........

martedì 24 dicembre 2013

Një pemë

 
NJË PEMË

  Jannis Ricos
 
 
 
Kjo pemë ishte rritur në pjesën e sipërme të kopështit,
e lartë, e vetmuar, e hollë – lartësia e saj
tradhëtonte ndoshta një ide sekrete të uniformitetit.
Nuk nxorri kurrë lule e fruta, vetëm një hije të gjatë
që ndante më dysh kopështin
dhe një përmasë e paaplikueshme për pemët e tjera
të ngarkuara e të përkulura.
Çdo mbrëmje kur perëndimi i lavdishëm shuhej,
një zog i çuditshëm ngjyrëportokalli hepohej në heshtje
 midis degëve si fruti i saj i vetëm – një këmbanë e vogël e artë
mbi një këmbanore të gjelbër shumë të lartë. Kur e prenë pemën 
zogu i vërtitej sipër me klithje të vogla të thekëshme,
duke vizatuar rrathë në ajër, duke vizatuar në perëndim formën
 e pashterëshme të pemës, si një kambanë e vogël
që lëkundej e padukëshme atje, më lart se vet pema.
 
Përktheu: A. Mato

giovedì 19 dicembre 2013

Vetmi kozmike



VETMI  KOZMIKE

Jam i spërkatur nga vegime qytetërimesh të largëta,
nga ciatja e sinjaleve të tyre manjetike,
nga modulet që lëshojnë qëniet inteligjente të dherave të
tjera  për tu identifikuar tek unë,
nga sistemet e tyre fluturuese që depërtojnë atmosferën
dhe studiojnë mënyrën time të jetesës.

Rrotull meje vërtiten disqe fluturues,
ulen në periferi të qyteteve,
lenë gjurmët e tyre në barin e përcëlluar të lëndinave,
ngihen sërish e zhduken duke lënë mbrapa
një fjollë drite të panjohur,
dëshmi të papërcaktuara kozmike,
silueta jashtëtokësorësh kuriozë.

Një ditë prej ditësh
do të ulem me ta,
si me fqinjtë e pallatit
dhe do të qajmë hallet e hapësirave që na rrethojnë.

Do të shkëmbejmë teknologjitë si cigaret,
pa diskutuar të drejtat për licensat, për autorësinë,
nuk do të flasim për luftrat, për ideologjitë,
për armët e shkatërrimit në masë, atomin, lëndët kimike,
për armiqësitë, për papajtueshmërinë e besimeve,
si një e keqe që na ka pllakosur prej shekujsh
këtu në tokën tonë.

Do të shënojmë me kujdes arritjet e tyre  në fushat e
e ndryshme të shkencës,
do të hetojmë mënyrën e tyre të jetesës,
në se rrojnë në qytete si tonat, 
ushqimet që konsumojnë,
në se kanë nepset tona, veset,
në se dashurojnë,
në se urrejnë.  Si e kanë të organizuar jetën sociale?
A kanë formacione shtetërore, politikanë,
hierarki burokratike, korrupsion?

A kanë artistë, vepra arti, romane, poezi, filma,
pasarela mode, bordello, drogë, gjeneralë?

A shkojnë në stadiume, a venë baste? Çfarë lloj sportesh
aplikojnë? A zihen rreth një topi, a rendin pas idhujve
që fitojnë miliarda?

Digjem nga kurioziteti për qeniet e largëta inteligjente
që duket se po shfaqen rrotull meje.


Vetmisë kozmike po i vjen fundi.

martedì 10 dicembre 2013

Feniksi



FENIKSI

Të thashë: më duket si në ëndërr
tek ndihem i përkujdesur
nga drita e syve të tu
dhe tërë qenia jote!

Sepse mua me kish munguar
prania e një njeriu të  bukur”,  ma ktheve ti,
duke aluduar për një lloj tjetër bukurie...

Shpesh mendoja:
kur do të lundrojë i qetë,  shpirti im?
Kur do të ngrihet në hapësirat e gjera të bukurisë
 së vërtetë,
që mendova se e humba për vite?

Ti erdhe!

Një hymn oshëtiu brenda meje
dhe bëri që Feniksi të ringjallej,
të përplaste krahët, të shkundëte hirin prej tyre
dhe të kapte kuotat që pata ëndërruar.
 
Sepse është ndërtuar jo prej materies, ai zog,
është një aliazh pasionesh, vetmohimi dhe
 shpresash.

Kurrë nuk kam derdhur
kaq shumë energji
dhe habitem ku ishte fshehur.

Morën kuptim hapat e mia,  
frymëmarrja ime.

Sa njerëz kujtojnë se rrojnë
dhe nuk e dinë se një gur varri rri mbi kokën e
 tyre,
një epitaf harrimi.

E kam gjetur nordin që ma patën mohuar
dhe tani symbyllur i përcaktoj koordinatat.

Jam me fytyrën e kthyer nga Gjithësia.



domenica 8 dicembre 2013

Zog i trembur



ZOG I TREMBUR

Duke dalë te dritarja e ëndrrës,
më sheh mua,
si nje zog të trembur.

Kam ardhur vet
apo më ke thirrur?

Me gjethin e një puthjeje
në sqep
shushurij nëpër xhama.

giovedì 5 dicembre 2013

Të falënderoj që ekziston

TË FALËNDEROJ QË EKZISTON


Kur erdhe ti
çuditërisht u  terratisën
perënditë e rreme
që vërtiten rrotull njeriut.

Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.

Nuk e dija që ekzistonte ai dritësim i syve të tu
që përshkëndiste mijëra nuanca të kaltra rreth e rrotull.
U frenua verbimi brënda meje
dhe një puhizë e lehtë ëndërre
filloi të shtyjë dy vela të bardha
për të mbërritur në farin e vetmuar
ku rroja si një eremit deti
i harruar nga lutjet dhe blasfemitë e të tjerëve.
Drita që solle papritur ma trembi vetminë
dhe, i pamësuar me të, nuk guxova 
të rri gjatë përballë teje,
që të mos vuaja.  Pyesja hijen time
prej Heminguei
dhe ajo bëhej më memece se unë.

Tani të falënderoj që ekziston.




sabato 26 ottobre 2013

Poezitë janë si brumi i nënave tona



 




















POEZITË JANË SI BRUMI I NËNAVE TONA

 Poezitë janë si brumi i nënave tona:
marrin miellin,
bëjnë një pirg të vogël,
hapin një krater në majë,
hedhin në të shiun,
kripën.
çajnë vezët në cep të tavolinave,
i vërvitin si ca hënëza të vogla,
të verdha 
brënda kratereve
dhe pastaj i përziejnë me grushta,
i ngjeshin
dhe u japin formën që duan.

Hollojnë petë, bëjnë byreqe,
i mbushin me lakrat e mbledhura në lëndinat aty rrotull,
shtrojnë djath të bardhë, bëjnë bakllava
me dyzetë petë, e mbushin me arra,
e ngopin me sherbet.
Bëjnë brrushtull, qumështore,
hedhin oriz, makarona, mish qengji
dhe futin tepsitë në furrat
me prushin e bërë gati të shpirtrave të tyre.

Kryqëzimi im



















KRYQËZIMI IM


  vetmuar dhe me shpirtin e sakatuar
më çuan drejt kryqëzimit të ri në Golgota.
Gozhdët,
pikat e gjakut, ringjallja
ishin një  provë e vështirë,  
në kohën kur parimet klonoheshin me shiringat e
         ideologjive.

Tej kryqit, tej vetmisë hamendësoja botën.

