........

giovedì 27 febbraio 2014

Perëndesha



PERËNDESHA
Tregim nga Alberto Moravia
Përktheu: A. Mato

            Dal nga shtëpia për të shkuar tek njeriu që kam dashur dy vjetët e fundit dhe kam pushuar së dashuri dymbëdhjetë orë më parë. Dashuria ime zgjati aq sa zgjati suksesi i këtij njeriu, një regjizor kinematografie shumë i njohur dhe mbaroi dje në mbrëmje, atëhere kur në sallën e shtëpisë prodhuese në të cilën projektohej filmi i tij i fundit, u ndez drita dhe spektatorët, në pjesën më të madhe kritikë kinematografie, janë parë në fytyrë në heshtje dhe pastaj, njëri pas tjetrit kanë ikur kokrra kokrra, pa i shtrënguar të paktën dorën autorit, siç është zakoni. Në poltronën time, në errësirë, kam ndjekur zbritjen e lehtë por të pandalëshme të filmit drejt shkatërrimit, dhe, në të njëjtën kohë, të dashurisë sonë drejt ftohtësisë dhe shkëputjes. Bonifaci, regjisori im, ishte ulur përbri; i mbaja dorën në dorë, një zakon që nga fillimet e marrëdhënieve tona, pak para fundit, ia tërhoqa dhe kur ai tentoi ta rimerrte, ia refuzova, duke murmuritur, kushedi përse, këtë frazë të paparashikuar jo vetëm për të por edhe për mua: “Lemë. Gjithshka midis nesh mbaroi.” Shumë shpejt u krruspullua në vetvete, si ta kisha qëlluar në zemër me një shigjetë të helmatisur. Pastaj më shoqëroi i heshtur për në shtëpi dhe mbi prag u shkarkua kështu: “Të lutem, të kursejmë çdo koment të fundit. Tani ne duhet të shpëtojmë mbi të gjitha dashurinë tonë. Mirëupafshim, do të shihemi nesër në mëngjes.”
Të shpëtojmë dashurinë tonë! Ndërsa ngas qetë qetë,  automatikisht, makinën nëpër rrugët e gëzuara e të mbushura me njerëz të mesditës, ul sytë në vetvete dhe bindem se fundi i dashurisë sonë është tashmë është tashmë i lexueshëm në veshjet e mia. Tashmë përse duhet ta di se Bonifaci është bërë që nga fillimi një ide për mua, prej së cilës, në mënyrë të pashmangëshme më është dashur në fund të fundit të përshtatem? Thoshte se kisha një trup prej perëndeshe dhe një shpirt fëmije, dhe se ai nuk e dinte ç’të bënte me fëmijën dhe nuk donte tjetër veçse perëndeshën. E, me pak fjalë, një mazokist autentik, Bonifaci, për ti bërë qejfin, më është dashur të ndryshoj karakterin tim të vërtetë në thelb miturake, kapriçioze, të paqëndrueshme dhe naive duke u sjellur, përkundrazi, si një grua mashkull autoritar, pa emocione, e pamëshirshme. Në mënyrë analoge, në llojin e veshjes, më është dashur të heq dorë nga veshjet e lira hippy, drejt së cilës ndjehesha të shkoja natyrshëm, dhe të adoptoja, përkundrazi, një stil shumë “të veshur”, që do të thotë të  dilja e dekoruar si një statujë mbi një altar. Po tani, falë fundosjes së filmit, i jam rebeluar idesë absurde se jam një perëndeshë. Në vend të parametrave të një prestarie luksi, kam veshur një triko të trashë që varet dhe një palë pantallona të vjetra të zbehura. Bonifaci nuk ka dashur t’ja dijë për fëmijën që është tek unë, sepse në realitet donte të ishte ai fëmija midis ne të dyve, ai gjithmonë nevojtar për të qenë i përkëdhelur, nanurisur dhe ndoshta ndëshkuar. Po çdo lojë zgjat pak: fëmija tashmë çlirohet nga perëndesha dhe gjen vetveten.
Megjithatë, nuk ka dyshim se fiaskoja e Bonifacit më krijon një sasi problemesh të reja. Nuk jam kaq budallaçkë, as kaq mosmirënjohëse që të mos e pranoj se i detyrohem shumë në nivelin material Bonifacit. E punësoi babain tim të papunë, ndjek studimet në Zvicër vëllai im,  i jep herë pas here punë si figurante motrës sime, i premton të banojë në një apartament në pronësi të tij, pa paguar asnjë qira,  Dikush do të mendojë ndoshta se të gjitha këto Bonifaci i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë sepse ia kam kërkuar. Nuk është e vërtetë. Ishte ai që më impononte përkrahjen, që në fund të fundit, nuk i takojnë vetëm familjes sime, me qëllimin pak a shumë të qartë, që të lidhem me të, duke u bërë i nevojshëm, përkundrazi, i domosdoshëm. Me pak fjalë, e thënë shkurtimisht e brutalisht, kanë qenë sukseset dhe jo favoret që më bënin të rrija me Bonifacin, për shkak të nevojës sime, gati fiziologjike të suksesit, i cili është për mua, në të njëjtën kohë, zëvendësuesi, simboli dhe prova e potencës seksuale. Po tani Bonifaci nuk ka më sukses dhe unë zbuloj se nuk është gjithashtu e lehtë ta le, sepse ka hyrë në jetën time, ose më mirë, në atë të familjes sime, dhe që ky kalkulim i tij dinak që të lidhem me të në saje të ndihmave bërë të mive, rezulton të jetë i drejtë, në fund të fundit, në këtë mënyrë vicioze të misterëshme që është e tij për gjërat që na bien përsipër dhe i pranojmë, është shumë vonë tani për t’u çliruar. Pra, e dua unë ose jo, gjendem përballë një dileme poshtëruese: o ta le Bonifacin, duke sakrifikuar familjen time, ose të rri me të duke sakrifikuar vetveten.
