Agim Mato - poetika si urë e komunikimit kulturologjik
Hyqmet HASKO
Poezia, si arti elitar i komuni-kimeve të thellësive, duke ardhur nga burime
të ndryshme, vetëdije e kauza që nuk ngjasojnë me njëra tjetrën, sjell me vete
magjinë e riciklimit të së bukurës dhe të udhëtimit të saj nga një trevë në
tjetrën, nga një poet në tjetrin. Në këtë sens, rruga nga ku vjen poeti në
rrugën e artit poetik bëhet vetë fytyra e poetit, vetë mbartja e tij
emocionale, mesazhore e nëntekstuale në hullinjtë e befta të të thënës.
E parë në këtë këndvështrim, poezia është toka ku me sa duket
ka ngulur kullën e tij estetike Agim Mato, me themele të
ngulura fort në traditën më të mirë poetike shqiptare, të
pasuruar me elementë të rinj të modernitetit, që e bëjnë poezinë e Matos një
poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofike ekzistenciale.
Agim Mato është një letrar
dinjitoz, një zë i veçantë në korin shumëzërësh të letrave tona kombëtare. Me
emrin e tij lidhet një krjimtari e begatë poetike, një angazhim serioz në fushën
e përkthimit dhe një personalitet kulturologjik, që bën aq shumë që kultura
jonë kombëtare të unifikohet e të bëhet pjesë e plotë e vetëdijes së kombit
shqiptar.
Nëse kërkojmë rrënjët e kësaj poezie, mund të themi se tematika e saj është
e shtrirë më shumë në thellësi se në vijë horizontale, si rrokje temash nga
përditshmëria, miti apo historia, pra ka të bëjmë më shumë me unin dhe
transhendencat e tij se sa me realitetin e raporteve njerëzore apo të raporteve
të tjera që e rrethojnë poetin.
Gjendja emocionale e poezisë së Matos shkon paralelisht me gjendjen e
kujtesës dhe të unit të poetit, me rrekjen e tij të kahershme për të na
përcjellë hapësirë të ndieshme e të tejndezura të pasionit të shkrimit poetik,
një nga pasionet më të vjetra e më tundues të të gjallëve të kësaj bote.
Ajo që e bën unike poezinë e Matos në raport me simotrat e saj, janë
strukura e zhdërvjellët poetike, figu-ra e gjallë dhe e freskët, imazhi fin,
fuqia dhe thellësia e mendimit poetik, kontrapunti me të cilin vë në lëvizje
përqasjet në kohë dhe hapësirë, moderniteti në shpali-min e të vërtetave
estetike që na përcjell.
Në vëllimin poetik “Lundrimet”
poeti kërkon rrënjët dhe ikjet e tij, palca e kujtimit dhe mirazhi kthehen në
shëmbëlltyrë të imazhit estetik. Unin e poetit e gjejmë të shkrirë në
blunë e thellë të Jonit, kredoja e tij shkrihet e unifikohet në larminë e
figuarve të gjalla që gjallojnë në poezinë e tij.
Duke qenë pinjoll i detit,
Mato duket se ruan qetësinë dhe thellësinë e tij, por herë shpërthimet
“zemrake”, siç mund të thoshte autori gjenial i “Nosi-tit”, e çojnë në pragje
humnerash e dhimbjesh të tej-skajshme ekzistenciale. Bota e tij shpirtërore
mplekset e nënvizohet simbolikisht në botën e nënujshme ku pulsojnë
ritmet e një jete të panjohur.
Nëse në vëllimet e mëparshme
“Fundo” dhe “Jashtë eklispit” Mato dallohet për akurele të shpejtë, të vizatuar
në ikje e ku mplekset dhe një vektor i ngjeshur mesazhor, në dy vëllimet e
mëvonshme “Lundrimet” dhe “Pluhuri i artë i përjetësive” imazhet poetike
të Matos bëhen më të forta, mendimi më i ngjeshur, figurat më dinamike,
trajtëzimi estetik më modern e duket se poeti është zhytur më thellë në
përsiatjet e tij rreth vetes e të tjerëve dhe, siç thotë me të drejtë Borgesi:
“Thellësia është e errët”.
Uji, vala, bregu, kripa,
Jodi, rëra, mitologjia e detit, fuiqia shndërruese e kësaj mitologjie në
psikologjinë e njeriut modern dhe të vetë unit të tij poetik vazhdojnë të
përbëjnë trazimet e poetit, që janë trazimet e vetë njeriut bashkëkohor, në
luftë me natyrën dhe vetveten, për të dëshmuar gjenin e tij, arkitipin
shpirtëror, etik e social, me të cilin e lidh kohë-hapësira e përdishmërisë.
Natyra e jashtme shkrihet në poezinë e tij me shpirtin e brendshëm të
poetit, tingujt joshës të kohës shkrihen në notat e ndjesive që vallëzojnë në
pentagramin e një muzike dehëse dhe shndërruese, në kuptimin e fuqisë së
ndikimit tek njeriu bashkëkohor.
Poeti ngazëllen, qan, qesh,
sfidon, ëndërron, ndizet nga pasioni i bukurive të fjetura që flejnë në gjirin
e natyrës dhe në vetë shpirtin njerëzor, prek i ngazëllyer një realitet të
thyer dhe bëhet pjesë e ëndrrës së kulluar.
