........

lunedì 4 luglio 2016

Nexhat Rexha RIGAT E SHIUT JONIAN NË POEZINË E AGIM MATOS



Nexhat Rexha


RIGAT E SHIUT JONIAN NË POEZINË E AGIM MATOS


Agim Mato” Lundrimet...”  Botoi ,“Milosao”, Sarandë, 2014. fq. 163.

Bota poetike rezulton në përditshmërinë tonë si rrezatim i përjetimit në leximet e para, duke veçuar veprat e autorëve me ndikim në letrat shqipe. Fjala artistike ka fuqinë ndikuese dhe arrin ndikimin e saj,  pa imponime dhe pa diktate. Arti i shkrimit dhe arti i leximit i kanë diktatet e veta, të cilat të pushtojnë me magjinë e fjalës. Kështu u takuam me botën poetike të Agim Matos në kohë të vonshme. Takimet letrare kanë edhe këtë rëndësi, ato gjithmonë ngrejnë ura në mes njerëzve e popujve. Në jetën kulturore shqiptare takimet dikur bëheshin vetëm për të zgjedhurit e artit, koha ndryshoi njeriun e artin, ajo vjen në komunikim më të lirshëm, por edhe më të kompleksuar, sepse libri shqip sot, ka depërtimet nga më të vonuarat, siç po vonohet edhe vetë jeta jonë në zhvillimet ekonomike.
Në këto relacione dramatike vijnë edhe vargjet poetike të Agimit. Duke lexuar poezinë e Agim Matos, cilëndo nga vëllimet e tija, domosdo lexuesi i kujdesshëm do të krijojë profilin e poetit të veçantë, sepse vargu poetik i tij saktëson fjalën dhe ndërlidh kohët. Poezia e Agim Matos është e shtruar në parashtrimet artistike në përmasa të gjëra, sa artistike, po aq dokumentare, e cila saktëson paraqitjet artistike në korelacion të mjaftueshëm të pëijetimeve të tija . Poezia e tij vjen si rezultat i njohjeve të gjata nëpër vlimet e kohëve, ajo qartëson idenë e vargut dhe në të gjitha konjukturat e nevojshme arsyeton mesazhin poetik.
Vëllimi poetik “Lundrimet...” ka parashtrim në pesë cikle, të cilat komunikojnë në mes vete bukur, sepse lidhja e tematike e këtyre lirikave ndërlidh përjetimin në variantin më funksional, duke artikuluar botën joniane gjer në thellësi të botës shqiptare. Libri hapet me poezinë “Deti” për të paraqitur edhe ciklet e tjera, si: Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti, Shtëpia ime prej deti, Kryqëzimi im,...dhe prisje lejlekët, Cikli i fundit. Deti dhe bota poetike e Agimit i kanë lidhjet e gjata ata komunikojnë që herët në mes veti. Qyteti i Sarandës buzë deti dhe Lëkursi sogjetar mbi detin jonian janë sa meteorologë të stinëve të buta natyrore, po aq janë edhe sogjetarë të klithjeve të gjata në përjetimit e kohëve të egra. Në këto korelacione kohësh e ngjarjesh kapërdihet edhe poezia, jeta e Agimit. Ajo është ruajtur në shpirtin poetik të tij si rigat e shiut kur natyra shqiptare ndjen nevojën për të, ato vijnë me ters nga maja e Lëkursit mbi çatitë e shtëpive të qytetit për të bashkudhëtuar me valët e njelmësinë joniane.
Në poezinë “Deti”, e cila i paraprin librit, autori ka komunikuar me valët e detit, ato krijojnë pamjet nga më të ndryshmet. Nëpër vargjet e kësaj poezie gjejmë figuracion të pasur artistik. Komunikimi bëhet në kohën e ndodhive të rënda për njeriun poet, ai ka shfaqur hapur mospajtimin me veprimet e asaj kohe që deti me kthjelltësinë e tij nuk jepte mundësinë e gjallërimit të dëshirueshëm.
Anija dhe lundrimet në Detin Jon, pëijetime që aktualizojnë kohën e rëndë, në këto rrethana vargu saktëson pëijetimin jetësor, pasthirrmat në kontekstin avancues karakterizojnë kërkesën për shtegtime të ardhme, sepse ato janë kërkesa për dalje nga gjendja e pakuptimtë e njeriut tonë, kurse britmat shënojnë kulmin kërkesave nga thellësitë e detit deri në kupë të qiellit dhe atë si dëshmitarë i mospajtimeve të proceseve shoqërore. Në vargun e fundit të poezisë “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” Poenta e poezisë arrin fuqishëm mesazhin sa artistik, po aq edhe filozofik.”Vertet, nuk e di se lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”.
Kontaktet poetike arrijnë të depërtojnë në të gjitha poret e jetës, sado që rrënimet shqetësuese karakterizojnë botën reale të autorit. Ai di të tejkalojë dhembjet shpirtërore nëpërmes vargut, sepse poezia është ajo që e bën poetin të ndjejë të gjitha ëndrrat, të gjitha pikat aktualizuese kanë destinacionin e pikëtakimeve të përbashkëta. Shpalosja e të bukurës është reflektim kah e ardhmja, Agim Mato beson në këto ëndrra të nënkresave të ndryshme, ani pse ato nënkresa krijojnë pagjumësi, ato vijnë me fatin e ruajtjen e substancës së kolektivitetit kombëtar, si pasuri e origjinës burimore në atdheun tonë.
Fati në shtegtime i ka krajatat e mundimeve të lodhshme, mirëpo ato kur kanë brumosje edukative, e dashuri prindore mundin të gjitha valët e vorbullave të jetës, sepse lotët për disa dekada kanë ruajtur në brendi testamentin shpirtëror të kaluarës edhe mitike. Të ruash qartësinë nga evokimet jetësore do të thotë ke krijuar bazamentin konstant që poezia të marrë përmbajtjen shtjelluese sa më estetike, e kjo frymë ka mbështetje vizionin e tij prej njeriu e artisti që artikulon dashuri.
Dallgët e detit me baticat e zbaticat që krijojnë stinët gjatë vitit të marrin dhe të japim trazimin e mallëngjimin shpirtëror të vetmisë, kur loti peshon sa vetë deti. Në poezinë ”Thertorja”, pamjet trishtuese jetojnë gjatë në kujtesën e njeriut, ato parafytyrojnë skena nga më të ndryshmet, sepse gjaku ngjyros detin, e këto goditje kasapësh tronditin botën e qytetit në krijimin e klimës për frymëmarrjen e ankthit, si në vargjet:

