LETËR E POETESHËS MARIA BENEDETTA CERRO
Castrocielo, 24/03/2016
I nderuar dhe i dashur mik Agim Mato,
Mesazhi që Ju dhe miqtë tuaj vulosët dikur në një
shishe, duke ua besuar valëve të Jonit, siç e shihni, arriti deri edhe tek unë,
ndonëse kaq larg, nëpërmjet poezisë suaj.
Tani e kuptoj me shumë kthjelltësi, nga afër, sepse
flet me gjuhën e dhimbjes, sepse është autentike, e thellë dhe e kushtëzuar nga
nevoja, sepse përmban shqetësimet e detit, të cilit i drejtoheni vazhdimisht, duke
qenë vendbanim i hapur takimesh, mikpritës dhe i sinqertë.
Njësoj si gjesti juaj ndërsa më dhuruat librin, duke
më vlerësuar të denjë për të ndier një mesazh të tillë të fuqishëm, duke njohur,
në ato pak vargje që lexova në Formia, zërin e një motre.
Në poezitë tuaja, gjej jo vetëm mitin, për të cilin
folëm disi, por edhe një pafundësi aspektesh të tjera që ndërlidhin ngjarjet
personale me ato të njeriut në përgjithësi, duke e bërë kështu universale poezinë
tuaj; aspekte historike, apo gjeografike, që përqendrojnë në një kohë dhe hapësirë
të përjetshme, tregimet e rrëfyera me dije poetike, me përzgjedhje lirike me
efektshmëri të madhe dhe shumë thellësi ndjeshmërie personale kundrejt dhimbjes
së të gjithë atyre që vuajnë nga dhuna, përbuzjet, dhe padrejtësitë nëpër botë.
Këto janë ndjenja që Ju dini mirë t’i shprehni nëpërmjet
zërit të së vërtetës së hapur, shpesh me hidhërim, por të ndërthurur me ironi dhe
gjithmonë me shumë dinjitet.
Në fund të fundit, “buzët e shtrënguara” mund të
hapen vetëm në poezi dhe “vuajtjet” shenjtërohen
nëpërmjet dashurisë (“poezia dhe dashuria
– shoqe të pandara”) që janë në gjendje të na ringjallin prej vetë hirit të jetës.
Madje edhe prej hirit të të gjithë librave, të të gjitha bibliotekave të nëpërkëmbura,
pasi Fjala është, siç thoni, një lloj Ure komunikimi. Nëse poeti “muros
vetveten, në murin e fjalëve, për të lidhur gurë e mesazhe” atij i mbijeton
fjala duke vazhduar së ekzistuari si vepër paqeje, simbol lirie, përçues
dashurie.
Është kuptimplotë fakti që dhimbja më e thellë, nëpërmjet
një alkimie të jashtëzakonshme, të mund të transformohet në poezi, që përfaqëson
dashurinë e plotë. E kam fjalën për dashurinë që është në gjendje të përfshijë
gjithë universin dhe të zbulojë në çdo gjë bukurinë e fshehur.
Ndihem e lumtur që pata mundësinë t’ju takoja dhe të
njihesha me poezinë tuaj. Ju shkëmbej dhuratën e librit tuaj me dy prej
botimeve të mia: të fundit, dhe një tjetër që i përket një periudhe të errët të
jetës sime dhe që ndoshta, për dhimbjen që përfshin, do ta ndieni më tepër.
Me shumë nderim dhe dashuri vëllazërore.
Nessun commento:
Posta un commento