Zejnepe Alili Rexhepi
Rigjetje
metaforash si në dritë Siriusi
Vëllimi poetik “Lundrimet”
Them se nuk
ishte rastësi nderimi i poetit sarandiot, Agim Mato, me çmimin më të lartë -
Mjeshtër i Madh, vlerësim nga Presidenti i Shqipërisë!
Titulli
i librit “Lundrimet...” është i thellë, përmbledhës i disa simbolikave që në
çast të kthen në lundrimin metaforik të jetës së poetit..., atij pelegrini që
nuk lodhet kurrë së kërkuari lirinë, edhe kur ajo dergjej nën grilat e viteve
të mbrapshta. Një libër i vogël, i këndshëm në dukje, botuar nga “Milosao”,
Sarandë 2014..., por që të duhet mjaft kohë po ta lexosh me vëmendje, madje një
udhëtim i tërë si ato lundrimet e ngadalta të anijeve në kohët e largëta.
Po të hedhësh një vështrim mbi ballinën e librit “Lundrimet...”
vë re që është vendosur një ilustrim tejet i thjeshtë..., por që të rikujton
shprehjet: “E bukura fshihet në thjeshtësinë e gjërave, sikurse madhështia në
vetë modestinë”. Në ca vija të thjeshta ilustrohet deti me dallgët e tij që
përshkohen nga fluturime pulëbardhash..., pastaj varka në ardhje e vajtje, më
shumë në vajtje mërgimtarësh, njerëzish me fate të mohuara dhe aty pranë një sy
pulëbardhe ndoshta..., mbase ai Diell që nuk e brakatisi kurrë shpresën për
mbijetesë, as ëndrrën e poetit Agim Mato. As atëherë, kur ai i jetonte vitet më
të errëta të jetës! Në brendi të vargjeve do të gjesh një inventar të tërë
ballafaqimesh emocionale, si rishfaqje e ngarkesave shpirtërore dhe
preokupimeve shoqërore. I këtillë është vëllimi më i ri poetik “Lundrimet”.
Në
këtë vëllim vërtet e gjen atë zërin e thellë sa vetë thellësia e detit, e tok
me zërin e poetit edhe mendimtarin a njeriun e vetëdjshëm për ecurinë e jetës,
me tërë realitetin e hidhur, pse jo edhe të bukurën si perceptim?! Kahe këto,
nëpër të cilat ditë për ditë rrjedh koha, jeta në Shqipëri, fati i shqiptarit
mbetur si i ngujuar midis kohës dhe vendit, e që pavarësisht se si të trajton,
nuk guxon ta braktisësh kurrë... Aty ke gjakun dhe erën e tokës që do.
Nisma e
librit na bën pjesë të një monologu ideopërçues tejet të ndishëm për një kohë trazimesh
emocionale, shprehur me atë të pakrahasueshmen metaforë “Detin”. Deti del një
simbol shumë i qartë dhe me madhështinë e tij e përvetëson poetin: “Më mbuloje atëherë me shkumë/ dhe lëpija
kripën tënde/ së bashku me lotët”... “Isha
mësuar me shijen e tyre, mësuar me hidhërimet,/ të cilat më dukej se kurrë nuk
do të më ndaheshin” (5). Një fat i përbotshëm ky, parë si dallgëzim
detrash, që e trazon jetën dhe me vete bart të shumtat ëndrra.
Poeti,
jep mesazhe jetike, me anë reflektimesh përsiatëse lirike të disa cikleve:
“Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”, “Shtëpia ime prej deti”, “Kryqëzimi
im”, “...Dhe prisje lejlekët”, për ta
përmbyllur te “Cikli i fundit”... Në to, ndihet se “ndryshimi duhet ndodhur këtu në këtë tokë”, jo gjetiu duke u
vendstrehuar larg pulsimeve të këtij dheu. Ndonëse, dilemat bashkëjetojnë me
ne, poeti sjell një dozë optimizmi, që edhe errësira të zbehet nga cazë dritë
xixëllonjash: “Ti më pyete: ka ende
xixëllonja tek atdheu ku rron” (27)... I këtillë është lundrimi shpirtëror
i poetit Agim Mato.
