........

venerdì 24 giugno 2016

Pluhuri i artë i poezive



PLUHURI I ARTË I POEZIVE …

-      Përsiatje mbi vëllimin poetik 
“Pluhuri i artë i përjetësive” të Agim Matos –    

Nga Timo Mërkuri

Thënia …që ta kuptosh poezinë duhet të “njohësh” autorin,  qëndron më shumë se kudo në rastin e poetit Agim Mato. Kjo, jo për arsye se poeti “vargëzon” biografinë e tij, por për faktin se është  vetë  jeta e  tij  trunglisi zgërbojë, i goditur e i përcëlluar nga rrufetë e absurdit politik, ”lehe” ku farëzohen poezitë, duke na dëshmuar edhe njëherë se …poezia lind nga dhimbja.
Prandaj ju lutem të më mirëkuptoni në “prezantimin” tim,  të stërpikur me pluhur poezie..
Poeti Agim Mato “lindi” kur mbaroi shkollën e mesme.  Deri atëherë ishte një adoloshent  trazovaç,  nga ata që nuk linin “dy vajza bashkë”.  Jetonte pranverën e moshës sipas  motos …ku rrafsha mos u vrafsha dhe … çdo gjë që fluturon,  haet. Mrekullohej me … koncertin e pulëbardhave/dirigjuar nga erërat joniane/në gjirin e Sarandës  .dhe …për tu ndjerë burrë/e trashte zërin me shokët…
Por jeta i kishte rezervuar disa të papritura të hidhura. Pikërisht atëherë kur shpresonte të hidhte hapin e parë drejt jetës, i erdhi goditja e papritur dhe trullosëse.  E papritur, për këndvështrimin  e tij human për  jetën dhe trullosëse, për nga forca shtetërore e goditjes.
Ishte ballafaqimi i parë me …luftën e klasave.
Shokët dhe shoqet e tij u ulën nëpër auditoret e universiteteve, ndërsa ai:

“…me një kostum të grisur ëndërash endesha në një
gji të mbyllur deti
me hirin e zjarreve të shuara në shpirt...”

Por nuk mjaftoi me kaq. U nis ushtar, ndoshta me mendimin pajtues (me regjimin) se do shërbente për mbrojtjen e Atdheut, etj. etj. Por ja që, për pushtetin, nuk konsiderohej i besueshëm, përkundrazi, me fantazinë që kishte, mund të ishte i rrezikshëm me armë në dorë. Prandaj i dhanë një pushkë druri, (që të mos mësonte funksionimin e armës), si dhe një kazëm të madhe (me majë hekuri, sigurisht).

“…Isha si një guackë e zbrazur…
asnjë shpresë nuk i rrihte krahët rrotull meje
 të mi zgjonte  ditët me klithma gëzimi…

I mbyllur shpirti
E mbyllur kënga.
Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt…

Por ndërsa heshtëte publikisht, …bukuritë galaktike frymonin brenda vetes…dhe krijonin botën e bukur të poezisë. Sepse bota shpirtërore e poetit është “laboratori” më efikas  që zotëron njeriu, i aftë që “helmin” e jetës së tij personale, ta shndrojë në mjaltë për njerëzimin.
Dhe kështu, ecur me kujdes…
...të mos shkelja/aty ku më prisnin greminat…,  kur… për shumë kohë dhe  penën ma sekuestruan/si një armë të paligjëshme…kur…ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pikërisht atëherë, kur normalisht duhej të  harrohej në heshtje, atëherë poeti hodhi në publik arin e shpirtit të tij në vëllimet “Jug” dhe ”Në prag të shtëpive tona”, dy vëllime që tërhoqën vëmëndjen e botës letrare për risinë e re që sillnin në poezinë shqipe.
Suksesi i këtyre dy vëllimeve, dëshmoi se, poezia  është kulla e rezistencës, ku ngujohen dhe triumfojnë shpirtërat e mëdhenj në kohë diktaturash.
Bota letrare shqiptare i përshëndeti me entusiazëm, këto lule të brishta joniane, me aromë … erë limoni e jodi përzier. Por, duke perifrazuar thënien  se… në Shqipëri, lulet i hanë … gomerët, kujtojmë se,...gomerët e diktaturës u sulën dhe hëngrën edhe…“Bukën  e fjalëve “ , vëllimin e tretë poetik të Agim Matos.
Ishtë një kohë urie e madhe në Shqipëri. Diktatura, si Polifemi, hante edhe ëndrrat që sillte … hëna. Prandaj, ndoshta … Hëna vononte të dilte/hidhej duke u penguar nëpër bokërimat e qiellit/atje ku yjet gremiseshin
Dhe poeti vijonte te shëtiste anës detit, miku i tij i përherëshëm, me të cilin …

vumë në provë vetminë
ti (deti) i zbrazur nga aniet,
unë i zbrazur nga shpresat
mënjanë botës së madhe…