Oshëtinte salla e madhe,
gurgullonte kanali!
Ishim spektatorë të një teatri tragjedish që luhej çdo ditë
 para syve tanë
me skenat e kasapëve e të peshkaqenëve
në sallën e madhe, në detin e hapur
dhe bridhnim këmbëzbathur mbi shkëmbinj
deri pasditeve vonë.
Përpëliteshim netëve në gjumë, shihnim ëndrra me kasapë
       e peshkaqenë
. . . . . . .
.si në truallin e Trojës. fq. 56.

Hapësira gjeografike në poezinë e Agimit ka shtrirje nëpër valë të ndryshme, ajo komunikon me gjuhën poetike, kurse fuqia e veprimit kohor të jep shpresën, anipse në disa momente ato shprehin dhembjet e gjata. Deti këtej dhe andej Korfuzit i ka plagët e veta, këto plagë tejkalojnë nëpër veprimit e peshkatarëve, të cilët nuk ndalojnë lundrimin e tyre, ata peshkojnë për të mundur edhe mitet. Lidhja e detit me poetin konfirmon gjetjen e goditur metaforike në shtjellimin e vargut, duke i dhënë perceptimin sa më artistik, po aq edhe filozofik, sepse vetë jeta krijon dinamikën e rrjedhës së ngjarjeve, ajo dikton avancimin e njëmendësisë nga mjeshtëria e dijes në magjinë e fjalës.
Konturat e poezisë në vepër kanë drejtpeshimin artistik , të cilat shpalosin periudha e botëkuptime te heshtura, kjo edhe i jep sharmin e fuqinë artistike poezisë në tërësinë e saj. Cikli “ Kryqëzimi im” hapet po me të njëjtën poezi, e cila vjen me fuqinë e dhembjeve të mundimshme, atëherë kur ideologjia totalitare ngulfaste frymëmarrjen e lirë. Nëpër këto intimitete fatesh, poezia saktëson vitet e rënda për të shkrirë këtë kohë të pakuptimtë, ai ka dronë se kërkohet kohë e mundi për të tejkaluar këtë turmë të epokës përmbytëse, si në vargjet:

Po biblën e vuajtjeve të mia
kurrë nuk e pranuan. Shiringat e ideologjive
shpirtrat ua kishin sterilizuar/ fq. 72.