Ata që më kryqëzuan
flisnin midis tyre për një botë të re,
për një epokë ku fjalët: “armiku i klasës”,
“luftë vendimtare mbi dhe”,
dëgjoheshin dhe afishoheshin
deri në faqe malesh.

Askush nuk iu afrua drurit të kryqëzimit tim.
Vetmisë  sime.

 Ku mund t’i  gjeja të  Dymbëdhjetët e mi?
Të gjithë
zgjasnin që prapa hekurave
gavetat prej alumini.

Pas tridhjetë vjetësh u ringjalla më në fund.
Rreth e rrotull, blasfemitësit
u shfaqën sërish me parimet e tradhtuara
e me qirinj në duar.

Po biblën e vuajtjeve të mia
kurrë nuk e pranuan. Shiringat e ideologjive
shpirtrat ua  kishin sterilizuar.


domenica 13 ottobre 2013

Alberto Moravia: "Virgjëresha dhe droga" - tregim



Alberto MORAVIA

VIRGJËRESHA DHE DROGA
tregim
Përktheu: Agim Mato

Jam rritur me makthin e një nëne pijanece, erotomane, plangprishëse dhe mbi të gjitha piktore diletante dhe e dështuar. Nëna ime është ndarë shumë shpejt nga im at, inxhinjer konstruktor digash (ndoshta një simbol, profesioni i tij!) dhe shkoi të jetojë me të dashurin e rradhës në një papafingo në majë të një pallati antik. Im at dhe unë kemi ngelur në apartamentin e Paridëve. Thashë se jam rritur me makthin e nënës sime. Mbi këtë makth, kisha edhe unë makthin e vetes sime, që çdo gjë e doja ndryshe nga ajo. Nëna ime i lejonte gjithshka vetes në jetë: meshkujt, alkoolin, pikturën dhe shumë gjëra të tjera të pamundura dhe joligjitime. Unë, që fëmijë, jam ushtruar për të krijuar tabu, e vendosur të refuzoj gjithshka, duke nisur nga lodrat dhe nga ëmbëlsirat (studioja te murgeshat, hiqja dorë nga dëshirat e mia, duke bërë lulka për Madonën), gjer edhe dashurinë kur isha më e madhe. Duke hequr dorë, duke ndaluar, duke parandaluar,  duke mohuar atë që ishte jeta ime. Në moshën njëzetekatër vjeç isha akoma virgjëreshë; u diplomova në filozofi, një diplomim me të cilin nuk dija ç’të bëja dhe që e kisha realizuar vetëm për të bërë të kundërtën e nënës sime, gjysëm analfabete edhe pse gjysëm artiste. Menjëherë pas diplomimit u vura të ushtroja profesionin e arreduesit, si vokacionin tim kryesor. Por a mund ta merrni me mend se ku e sistemova laboratorin tim?! Pikërisht në të njëjtin pallat ku ishte papafingoja e nënës sime, në katin përdhesk.
Në këtë kohë, kush më ka parë, do të ketë klithur: ”Sikur të ketë fluturuar nga një reviste mode”. Isha pikërisht kështu. Ju kujtohen fotografitë publicitare  të revistave të modës, në të cilat modelet “prezantojnë” të ashtuquajturat “linja” të të ashtuquajturave “stinë”? Ato vajza të dobëta në kulm, me sy provokues dhe buzëqeshje verbuese, me trupin e orientuar në mënyrë të sforcuar dhe si prej kukulle, me këmbët e lëshuara nga njëra anë dhe bustin në anën tjetër, me krahët e shtrira jashtë, dhe me shprehjen e fytyrës, diçka sterile dhe histerike dhe e gjitha kjo për të ilustruar në mënyrë dramatike një pallto apo një veshje tjetër. E, pra, ndërkohë që unë  fillova të kem sukses në arredimin e apartamenteve të borgjezisë parioline, isha egzaktësisht kështu. Një fjalë e vetme mund të më definonte, pa përshkrimet e fundit: e ndrydhur. Isha kështu e ndrydhur sepse gati kisha harruar që isha virgjëreshë. Edhe sepse nuk mundesha që të paktën të dalloja një raport midis ndrydhjes dhe suksesit, dhe nuk ka asgjë si suksesi për të harruar çmimin që kemi paguar për t’ja arritur.
Kujdesem për arredimin e apartamentit të një diplomati të ri që jeton vetëm. Më fton për drekë e për darkë, më dërgon lule, më shoqëron në kinema dhe në teatër, më telefonon në të gjitha ditët. Më në fund fejohemi; im at, që ka simpati për të, jep aprovimin; ime më, që e urren sepse i tingëllon borgjez, jo. Martohemi në kishë, ftojmë njëqind persona në drekën e martesës, nisemi për në Greqi. Gjithshka në rregull, me pak fjalë, përveç natës së parë në hotelin e Athinës ku dhëndërri im, pas disa tentativave të kota, bie në gjunjë, më përqafon këmbët duke qarë dhe më rrëfehet se është impotent. Kthehemi në Romë në dy avionë të ndryshëm; ai ende impotent, unë për gjithmonë, siç thuhet, e virgjër.
Martesa ime e dështuar duhet të kish qenë për mua një kambanë alarmi. Do të doja në fakt të kuptoja që isha martuar “posaçërisht” me një impotent, që të mos i jap gjë askujt, për të ngelur e virgjër. Ndërkohë nuk kam kuptuar asgjë edhe pse më kapi një tërbim i trishtë dhe i fshehtë. Kërkoja diçka, nuk isha më shumë e sigurtë në vetvete, e ndjeja se po gaboja jetën time. Më në fund, pasi lodha trurin, m’u duk se e kuptova: gabimi qëndronte në faktin se jetoja egoisten, duke ju kushtuar tërësish vetes sime dhe në ç’ mënyrë pastaj? Për ti ndaluar vetes praktikisht gjithshka. Do të duhej ndërkohë ta lija veten, t’u kushtohesha të tjerëve ose një dashurie tjetër. Mbi gjithshka, virgjiniteti im kishte humbur tashmë, në sytë e mi, kuptimin e tij të pastërtisë, ishte bërë ftohtësi dhe thatësirë. Po, unë duhet të dashurohem për të mos qënë më e virgjër dhe të dua një burrë e t’i kushtohem atij.
Një nga këto mbrëmje zëri i ngjirur dhe i ulët, prej të alkolizuare i nënës sime më thotë në telefon se në paapafingon e saj ka një festë; e përse të mos shkoja, do të argëtohesha dhe do të më bënte edhe mirë, kohët e fundit i kisha lënë përshtypjen të isha e lodhur e nervoze. Po i përgjigjesha se nuk më interesonte të argëtohesha, ndërkohë që i thoshja vetes “është e vërtetë që nuk të intereson?” dhe atëhere pranova.