Në poezi,
vihet re po ai guxim krijues që i përmbush poetët e mëdhenj: Bodler, Alan Poe, Lorka...
që do t’i përvijonte shprehja: “frikë nuk pata më, se mos më dëgjonin të tjerët”. Këtu shpaloset
shpirti poetik i një poeti të distancuar nga maniret dhe luksi i kohës... Po a
nuk e pohon këtë vetëdijshëm vetë poeti, në përkufizimin titullor të ciklit -I
“Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”, përderisa shkruan: “U frenua verbimi brenda meje/ dhe një puhizë
e lehtë shprese/ filloi të shtyjë dy vela të bardha/ për të mbërritur në farin
e vetmuar/ ku rroja si një eremit deti i harruar/ nga lutjet dhe blasfemitë e
të tjerëve” (11)?! Me gjuhën e veçantë të shpirtit të krijuesit, ai e
sfidon kohën “e lig”, sepse furtunat s’duhet qenë të përhershme me goditjet e tyre mbi jetën e akëcilit.
Në leximin
e poezive të Matos, domosdo përfytyron një kritikë filozofike, ku ndërlidhen
përvoja jetësore dhe ajo letrare, si pështjellime të hovit jetësor e letrar.
Kjo filozofi, është si të thuash, dhe vetë nisma e strukturimit poetik që
ndiqet më pas, jo vetëm nga individualiteti shpirtëror, por edhe nga raporti
universal i vrojtimit mbi letërsinë dhe njohjen mbi artin. Diapazon i gjerë
njohjesh dhe temash e përcjell atë.
Identifikimi
i vërtetë i poetit, përkapet në strofën: “Ç’dramë? - të them unë. Pa shikomë,/ nuk të dukem si një
pyll i djegur nga rrufetë e fatit/ A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim/
dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e
para” (12). Si mesazh më vete, një hidhërim që
ngërthen dhjetëra pyetje retorike, ndodhet në poezinë me titullin e njëjtë që
përmban cikli i parë “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” (16).
Gjakimi
për qetësinë parajsore e bën poetin që të pyesë: “Kur do të lundrojë i qetë shpirti im?”, sado që poetët janë të butë
në shpirt, por të rrufeshëm në fjalë, sikurse në vargun “A flasim për rreziqe?” ku poeti sajon këtë pyetje retorike, teksa unë
po në këto vargje do kërkoja lidhjen e poetit me yjet, këtë dritë universale që
nuk njeh shuarje si vetë Siriusi, megjithëse në zërin poetik sikur ndihet një
drithërimë e llojit: “Planeti me dritë të
zezë” - ku ndodhet?! Pse ndihej gjëmimi i Osumit, pse flurudhat mateshin me
zogjtë?”. Përgjigja del vetvetiu. Sipas poetit, ajo vjen për një “Asgjë”
vetëm. Çudi, shkruan poeti: “Si rroje
kështu mes asgjësë...?! (24).
Një tjetër ndjesi e bën të veçantë emocionin
dhe vargun e Matos: “Të thashë:/ ndihem
si gjysmëperëndi/ nga përkujdesja,/ nga drita e syve të tu/ dhe tërë qenia
jote!” Është ajo ndjesi që pëshpëritet nën hiret e magjisë së Erosit,
mjafton një fije shprese, sado e vogël të jetë, për ta frymëzuar që të shkruajë:
“Ti erdhe!/ Një himn oshëtiu brenda meje/
dhe bëri që Fenksi të ringjallej,/ të përplaste krahët, të shkundte hirin prej
tyre/ dhe të kapte kuotat që pata dëshiruar” (29). Po nga kjo magji, poeti lidh ura përjetimesh
me përzierje ëndrrash: “Zotat deshën të
ishim larg/ dhe derdhën energjitë mbi mua/ të ngre këtë urë qiellore të
poezisë,/ që përshkëndit hapësirat deri te metropoli ku rron/... Vete e vjen ti
nëpër atë urë drite/ ku bien gjethe hëne e luspa yjesh”. Janë vargje tejet
të ndishme, ku arti gjen shkrirje në ndjenën e poetit sikur vetë Zotërat deshën
të ngrenë po ato altare poetike. Po, jo gjatë, sepse para dashurive të mëdha
poeti ndihet si “zog i tretur” (34) dhe ashtu i plogështuar shkruan: “Zëri yt u derdh si një shushurimë valësh./
Mund edhe të mos kishe ardhur/ dhe gjërat mund të kishin mbetur si më parë”
(35).