Ruajtja e kujtesës në memorien e poetit ka dashurinë për atdheun , për të gjitha kohët, ajo vjen si retrospektivë nëpër këto devijime shoqërore,  sepse protagonistët e Agimit janë njerëzit që ai i ka njohur, si dhe ata me të cilët ai është brumosur që në fëmijëri, e në familjen e tij, siç janë poezitë: Kryqëzimi, Duart e Tatës, Pinjoj, Ata që s’janë më - kujdesen për mua, I them trishtimit. Konsideroj së ky cikël poetik ka nivelin më të lakmueshëm artistik, sepse përjetimet e fëmijërisë ruajnë pika më të ndjeshme të jetës njerëzore. Në këto pika takimi konfirmohet realiteti i jetës me magjinë artistike. Karakteri i brendshëm ka edhe diskretet e veta, të cilat si mendim shfaqin kulmin e zhgënjimit apo të lumturisë. Në këto relacione ekzistenciale deti Jon, sikur ka lidhur fatet për një ditë me tjetër, ky akumulim ka qëndruar për shumë vite i strehuar në muzën poetike të Agim Matos.
Libri “Lundrimet...” në të gjitha dukjet e veta të brendshme ka shtrirjen funksionale, duke bashkëjetuar nëpër epoka e perandori nga më të ndryshmet, kurse qyteti i Sarandës e deti Jon kanë dhënë e marrë nëpër këto epoka. Vegimet poetike krijojnë mundësinë e këtyre njohjeve sa të gjata e të thella, falë trajtimit të arrirë estetik nëpër meditimet e thurrjet e vargjeve, si në; ide, kompozicion, mesazh, muzikalitet e figurshmërinë artistike që e kërkon vetë poezia . Në këto orientime, pikëtakimet e dhëna japin dokumentaritetin faktik me artikulimin artistik që të jep fjala si fuqi e arritjeve kozmike në drejtpeshimin e qëndrueshëm të poezisë
Deti i Agimit dhe deti real janë dy hallka që lidhin jetën, kohët dhe mitologjinë e botës shqiptare. Poezia si realitet e imagjinatë krijon e ruan në brendi elementet me të rëndësishme, të cilat krijojnë rrethanën e frymëmarrjeve për vijimësinë e njeriut nëpër periudha të ndryshme. Deti sa i afërt, sa i largët, sa i lakmueshëm është në historiografinë e pupujve të Ballkanit. Duke e ditur sipas mitologjisë se Poseidoni në lashtësi është vetë Zoti i detit. Odiseu i luftërave të gjata e pritjeve të mundimshme, ai lidh fatin me detin e atdheun. Rozafa mitike e sakrificës. Kreshnikët e moçëm, si Muja e Halili me shumë elemente glorifikuese të tjera mitike lidhin kohët. Agimi ka ndërlidh ngjarjet me protagonistë edhe nga kultura botërore, si; Kolombo, Magelani, Robinson Kruzo etj., janë këto ndërlidhje me detin e poetit Agim Mato.
Libri në mbarështrimin e tij të tërësishëm ka të ngjeshur figuracionin nevojshëm të metaforës si dhe figurave të tjera artistike, të cilat i japin brumosje e ngjeshje të lakmueshme poezisë si dhe krijojnë qartësinë filozofike, duke i shtuar vlerën e pakontestueshme në fjalëformimin gjuhësor, burimor si thesar në ruajtjen e gjuhës standarde.
Vëllimi poetik ”Lundrimet...” në lexim e përjetim të krijon përshtypjen afruese për jetë, dashuri, njerëzimin e atdheun . Ajo rrezaton bukur në të gjitha variantet e saj si krijim estetik me vlera të dalluara artistike që dosmosdo begaton tabanin kulturor e kombëtar

venerdì 24 giugno 2016

Pluhuri i artë i poezive



PLUHURI I ARTË I POEZIVE …

-      Përsiatje mbi vëllimin poetik 
“Pluhuri i artë i përjetësive” të Agim Matos –    

Nga Timo Mërkuri

Thënia …që ta kuptosh poezinë duhet të “njohësh” autorin,  qëndron më shumë se kudo në rastin e poetit Agim Mato. Kjo, jo për arsye se poeti “vargëzon” biografinë e tij, por për faktin se është  vetë  jeta e  tij  trunglisi zgërbojë, i goditur e i përcëlluar nga rrufetë e absurdit politik, ”lehe” ku farëzohen poezitë, duke na dëshmuar edhe njëherë se …poezia lind nga dhimbja.
Prandaj ju lutem të më mirëkuptoni në “prezantimin” tim,  të stërpikur me pluhur poezie..
Poeti Agim Mato “lindi” kur mbaroi shkollën e mesme.  Deri atëherë ishte një adoloshent  trazovaç,  nga ata që nuk linin “dy vajza bashkë”.  Jetonte pranverën e moshës sipas  motos …ku rrafsha mos u vrafsha dhe … çdo gjë që fluturon,  haet. Mrekullohej me … koncertin e pulëbardhave/dirigjuar nga erërat joniane/në gjirin e Sarandës  .dhe …për tu ndjerë burrë/e trashte zërin me shokët…
Por jeta i kishte rezervuar disa të papritura të hidhura. Pikërisht atëherë kur shpresonte të hidhte hapin e parë drejt jetës, i erdhi goditja e papritur dhe trullosëse.  E papritur, për këndvështrimin  e tij human për  jetën dhe trullosëse, për nga forca shtetërore e goditjes.
Ishte ballafaqimi i parë me …luftën e klasave.
Shokët dhe shoqet e tij u ulën nëpër auditoret e universiteteve, ndërsa ai:

“…me një kostum të grisur ëndërash endesha në një
gji të mbyllur deti
me hirin e zjarreve të shuara në shpirt...”