Poezia e këtij poeti është
një mozaik kërkimesh spontane dhe të vevetishme në shpirtin e fshehtë të
gjërave, të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore,
tokës, bjeshkës, detit, bregut, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku
autori vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një
psikolgjie moderne të njeriut bashkëkohor shqiptar.
Heroi i aktit poetik të poetit është vetë
uni i tij, ajo vetvete e trazuar, e pjesëtuar me kohën dhe bashkëkohësinë, me
kujtimet, mbresat, emocionet, të ndodhurat. Ky hero vuan, qan, qesh, ëndërron,
mëkaton, ndjen pulsin e jetës dhe të dashurisë, kujton të djeshmen që
duhet kujtuar dhe ëndërron çaste e kohë që ende s’kanë ardhur.
Autori di të ruajë ekulibrin
mes ndjenjes dhe mendimit, mes figurës dhe imazhit, mes gjendjes dhe mesazheve
që burojnë nga materia poetike. Herë herë në poezinë e tij sundon mendimi,
thellësia e mendimit dhe qasjeve, guximi poetik për të vështruar përtej
fasadave, në thelbin e gjësë, aty ku një mendje e zakonshme nuk troket kurrë.
Poezia e Matos është një poezi e
iluzionit, dhimbjes, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës
dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave moderniste, që iu përkojnë
gjendje dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë
dhe harmonisë universale.
Siç e thamë, protagonist i
aktit poetik të poetit është uni i brendshëm, raportet e këtij uni me
jashtësinë, me mungesat dhe shpresën e botës, me të mundurën dhe të pamundurën.
Duket se Mato nuk merr penën
në dorë se duhet shkruar, por shkruan se nuk mundet të bëjë ndryshe, pasi
shtytjet e poezisë nga brenda qenies së tij janë të vrullshme, të
papërballueshme, të pamundura për t’u bërë zap.
Në poezitë e këtyre
përmbledhjeve vihet re ritheksimi i prirjes së poetit edhe në tre librat e
tjerë të tij, ku thellimi i orvajtjes për të ndërtuar paralele në kohë dhe
hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, konturohen si një cilësi e artit të tij
estetik. Këto “imazhe të vrara”, ku zhytet fiksacioni i tij poetik, ruajnë si
në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, ku ka pak diell e dritë,
por aq mjafton sa për të kuptuar tisin e trashë e të rëndë të mungesës, vetmisë,
paplotërisë, të cilat duket se e rrethojnë poetin dhe janë pjesë e udhëtimit të
tij metafizik.
Poezia e Agim Matos është një
poezi e gjendjeve impresioniste dhe moderniste, me një fantazi të vrullshme, me
një kompleks figurash dhe trajtash që e bëjnë atë të freskët dhe me mesazhe
universale.
Gjendjet e saj janë kujtesat,
emocionet, përjetimet, ankthi dhe vetmia që poeti i ka marrë nga përjetimet
vetjake dhe i mbart si një kredo e anatemuar e brezit të tij, e kohës dhe
bashkëkohësit.
Një antaologji dinjitoze, e
botuar së fundi me përzgjedhjen dhe përkujdesjen e Agim Matos, përcjell disa
nga zërat më të ngrohtë e më komunikues poetikë të poetëve të jugut shqiptar
dhe të Italisë, duke shërbyer më së pakti si një urë e re komunkimi estetik mes
njerëzve të dy kombeve që kanë pasur në historinë e tyre shumë pika lidhjeje e
që kanë bërë aq shumë për njëri-tjetrin.
Kjo antaologji është pjesë e
punës së përkushtuar të Agim Matos për të promovuar poezinë shqipe, jo vetëm të
tijën por dhe të kolegëve të tij jonianë e më gjerë, ku kontaktet e tij
kulturologjike sidomos në Itali kanë qenë mbresëlënëse.
Agim Mato e përdor poetikën jo vetëm si kredo të botës së tij shpirtërore, të pikave të
kontaktit me botën e qytetëruar, por dhe si urë e komunikimit kulturologjik, për çfarë ka aq shumë nevojë ky vend që
sapo është hapur dhe i duhet rrugë e gjatë për të bërë gjer tek një integrim i
plotë me rrënjët e civilizimit europian.
Poezia e Matos është një ujëvarë që zbret ëmbël e hidhur në të njëjtën kohë
nga kataraktet e një shpirti të ndjeshëm, të mbushur me pasion e dashuri për
jetën dhe njerëzit, për tokën dhe detin, për gjithçka që vjen nga pasuria e
thellësive jonaine me të cilat ai është i lidhur me një simbiozë unike.
Në thelb, poezia e tij është një poezi e trazimeve dhe dyshimeve
ekzistenciale, e mungesave dhe përjeti-meve
moderne, e ritmeve të përndezura që sjellin një kontrapunt gjendjesh dhe
emocionesh të denja për një poezi që buron nga shpirti i thellë njerëzor dhe
shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij.
Poezia e Matos gjallon
aromë lirie, aromë ndjeshmërie, mall dhe kujtesë, ëndërrim dhe klithje, trazim
dhe etje. Ajo është një poezi që lexohet me një frymë dhe përjetohet po me një
frymë si një zbulim, si një risi që sjell poezia e re shqipe, kudo që shkruhet
dhe lexohet, në lumin e madh të poezisë së vërtetë mbarëshqiptare.
Nessun commento:
Posta un commento