tendosur deri në këputje. Ajo këputje që vjen herët nga “Mug”:
“...mbaja vesh detin
atje poshtë,
Frymëmarrjen e guvave të
tij si ca gërhitje balenash.
Një xixëllonjë u shpëtoi
zjarreve të perëndimit dhe u end/sipër meje
Me një hënë të vockël
nën bark...”
Vazhdon së shpejti...