Por nuk mjaftoi me kaq. U nis ushtar, ndoshta me mendimin pajtues (me regjimin) se do shërbente për mbrojtjen e Atdheut, etj. etj. Por ja që, për pushtetin, nuk konsiderohej i besueshëm, përkundrazi, me fantazinë që kishte, mund të ishte i rrezikshëm me armë në dorë. Prandaj i dhanë një pushkë druri, (që të mos mësonte funksionimin e armës), si dhe një kazëm të madhe (me majë hekuri, sigurisht).

“…Isha si një guackë e zbrazur…
asnjë shpresë nuk i rrihte krahët rrotull meje
 të mi zgjonte  ditët me klithma gëzimi…

I mbyllur shpirti
E mbyllur kënga.
Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt…

Por ndërsa heshtëte publikisht, …bukuritë galaktike frymonin brenda vetes…dhe krijonin botën e bukur të poezisë. Sepse bota shpirtërore e poetit është “laboratori” më efikas  që zotëron njeriu, i aftë që “helmin” e jetës së tij personale, ta shndrojë në mjaltë për njerëzimin.
Dhe kështu, ecur me kujdes…
...të mos shkelja/aty ku më prisnin greminat…,  kur… për shumë kohë dhe  penën ma sekuestruan/si një armë të paligjëshme…kur…ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pikërisht atëherë, kur normalisht duhej të  harrohej në heshtje, atëherë poeti hodhi në publik arin e shpirtit të tij në vëllimet “Jug” dhe ”Në prag të shtëpive tona”, dy vëllime që tërhoqën vëmëndjen e botës letrare për risinë e re që sillnin në poezinë shqipe.
Suksesi i këtyre dy vëllimeve, dëshmoi se, poezia  është kulla e rezistencës, ku ngujohen dhe triumfojnë shpirtërat e mëdhenj në kohë diktaturash.
Bota letrare shqiptare i përshëndeti me entusiazëm, këto lule të brishta joniane, me aromë … erë limoni e jodi përzier. Por, duke perifrazuar thënien  se… në Shqipëri, lulet i hanë … gomerët, kujtojmë se,...gomerët e diktaturës u sulën dhe hëngrën edhe…“Bukën  e fjalëve “ , vëllimin e tretë poetik të Agim Matos.
Ishtë një kohë urie e madhe në Shqipëri. Diktatura, si Polifemi, hante edhe ëndrrat që sillte … hëna. Prandaj, ndoshta … Hëna vononte të dilte/hidhej duke u penguar nëpër bokërimat e qiellit/atje ku yjet gremiseshin
Dhe poeti vijonte te shëtiste anës detit, miku i tij i përherëshëm, me të cilin …

vumë në provë vetminë
ti (deti) i zbrazur nga aniet,
unë i zbrazur nga shpresat
mënjanë botës së madhe…

Por deti asnjëherë nuk të lë vetëm. Jo vetëm kaq, por ai të zgjeron dhe forcon frymëmarjen me jodin e tij, dhe ta bën shpirtin të madh…sa shtatë dete, duke të fisnikëruar botën shpirtërore:

duke u futur çdo natë brenda meje
ma zgjerove shpirtin
…dhe më bëre t’i mëshiroj ata që luftuan njeriun
verbuar prej ideologjive…
….Me një dritë të lëngëshme më pagëzove të tërin…