Por deti asnjëherë nuk të lë vetëm. Jo vetëm kaq, por ai të zgjeron dhe forcon frymëmarjen me jodin e tij, dhe ta bën shpirtin të madh…sa shtatë dete, duke të fisnikëruar botën shpirtërore:

duke u futur çdo natë brenda meje
ma zgjerove shpirtin
…dhe më bëre t’i mëshiroj ata që luftuan njeriun
verbuar prej ideologjive…
….Me një dritë të lëngëshme më pagëzove të tërin…

thotë  poeti dhe ne instiktivisht na kujtohet pagëzimi i Jezu Krishtit me ujë, në lumin Jordan dhe drita qiellore që ra mbi kryet e tij në atë çast, duke dëshmuar origjinën e tij si bir perëndie.
Por poeti nuk ishte bir perëndie. Ai  ishte thjeshtë, bir i një të… porsaliruarit nga burgu, i cili dilte  i vetmuar, me një kostum mbretërie/me një kapele republike, dhe rinte  pas vehtes, si pas një dritareje, në pritje të lirive të munguara…dhe priste ndryshimin i paduruar.
Por ishte poet, nuk mund të rinte i mënjanuar. Boll ndënji i heshtur tridhjetë vjet.
Ndaj …me lopatëzën e një ëndrre / zhvendos(t)e  errësirën reth e rotull/ hap(te)i shtigjet që (të) e lidhnin me botën…jo vetëm duke u bërë pjesë aktive, por edhe faktor në botën letrare me poezinë e tij.
Poezia e tij është një urrë që lidh shpirtërat njerëzor, nëpër të cilën kalojnë ëndrrat  e bardha të poetit drejt lexuesve, si nuset  para altarit, kur shkojnë nga krahu i prindit në krahët e dhëndërit.
Ky është çasti që dhëndërit i mehet fryma nga lumtu-ria.
E vlen të jetosh e të vuash në jetë, vetëm për të përje-tuar këtë çast. Asgjë tjetër nuk kujtohet nga jeta. Kaq dritësim ka ky moment, sa që i zbardh dhe i “fshin” gjithë aspektet e dhimbëshme të jetës, si fotot e stampuara në negativin e një filmi, të dalur befasisht në dritë. Mbeten vetëm shënjat e plagëve mbi trup e mbi shpirt. Dhe ato, të stërpikura me një pluhur të artë poezie, sa që ti bën të bukura këto plagë, si piktura të Rembrandit të magjishëm.
Dhe këtë botë humane të poetit që e  bëri t’i mëshi-rojë ata që luftuan njeriun/verbuar prej ideologjive…, duhet të  theksojmë se e projektoi dhe ndërtoi një person vendimtar në jetën dhe krijimtarinë  e autorit, gjyshja e tij, një plakë e vuajtur çame, e rudhosur dhe e kërrusur që , për nga fati në jetë të kujton Rozafën. E murrosur në dhimbjen e saj, me një këmbë tundte djepin e ëndrrave të nipit në Sarandë dhe me njërën dorën  ujiste shpresat e të jatit të tij, në birucat e diktaturës.
Si s’mendoi një herë për vete kjo plakë shamibardhë. Gjithë jetën me skalistir në dorë duke mihur dheun e luleve në obor, në saksi apo në ëndrra, duke i kënduar nipit ninulla për Marko Boçarin e Osman Takën, për tuman-kuqen me festen treqind mexhite  apo të bukurën e trimit larg në More. Dhe e konte (ushqente) me një shqipe të ëmbël, si mjalti, që sado mote të shkojnë, kurrë nuk e haron.
Se duhet të theksojmë që Agimi është një njohës dhe përdorues mjeshtëror  i gjuhës shqipe. I nxjerr fjalët e bukura të shqipes së vjetër si margaritarët nga pinat detare, mbuluar me leshterikë. Margaritarë fjalësh që rezëllijnë nëpër vargje, duke i bërë më të bukura, më të gjalla, më shqiptare poezitë e tij.
Ato poezi joniane që rrjedhin rrëmbyeshëm nëpër shtratin e artit popullor, ashtu siç rrjedhin pranverës përrenjtë e porsa krijuar malorë nëpër shtratin e vjetër të përrenjve, ato poezi që të mrekullojnë me magjinë e tyre, që të duket se je nën stërpikje  valësh përroi a nën stërkala dallgësh deti, që të duket se rend nëpër yje a eksploron botën nënujore,  ato poezi që të mbushin frymëmarrjen me jetë, unë ju them se kanë lindur nga dhimbja e poetit, që ju të mos ndjeni dhimbje në  këtë jetë.
Por ne, le të lexojmë poetin:

Sipër nesh ngrihej si aureolë një fashë hyjnore e
    ëndrrave të notepsura me dritë.
Ajo që nuk e thoshnim me zë,
ishte më e bukur se fjalët,
më e ëndëshme se qumështi i yjeve
që xixëllonjat pinin mbrëmjeve nëpër qiell.

Dëgjonim në heshtje muzikën e shpirtërave tanë…
dhe vinim re se plepat fjalamanë e kishin pushuar
  frushullimën
 të magjepsur.
... Ndjenim në gjoks limfën e trupave tanë
…Edhe një puthje na dukej zhurmë…

Hëm, nuk e kuptuat mirë. S’ka gjë, mos u trishtoni dhe sidomos, mos u përpiqni ta kuptoni.
Poezia joniane e Agim Matos është si dashuria. Ndjehet, përjetohet dhe vetëm kur e humb, e kupton se çfarë ke humbur.
Ndaj dhe unë ju them:- Ndjejeni dhe përjetojeni poezinë e Agim Matos, miqtë e mi.
Me siguri që do lumturoheni.
Dhe unë ju falnderoj që më  nderuat me vëmëndjen tuaj.

Nessun commento:

Posta un commento