Rreth
aktit krijues të poetit dhe përkthyesit Agim Mato
Një
poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofiko- ekzistenciale
Nga Hyqmet HASKO
Kur kërkojmë nëpër rrugët dhe
gjurmët e një letrari në kohë, në përcjelljet krijuese, që në thelb janë vetë
fytyra dhe profili i tij estetik, ballafaqimi i parë që bëjmë është ai me
sivëllezërit e tij të të njëjtit brez, me faktin se çfarë e bashkon dhe çfarë e
ndan këtë krijues dhe aktin e tij letrar me të tjerët.
Poezia është toka ku me sa duket
ka ngulur kullën e tij estetike Agim Mato, me themele të ngulura fort në
traditën më të mirë poetike shqiptare, të pasuruar me elementë të rinj të
modernitetit, që e bëjnë poezinë e Matos një poezi me tone të forta
liriko-dramatike dhe filozofike ekzistenciale. Tematika e poezisë së tij është
e shtrirë më shumë në thellësi se në vijë horizontale, si rrokje temash nga
përditshmëria, miti apo historia, pra ka të bëjë më shumë me unin dhe
transhendencat e tij se sa me realitetin e raporteve njerëzore apo të raporteve
të tjera që e rrethojnë poetin.
Kolonat mbi të cilat mbështetet
arti poetik i Matos janë struktura e zhdërvjellët poetike, figura e gjallë dhe
e freskët, imazhi fin, fuqia dhe thellësia e mendimit poetik, kontrapunti me të
cilin vë në lëvizje përqasjet në kohë dhe hapësirë, moderniteti në shpalimin e
të vërtetave estetike që na përcjell.
Agim Mato hedh në telajon e tij
poetike ngjyra nga më të larmishmet dhe krijon një peizazh të thyer të shpirtit
njerëzor, ku lëvizin dhimbja, gëzimi, optimizmi, dashuria për jetën, iluzioni,
ëndrra e kulluar, ankthi ekzistencial, malli, idili, dashuria, erotizmi, pra
një botë e tejmbushur pasionesh, përjetimesh, mbresash dhe emocionesh, që
vërtiten në vargjet e tij si në një karusel.
Në vëllimin poetik “Fundo” poeti
trajtëzon palcën e identitetit të tij psikogjeografik, shpirtëror dhe etik,
duke e shkrirë unin e tij me blunë e thellë të Jonit, të cilin e konsideron një
dashuri të madhe që shkon deri në sublimitet. “Fundo” është një mënyrë
origjinale e të vështruarit të botës, pa shpjegime, pa arsye të veçantë, pa
rekuizita, pa retorikë dhe shtampa, pra shkurt një mënyrë e të parit të botës
me syrin e Agim Matos.
Agim Mato është bir i detit dhe
deti është i qetë, por i thellë, trazimet i ka së brendshmi, në botën e
nënujshme ku pulsojnë ritmet e një jete të panjohur. Kështu dhe vargjet e Matos
pulsojnë së brendshmi, më shumë se nga teksti nga nëntkesti, më shumë se nga
mendimi nga fuqia përfytyruese e poetit. Aty këtu shpërthen me një duf të
papërmbajtur, por të cilin na e përcjell me figura të gjalla e plot kolorit
gjuhësor:
Erdhi ora.
Gjersa lëkurën s’na e kanë rrjepur
për
sediljet e veturave luksoze,
çohuni! …
Tek vëllimi me poezi “Jashtë
eklipsit” tonet poetike të Matos bëhen më të forta, mendimi më i ngjeshur,
figurat më dinamike, mendimi poetik më modern, duket se poeti është zhytur më
thellë në përsiatjet e tij rreth vetes e të tjerëve dhe, siç thotë me të drejtë
Borgesi: “Thellësia është e errët”. Gjendjet e tij lidhen përsëri me Jonin, me
bregdetin, me valët, me mitologjinë e detit, me fuqinë shndërruese të kësaj
mitologjie në psikologjinë e njeriut modren dhe të vetë unit të tij poetik.
Trazimet e poetit janë trazimet e vetë njeriut bashkëkohor, në luftë me natyrën
dhe vetveten, për të dëshmuar genin e tij, arkitipin shpirtëror, etik e social,
me të cilin e lidh kohë-hapësira e përdishmërisë.
Natyra e jashtme shkrihet në
poezinë e tij me shpirtin e brendshëm të poetit, tingujt joshës të kohës
shkrihen në notat e ndjesive që vallëzojnë në pentagramin e një muzike dehëse
dhe shndërruese, në kuptimin e fuqisë së ndikimit tek njeriu bashkëkohor.