Festa e nënës sime ishte një mbledhje melankolike e një numri personash të ngjashëm me të: piktorë pa treg, shkrimtarë pa talent, intelektualë pa prestigj, të gjithë ama, sipas nënës sime, të destinuar nesër  për çmime të pashmangëshme. Përballë këtyre njerëzve provova të njëjtën ndjenjë neverie si përpara leckave dhe rrangallave piktoreske të peshkuara nga nëna ime me të cilat kishte arreduar papafingon. Unë isha ndërkohë për njerëzit e suksesit, siç isha për divanët e mëdhenj, për tavolinat masive, për trapezeri të pasura dhe të kushtueshme.
Po kërkoja të falur për t’u larguar kur nëna ime u hodh në qafën e një të porsaardhuri, një i ri me bukuri të jashtëzakonëshme. Nëna ime pra, e prezantoi të porsaardhurin në rreth. Nuk ishte italian por amerikan dhe quhej Roberto që do të thotë Bob. Kur më erdhi radha, nëna ime ma hodhi madje përsipër, duke thënë, me një shkelje syri të djallëzuar, që ishim bërë për njeri tjetrin. Djaloshi u kruspullua para këmbëve të mia, me gotën në dorë, por nuk më foli. Atëhere e pashë; dhe kur erdhi momenti që t’ja hiqja shikimin, siç e do edukata e mirë, vazhdova ta shihja. Zot, sa i bukur ishte! Në mënyrë të pasjellëshme, paturpësisht, me lakmi, jam zhytur të hetoj sytë e mahnitshëm të blertë në të kaltër, të lëngëshëm, hundën fisnike të drejtë e të pastër, gojën e mrekullueshme mospërfillëse e krenare. Më la ta shikoja mirë e mirë, edhe pse në heshtje: duhej të ishte mësuar me këtë. Pastaj, u çua vrik në këmbë dhe, pa më përshëndetur, doli nga papafingua.
Ngela pa lëvizur, më shumë e habitur, se sa e eksituar, ndoshta një minutë apo dy dhe pastaj u lëshova pas tij. Gjëja e parë që pashë, pasi dola në zgjerimin para pallatit, ishte djaloshi i stepur dhe në mëdyshje, midis automobilëve të parkingut. Instiktivisht shkova tek makina ime  dhe jam ulur tek timoni, duke lënë hapur dritaren, siç kisha parë t’ua bënin shumë herë prostitutave, në vendin e tyre të pritjes. Prita pak, djaloshi e kuptoi, erdhi drejt e tek makina, u ul përkrah meje dhe më tha pa u vonuar adresën ku donte ta çoja, pikërish siç bëhet me një shofer taksie.
Nuk lëviza gjersa më spjegoi. Me pak fjalë, ai nuk kish para dhe donte që ta çoja deri tek një bar shumë larg, ku duhej të takonte dikë që ai e quante një “lidhje” d.m.th., siç më spjegoi pa siklet, një shitës droge. Natyrisht, tani duke e çuar, duhej të paguaja edhe drogën. Shprehej në një italishte të pastër, madje me ndonjë fjalë ose modulim romanesk, që tingëllonte e çuditëshme në buzët e tij.
E pranoj, nuk e prisja një propozim të ngjashëm: moraliste siç isha, më dukej se disa gjëra duheshin thënë duke i ardhur rrotull dhe me nënkuptim. Ai atëhere e ka përkthyer heshtjen dhe habinë time si fillimin e një refuzimi, dhe me një zgjidhje të dëshpëruar e të çuditëshme më propozoi një shkëmbim: në se do ta shoqëroja dhe do ti paguaja drogën atij, më pas do të ishte gati të më çdebitonte me një çmim, ta quajmë sentimental. Për të gjithë këtë në fillim mendova: “Pra, iu duka një beqare e uritur për dashuri që më propozoi diçka të tillë të ngjashme?”, por pastaj e kuptova që ishte vetëm padurimi frenetik, spazmatik prej toksikomani. Atëhere, kushedi si,  shpërtheu brënda meje një vendim i egër. Në mënyrë brutale i thashë se do ta bëja atë që dëshironte, por pas dashurisë, jo më përpara. Duhet të kem folur me një padurim akoma më të prerë dhe të dëshpëruar se i tij, sepse më pa vetëm një çast, i habitur, dhe pastaj, si e kuptoi se nuk do ta lija, pohoi me kokë. Zbritëm me shpejtësi nga makina, e mora nga krahu, gati nga frika se më ikte dhe hymë në pallat.
Do ta besonit? Në laborator, kur pasi jemi xhveshur, ju afrova atij që më priste i ulur mbi divan, duke pirë duhan i zhytur në mendime, dhe e paralajmërova: “Shiko, se jam e virgjër”. Ai, në një mënyrë fëminore e të këndëshme më bëri një inskenim. Më duket sikur dëgjoj akoma zërin e tij, që, zemërthyer dhe i dërmuar, protestonte me theksin e tij qesharak anglo-romanesk. Po si? Isha e virgjër? Dhe ja thoshja kështu? Dhe nuk turpërohesha? Dhe përse kisha pritur kaq gjatë? Dhe nuk mendoja se për të do të ishte një mundim i dyfishtë? Dhe, me pak fjalë, pse nuk ja thashë që në makinë, atëhere, nuk do të kishte hypur, do të kishte kërkuar dikë tjetër, etj. etj.
Nuk ju përgjigja fare. Isha shumë e prekur në sedër dhe në të njëjtën kohë, e sigurt tashmë për gjahun tim, sepse ndjeja në zërin e tij më shumë nënshtrim të zemëruar se sa revoltë. Dhe në fakt, pas pas pak, me vrull të sforcuar dhe të shkathët, u hodh sipër meje dhe gjithshka ndodhi shumë më lehtë, më shpejt edhe më me dhëmshuri nga sa e kisha imagjinuar. Pastaj erdhi surpriza  e madhe, e vërteta, e mrekullueshmja e asaj nate të paharrueshme: në vend të kujtoja premtimin tim për ta çuar të takonte “lidhjen”, ja ai fle midis krahëve të mia. Qëndruam kështu disa orë, unë në shpinë dhe ai i përqafuar me mua me kokën mbi gjirin tim. Pastaj jam çliruar pak nga pak dhe shkova të marr një kuvertë me të cilën e mbulova e u shtriva përsëri bri tij. Nisa të reflektoj dhe më në fund e kuptova: Providenca, Zoti,  më dërgonte një burrë që dukej në masën time për moralizmin tim: unë do të duhej ta  shpëtoja nga droga me dashurinë time të madhe. Kisha gjetur, me pak fjalë, dikë që t’i kushtohesha dhe, duke e shpëtuar, do të shpëtoja edhe vetveten.
