Cili mjeshtër e përpunoi koreografinë e valleve të
pulëbardhave në gjiun jonian
të Sarandës
në këtë dimër të dielltë? Shiko si e mbushin ajrin
me frushullima, sulen sipër velave të anijeve, mbi
palmat,
mbi rënojat antike, në verandat e lokaleve buzë detit,
rrotullohen, bashkojnë krahët, klithin nga gëzimi,
zhyten nëpër valë, grupe grupe, me diellin në sqep
duke xixëllitur me lëvizjet e tyre
mesazhet e përjetëshme të dritës!
Fëmijtë u ikin nënave të reja nga duart
dhe të mrekulluar mbështeten tek muri i bulevardit
të soditin këtë rit të përditshëm
plot reflekse bardhësie
që shkundullon para syve të tyre.
Të dashuruarit e ngeshëm bëjnë selfie me spektaklet e
pulëbardhave në sfond,
i hedhin në facebook, i koleksionojnë,
duke u përzir me to
si me ca metafora shkrepëtitëse.
Një kamariere zbret shkallët,
u afrohet pulëbardhave dhe u shpërndan
me tabaka ushqimin e mesditës.
Tabakaja zbrazet në çast
dhe mbushet me fluturime.
Vetëm peshkatarët e ndjejnë bezdinë e këtyre
valleve të çmendura,
që çvendosen me anijet në ikje,
çukisin në rrjetat
dhe klithin rrotull tyre deri në shurdhëri.
Koncerti i pulëbardhave,
i dirigjuar nga erërat joniane,
nuk ka të ndalur në këtë dimër të dielltë,
në gjiun e Sarandës,
si në skenën vigane të një teatri antik.
Nessun commento:
Posta un commento