thotë  poeti dhe ne instiktivisht na kujtohet pagëzimi i Jezu Krishtit me ujë, në lumin Jordan dhe drita qiellore që ra mbi kryet e tij në atë çast, duke dëshmuar origjinën e tij si bir perëndie.
Por poeti nuk ishte bir perëndie. Ai  ishte thjeshtë, bir i një të… porsaliruarit nga burgu, i cili dilte  i vetmuar, me një kostum mbretërie/me një kapele republike, dhe rinte  pas vehtes, si pas një dritareje, në pritje të lirive të munguara…dhe priste ndryshimin i paduruar.
Por ishte poet, nuk mund të rinte i mënjanuar. Boll ndënji i heshtur tridhjetë vjet.
Ndaj …me lopatëzën e një ëndrre / zhvendos(t)e  errësirën reth e rotull/ hap(te)i shtigjet që (të) e lidhnin me botën…jo vetëm duke u bërë pjesë aktive, por edhe faktor në botën letrare me poezinë e tij.
Poezia e tij është një urrë që lidh shpirtërat njerëzor, nëpër të cilën kalojnë ëndrrat  e bardha të poetit drejt lexuesve, si nuset  para altarit, kur shkojnë nga krahu i prindit në krahët e dhëndërit.
Ky është çasti që dhëndërit i mehet fryma nga lumtu-ria.
E vlen të jetosh e të vuash në jetë, vetëm për të përje-tuar këtë çast. Asgjë tjetër nuk kujtohet nga jeta. Kaq dritësim ka ky moment, sa që i zbardh dhe i “fshin” gjithë aspektet e dhimbëshme të jetës, si fotot e stampuara në negativin e një filmi, të dalur befasisht në dritë. Mbeten vetëm shënjat e plagëve mbi trup e mbi shpirt. Dhe ato, të stërpikura me një pluhur të artë poezie, sa që ti bën të bukura këto plagë, si piktura të Rembrandit të magjishëm.
Dhe këtë botë humane të poetit që e  bëri t’i mëshi-rojë ata që luftuan njeriun/verbuar prej ideologjive…, duhet të  theksojmë se e projektoi dhe ndërtoi një person vendimtar në jetën dhe krijimtarinë  e autorit, gjyshja e tij, një plakë e vuajtur çame, e rudhosur dhe e kërrusur që , për nga fati në jetë të kujton Rozafën. E murrosur në dhimbjen e saj, me një këmbë tundte djepin e ëndrrave të nipit në Sarandë dhe me njërën dorën  ujiste shpresat e të jatit të tij, në birucat e diktaturës.
Si s’mendoi një herë për vete kjo plakë shamibardhë. Gjithë jetën me skalistir në dorë duke mihur dheun e luleve në obor, në saksi apo në ëndrra, duke i kënduar nipit ninulla për Marko Boçarin e Osman Takën, për tuman-kuqen me festen treqind mexhite  apo të bukurën e trimit larg në More. Dhe e konte (ushqente) me një shqipe të ëmbël, si mjalti, që sado mote të shkojnë, kurrë nuk e haron.
Se duhet të theksojmë që Agimi është një njohës dhe përdorues mjeshtëror  i gjuhës shqipe. I nxjerr fjalët e bukura të shqipes së vjetër si margaritarët nga pinat detare, mbuluar me leshterikë. Margaritarë fjalësh që rezëllijnë nëpër vargje, duke i bërë më të bukura, më të gjalla, më shqiptare poezitë e tij.
Ato poezi joniane që rrjedhin rrëmbyeshëm nëpër shtratin e artit popullor, ashtu siç rrjedhin pranverës përrenjtë e porsa krijuar malorë nëpër shtratin e vjetër të përrenjve, ato poezi që të mrekullojnë me magjinë e tyre, që të duket se je nën stërpikje  valësh përroi a nën stërkala dallgësh deti, që të duket se rend nëpër yje a eksploron botën nënujore,  ato poezi që të mbushin frymëmarrjen me jetë, unë ju them se kanë lindur nga dhimbja e poetit, që ju të mos ndjeni dhimbje në  këtë jetë.
Por ne, le të lexojmë poetin:

Sipër nesh ngrihej si aureolë një fashë hyjnore e
    ëndrrave të notepsura me dritë.
Ajo që nuk e thoshnim me zë,
ishte më e bukur se fjalët,
më e ëndëshme se qumështi i yjeve
që xixëllonjat pinin mbrëmjeve nëpër qiell.

Dëgjonim në heshtje muzikën e shpirtërave tanë…
dhe vinim re se plepat fjalamanë e kishin pushuar
  frushullimën
 të magjepsur.
... Ndjenim në gjoks limfën e trupave tanë
…Edhe një puthje na dukej zhurmë…

Hëm, nuk e kuptuat mirë. S’ka gjë, mos u trishtoni dhe sidomos, mos u përpiqni ta kuptoni.
Poezia joniane e Agim Matos është si dashuria. Ndjehet, përjetohet dhe vetëm kur e humb, e kupton se çfarë ke humbur.
Ndaj dhe unë ju them:- Ndjejeni dhe përjetojeni poezinë e Agim Matos, miqtë e mi.
Me siguri që do lumturoheni.
Dhe unë ju falnderoj që më  nderuat me vëmëndjen tuaj.