Rikthimi
i poetit te deti, “me një libër të vogël
për mitet e udhëtarët e mëdhenj të detrave” arrihet përmes ciklit “Shtëpia
ime prej deti”, në të cilin thuren me dhjetëra ëndrra perëndish, si: Tetis,
Poseidoni, Odiseu, Simbad Detari, Polifemi, Kolombi e Magelani..., e shumë të
tjerë për të cilët deti ishte selia e ëndrrave të tyre.
Poeti i rritur në qytetin e vogël me palma, me
bukonvile dhe shkallë që të shpienin drejt detit njihte magjinë e mistereve,
frymëmarrjen e pashterur të valëve dhe... ndiente se si Trëndafili i Erërave
lulëzonte brenda tij. Bota e panjohur, anijet e lashta, kohërat..., ia mbushnin
jetën plot bredhje të ëndërrta. Sigurisht, edhe kur ndeshte në “Varrezat e
anijeve të mbytura” (53) dhe e pushtonte dhimbja, ishte sërish deti - magjia që
e përmbushte shpirtërisht dhe ai thotë: “Jam
biri i brigjeve të gjelbra, biri i rërës dhe i detit” (50).
Një kthjelltësi
mendimi mbi dhembjen dhe sakrificën e gjen në ciklin “Kryqëzimi im”, ku me nota
përjetimesh të dhimbshme shkruan për Kryqëzim - Gozhdimin në Golgota, kur: “...pikat e gjakut, ringjallja/ ishin një
provë e vështirë,/ në kohën kur parimet klonoheshin me shiringat e ideologjive”.
Një varg që të dhemb më shumë se një mal i tërë dhembjesh është: “Tej kryqit, tej vetmisë hamendësoja botën”
(71). Distancimi i një bote të tërë ndodh atëkohë kur poeti mbetet në vetminë e
drurit të kryqëzimit të tij.
Ky mohim
shpirtëror, tok me mohimin e lirisë së ëndërruar i ndodhi poetit edhe atëherë
kur trokiti në dyert e Komitetit Ekzekutiv për t’i kërkuar poezitë, një libër vetëm... e Ata qeshën me ironi dhe e dërguan në
zyrën e Rekrutimit. Pra, kjo ishte bibla e vuajtjeve të poetit, 30 vjet i
mohuar, pa lirinë e fjalës, pa librin e poezive, pa dinjitetin njerëzor, i lënë
në harresë, i vetmuar mes një drite të verbër në majëmale mjegullash. E kur t’i ndëshkojnë ëndrrat dhe udhët, kush mund të të rinjohë
vallë..., përpos nënës: “Nëna si një e
verbër më hetonte mes cipës së lotëve,/ prekte mbresat e vuajtjeve, të çarat
brenda meje,/ zërin e tjetërsuar nga kalvari i parë i jetës” (75)?!. Ikja
nga kujtimet e trishta ishte çmallja me detin, meqë vetëm aty i mbushte zgavrat
e zbrazura të shpirtit.
Lexues i
devotshëm, Agim Mato nuk ësht poet i mesazheve të përcipta, andaj ndalo pak
frymën mbi gjuhën poetiko - artistike të poemës “Spektakli i luleve”, për të njohur
një fjalor të tërë mitologjik derdhur përmes fjalësh si grimca enciklopedike...,
ndryshe nuk do të depërtosh kurrë në esencën e vargëzimit të Matos, nuk do të
njohësh kurrë rigat e mallit të tij. Fjalët e tij janë si “lule rradhiqe si
bojë shkrimi, janë vula e një shpirti të ndjeshëm, teksa shkruan: “Ëndërrza të mia që çelni në hone.../ - ka
kohë që nuk rroj më pranë jush.../ Më është rënduar hapi. Nuk ua shoqëroj dot
si dikur/ spektaklin madhështor të ringjalljes biblike,/ nuk bares më në
kopshtet e lulëzuara...” (85).