Për fat, mbërritur në këtë pikë vdekjeje në reflektimet e mia, vështrimi më bie në një pjesë të një fashikulli të madh të gjelbër, që rri mbi kroskotë, midis një qeske me karamele dhe kutisë së shamive prej letre. Dhe kopjrn e një skenari, që qëndron aty prej një muaji; ma ka dhënë një regjisor i ri , Girolamo, i cili ka patur këtë dimër një sukses të madh e autentik me filmin e tij të parë. Ma ka dhënë duke më kërkuar (absurde) sepse unë njihem për injorancën, ta lexoj dhe pastaj t’i telefonoj se si më është dukur dhe në fakt ka shkruar me laps të kuq mbi kopertinë numërin e tij të telefonit: një mënyrë për të më thënë se i pëlqente të ma bënte të ditur se ai më pëlqente mua. Fashikulli, siç thashë, rri aty që prej një muaji dhe, natyrisht, nuk e kam lexuar; por gjatë këtyre tridhjetë ditëve mesazhi, kuptohet, në këtë kërkresë të çuditshme për konsulencë ka  vepruar ngadalë, por sigurt.  Kam provë për këtë: këtë mëngjes jam veshur si hippy, ndoshta jo shumë për të zemëruar Bonifacin, që më dëshiron perëndeshë, se sa për t’i pëlqyer Girolamos, që ai, të paktën, duke gjykuar nga mënyra e të veshurit, më dëshiron të tillë. Ajo triko e lëshuar, ato pantallona copë e çikë “janë” dukja ime e favorëshme. Kërkesa për të lexuar kopjen e skenarit “ishte” një deklaratë dashurie në ujrat më të mira. Po si të bëj tani për t’i komunikuar mesazhin e kuptueshëm nëpërmjet veshjes sime? Thjesht, duke i telefonuar, duke fiksuar një takim, me pak fjalë, duke e bërë të më shohë.
Frenoj papritur në rrugë, në të cilën lejoj të kalojë një burrë, pra dal nga rreshti i makinave dhe shkoj të ndaloj përpara një bari të madh të mbushur me njerëz. Zbres, hyj në bar, blej në kasë xhetonin, shkoj të mbyllem në kabinën telefonike. Jam shumë e trembur, e kuptoj se, ndërsa formoj numrin, zemra më hidhet në kraharor dhe frymëmarrja gati më mungon. Kur zëri i Girolamos thotë: “Alo!”  tek marrësi, për një moment, para se të them emrin me një fill zëri, më duhet të luftoj kundër një turbullimi që më pushton. Po shikoni se ç’do të thotë sukses! Menjëherë pas kësaj, toni i tij i mprehtë, i guximshëm, agresiv, si një pije e fuqishme dhe me efekt të menjëhershëm, më ngriti nga depresioni ku më çoi mbrëmjen e shkuar fiaskoja e Bonifacit., më gjallëroi, më bëri gati  të ngrihem fizikisht, saqë përnjëherësh ndjeva ngushtësi në zagushinë e kabinës telefonike. Thamë një sasi gjërash ashtu në mënyrë konfuze, plot rrëmet, si shpërthim i të dyve në të njëjtin moment. Në fund ai më kërkoi me një mbetje pasigurie në se mund të shiheshim nga java. Paturpësisht i përgjigjem se do të jem nga ai po këtë mbasdite.
Kur dal nga kabina kam përshtypjen e saktë se njerëzit që mbushnin barin, kthejnë kokën në kalimin tim, sikur biseda me Girolamon, më pati bërë përnjëherë të dukëshme, në një farë mënyrë të hapët e provokuese. Atëhere, gati e surprizuar, zbuloj se, pa e kuptuar, kam zgjidhur dilemën time: të rri me Bonifacion dhe kështu të mos e dëmtoj familjen time, që tashmë varet nga ai, por suksesi i Gerolamos nuk mund të bëjë më pak, tani e tutje do t’ja kërkoj atij. Jam kështu e kënaqur me këtë zgjidhje. Një çast në makinë, para se të filloj të guidoj, shikohem në pasqyrën sipër xhamit mbrojtës dhe miturisht i shkel syrin dhe i nxjerr gjuhën. Pastaj, në vend që të shkoj drejt nga Bonifaci, ja mbaj nga shtëpia ime, heq nga trupi  bluzën, pantallonat dhe vesh sërish teshat solemne që më transformojnë në statujë.
            Më vonë hyj në ashensorin për në apartamentin e Bonifacit. Ashensori është një karro fatale në të cilin qëndron  në këmbë një perëndeshë e qetë, e pandjeshme, çnjerëzore. Dhe në fakt, kur Bonifaci më hap portën e më sheh në prag që e shikoj, e heshtur dhe palëvizur, ka gati një lëvizje si për të m’u hedhur tek këmbët. Por përmbahet dhe më udhëheq para, duke shkuar të ulet në tavolinën e tij të punës. Unë qëndroj para tij, në heshtje, duke iu ofruar shikimeve të tij. Në fund thotë me sinqeritet, i përulur: “Sa e bukur je! Filmi im ishte i shëmtuar.”