Nuk po zbuloj të veçantat e dashurisë sonë. Dashuritë janë të gjitha të barabarta dhe kush më lexon mund të imagjinojë tonën duke menduar për një nga të tij. Gjithashtu, mbi dashurinë nuk ka asgjë për të thënë, është një gjë e papërshkrueshme, kur flitet për dashurinë, në realitet flitet për rrethanat anësore që e shoqërojnë. Në rastin tim rrethana quhej drogë. Që do të thotë se probabiliteti ishte se e doja, mbi të gjitha, sepse doja ta shpëtoja, dhe nuk doja ta shpëtoja sepse e doja. Lypset të thuhet se fitorja ime mbi drogën ishte e shpejtë dhe totale. Gjithë aftësia ime dërrmuese, si një ushtri që sulmon armikun në pikën më të dobët në formacionin e vet, u vërsul kundër vesit fatal të këtij djaloshi, përzëmërsisht i urtë dhe dhelpërisht rebel. E arrita fitoren edhe falë një lloj shkathtësie, duke shoqëruar Robertin në profesionin tim të arredueses, duke zëvendësuar drogën me punën. Nuk ishte i mefshët, kishte shije, ishte vetëm përtac, i privuar nga respekti për veten. E emërova sekretarin tim, me një rrogë dhe detyra të sakta. Si gjithmonë,  i bindur me një vullnet të dukshëm në kushtet e tij të reja. Edhe pse isha e vëmendëshme të mos e tregoja, isha e marrë nga gëzimi: më në fund dashuroja dhe isha e dashuruar. Dhe isha e dashuruar nga njëri prej burrave më të bukur që mund të kishte në botë. Pastaj, përnjëherësh, ja dhe katastrofa. Një ditë nuk u paraqit në laborator. Në vend të tij gjeta një pusullë, madje fyese, në të cilën më thoshte se jam tepër borgjeze, që e sëmurën divanet dhe poltronet e mia, që edhe pse nuk jam më virgjëreshë, kam ngelë në mentalitet e tillë. Kështu më braktisi, duke më falënderuar për gjithshka dhe më lutej të mos e kërkoja.
Ngela e tmerruar, e humbur. Pra dështova në momentin që ushqeva iluzionin se ja kisha arritur asaj që kërkoja. Pra kisha besuar se isha e dobishme; dhe përkundrazi nuk munda të isha veçse e dëmëshme. Pra, edhe në dashuri unë tentoja në mënyrë të parezistueshme të mohoja, të ndaloja, të krijoja tabu. Djaloshit, në fakt, qoftë pra nga dashuria, unë i kisha krijuar tabunë e drogës. Por tani, logjikisht, edhe në se për logjikën e çmendur të pasionit, unë duhej të ndryshoja drejtimin e vitalitetit tim. Deri tani kisha frenuar, tani duhej të lejoja, të liroja, të nxitja.
Hypa në papafingo, tek nëna ime. E kisha takuar tek ajo. Me siguri, do ta dinte ku kishte shkuar. Nëna ime po pikturonte një nga kuadrot e saj të tmerrëshme. La pikturën dhe erdhi të më takonte; dhe unë, për një çast, duke parë nga kjo grua e vogël me kominozhe prej kanavace të flliqur nga ngjyrat, me faqet prej molle të kuqe dhe të fishkur, paksa mongoloide, pata ndjeshmërinë e saktë se gjendesha përballë një rivaleje fitimtare dhe të pamëshirëshme. Në çmendurinë time, gati mendova se ndoshta ishte ajo që e largoi prej meje djaloshin. Por nëna ime ma hoqi dyshimin. Djaloshi kishte shkuar të jetonte  në një vilë në fushë me një grua të pasur dhe të pjekur. Ndoshta i ishte kthyer drogës? Kurrë më, mu përgjigj nëna ime me pa të keq, fare drogë, ishte një dashuri e madhe, dashuria e parë e madhe e jetës së tij, pa drogë, as e premtuar, as e ndaluar. Pikërisht këtë dashuri, nuk munda dot të mendoj për atë që ai kishte nevojë dhe me sa duket, unë nuk isha në gjendje t’ja jepja.
Pasioni më këshilloi një vendim ekstrem dhe në kufijtë e krimit. Njihja një mjek që kishte qenë i dashuruar me mua dhe është ende edhe sot. Shkova tek ai, i tregova historinë time, i thashë se ai duhej të më siguronte një shiringë dhe një sasi heroine. Ai më pa me një shprehje njëherësh të dëshpëruar dhe të furishme dhe u tremba për një çast se do të më flakte me forcë jashtë studios së tij, Por përnjëherësh u qetësua dhe me një cinizëm edhe më të madh se timin, më tha se do të më jepte gjithshka që doja, në se për një herë të vetme, bëja dashuri me të. Nuk i thashë as po, ose më mirë ja thashë duke u shtrirë drejt e mbi krevatthin me mushama të bardhë, si për një operacion të rëndësishëm edhe pse të pakëndëshëm. Ditën tjetër mora një paketë ku kishte brënda shiringën dhe shishkat e drogës. E vendosa çdo gjë në çantën time dhe u nisa me makinë në drejtim të Sakrofanos, ku gjendej vila në të cilën djaloshi jetonte sëbashku me rivalen time.
Në mesditë mbërrita. Pikërisht në çastin kur po hyja në rrugën që të çonte tek vila, ja ku u shfaq një makinë, me djaloshin në timon. U zhduk prapa një kthese të rrugës; bëra marshën mbrapa dhe e ndoqa. E kapa lehtë sepse e ngiste ngadalë, si dikush që dëshiron të marrë dikë në ecje e sipër. Kur i jam afruar, i bie borisë dhe ai shpejt shkoi të ndalonte pranë një hendeku. Ndala makinën time përbri me të tijën, dhe pa e përshëndetur, pa i thënë asgjë, por duke e shikuar ngultas në sy, i tregova shiringën. E pashë të zbehet dhe të turbullohet, buza e poshtme filloi t’i dridhej. Pastaj bëri një gjest se ishte dakord dhe u hodh nga makina. Zbrita edhe unë. Por ai vazhdoi nëpër një shteg gardhi dhe pastaj i ra përmes një lëndine me barin e harlisur të majit, që arrinte deri në gju.
Shihej se oferta ime e heshtur kishte zgjuar dashurinë e tij, ose të paktën mizorinë e tij, ose ndoshta, po shihte rrëzimin përfundimtar të moralizmit tim. Sigurisht bëmë dashuri me furi të pazakontë, të zhytur në barin e dëndur e të thellë. Pastaj qëndrova në shpinë, me sytë e kthyer nga qielli i kaltër e i ndritshëm, në të cilin në këtë çast, fluturonin dy zogj, duke ndjekur njeri tjetrin dhe duke ushtruar një zallamahi fluturimesh të gëzuara.
Tani ai qëndronte i ulur përbri dhe, në se doja, mund të shikoja krahun e tij të zhveshur me dorën që prekte venën para se të futej ageja e shiringës. Mbylla sytë dhe pastaj, pas një momenti shumë të gjatë, duke e ndjerë të rrëshqasë tashmë përbri meje, i rihapa dhe e pashë. Qëndronte i shtrirë me qepallat e ulura, shumë i zbehtë, i palëvizshëm, i zhytur me flokët bionde në lëmshin e gjelbër të barit. Mendova me mendjelehtësi se droga e mbushte me qetësi, si vdekja. Pastaj, duke parë se nuk lëvizte, i thirra, e shkunda dhe atëhere e kuptova se kishte vdekur.
   

