........

mercoledì 18 febbraio 2015

Sa herë më është dashur...



SA HERË MË ËSHTË DASHUR...

Sa herë më është dashur të bëj betime,
kam vënë në bè kokën e nënës sime;

Kam vënë në bè pa u trembur këtë truall,
këtë bukë që me lotë e kam gatuar;

këtë  këngë që e mbartja mbi supe si Sizifi,
e ma shembnin në humnera dhe e ngrija sërishmi.

Më është dashur të bëj bè për dritën e syve të mi,
për nderin që të parët më janë bërë fli.

Për hapat që ime bijë sapo ka hedhur,
për vatrën ku zjarri i jetës rri i ndezur.

Më është dashur...dhe bè të rëndë kam bërë
se rëndë më ka peshuar fjala e dhënë.

Dhe në se do të vdes pa e mbajtur fjalën,
si në baladë do të shihni të ringjallem.

Nessun commento:

Posta un commento