mercoledì 26 febbraio 2014

Era në hundë



ERA NË HUNDË

Tregim nga Alberto Moravia
Përktheu. A. Mato

            Isha gjashtëmbëdhjet vjeçe kur një burrë me pamje dashamirëse dhe atërore, por me shpirt autoritar, me një dhunë të fshehtë,  në të dyzetat, me një tullë të rrumbullaktë në majë, si një prift dhe një stomak të spikatur si një boksier, i ngjeshur, gulçues dhe i çalë, më gjeti në një qytet të vogël të Italisë së mesme, ku jetoja me familjen time modeste dhe më çoi në Romë, duke më bërë një shtojcë poetike të personalitetit të tij shumë vulgar. Pse pranova të martohesha me të? Ndoshta sepse këmbënguli shumë. E pastaj isha një budallaçkë: doja të largohesha nga shtëpia, të shihja botën. E pashë botën për tre vjet, por ishte bota e burrit tim e ngarkuar me punë të shumta e të errëta. Mediator i kombinimeve politiko-financiare, ndërmjetës kontrabande dhe shkëmbimesh, rrufjan akrobacish, im shooq, gjatë këtyre tre vjetëve më ka paraqitur në një mori mëngjese dinakërish,  drekash aluzive,  vizitash me nënkuptime, festash të paqarta, takimesh me dy kalime. Isha gruaja e bukur, elegante, frymëzuese, ëndërrimtare (ju kujtohet Venera e Botticellit? Kështu jam unë, identike: të njëjtët sy ngjyrë vjollcë, i njëjti trup me linja të holla, e zbehtë, lundruese) por idiote që “promovoja “ tim shoq vetëm me prezencën e saj, si një autoveturë e një marke të madhe apo një pishinë në kopësht. Isha edhe një karem i magjishëm për grepin e shumë ujdive tek të cilët shpresa e një aventure të mundëshme, e lehtësonte rezultatin, një karem kurrë i gllabëruar, është e vërtetë,  por ndërkohë gjithmonë e nxjerrë për ofertë.
Një fjalë endej në ajër në këtë jetë kaq të ngarkuar dhe kaq enigmatike, një fjalë e ngjashme me një erë të lehtë e të përherëshme: mafie. Megjithatë, në këta tre vjet që kam kaluar, e shtrënguar pas tim shoqi, këtë fjalë nuk e kam dëgjuar kurrë të shqiptohet as nga ai, as nga miqtë e tij, të paktën edhe një herë. Ishte pikërisht si një erë e shtruar dhe e lehtë, që bën të ndjehet, mbi të gjitha, kur ju nuk e keni mendjen dhe zhduket me ta kapur erën për ta precizuar dhe identifikuar. Unë e kisha në hundë, këtë erë të mafies, e nuhasja me flegrat e mia delikate e të tejdukëshme, te të gjitha ato që burri im bënte dhe thoshte dhe në personat që frekuentonte dhe në ato që këta persona bënin e thoshnin; po ishte gjithmonë vetëm një erë, domethënë një dyshim, dhe ende sot nuk di asgjë të saktë. Mund të ishte mafia, siç mund të ishte  në vend të saj, legjitimiteti, afarizmi vorbullor, kush e di. Nga ana tjetër, si mund ta pyesja vet bashkëshortin tim: “Thuamë, i dashur, po ty je një mafioz?” E pamundur. Edhe sepse isha e sigurtë sepse ai do të ngrinte shpatullat, duke u përgjigjur: “Mafia? Çfarë malli është? Por mafia nuk egziston. E kanë shpikur gazetarët. Mall i vjetër, mall i kohëve të tjera. Sot nuk është mafia e nuk ka mafiozë.”
Era, nga ana tjetër, jo vetëm që vazhdonte, por bëhej edhe më e fortë në rastet jashtë biznesit, dua të them në festat e rishfaqjet festive e fetare: martesash, kungimesh të para, funeralesh, ditësh të emrit, përvjetoresh, vitit të ri, pashkës e kështu me radhë. Mblidheshin në një shtëpi apo në një tjetër, të gjitha  shumë të mëdha e të pajisura me një luks të gjallë e të pasigurt, shqetësues e provincial, ose në të ashtuquajturat salla për bankete të restoranteve. Mbërrijnë të njëjtit miq me bashkëshortet