giovedì 23 giugno 2016

Fuqia e fjalës në poezinë e Agim Matos



Albina Idrizi
 
FUQIA E FJALËS NË POEZINË 
E AGIM MATOS 

  Para disa muajsh, mes dhjetëra mijëra lexuesve virtualë nga mbarë bota, hasa në një mesazh të poetes Rune Lazuli që thoshte: shpëtojeni botën me poezi! Sa i besova kësaj thënjeje e cila më ngjalli asociacionet e librave më të mëdhenj të të gjitha kohërave që u mbijetuan epokave.
Sigurisht se kjo pasoi edhe me disa komente mosmiratimi që aludonin në një disonancë të tepruar të mendimit. Por jo nga ata që njihnin fuqinë e fjalës. Jo nga ata që e shkruanin fjalën. Jo nga ata që e jetonin fjalën. Kurrsesi për ata që fjalën e kanë të shenjtë.  Ata që në të gdhendin ëndrrat dhe humbjet, shpresat e zhgënjimet. Ata që në fjalë bien dhe po në fjalë ngriten. Nga  fjala zvogëlohen dhe po nga fjala rriten. Ata për të cilët fjala është shtëpi. Është lëkurë. Është frymë. Fjala është nënkresa e netëve pa gjumë dhe drita e ditëve të dëshiruara, të një jete më të mirë, të një bote më të  paqtë.
Dhe  këto ditë, duke rishikuar përmbledhjet e Agim Matos, gjeta brenda vargjeve të tij bindjen time ndaj mesazhit të Rune Lazulit. Gjeta atë ‘anima mundi’ (lat. shpirti i botës) që frymonte nëpër fjalë, zërin e brendshëm të poetit që Sokrati e quan ‘daimonion’ dhe Horaci ‘mens divinor’ – frymë hyjnore (libri l, satira IV, vargu 43).
 Shpeshherë kur lexojmë një poezi të bukur na vjen ta përsërisim në vete me zë gjersa ta mbjellim brenda nesh fjalë për fjalë në mënyrë që të gëzojmë më pas ndjenjën e kënaqësisë dhe përmbushjes që ngjall ajo.
‘Kur një varg është i mirë, ai nuk të lë ta mërmërisësh në heshtje, apo me zë të ulët, por kërkon ta thuash me zë të lartë’ thotë Borhesi. Dhe mua kjo më ndodhi me shumë poezi të Agim Matos, ndër të cilat.., ja pra përsëri më vjen ta them me zë:

 ZILI

 Më kap zilia kur mendoj se një rrënjë e vetme ulliri
mund t’ia kalojë dobisë sime,

kur një lule me dritat dhe linjat e saj
ua kalon vjershave të mia,

kur një bletë kthehet nga kullota e ngarkuar me nektar
dhe unë i kërkoj vetes llogari në mbyllje të çdo dite,

kur një yll shënon me përpikmëri rrugën e tij
dhe mua më duhet shumë punë për ta gjetur.

Sa herë i mendoj të gjitha këto
përpiqem të kem brenda vetes
një ulli,
një lule,
një bletë
dhe një yll.

A nuk është kjo fuqia e fjalës poetike e cila përmes poetit flet për të gjithë ne. Psherëtijmë, ofshajmë, gëzohemi, mallohemi, qeshim e qajmë sipas rastit, bashkë me autorin. Sepse nëpërmjet gjendjes shpirtërore të tij ne njohim jo vetëm poetin por edhe vetëveten.
Në një lidhje shumë të ngushtë me kohën, vendin dhe popullin në poezinë e Agim Matos ne jo vetëm që mësojmë kështu të kaluarën dhe përjetimet e poetit por jemi atje, me të, shpirtërisht:

Habitesha me ata që mbanin shënime rrotull siluetës
së një zootekniku,
pa e marrë me mend se ne vet ishim
qenie që rriteshim në vaskat absurde të një doktrine,’

(TROFTA)

 Njohim dëshirën dhe etjen e madhe për liri me shprehje  metonimike sinekdokash të zgjedhura:

 Veç për ty shikonim udhës
se mos shfaqeshe që larg
siç u shfaqet përmes detit
burrave anijembytur
tokë e dashur e shpëtimit.

 Duke shtuar më tej me një silogjizëm gati apatik nga trazimi dhe lodhja e një bote të ashpër, të pandjeshme, konformiste deri në skajshmëri:

 Krejt të plakur e të thinjur,
do të mbrrinim para Teje.
Gojëkyçur, të hutuar,
sepse më nuk e kuptonim
ishe Ti apo vegimet
që fanepseshin nga lodhja.
Mbi një pirg vitesh të humbur
ngelëm, s’ecëm dot më tutje,
se papritur kish mbaruar
gjithë kuptimi i sakrificës.
                                 (LIRI)
 Përmes një përzgjedhjeje të  fjalëve të figurshme, metaforave të gjalla me të cilat poeti krijon imazhin e tij, ne e shohim se është:

biri i brigjeve të gjelbra. Biri i rërës dhe i detit.
Sepse, fytyrën e tij nuk mund ta ndash kurrsesi nga buzëqeshja e portokalleve, nga trungjet e menduara të ullinjve.