domenica 6 ottobre 2013

Alberto Moravia: Brënda e jashtë

Alberto Moravia
BRËNDA E JASHTË
 tregim
Përktheu: Agim Mato

Me meshkujt jam e suksesshme, dhe habitem për këtë, sepse edhe vet e di që nuk jam e bukur. Përkundrazi, me fytyrën time të dalë boje, të nxirrë dhe të deformuar, sytë jeshilë e sipërfaqësorë, me gojën e madhe plot me dhëmbë të mëdhenj e të bardhë, këmbëgjatë dhe e dobët, por me një gjoks që më zbret deri tek beli, e ndjej veten sinqerisht pa vlerë. Por meshkujt thonë se unë kam një zë që nuk i rezistojnë dot, dhe përderisa e thonë ata, duhet ta besoj. Si është zëri im? Dkush thotë se ai është i thellë, grykor, i rëndë, i ngjirur. Të tjerë që është një zë mashkullor. Të tjerët se është një zë provokues. Dikush ndërkohë, e ka përkufizuar më drejtë: është një zë që vjen nga “brënda”.
Pra, duhet ta dini se, përveç zërit, asgjë tek unë nuk vjen nga “brënda”, gjithshka vjen nga “jashtë”. P.sh. koka ime nuk funksionon, absolutisht. Nuk dua t’ja di. E shpërfill çdo të thotë të arsyetosh, të jesh i qartë, rracional, njëzetekatër për njëzetekatër orë jam e gjitha në ethe, si të kem  një rrufë të fortë e kronike. Dhe për këtë nuk më vjen keq, përkundrazi. Si të thuash, kjo gjendje më mbron, është si një mur, pas të cilit ndjehem e sigurtë, e fshehur në pritë. Dhe efekti kryesor është që të ndahem midis një “brënda” misterioze, nga më vjen zëri dhe një ”jashtë” aspak e mistershme, nga e cila vjen pjesa tjetër e imja. Po shpjegohem. E shpërfytyruar, siç jam, nuk mendoj kurrë për asgjë, nuk vendos kurrë për asgjë, nuk zgjedh kurrë asgjë. Dhe ndërkohë, ajo që është “jashtë” meje, si person, mendon, vendos, zgjedh për mua.
Në mëngjes, p.sh., pasi çohem, jam kaq e trullosur, sa që nuk e kuptoj edhe unë në se jam zgjuar apo vazhdoj të fle. E papërqendruar, e pasigurtë, e topitur, shfaqem në ambientin e vogël të banjës dhe fiksoj shikimin së koti në këtë kaos prej sergjenesh, tavolinëzash, flakonësh e shishesh, pasqyrash dhe objekte tualeti. Për fat.
Shikimin e përqëndroj qëllimisht mbi gotën në të cilën janë vendosur në rresht furça e dhëmbëve dhe tubeti i pastës, ndryshe nuk do të laja dhëmbët sepse e papërqëndruar siç jam, nuk do të arrija të mendoja se duhet ti laja. Por furça dhe tubeti më “imponojnë” ti laj. Dhe unë bindem. E njëjta më ndodh, pasi jam larë, me ndërresat, që nga një ndënjëse, në dhomën ku mbretëron rrëmuja, më urdhërojnë ti vesh: në se teshat nuk do të më silleshin me prepotencë, besoj se do të rrija lakuriq gjithë ditën, duke kërkuar që të kujtohem për atë që duhet të bëja dhe nuk do t’ja dilja. Dhe pastaj, me të gjitha veprimet e tjera të vogla të përditëshme, si përgatitja e mëngjesit, (ma sugjeron ibriku i çajit, i mbështetur në një pozicion çfarëdo, të shkoj të pshonis (ma urdhëron shporta e vendosur në varëse tek hyrja), të blej gazetën apo revistën e ilustruar (ma kërkojnë me insistim kioskat në trotuar), e kështu me radhë. Në se kur bëj pshonitë, nis të kotem, me shportën time plotë, nga një rrugë në tjetrën , midis Fushës së Luleve dhe sheshit Navona, kjo nuk vjen nga një vullnet i përcaktuar i imi, por nga ndërhyrja e vazhdueshme e “të jashtmes” në ecurinë ndryshe, të përgjumur e të plogët të jetës sime. Edhe për gjërat më të rëndësishme, ndodh e njëjta histori. Në dashuri, për shembull, si të them? jam e përzjerë, por jo për temperamentin, por sepse nuk di të them jo. Do të mjaftonte ta ilustroja këtë pasivitet timin, me bisedën që më befasoi, midis dy të rinjve të njohur prej meje.”Kjo? Ines? Ku ta vendosësh, aty qëndron. I jep shtytjen e parë dhe pastaj gjithshka funksionon vet.” E gjithë kjo, siç e kam kuptuar, i përket pjesës sime “të jashme”. Dhe “brendia ime”? Sigurisht që ekziston, por nuk do të dija ta them, në fakt, si i bëhet të flasësh për diçka për të cilën nuk di asgjë me përpikmëri? Ndoshta “brëndësisë sime” duhet t’ja dedikojmë pasionin për pikturën. E ndjej që nuk kam ndonjë talent, por kjo nuk më ndalon të kaloj gjithë mbasditet duke pikturuar. Banoj në një dhomë të vetme lagjeje, shumë të ngushtë, kështu jam detyruar të pikturoj tablo të vogla, duke qëndruar në këmbë në qoshen pranë dritares, ku kam sistemuar kavaletin, në mënyrë që drita e dobët që vjen nga oborri i zi dhe i thellë si një pus, të bjerë direkt mbi telajon. Çfarë pikturoj? Pikturoj atë që vërej nga “brendia ime “, duke e lënë veten të udhëhiqem prej saj. Dikush i profesionit, dua të them një piktor, i pa kuadrot e mia dhe më tha se duhet ti ekspozoja. Po unë, duke i dhënë hak (është një sugjerim që vjen nga “jashtë”, nuk mund të mos e dëgjoj), në një farë mënyre do të dërgoj diçka në një të ardhme të largët dhe të pasigurt. Në të vërtetë si i bëhet të ekspozosh “brendinë” tënde, duke e nxjerrë në sytë e të gjithëve, si mishra të prera e të përgjakura që duken mbi mermeret e therrtores?