dhe shpesh me fëmijtë dhe pastaj miqtë e miqve, edhe ata me gratë e fëmijtë, dhe pas një shkëmbimi të përgjithshëm puthjesh, përqafimesh, përkëdheljesh, thirrjesh të papërmbajtëshme, frazash admiruese për shëndetin e mirë, komplimentesh e urimesh, fillonte të ngrënit. O zot, sa hante im shoq, miqtë e tim shoqi dhe miqtë e miqve të tim shoqi! Unë ushqimin vetëm sa e kapja, edhe pse i shkëlqyer, dhe ndërkohë, duke parë me sytë e përhumbur gjithë këta njerëz të ndezur, të skuqur e duke bërë mekanikisht me dorën time të gjatë, të bardhë, eterike, toptha me thërrime, pyesja veten, si zakonisht, nga vinte, e përzjerë me erërat e gjellëve, kjo duhmë këmbëngulëse e mafias, nga e cila nuk mundesha dot të çlirohesha. Ndonjëherë i thoshja vetes se isha e padrejtë, se një erë e tillë nuk mundet të prodhohej nga njerëz të tillë të mirë e të përzemërt, kështu të thjeshtë e të zhytur në mendime, se erën e kisha vet unë në hundë. Po përse shërbejnë mendimet kundër një ndijimi? Për asgjë.
Përkundrazi, me që ra fjala, ishte një nga këto banketet, nga shpërtheu e para dhe e vetmja grindje midis meje e burrit tim. Për shkak se ai, duke u kthyer në makinë, komentonte me tërë kënaqësinë drekën, u revoltova përnjëherësh, befasova gati edhe veten duke i bërtitur: “ Mos më fol më për këto dreka, shiko.”
“Por, gjaku im, gjithshka ishte kaq mirë.”
“Po, gjithshka ishte e mirë dhe në të njëjtën kohë, gjithshka ishte e pështirë.”
  “Shpirti im, përse e pështirë?”
“Përsenë nuk e di, por e gjitha ishte e pështirë. Po, i pështirë dhëndëri, e pështirë nusja, i pështirë prifti, të pështirë dëshmitarët, të pështirë të afërmit e dhëndërrit e të nuses. Dhe unë në mes të kësaj pështiroseje, u ndjeva e pështirë, përkundrazi, më e pështira e të gjithve.”
“Nuk i njeh, nuk mund t’i kuptosh dhe pastaj je shumë e ndryshme: tjetër edukatë, me të tjera zakone. Po një ditë do të mësohesh t’i njohësh dhe atëhere do të shohësh se janë të gjithë njerëz të mirë, të gjithë njerëz të sojit.”
Atëhere desha ta ofendoja, gjersa t’i hiqja maskën atërore, për të treguar fytyrën e tij të vërtetë. E dija si ta bëja, me çfarë fjale precize; dhe në këtë tërbim që më shkundëte, nuk hezitova: “Nuk i njoh, nuk tentoj t’i njoh. Nuk dua të di asgjë për ta. Di vetëm se jam lodhur të bëhem pasqyra e një laurshe për të favorizuar allishverishet e një burri që do të meritonte, në një nga këto ditët që t’i vija me të vërtetë brirët.” E kisha thënë fjalën magjike, fjalën suzam, dhe në fakt maska ra përnjëherësh. Burri im  ktheu timonin dhe shkoi të ndalojë butësisht pranë trotuarit. Ngriti frenin e dorës dhe tha midis dhëmbëve, pa më parë, me një qetësi të jashtëzakonëshme:
“The brirët, apo gaboj? Më thuaj se gaboj.”  Ju rrëfeva, pata frikë dhe ju përgjigja: “Nuk e thashë këtë fjalë, ç’të vjen në mendje? nuk ke dëgjuar mirë.” Ishte një gënjeshtër e tipit mafioz, një gënjeshtër e paturpëshme, absolute, totale, që mohonte dëshminë; por ai e pranoi shpejt, pa e vënë në dyshim. Tha, duke u përkulur për të rindezur motorin: “Ah, mirë, mirë. M’u duk,  e dëgjova keq.”
Kam kaluar, siç thashë tre vjet me këtë jetë, midis mbledhjeve të biznesit dhe festave familjare. Pastaj, në një nga këto mëngjese, zgjohem me një ndjenjë të vjellash, me një ujitje të çuditëshme të gojës. Rilidh këtë gjendje të sëmurë me një parregullsi fiziologjike timen dhe dyshoj se jam me barrë. Vizita te mjeku pak më vonë e kthen dyshimin në siguri.