Dhe kemi përshtypjen se:

 …u mblodhën aromat e tokës,
gjithë dritat, gjithë shqetësimet e detit,
vet mendimet e ullinjve
Dhe e krijuan ate.
Kemi përshtypjen gjithashtu se:
…është çdo gjë mbi këtë dhe që rrahin valët.

(SHQETËSIM PRANVEROR)

 I lumtur në pasurinë e zemrës së tij, gjënë më të shtrenjtë e më të rrallë të kohës sonë ndër njerëz:

 Faleminderit, nënë,
Që më le trashëgim zemrën
me tërë pasuritë që kishte brënda.
Pa testament,
pa noterë,
pa u grindur me të tjerë.
(PASURIA IME)

 Njohim dhimbjen e thellë për metamorfozën e gurtë të qytetit:
 Vetëm thellë pas mesnate, ulem i vetëm, mbi siluetën
e një shkëmbi që rri brënda meje
dhe qaj mirazhin e përmbysur të qytetit.

    (VEGIMI I TRETË VETËM PËR SARANDËN)

 Sa i madh është shpirti i poetit, sa e çiltër, e pastër dhe e pafund dashuria e tij për njeriun në vetëm dy rreshta për këngëtarin zezak:

Ndryshojani ngjyrën
dhe do të më gjeni mua.

Kjo ndodh kur të përfshin fuqia e fjalës poetike dhe  kupton se asgjë më mirë se fjala e shkruar letrare nuk mund të paraqesë tërësinë e jetës shoqërore dhe shpirtërore të njeriut.
Ndaj, të nderuar, zhytuni fundo në poezinë e Agim Matos, në thellësinë e mendimit të tij, surfoni mbi shumëllojshmërinë tematike, shihni imazhet origjinale, ndjeni variacionet ritmike, kënaqjuni vargut të lirë, dhe ju siguroj se do dilni që andej më të rritur, më të mëdhenj, më të pasur për një jetë, për një botë, për një njeri më shumë.
Sepse, nëse jo botën, së paku të shpëtojmë vetëveten me poezi.
         Faleminderit!

 (TREKËNDËSHI POETIK I PAQES, 11 qeshor 2016,)
Karadak, Gjilan.

lunedì 9 maggio 2016

Rrudhat



RRUDHAT


Rrudha të valëzuara të fytyrës që befas bëheni vertikale,
rrudha anës buzëve që tendosni emocionet, ato mbi ballë, 
që shprehin habinë, ato që shoqërojnë tmerrin,
ironinë, gëzimin, ankthin. Rrudha që bëheni kanale
ku të rrjedhin djersët e sikletit, ku të rrjedhin lotët,
si shfryrje dufesh nga kapilarët e shpirtit;
Rrudha të hapura  me vite pune, të ashpra,  që të 
gërvishtin duart po t’i përkëdhelësh, rrudha që 
ravijëzojnë karakterin, 
të fortë e të qëndrueshëm:

sa për vete kurrë nuk kam dashur t’ju fsheh,
t’ju fshij, sikur të doja të fshihja të vërtetat e mia,
ju le të shfaqeni, ashtu siç jeni, t’u lexojnë në çdo rresht,
si një libër të hapur sizmik, tërmetesh që tronditin.

lunedì 18 aprile 2016

Parku turistik i zhytjes nënujore



PARKU TURISTIK I ZHYTJES NËNUJORE


I nxorrën katerat siluruese,
të fundosura në ish-bazës detare të Limionit.

Mbi kokat e kureshtarëve të shumtë që ndiqnin këtë   
                                                                    spektakël
vërtiteshin të alarmuara çafkat e verdha,
pulëbardhat dhe karabullakët e mëdhenj të Butrintit.
Tërë gjiu i detit mbushej me klithmat e tyre nervoze
dhe padurimin për të rrëmbyer gjallesat detare,
që binin nga brendësia e skafeve me tërsëllimë,
sëbashku me masën e ujit që zbrazte "banesat" 
ku patën jetuar prej vitesh.

Palumbarët dilnin nga deti si oktapodë gjigantë
të varur te silurueset,
duke u mbajtur në kavot prej çeliku 
të anijes amerikane “Grapple”,
ardhur enkas,
në bazë të një protokolli..

U bënin shenja vinxhierëve, gjersa i ngarkuan
te anija “Iliria” të gjashtë katerat e mbytura
dhe u nisën për Ishujt e Ksamilit 
të shoqëruara
nga mijëra shpesë detarë që zhvendoseshin sipër tyre
me një zhurmërimë ritmike krahësh dhe klithmash
shurdhuese.

Ngeli e vetmuar baza detare me ekualiptet gjigante
       në breg
që mbushnin me  pushin e luleve të tyre imcake,
si me një shtresë të hollë bore
tërë sheshin e boshatisur të saj.