Sot,
poeti nuk rron më pranë luleve..., ndonëse një avlëmend i tërë lulëkuqesh,
luleshqerrash, manushaqesh, po aty edhe Ylli i Alpeve, Fillikatja e Pyjeve,
Adonisi i Verës..., e sa e sa të tjera lule që vetëm i stolisin përmendoret prej
bronzi të qyteteve. Për këto, për këto vetëm e zë meraku poetin..., “...për brishtësinë e linjave që e fisnikërojnë
dheun,/ për bukurinë e heshtur...” (86).
Në
ciklin “...dhe prisje lejlekët”, do të pasqyrohet edhe një stinë vjeshte që nuk
do të mungojë në përjetimet e poetit. “Në
qiparisin e natës, me foletë e zbrazura të lejlekëve,/ lëkundej shalli yt ku
sapo ishin vetvaruar ëndërrat” (89). Poezia e Matos krijohet nga thelbi i jetës,
sepse në to gjendet epopeja, drama... Vargjet: “Të ecë në ty,/ qelqe ëndrrash më shpojnë tej e tej/ dhe unë e humb
orientimin” (91). Asgjë nga këto nuk është e proftisur, por vetëm përjetime
të vështira që i kanë pamundësuar poetit ta ëndërrojë të nesërmen. Atë vetëm se
e shqetësonte morali qytetar dhe ideologjia e kohës, siç do të shprehej
Françoise Sagan: “Ekziston një censurë ku
dëshiron të japësh imazhin e vetes. Mirëpo shkrimtari është dikush që don të
dijë. Ai e nis një rrëfenjë dhe ia ka ënda të mësojë se çka do të ngjasë të
nesërmen...”
Kjo
grishje e guximshme shpërfaqet në dy poezitë “Në vjeshtë, ndarja” dhe “Në
pranverë, shpresa”, të cilat ngrihen si antiteza stinësh jetësore që vënë
përballë kujtimin, dhimbjen, mëngjeset dhe buzëmbrëmjet e stërmbushura me
mallin e pritjes e që pasohen nga dy poezi tjera: ”Trëndafil i hershëm” dhe
Vajza e dashuruar”. Janë këto si pohim ndaj vetes se poeti e pranon se i vetmi
moral të cilit i beson është bukuria, estetika... Mirëpo, tërë brishtësia e
vargëzimit, për të sjellë një shpërqëndrim të lexuesit nga dhimbja, më duket si
gjë e pamundur, përderisa cikli përmbyllet me rapsodi të reja mbi një “Pranverë
të asfiksuar”.
Në “Cikli
i fundit” i gjejmë si në korpuse të gjera tematike: mitet, lashtësinë ilire, kulturat
komparative, thjesht në poezinë e tij gjen Anatominë e kulturës së lashtë.
Megjithëse, vihemi para dilemës se si duhet vepruar pas kësi përjetimesh...?!
Si mund
t’u shmanget poeti gjëmave?!
Është
vizion i poetit apo kërshëria e tij shprehur haptaz me vargjet: “Erëra që s’kanë fryrë, ke,
dheu im;/ udhë që s’janë shkelur/
pyetje që s’kanë lindur,/ dëshira që s’kanë mbirë” (Dheu im, 131). Dhe sërish rikthim, sërish pasiguri... për rrugën që
duhet të bëjë Dheu im!
Agim
Mato është nga ata poetë që rihap Un-in tonë kulturor dhe ideologjik, duke mos
e kursyer simbolin për t’iu shmagur aludivitetit të kohëve të errëta,
por na befasojnë këndshëm tani më, ndonëse të pritshme nga një poet erudit,
veprat e përvitshme që botohen, të cilat janë si rezultat i rizbulimit të
papiruseve të mendjes, të ndrydhura për 30 vjet në thellësitë shpirtërore të
tij, i pati strehuar vargjet, si në një minierë ku ishte arkëzuar dashuria për
artin letrar.
Ç’mbetet
tjetër për të thënë, përpos se, ai poet që është i vendosur për të shkruar të
vërtetën, nuk ka forcë që e ndalon, ai vetvetiu do ta ndiejë çastin vendimtar
për të reflektuar mbi historitë e errëta...
Nessun commento:
Posta un commento