Impulsi i parë ishte që të vrapoja tek im shoq, e lumtur, për ta bërë të lumtur edhe atë. Ishte një impuls, por jo i fortë, jo vërtetësisht i gëzueshëm, në thelb konvencional, një prej atyre konvencioneve, të cilëve është e vështirë t’u shpëtosh, sepse prej kohësh që nuk mbahen mend, janë të të gjithë njerëzimit. Po, shpejt më pas, pakrahasueshmërisht më i thellë dhe më i sinqertë edhe pse i trishtuar dhe i dëshpëruar, një impuls i dytë e refuzoi, e shoi të parin. Jo, ky fëmija im nuk duhej të lindëte, duke parë se do të lindëte me këtë baba, midis këtyre njerëzve. Për t’u bërë pastaj në mënyrë të paevitueshme një njeri si babai i tij, si miqtë e babait të tij, si miqtë e miqve të babait të tij.
Nuk rri ta tjerr gjatë. Shkoj të kërkoj një vejushe të pjekur, një bashkëqytetaren time, me të cilën jam lidhur me një miqësi konfidenciale dhe besimi reciorok, i them një gënjeshtër se po pres një fëmijë nga një njeri që nuk është im shoq, ajo më jep adresën e një mjeku të besuar që të më lirojë nga fëmija i padëshiruar, shkoj në Monte di Pieta,  pastaj i telefonoj mjekut dhe marr takimin pas dy ditësh. Më në fund e kthjellët dhe e fashitur, si dikush që përmbushur një detyrë të tij të ngutëshme dhe kthehem në shtëpi.
Këtë mbrëmje, duke vënë në jetë një plan timin, çova tim shoq dhe disa prej miqve të zakonshëm për të parë një film të famshëm, Il Padrino, që jepej në kinemanë e lagjes. Si ish studentja e mirë e letërsisë, doja të imitoja  Hamletin, kur bën të recitojnë komedianët, para xhaxhait vrasës të babait, skena e vdekjes së këtij të fundit. Doja të shihja të paktën, ç’efekt do të bënte ky film mbi mafien apo një grup personash që gabimisht ose me të drejtë unë i konsideroja mafiozë. Po, tjetër  Hamleti! Tjetri që reciton, që krijon konfuzion, keqardhje, frikë! Pas mbarimit të filmit, ftova shoqërinë në shtëpinë tonë për një darkë të ftohtë, dhe atëhere të gjithë këta njerëz të papërpunuar e të paarsimuar, filluan seriozisht dhe rëndë të diskutojnë për meritat e defektet  “artistike” të spektaklit! Ishte për të qeshur, në se nuk ishte për të qarë. E pushtuar nga nuk e di se ç’tërbim i pafuqishëm, i shumëzova me zero të gjithë këta kritikë të improvizuar të kinematografisë dhe shkova në kuzhinë me pretekstin për të ndihmuar tim shoq të nxjerrë nga frigoriferi shishet e shampanjës.
Shishet ishin mbi tavolinë, të zeza në mes të bardhësisë shndritëse të maiolikeve të ndriçuara.. I zi, si shishet, im shoq shquhej në këtë bardhësi të shndritëshme, i shtrirë në shpinë mbi dysheme, me këmbë të hapura. Këpuca ortopedike e këmbës më të shkurtër, me takën e stërmadhe, më frymëzoi një ndjenjë mëshire, për herë të parë qëkurse rroja me të. Pastaj jam përkulur, pashë se sytë e tij ishin të hapur por nuk shihnin dhe e kuptova se kishte vdekur: një goditje.
Tani duhej të njoftoja miqtë e tij, të improvizoja një skenë dhimbjeje bashkëshortore sipas shijes së tyre, domethënë aktoreske, që të këput shpirtin. Po desha para së gjithash të shfryj në mënyrën time gëzimin e madh të lehtësimit tim.Duke mbajtur me të dyja duart barkun e vogël, që tashmë më dukej më i mysët se zakonisht, duke hedhur këtu e aty këmbët e duke mbajtur sytë ëndërrues e të palëvizur, vallëzova rrotull tavolinës, duke kënduar nën zë këngëzën time, që pak a shumë, thoshte kështu: “ Biri im, biri im – do të rritesh i madh e i bukur – pa baba e pa padrino – biri im, biri im.”