Poeti ngazëllen, qan, qesh,
sfidon, ëndërron, ndizet nga pasioni i bukurive të fjetura që flejnë në gjirin
e natyrës dhe në vetë shpirtin njerëzor, prek i ngazëllyer një realitet të
thyer dhe bëhet pjesë e ëndrrës së kulluar.
Akti poetik, si akti që i afrohet
aq shumë frymës hyjnore, është një proces i katharsisit shpirtëror të një qenie
elitare, siç është poeti, i cili nuk mund të jetojë thjesht fizikisht dhe të
dëshmojë thjesht ekszistencën e tij materiale, por e ka të domosdoshme të
jetojë dhe në një mënyrë tjetër, simbolike, për të dëshmuar vektorin
rrëzëllitës të bukurisë për bashkëkohësit e çoroditur nga bota e konsumizmit.
Profili poetik i poetit Agim Matos
është ai i një krijuesi me një ndjeshmëri të lartë, me teknika vjerëshërimi
midis tradicionales dhe modernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash
poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën
në një procedim të mesazhit estetik.
Poezia e tij është një endje e
imagjinatës dhe realittetit, si kujtesë, si ndjenjë dhe përjetim emocional, në
shtrirje horizontale e vertikale, me një diapazon të gjerë lirik e dramatik, ku
protagonist, në pjesën më të madhe të poezive, është vetë uni i poetit, marrëdhëniet
e tij me jashtë-unin, me kohën dhe bashkëkohësit. Ajo është reflektim i botës
shpirtërore të poetit, i atij procesi njohjeje e selektimi etik, moral,
filozofik, estetik, që e shtyn poetin në
udhëtimin e tij drejt të bukurës, drejt fisnikes.
Zhbirimet e holla psikologjike,
etike, filozofike të Agimit në poezitë e tij më të mira, tregojnë shkallë të
lartë mprehtësie dhe inteligence natyrale, fuqinë e një poeti të lindur për të
na dhënë peizazhe të thyera të jetës së gjallë dhe të shpirtit njerëzor.
Në imazhet poetike që përcjell
poeti shkrihet koha dhe hapësira e të ndodhurave reale me fiskionin dhe trillin
estetik. Ata shprehin një botë të pasur shpirtëre, plot thyerje dhe digresione,
ku horizontalja dhe vertikalja shkrihen dhe priten në të njëjtin vektor poetik.
Poezia e këtij poeti është një
mozaik kërkimesh spontane dhe të vetvetishme në shpirtin e fshehtë të gjërave,
të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës,
bjeshkës, detit, bregut, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori
vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikologjie
moderne të njeriut bashkëkohor shqiptar.
Agim Mato është dhe një përkthyes
i talentuar që na ka sjellë në shqip përkthime të mrekullueshme, sidomos në
gjininë e tregimit të shkurtër, që shumë pak është përkthyer në gjuhën tonë dhe
që ka aq nevojë të vijë me anë të zërave më përfaqësues nga Europa dhe bota që
lëvrojnë këtë zhanër letrar.
Antologjia poetike “Lotët e
virgjër” kushtuar nënave, motrave, grave dhe vajzave për festën e tyre
ndërkombëtare, ideuar dhe realizuar nga
Agim Mato dhe Fatmir Terziu, që
brenda kopertinave të saj mbledh njëqindedyzetepesë autorë nga të gjitha trojet
etnike, nga diaspora dhe bota shqiptare, me krijimet e tyre për qenjen më të
dashur, emri i të cilës është i shkruar me shkronja zemre dhe me dashuri
shpirtërore shqiptohet në çdo kohë e në çdo rast. Vend meritor për këtë pasuri
shpirtërore që ta kemi të gjithë që ndiejmë mall dhe konsideratë për këtë emër
janë padyshim hartuesit e saj. Ata për një kohë sa kishin ndërmarrë këtë
projekt pothuajse në çdo çast ishin kujdestarë në takimin e çdo autori e miku
të kudondodhur në botë, që kishte nevojën e përkrahjes dhe këshillave për të
mbledhur materialet dhe shkrimet e tyre, duke i përcjellë në një përmbledhje të
përbashkët.
Agim Mato është një letrar
dinjitoz, një zë i veçantë në korin shumëzërësh të letrave tona kombëtare. Me
emrin e tij lidhet një krjimtari e begatë poetike, një angazhim serioz në
fushën e përkthimit dhe një personalitet kulturologjik, që bën aq shumë që
kultura jonë kombëtare të unifikohet e të bëhet pjesë e plotë e vetëdijes së
kombit shqiptar.
Nessun commento:
Posta un commento