........

giovedì 23 ottobre 2014

Shëmbëllimi



SHËMBËLLIMI






Pas vetes, si pas një dritareje, qëndroja në pritje të lirive
    të munguara.
Bininnë këtë dritare
gjethet e zverdhura të viteve,
të përthara, të pashpresa 
dhe kujtesa, gjithë ankth,
ripërtypte netëve bisedat e ditës,
për të parë në se gjuha ime
kishte llomotitur gjëra të ndaluara.

Ndryshimin e prisja i paduruar
dhe frikesha  se mos të tjerët
e pikasnin ngutjen time.

Një ditë, Tata[*],
u lirua nga burgu
dhe këtej e tutje flija nën një çati
me “klasën e përmbysur”!

Të shtyrë në moshë,
të harruar nga perëndia,
e shihja të shpupuriste
fitilin e fenerit të shpirtit të vet.

Dilte i vetmuar, me një kostum mbretërie,
me një kapele republike,
me dy gisht mustaqe,
që i bënte ta urrenin ata që kishin në dorë fatin e të
tjerëve.
.
Pasdite mbyllej në një kthinë të vogël dhe dëgjonte
            "VOA"-n.
Sinjali i lajmeve në shqip
vinte si një ankth dhe ajri rretherrotull
mbushej me sekrete. të frikshme.
Zhurmërim meteorësh,
shakullima planetesh. Një diksion alienësh të largët, 
si nga dimensioni i katërt i botës. 

Një mëngjes u gdhimë me marshe funebre
dhe këngët e gëzuara të socializmit heshtën.
Logoritë e grave faqeçjerra
bënin fjalë për “diellin që ishte shuar”.

Si do të orientohej jeta në errësirën që pllakosi?

Papritur shkrepi një dritë e egër:
”Udhëheqësi rron në veprën e ndritur
e të pavdekëshme që la trashëgim!”

Prapa syzeve të rrepta, im at, ndiqte
i shtangur kortezhin absurd. Nëna, e ndikuar nga
atmosfera e përzishme, u ngashërye.
Tata i thotë: “Të erdhi keq për atë që sharroi
trungun e pemës së fatit tënd
e të fëmijëve të tu?”

Ah, po ajo vetëm me tinguj të përzishëm
e kishte shkuar jetën! Ku t’i gjente fuqitë të gëzohej?

I serti Tatë! Rrojti dhe përcolli shumë në jetë
gjersa shpirti e braktisi afër të njëqindave.

E ndjeva të strehohej brenda meje ai shpirt
dhe të shfaqej tek unë shëmbëllimi i tij.

2014


[*] Tatë, - im atë. 


Nessun commento:

Posta un commento