lunedì 24 febbraio 2014

I mahnitshëm



Alberto Moravia


I MAHNITSHËM
tregim

I gërthas mamasë:”Ti nuk e di kush jam. Nuk ke as idenë më të vogël me kë rron përballë, nën të njëjtën çati.” dhe pastaj dal duke përplasur derën me tërë fuqinë. Një herë në veturën time të përdorur jashtë mase, ndërsa e drejtoj ngadalë për të mos sforcuar motorin, që ka nevojë për një revizionim kapital,  pyes veten, kështu, si për të luajtur, kush jam, në fund të fundit. Dhe atëhere e kuptoj se nuk kam ç’bëj tjetër veçse të sikletosem nga e vërteta. Kush jam? Jam poetesha e madhe që po shkruaj një poemë të pavdekshme: banoj në një apartament nën çati, në majë të një grataçele të New Yorkut, nga dritarja shoh të tjera grataçela të sulen në garë drejt qiellit. Jam shkencëtarja gjeniale që zbulon bacilin e kancerit: në heshtjen dhe në vetminë e laboratorit tim, në Paris, njoh gëzimin e thellë të zbulimit më të madh të shekullit. Jam revolucionarja heroike latinoamerikane që, me të aguar, shkon të dëgjohet në Pallatin e Qeverisë: eci nëpër një rrugë të vjetër spanjolle, gjatë dritareve të përforcuara me shufra hekuri, kam xhepat plot me bomba dhe një pistoletë të fshehur në gji. Po pse, duke mos qenë asgjë, jam njëkohësisht poetesha e madhe, shkencëtarja e madhe, revolucionarja e madhe? Për arsyen e fortë që unë “e di” të jem? E përse “e di”? Nga mund të vijë, në se jo nga realiteti idea e madhështisë sime? Nga ky fakt nuk iket: ku ka zë, nuk është pa gjë, dhe e kundërta, pikë, mbaroi.
 Ky mendim më sjell në humor të mirë, kompromentuar pak më parë nga një frazë e nënës sime: “Je njëzetë e tetë vjeçe, je e mirë për asgjë, një dembele që shkon kohën duke tymosur, duke dëgjuar disqe, duke kafshuar thonjtë, duke shtrydhur puçrat.” Duke kujtuar idenë e shtrydhjes së puçrave, për një çast, egzaltimi im bie si niveli i ujit që zien, kur i hedh një sasi tjetër uji të ftohtë. Po, është e vërtetë,  puçrat nuk më lenë rehat, një ikën dhe një tjetër shfaqet, kushedi përse, provoj ti shtrydh para pasqyrës për orë të tëra, dhe kur nuk gjej më, si të thuash, i shpik,  duke shtrydhur lëkurën deri sa nxjerr gjak. Po kjo rënie zgjat pak. Pastaj, gati përnjëherë, uji, në tenxheren e trurit tim rifillon të ziejë. Ekzaltimi pushton sërish mendimet e mia. Përpara! Përpara! Dang!
Tërheq frenin e dorës, hap portën dhe hidhem jashtë. E futur në parafangon e makinëzës sime, e drejtë, e paprekur, verbuese, kofanoja e një makine të madhe luksi, tip kabriole, ngjyrë shampanje. Një mesoburrë, i gjatë dhe i ngjeshur, i veshur në gri, me një kapele të vogël prej stofi mbi sy, më qëndron para i gatshëm, me bllok dhe stilolaps në duart e tij me doreza. Rrotull ishte formuar tashmë turma e paevitueshme e  kuriozëve të pangopur për argëtim të lirë. Personi më flet me një zë hundor: “Zonjushe, ju vinit nga e djathta dhe më keni prerë rrugën. Nuk ka rëndësi. Më jepni ekstremitetet e siguracionit tuaj.”
Shoh parafangon të mbedhur shuk dhe ulëri:
“Po ç’ekstremitete, ç’ekstremitete. Dhe tani mbetem pa makinë për kushedi se sa kohë. Më thuaj si t’ja bëj.”
“Të ecësh në këmbë. Ju lutem, të dhënat.”
“Në këmbë të ecësh ti, fytyrë e keqe prej varrmihësi. Çfarë beson, se kam frikë prej teje, se ke para ndërsa unë, në dukje, mundet edhe të të ngjaj si një qyqare e varfër? Por gabohesh, edhe pse mban syze të rrethuara me ar, nuk sheh mirë. Unë jam dikush që nuk e imagjinon dot, dikush, përballë të cilit ti duhet të gjunjëzohesh.”
“Ja karvizita ime. Ju lutem, më jepni gjeneralitetet tuaja”
“Gjeneralitetet, bririn! Shkruaj: gjeni. Po, jam një gjeni, pikërisht kështu dhe ti në bllokun tënd duhet të shënosh: gjeni.”
Turma rrotull nënqeshet gjithë hare: kishte shpresuar në një inskenim dhe dhe tashmë e ka. Njeriu i makinës së madhe pret, me vetullat e rrudhura, me  bllokun dhe stilolapsin midis gishtave brënda dorashkave. Një rojë, pas pak, shfaqet nga nuk e di se ku, dhe atëhere duhet, sipas rregullit, ta furnizoj me të ashtuquajturat gjeneralitete: Zoe Proietti, vjeç njëzetë e tetë, e bijë e Giovanit dhe e Rosa De Santis, beqare, daktilografiste. Pak nga pak, duke dhënë këto informacione, kam të njëjtën ndjesi, që padyshim provon një ujk apo leopard që e sheh veten, pas një beteje të gjatë të mbyllur në një kafaz. Unë jam ujku, leopardi, domethënë gjeniu dhe hekurat e  kafazit janë emri im, mbiemri, atësia, mëmësia, gjendja civile, profesioni, adresa.
Po shihni se ç’është shpirti! Me të mbyllur incidentin, vazhdoj rrugën dhe atëhere egzaltimi rikthehet të më rindizet dhe sërish truri im është mes flakëve. Pothuajse pa e kuptuar, parkoj në të vetmen rrugicë, ndal të vërej në një vitrinë një palë pantallona aspak të këqija, u përgjigjem me të njëjtën monedhë dy djemve që përpiqen të më sfidojnë, bëj, me pak fjalë, një sasi gjërash dhe në të njëjtën kohë, në gjendjen time shpirtërore, ta themi pak lirike, nuk do të mundja t’i bëja. Pra, papritmas, konstatoj se ndodhem përballë portës së Xheremias. Si kam mbërritur? Mister.