Të tjerë kureshtarë i prisnin në Ksamilin e plazheve të 
                                                                          shumta,
që ndoqën lëshimin e tyre midis ishujve
si ca lodra të parqeve të fëmijëve që nuk kurdiseshin më,
lodrat e luftës së ftohtë të kaq e kaq viteve midis Lindjes
     e Perëndimit.

Një muze  i nënujshëm po ngrihej, 
një park zhytjeje për turistët,
që do të vijnë këtu kur të rifillojë jeta e nëndetit
me instiktet e saj,  me luftën e llojeve, 
larg strategjive për të cilat ishin projektuar.

domenica 17 aprile 2016

"Po"



“PO”

Më dëgjon e hutuar
dhe miraton fjalët e mia
me një “po”,
si një fëmijë i stepur.

Bëj t’i iki gardhit të këtij njërrokëshi,
nga i cili nuk shkëputem dot.
Është kaq e shkurtër koha që më kushtohesh nga
përgjigja “po”,
sa që nuk gjej hapësirë t’i shijoj çastet siç dua.
Më duket një racion i vogël i shpirtit tënd
që nuk më ngop.

Hap gojën si sqepin e një zogu
për të gëlltitur “po”-në si një larvë të vockël
dhe sërishmi ngelem i uritur për ty.

domenica 3 aprile 2016

Letër e poeteshës Maria Benedetta Cerro


LETËR E POETESHËS MARIA BENEDETTA CERRO


Castrocielo, 24/03/2016

I nderuar dhe i dashur mik Agim Mato,
Mesazhi që Ju dhe miqtë tuaj vulosët dikur në një shishe, duke ua besuar valëve të Jonit, siç e shihni, arriti deri edhe tek unë, ndonëse kaq larg, nëpërmjet poezisë suaj.
Tani e kuptoj me shumë kthjelltësi, nga afër, sepse flet me gjuhën e dhimbjes, sepse është autentike, e thellë dhe e kushtëzuar nga nevoja, sepse përmban shqetësimet e detit, të cilit i drejtoheni vazhdimisht, duke qenë vendbanim i hapur takimesh, mikpritës dhe i sinqertë.
Njësoj si gjesti juaj ndërsa më dhuruat librin, duke më vlerësuar të denjë për të ndier një mesazh të tillë të fuqishëm, duke njohur, në ato pak vargje që lexova në Formia, zërin e një motre.
Në poezitë tuaja, gjej jo vetëm mitin, për të cilin folëm disi, por edhe një pafundësi aspektesh të tjera që ndërlidhin ngjarjet personale me ato të njeriut në përgjithësi, duke e bërë kështu universale poezinë tuaj; aspekte historike, apo gjeografike, që përqendrojnë në një kohë dhe hapësirë të përjetshme, tregimet e rrëfyera me dije poetike, me përzgjedhje lirike me efektshmëri të madhe dhe shumë thellësi ndjeshmërie personale kundrejt dhimbjes së të gjithë atyre që vuajnë nga dhuna, përbuzjet, dhe padrejtësitë nëpër botë.
Këto janë ndjenja që Ju dini mirë t’i shprehni nëpërmjet zërit të së vërtetës së hapur, shpesh me hidhërim, por të ndërthurur me ironi dhe gjithmonë me shumë dinjitet.
Në fund të fundit, “buzët e shtrënguara” mund të hapen vetëm në poezi  dhe “vuajtjet” shenjtërohen nëpërmjet dashurisë  (“poezia dhe dashuria – shoqe të pandara”) që janë në gjendje të na ringjallin prej vetë hirit të jetës. Madje edhe prej hirit të të gjithë librave, të të gjitha bibliotekave të nëpërkëmbura, pasi Fjala është, siç thoni, një lloj Ure komunikimi. Nëse poeti “muros vetveten, në murin e fjalëve, për të lidhur gurë e mesazhe” atij i mbijeton fjala duke vazhduar së ekzistuari si vepër paqeje, simbol lirie, përçues dashurie.
Është kuptimplotë fakti që dhimbja më e thellë, nëpërmjet një alkimie të jashtëzakonshme, të mund të transformohet në poezi, që përfaqëson dashurinë e plotë. E kam fjalën për dashurinë që është në gjendje të përfshijë gjithë universin dhe të zbulojë në çdo gjë bukurinë e fshehur.
Ndihem e lumtur që pata mundësinë t’ju takoja dhe të njihesha me poezinë tuaj. Ju shkëmbej dhuratën e librit tuaj me dy prej botimeve të mia: të fundit, dhe një tjetër që i përket një periudhe të errët të jetës sime dhe që ndoshta, për dhimbjen që përfshin, do ta ndieni më tepër.
Me shumë nderim dhe dashuri vëllazërore.


                                                         Maria Benedetta Cerro