RUAJTËSI I ZJARRIT
Në lashtësi vija i ngathët, ëndërrues,
dhe vëllezërit nuk më merrnin në gjueti,
po më linin te shpella si ruajtës të zjarrit,
që ditë e natë të mos fikej.
Kur ktheheshin me trofetë e shumta,
vinin në zjarr drerët për t’u pjekur.
Shpella
kundërmonte erën e mishit
dhe aventurat e tyre.
Lëkurët me brirët e degëzuar
i varnin në paretet prej guri,
ku përfytyroja përmes flakëve,
si në një ekran
si në një ekran
pyllin, shigjetat,
rënkimin e kafshëve,
brohoritjet e gjuetarëve.
Më pas, me lëngjet e bimëve,
që veç unë i dija,
vizatoja në mure skena gjuetie,
me drerë që u rritja së tepërmi brirët,
si shandanët që ende s’ ishin shpikur.
Kur nisëm të ndërtonim tempujt e parë
shtroja mozaikë
me motive nga fauna dhe flora,
pa harruar motivet surrealiste
të legjendave e të miteve.
Gdhendja statujat e perëndive,
shkallët e amfiteatrove,
portat e mëdha të qyteteve
me luanë dhe dragonj sipër tyre.
Dhe e kuptova sa dobi
pati zjarri që mbajta ndezur,
zjarri që digjej brenda meje,
duke shtyrë mijëvjeçarët.
Nessun commento:
Posta un commento