“Brendia” ime nuk kufizohet të materializohet në pikturë, herë herë më bën rengje që më lenë në mëdyshje. Diçka që më ndodhi para disa ditësh, mund ta ilustrojë këtë. Pra, prej disa kohësh isha presekutuar nga vëmendja e një tipi perfekt borgjez. Në kllapa: kur them borgjez, nuk më shkon mëndja  për politikën (nuk shqetësohem për politikën, nuk e kuptoj fare), as për shoqërinë (nuk kam asgjë kundër shoqërisë, kufizohem të mos bëj pjesë në të), por më thjeshtë, dikush që nuk është katandisur si unë dhe kokën e përdor për të menduar. Por ç’mendon? Ja ku rri hileja: sipas meje, banalitete, pisllëqe, idiotësira; të gjitha mall i shitur nga “jashtë”.  Mbyll kllapat dhe vazhdoj. Pra, ky borgjez, më bënte pritë në rrugët e lagjes ku mendonte se do të më gjente vetëm në bredhjet e mia të kota dhe më ndiqte kudo ku shkoja, pa më folur, duke mbajtur një distancë prej një ose dy hapash, si të ishte hieja ime. Një hije shumë e ndryshme nga unë, veçse: e vogël dhe galiç, me diçka prej derri të egër në personin muskuloz dhe gjoksmadh, në fytyrën e të cilit zgjatja e shpallur e hundës, i korespondonte mungesa komplet e trurit. Gjithmonë i veshur në gri, me këmishë të bardhë, kravatën e hollë e të shtrembëruar, çorape të shkurtëra, këpucë me lidhësa. Dikush mund të thotë në këtë pikë se i jap shumë rëndësi dukjes. Për zakon, duke parë se jam kështu pasive dhe se “e jashtmja ime”, dmth pikërisht aparenca, më bën të shoh atë që do.
“Brendia ime”, në rastin e këtij borgjezi, nuk ka dashë t’ja dijë. Pastaj, se është a s’është, natyra prej derri të egër të vogël, ajo veshja gri, çorapet e shkurtëra, “ja behën” në një nga këto ditët, pasi më pati ndjekur gjer tek porta e shtëpisë, i jam kthyer dhe me fytyrën time pa shprehje i them: “Në se do eja pra, lart, të bëj një kafe.” Ta besonte? U përkul, me këmbët e bashkuara, duke shtrirë dorën e duke thënë: “Më lejoni tu prezantohem: për ju Eugenio, me profesion mësues gjimnastike.” Nuk thashë asgjë dhe shtyva brënda derën time në errësirë,  duke i hedhur ndërkohë një shikim të fshehtë, për të parë në se më ndiqte. Vinte pas.
Si u fut në apartamentin tim një dhomësh, m’u hodh me vrik përsipër dhe kështu ndodhi ajo që ndodhi. Nuk rri të përshkruaj dashurinë tonë, ta quajmë kështu, sepse nuk di të them asgjë. Gjëra të tilla më vijnë nga “jashtë” dhe nuk lenë gjurmë “brënda”, as si kujtime. Pastaj, kur gjithshka mbaroi, jemi gjendur mbi krevat, ai i shtrirë në shpinë dhe unë në cep, pas tij, e mbështetur mbi një bërryl, me sytë e ngulura sipër tij, drejt dhomës, më e shfytyruar se kurrë. Atëhere ai filloi të flasë. Zot, sa i aftë ishte të fliste ai njeri. Foli për veten dhe jetën e tij (gjithmon kishte bërë diçka  që i takonte trupit, mësues gjimnastike, drejtor palestre, masaxhiator, infermier, trainer), për dashuritë e tij (i pëlqenin studentet, kishte besuar që edhe unë të isha) për udhëtimet e veta ( kishte qenë me grupe atletësh, gjithandej; kujtonte mbi të gjitha Japoninë me geishat dhe shtëpitë e çajit); për shijet e tij muzikore (preferonte kanconetat dhe muzikën e lehtë); për idetë e tij politike (ishte për Juntën Ushtarake në Kili, donte rregullin dhe ligjin; por donte edhe për masat sport, “ura” dhe mirëqenie, përndryshe “bëjnë politikë”); për idetë e tij mbi fenë (nuk besonte por e donte); për librat që lexonte (libra të verdhë por edhe libra historie); dhe, natyrisht, për sportin (dinte gjithshka, i njihte të gjithë, lojtarë futbolli, boksierë, garruesit me biçikleta dhe automobila, notarët, vozitësit.)
E dëgjova goxha, e ngrirë totalisht, duke hedhur një shikim, si prej idioteje në çrregullimin e dhomës. Pastaj ai bëri një gjest çfardo, u ngrit ndënjur dhe më ktheu shpinën, ndërsa hepohej sipër meje, për të marrë paketën e cigareve në xhepin e xhupit të varur në ndënjëse, atje përbri. Atëhere, diçka më erdhi nga “brënda” dhe pas një çasti, duke parë në shpinën e tij lakuriqe një bardhësi të shndritëshme, e habitur unë vet,  i thashë: “Në se nuk ja mbath tani, të ngul një thikë në shpinë.” Prova se ky kërcënim nuk më vinte nga “jashtë”, psh. nga shfaqja e një thike, por nga “brënda”, edhe pse nuk mbaja në dorë, unë nuk zotëroja një të tillë. Por zëri im i famshëm, i ngjirur e grykor funksionoi në çast. Më pa me sy të ngulur një moment, pastaj u hodh nga krevati, u vesh me nxitim dhe iku. Nga pragu, ama, më bëri një gjest, duke vendosur një gisht në tëmth, si për të thënë që jam e marrë.
        Duke ngelur vetëm, qëndrova për pak pa lëvizur, më e shpërfytyruar se kurrë, me sytë e fiksuar në boshllëk. Pastaj jam çuar, jam veshur dhe gjithmonë e shpërfytyruar dhe e privuar nga mendimi, shkova tek kavaleti. Mora një penel dhe vizatova një njollë të madhe të kuqe të rrethuar me thekë me shumë cepa të theksuar që bënte të dukej një kokë me flokë të shqetësuar. Mu kujtua atëhere të kem parë në një libër astronomie ilustrimin e flakëve të një eksplozioni të diellit., kaq të madhe saqë toka atje figuronte si një pikë e errët në një det zjarri. Pa e dashur, por gjithmonë e frymëzuar nga “brendia”ime, kisha vizatuar këtë flakë ose diçka shumë të ngjashme. Kështu, pasi punova gjithë mbasditen, shkrova poshtë me të zezë: “Shpërthimi diellor”. Pra jam shtrirë në krevat dhe shikoja kuadrin për pesë orë rresht, nga ora shtatë deri në mesnatë. Më në fund më zuri gjumi.