Xheremia është i dashuri im dhe është edhe ai një gjeni, edhe pse i një gjinie tjetër nga unë. Ndryshimi midis tij dhe meje është se unë jam një gjeni që mund të zhvillohem në çfarëdo drejtimi: shkencë, art, politikë, ndërsa ai është një gjeni, ta themi kështu, i veçantë. E veçanta e veçanësisë së tij është të shkruarit e subjekteve për kinema. Subjektet e tij janë të mahnitëshme, nuk ka tjetër fjalë, kryevepra autentike të vërteta. Natyrisht, nga që Xheremia është një gjeni, njerëzit e bëjnë me kast që të mos e njohin gjenialitetin e tij. Dhe kështu subjektet bëhen kapicë njeri mbi tjetrin, në raftin e tij; dhe një gjeni si ai detyrohet të jetojë me marifete, praktikisht në mizerje.
Ngjit dy e nga dy, shkallët e pjerrta dhe me lagështi, me këto mendime, (po shumë të tjera ndërkohë kalërojnë: truri im është një det në një furtunë të përherëshme), trokas në katin e pestë në një derë të errët. Xheremia vjen të ma hapë. Është i gjatë, i fuqishëm, me një kokë të madhe me flokë kaçurrela, me ballin e ulët, sytë e vegjël, hundën e madhe, gojën të gjerë. Eshtë një fytyrë e thjeshtë, me një ngjyrë uniforme të bukës pak të pjekur, prej fshatari; dhe në fakt i ati është, banon në një fermë në fushë, punon tokën. Po unë “e di” se është një gjeni, siç “e di” se unë vet jam një gjeni. Po, është një gjeni, siç janë pak të tillë; dhe duhet ta mbaj shtrënguar, në të kundërtën, në se e humb, ku ta gjej një gjeni të tillë?
Hyj dhe shkoj të ulem në të vetmin divan, sidoqoftë të shkatërruar dhe me një këmbë mangut, në këtë kaos që është e vetmja dhomëz  në të cilën ai rron. E pyes: “I telefonove producentit?”
Është ulur në cep të krevatit. Përgjigjet me zë të zymtë: “Po, i telefonova.”
“Dhe atëhere?”
“E mohoi.”
“Maskara dhe idiot.”
“Po, idiot sepse subjektin kësaj radhe ia kisha bërë pikërisht në përshtatje me aktoren e vet. Po çfarë do, a mund ta kuptoj çfarë do? Me këtë subjekt mund ta kapërxente miliardin, me siguri.”
“Miliardin? Them ndoshta dy, tre miliard.” Marr nga paketa e cigareve, pothuajse bosh një bisht shumë të vogël dhe e ndez, duke djegur buzët. Pastaj i them: “Lexomë subjektin.”
“Po e njeh, ta kam lexuar, pra”
“Rilexoma. Është i mahnitshëm. Dua të ngopem sërish.”
Bindet shpejt sepse midis nesh unë jam gjeniu që komandon dhe ai gjeniu që bindet. Ngrihet, shkon te skrivania, veçon nga pështjellimi i letrave fashikullin e subjektit, kthehet të ulet mbi krevat, kollitet dy a tre herë dhe fillon ta lexojë me zërin e ngathët dhe refleksiv prej fshatari që i bën të gjitha gjërat me lehtësi dhe të aplikueshme. Subjekti tregon ngjarjen e një djali e të një vajze që bëjnë një grabitje në një dyqan bizhush dhe pastaj me lekët blejnë një sipërfaqe në fushë, ndërtojnë një shtëpi dhe fillojnë të punojnë tokën. Xheremia lexon subjektin dhe unë dëgjoj duke tymosur dhe duke aprovuar me kokë në pjesët më të bukura. Sapo mbaron i them me një bindje të thellë: “Edhe një herë më shumë: i mahnitshëm! Një kryevepër e vërtetë. Xheremia, je një gjeni i vërtetë e autentik.”
Nuk thotë asgjë, qëndron me ballin e ulur, si një buall që ka marrë një çomange midis brirëve. Pastaj përgjigjet: “Qofsha gjeni. Ndërkohë, megjithatë, nuk arrij ti fus në treg, dhe nuk ka para, nuk kam as unë e as ti.”
Qëndron i heshtur një çast, pastaj rifillon me një zë të lehtë dhe vajtues: “Më ka ardhur në majë të shpirtit, duke jetuar në këtë mënyrë. Kam vendosur të kthehem në fshat, te të mitë. Të paktën do të mdihmoj tim at në punët e tokës. Pastaj do të shoh.”
“Po kjo do të thotë që duhet të ndahemi. Apo gaboj?”
“Jo, nuk gabon, do të duhet të ndahemi.”
“Xheremia, më thuaj të vërtetën, ti do të më lesh?”
“Nuk jam unë që dua, por situata.”
Atëhere, aty për aty, e kuptoj se duhet të bëj një sforco ta parandaloj që të mos më braktisë e mbi të gjitha, për t’i ngritur besimin në vetvete. Koka ime, zakonisht, është një fishekzjarr idesh, e gjitha një shpërthim inisiativash. Flak e vendosur bishtin e cigares, tashmë të katandisur me pak fije duhani dhe them: “Xheremia, kam një ide.”
“Çfarë?”
“Xheremia, nuk duan subjektin tënd. Dhe atëhere, duke parë se nuk e duan, i bëjmë ta pranojnë me forcë,”
“Po ç’thua? Në ç’mënyrë mund ta detyrosh një producent të bëjë një film që nuk e do?”
“Ç’hyn filmi! Ç’hyn producenti! Subjektin ne do ta jetojmë dhe do t’ja imponojmë botës. Në vend që të bëjmë një film për dy të rinj që hyjnë në një dyqan orësh, kërcënojnë me pistoletë dhe rrëmbejnë bizhuteritë, do të jemi ne që do të shkojmë me të vërtetë në një dyqan, që do të kërcënojmë me të vërtetë me pistoletë dhe do të rrëmbejmë me të vërtetë bizuteritë.”
“Po kjo është një plaçkitje.”
“Praktikisht, po.”