giovedì 19 settembre 2013

Monologu im me shkas dialogët e Agim Matos




ΜONOLOGU IM ME SHKAS 
DIALOGËT E AGIM MATOS

 


KIÇO PAPA

Duhet të kem qenë gjimnazist në vitin e tretë a të katërt kur e takova për herë të parë. Kisha lexuar në bibliotekën e fshatit tim dy librat e tij që, me sa duket, falë neglizhencës të përgjegjësit të vatrës së kulturës nuk ishin hequr nga raftet. Se duheshin hequr, këtë e mora vesh më vonë. Ashtu siç mora vesh më vonë që, ndërsa unë dija se punonte ne redaksinë e gazetës lokale, e kishin larguar prej andej dhe punonte si disenjator në një ndërmarrje.
Nuk mbaj mend nëse kjo, njohja e parë, kishte "kumbare" apo ishte pjesë komike e entusiazmit tim aventuresk për të njohur një poet dhe për t’i paraqitur shkaravinat e mia poetike të moshës me bindjen qesharake se do t’i pagëzonte poezi dhe mua, poet. Deri atëhere Saranda e kishte të vetmin poet me dy libra. Kishte një libër Niko Kacalidha, të cilin e kisha mësues letërsie dhe me mirënjohje kujtoj përkrahjen e tij dhe nxitjen për të shkruar. Por, mbasi ika nga shkolla ku jipte mësim Nikoja, dhe për një kohë u shkëputëm, une duhet të gjeja një tjetër tempull që  të rrëfehesha. Dhe rast më ideal se poeti i dy librave, nuk kisha.
    Nuk mbaj mend se sa prita ardhjen e tij nën një diell përvëlues qershori a korriku, por më në fund erdhi. Mbante në duar një dosier të vogël brenda të cilit kishte dorëshkrime dhe ndonjë libërth poezish. Me këtë dosier në duar do ta shihja vazhdimisht këndej e tutje.
Pyetjes time në se dinte ku e kishte shtëpinë Agim Mato ju përgjigj me një qetësi çmobilizuese: besoj se po, dhe, me po atë qetësi, duke hapur derën e barakës më ftoi që të hyja.
S'kisha bujtur deri atëhere në mjedise poetësh e aq më pak në mjedise personale siç mund të jetë shtëpia e poetit.
Më vonë dhe, veçanërisht pas viteve '90, harmonia e Universit me Rastësinë më dhanë mundësinë që të vizitoja jo pak rezidenca shkrimtarësh dhe politikanësh të vendit e të huaj. Kam përshtypjen se mekanizmi i kujtesës, herë herë, u anashkalon ligjeve universale të funksionimit të vet, del jashtë standarteve dhe kjo nuk është e njëjtë për të gjitha rastet e për të gjithë njerëzit. Kush e di se nga ç'impulse ndikohen ingranazhet e këtij mekanizmi gjatë procesit të përpunimit, seleksionimit, regjistrimit e ruajtjes së detajeve nga skena e përditshmërisë në jetën e secilit, duke dhënë parësi jo sipas nomenklaturës por sipas emocioneve momentale
Kështu, tek unë, ndërsa ruajti të plot mirënjohjen për mikpritjen nga këto takimet e mëvonshme, pasazhe nga bisedat lloj lloj te shoqëruara me nje gotë konjak apo whisky, në klasifikimin përfundimtar, pa u ndikuar nga luksi e komforti (gjithsesi të merituar), i spostoi këto në rradhët e pasme, duke nxjerrë përpara konturet e një barake gri prej pupuliti dhe dërrasash të vjetra. Një barakë diskrete, surealiste në absurditetin e vet, reflektim i mendësisë diskrete dhe absurde që zotëronte kohën dhe jetën.
    Hyra dhe, o Zot, kundërshtia në gjithë madhështinë e saj për nga raporti jashtë-brenda. Çdo gjë e sistemuar, e pastër dhe përpikmërisht në vendin e vet. Dhe, libra, shumë libra, gjithfarelloj librash, një arsernal që m’u duk si miniaturë e bibliotekës së Aleksandrisë së vjetër. Fletë të daktilografuara në një makinë të vogël e të vjetër shkrimi, OLIVETTI, me duket. Fletë formati të prera më dysh për stil a për kursim, nuk e di. Poezite e Agimit, poemat e tij të shqetësura, të dënuara atje, së bashku me Uitmanin e Ricosin e me poetë të tjerë, citonin dhe recitonin njeri tjetrin. Perkthime nga italishtja, gjithmonë në gjysëm formati. Më vonë m’u ngjit dhe mua virusi i gjysëm formatit, akoma dhe sot nuk mundem të përqëndrohem në një fletë të plotë. Atje lexova për herë të parë Romiosinin e Ricosit të përkthyer mjeshterisht prej Agimit, “Grecità” në italisht. Kur, më vonë e lexova në origjinal nuk m’u shtua ndonjë mbresë e re, qe sikur e rilexoja,  ndaj them përkthim mjeshteror, perfekt. Po kështu Marshi i Oqeanit e shumë të tjera.
Më zihej fryma nga një ndjenjë e paprovuar mrekulluese, lumturuese, ngashëruese. Aq shumë poetë atje brenda, si rezistonte ky njeri, si mund të komunikonte me të tërë njëherësh, ç'dimensione kishte shpirti i tij që duronte një presion të tillë, nje bombardim yjor nga galaktikat e poetëve.
     Për shumë kohë dilja nga shtëpia e tij i trullosur si nga një ndeshje boksi, ku isha pjesë e duelit dhe kisha marrë shumë goditje. Hapat e para i hidhja si somnambul, vetëm trupi lëvizte në rrugë, shpirtin e kisha lënë atje me poetët e panjohur dhe me një poet të afërt, të prekshëm që do të bëhej miku im.
  Një ditë, tek më lexonte duke përkthyer direkt poezi të D'Anunzios dhe të Leopardit, befas heshti, më hodhi një shikim prej babaxhani dhe më tha që këta janë të ndaluar, pa më thënë që dhe ai vet ishte i ndaluar. U tremba, jo për vete po për atë dhe nxitova t’i them që dhe unë...biografia ime... nuk di çfarë dokrrash artikulova për ta mbrojtur ose për ta paralaj-mëruar se ndoshta shoqërimi me mua, ardhja ime në shtëpinë e tij  i krijonte probleme. Eja, dalim nje xhiro, më tha. Nuk besoj se mund të gjendej një kodifikm më i përkorë për të më çliruar nga ajo peshë e rëndë që më torturonte se sa ato katër fjalë.
Me Agimin asnjëherë nuk kemi folur për politikë, në kuptimin e agjitacion-propagandës. Kemi folur ama për poezinë, për përmasat e saj,  për poetët e ndaluar, për letërsinë e "verdhë", aq sa shpesh kam menduar që kjo ja kalon shumë agjitacion-propagandës. Por tani e njihnim mire njeri tjetrin.
Me kalimin e kohes krijova nje varesi të plotë nga Agimi. Një lloj si duhani që deri vonë më sundonte. Qe e paimagjinueshme që të gjendesha ne Sarande dhe të mos hidhesha me vrap te puna e tij, qoftë dhe për të pirë një kafe në këmbë në një lokal puntorësh aty afër. Kështu, ditë pas dite e vit pas viti, Agimi, nga tutori im, u bë miku im.
Ka qenë redaktori i parë i librit tim para botimit. Ai e daktilografoi, ai më nxiti që t’ja shpija Shtëpisë Botuese, duke më çliruar nga ai lloj inferioriteti që më sundonte. Më parë, pa më pyetur, kishte marrë një poemë timen dhe e kish çuar te gazeta “Drita”. Ma tha këtë mbasi qe kthyer nga Tirana. Një javë më pas, kur poema u botua dhe u prit mirë, më bindi më në fund që ishte rasti, se nuk dihej ç'mund të ndodhte më vonë që ta çoja librin për botim.
   Dyzet vjet tani qe une strehohem në miqësinë e tij. Një miqësi lineare, solide. Edhe sot unë emocionohem njëlloj si para dyzet vjetësh kur e takoj
     Agimi shkruan poezi. Jam munduar shpesh qe te gjej nje tjeter poet që i ngjan Agimit apo Agimi atij. Nuk ja kam arritur. E vetmja gjë që më sillet vërdallë në kokë është një paralelizëm që as vet nuk e di se si dhe se kur nisi të më bëhet bindje, por që kursesi nuk pretendoj që të adaptohet apriori nga miqtë e mi. Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe poezia e Agim Matos. Një pjesë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, ose pjesa  që u drejtohet të gjithëve, që u intereson të gjithëve, është e kuptueshme dhe e pranueshme dhe nga malësori më i thjeshtë. Por madhështia e tij, nëse mund ta quajmë madhështi dhe të mos deshifrojmë pjesë të veçanta vetëm, qëndron në interpretimin juridik të kohës dhe tejkohës së vet. Me imtësitë, atje gjendet dhe madhështia sipas meje, mund të merren juristët, interpretuesit kompetentë se kanuni në vetvete përfshin tëresinë e ligjshmërisë dhe jo vetem gjakësine. Doja të thosha që dhe poezia e Agimit është e thjeshtë dhe e pranueshme nga të gjithë, por lum ata që mund të çkodifikojnë ato mesazhe që mishërojnë një kohë të ardhme, tejkohën, përherësinë. Dashuria e Agimit për gjuhën është e tillë që do të duheshin faqe të tëra dhe veçanërisht studiues mirëdashës për ta interpretuar.
Së fundi, do të doja të perifrazoja vargun e nje poeti qe nuk ja mbaj mend emrin. Kam nëpër dhëmbë bukën e miqve të mi, thotë. Aq shumë më tundoi ky varg. Esenca, materja, metafora sublime për miqësinë. Unë po kështu, besoj, dhe ju.


sabato 14 settembre 2013

Një poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofiko-ekzistenciale



Rreth aktit krijues të poetit dhe përkthyesit Agim Mato
Një poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofiko- ekzistenciale

Nga Hyqmet HASKO

Kur kërkojmë nëpër rrugët dhe gjurmët e një letrari në kohë, në përcjelljet krijuese, që në thelb janë vetë fytyra dhe profili i tij estetik, ballafaqimi i parë që bëjmë është ai me sivëllezërit e tij të të njëjtit brez, me faktin se çfarë e bashkon dhe çfarë e ndan këtë krijues dhe aktin e tij letrar me të tjerët.
Poezia është toka ku me sa duket ka ngulur kullën e tij estetike Agim Mato, me themele të ngulura fort në traditën më të mirë poetike shqiptare, të pasuruar me elementë të rinj të modernitetit, që e bëjnë poezinë e Matos një poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofike ekzistenciale. Tematika e poezisë së tij është e shtrirë më shumë në thellësi se në vijë horizontale, si rrokje temash nga përditshmëria, miti apo historia, pra ka të bëjë më shumë me unin dhe transhendencat e tij se sa me realitetin e raporteve njerëzore apo të raporteve të tjera që e rrethojnë poetin.
Kolonat mbi të cilat mbështetet arti poetik i Matos janë struktura e zhdërvjellët poetike, figura e gjallë dhe e freskët, imazhi fin, fuqia dhe thellësia e mendimit poetik, kontrapunti me të cilin vë në lëvizje përqasjet në kohë dhe hapësirë, moderniteti në shpalimin e të vërtetave estetike që na përcjell.
Agim Mato hedh në telajon e tij poetike ngjyra nga më të larmishmet dhe krijon një peizazh të thyer të shpirtit njerëzor, ku lëvizin dhimbja, gëzimi, optimizmi, dashuria për jetën, iluzioni, ëndrra e kulluar, ankthi ekzistencial, malli, idili, dashuria, erotizmi, pra një botë e tejmbushur pasionesh, përjetimesh, mbresash dhe emocionesh, që vërtiten në vargjet e tij si në një karusel.
Në vëllimin poetik “Fundo” poeti trajtëzon palcën e identitetit të tij psikogjeografik, shpirtëror dhe etik, duke e shkrirë unin e tij me blunë e thellë të Jonit, të cilin e konsideron një dashuri të madhe që shkon deri në sublimitet. “Fundo” është një mënyrë origjinale e të vështruarit të botës, pa shpjegime, pa arsye të veçantë, pa rekuizita, pa retorikë dhe shtampa, pra shkurt një mënyrë e të parit të botës me syrin e Agim Matos.
Agim Mato është bir i detit dhe deti është i qetë, por i thellë, trazimet i ka së brendshmi, në botën e nënujshme ku pulsojnë ritmet e një jete të panjohur. Kështu dhe vargjet e Matos pulsojnë së brendshmi, më shumë se nga teksti nga nëntkesti, më shumë se nga mendimi nga fuqia përfytyruese e poetit. Aty këtu shpërthen me një duf të papërmbajtur, por të cilin na e përcjell me figura të gjalla e plot kolorit gjuhësor:

Erdhi ora.
Gjersa lëkurën s’na e kanë rrjepur për
sediljet e veturave luksoze,
çohuni! …

Tek vëllimi me poezi “Jashtë eklipsit” tonet poetike të Matos bëhen më të forta, mendimi më i ngjeshur, figurat më dinamike, mendimi poetik më modern, duket se poeti është zhytur më thellë në përsiatjet e tij rreth vetes e të tjerëve dhe, siç thotë me të drejtë Borgesi: “Thellësia është e errët”. Gjendjet e tij lidhen përsëri me Jonin, me bregdetin, me valët, me mitologjinë e detit, me fuqinë shndërruese të kësaj mitologjie në psikologjinë e njeriut modren dhe të vetë unit të tij poetik. Trazimet e poetit janë trazimet e vetë njeriut bashkëkohor, në luftë me natyrën dhe vetveten, për të dëshmuar genin e tij, arkitipin shpirtëror, etik e social, me të cilin e lidh kohë-hapësira e përdishmërisë.
Natyra e jashtme shkrihet në poezinë e tij me shpirtin e brendshëm të poetit, tingujt joshës të kohës shkrihen në notat e ndjesive që vallëzojnë në pentagramin e një muzike dehëse dhe shndërruese, në kuptimin e fuqisë së ndikimit tek njeriu bashkëkohor.
Poeti ngazëllen, qan, qesh, sfidon, ëndërron, ndizet nga pasioni i bukurive të fjetura që flejnë në gjirin e natyrës dhe në vetë shpirtin njerëzor, prek i ngazëllyer një realitet të thyer dhe bëhet pjesë e ëndrrës së kulluar.
Akti poetik, si akti që i afrohet aq shumë frymës hyjnore, është një proces i katharsisit shpirtëror të një qenie elitare, siç është poeti, i cili nuk mund të jetojë thjesht fizikisht dhe të dëshmojë thjesht ekszistencën e tij materiale, por e ka të domosdoshme të jetojë dhe në një mënyrë tjetër, simbolike, për të dëshmuar vektorin rrëzëllitës të bukurisë për bashkëkohësit e çoroditur nga bota e konsumizmit.
Profili poetik i poetit Agim Matos është ai i një krijuesi me një ndjeshmëri të lartë, me teknika vjerëshërimi midis tradicionales dhe modernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.
Poezia e tij është një endje e imagjinatës dhe realittetit, si kujtesë, si ndjenjë dhe përjetim emocional, në shtrirje horizontale e vertikale, me një diapazon të gjerë lirik e dramatik, ku protagonist, në pjesën më të madhe të poezive, është vetë uni i poetit, marrëdhëniet e tij me jashtë-unin, me kohën dhe bashkëkohësit. Ajo është reflektim i botës shpirtërore të poetit, i atij procesi njohjeje e selektimi etik, moral, filozofik, estetik, që e shtyn poetin  në udhëtimin e tij drejt të bukurës, drejt fisnikes.
Zhbirimet e holla psikologjike, etike, filozofike të Agimit në poezitë e tij më të mira, tregojnë shkallë të lartë mprehtësie dhe inteligence natyrale, fuqinë e një poeti të lindur për të na dhënë peizazhe të thyera të jetës së gjallë dhe të shpirtit njerëzor.
Në imazhet poetike që përcjell poeti shkrihet koha dhe hapësira e të ndodhurave reale me fiskionin dhe trillin estetik. Ata shprehin një botë të pasur shpirtëre, plot thyerje dhe digresione, ku horizontalja dhe vertikalja shkrihen dhe priten në të njëjtin vektor poetik.
Poezia e këtij poeti është një mozaik kërkimesh spontane dhe të vetvetishme në shpirtin e fshehtë të gjërave, të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës, bjeshkës, detit, bregut, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikologjie moderne të njeriut bashkëkohor shqiptar.
Agim Mato është dhe një përkthyes i talentuar që na ka sjellë në shqip përkthime të mrekullueshme, sidomos në gjininë e tregimit të shkurtër, që shumë pak është përkthyer në gjuhën tonë dhe që ka aq nevojë të vijë me anë të zërave më përfaqësues nga Europa dhe bota që lëvrojnë këtë zhanër letrar.
Antologjia poetike “Lotët e virgjër” kushtuar nënave, motrave, grave dhe vajzave për festën e tyre ndërkombëtare, ideuar dhe realizuar nga  Agim Mato dhe  Fatmir Terziu, që brenda kopertinave të saj mbledh njëqindedyzetepesë autorë nga të gjitha trojet etnike, nga diaspora dhe bota shqiptare, me krijimet e tyre për qenjen më të dashur, emri i të cilës është i shkruar me shkronja zemre dhe me dashuri shpirtërore shqiptohet në çdo kohë e në çdo rast. Vend meritor për këtë pasuri shpirtërore që ta kemi të gjithë që ndiejmë mall dhe konsideratë për këtë emër janë padyshim hartuesit e saj. Ata për një kohë sa kishin ndërmarrë këtë projekt pothuajse në çdo çast ishin kujdestarë në takimin e çdo autori e miku të kudondodhur në botë, që kishte nevojën e përkrahjes dhe këshillave për të mbledhur materialet dhe shkrimet e tyre, duke i përcjellë në një përmbledhje të përbashkët.
Agim Mato është një letrar dinjitoz, një zë i veçantë në korin shumëzërësh të letrave tona kombëtare. Me emrin e tij lidhet një krjimtari e begatë poetike, një angazhim serioz në fushën e përkthimit dhe një personalitet kulturologjik, që bën aq shumë që kultura jonë kombëtare të unifikohet e të bëhet pjesë e plotë e vetëdijes së kombit shqiptar.