Përktheu: Agim MATO

domenica 2 febbraio 2014

Varrezat e anijeve të mbytura



VARREZAT E ANIJEVE  TË MBYTURA


Lundrojmë me katamaran    brigjet joniane,
në kërkim të varezave të anijeve antike të mbytura.

Rrëshqasim mbi ekspozenë e ujrave të xhamta të këtij
 muzeu kohrash, mbi spirancat,
patavrat e anijeve të luftës, anijeve tregëtare të
ngarkuara me amfora e tjegulla, që shfaqen
përmes një vegjetacionit të dendur jonian.

Peshq të thellësive hyjnë e dalin në ambientet e këtij
 muzeu si ca rojtarë të heshtur,
ku hijet tona prekin dëshmitë e betejave të lashta detare
kurse shpesët e detit,  pulëbardhat, këlthasin pasthirrmat
  e  ushtarëve,
dhe përsëritin britmat e tyre,  duke u vërtitur sipër nesh.

Hapësira e pamatë e detit  në perëndim të diellit përsërit
 flakët, hirin, tymin dhe mirazhet e anijeve që
zhyten në thellësitë e ujrave. Zëri i Cezarit hepohet mbi
valë duke ndjekur Pompeun. 
Guiskardi,  Bohemundi bredhin me flotat e tyre në këto
 gjire. Dikush
i humb tërë anijet nga shtrëngatat. Një tjetër i fundos vet
që ushtarët të mos mendojnë për kthimin.

Tendosim velat në këto rrugëtime mbi Detin Jon.
Shfaqemi në gjirin para Butrintit,  para  Onhezmit,  Porto
   Palermos,  Palasës
dhe katamarani ndal në Gramata,
ku dikur strehoheshin anijet për t’i shpëtuar furisë  
 Poseidonit.
Monument i gurtë i memorjes
i ngitur thikë mbi humnerat e egërsuara,
me shënimet e udhëtarëve të mëdhenj të gdhëndura në
                                                       murin e historisë,
me lutjet kushtuar perëndive,
me thirrjet,
me agoninë  e lundërtarëve të rrezikuar,
që ndjehen të vegjël para natyrës
dhe pendohen për mëkatet.

Prekim me dorë  shenjat, 
adresat e lëna
bashkë me ankthin e tyre
për të mbijetuar.

Prekim emrat e  Pompeut,    Dolabelës,
  Mark Antonit,
të konsullit  Tit Statit Tauri
në këtë enciklopedi të udhëkryqeve mesdhetare,
për të dëshmuar se janë të vdekshëm.
Duke udhëtuar për në Francë, këtu u tulat
për t’u mbrojtur nga stuhia
perandori i Bizantit, Joani V  Paleologu.

Dhe katamarani vozit në skajet e kohrave,
duke shtyrë ca valë indiferente për të shkuarën.