PAJTIM ÇAUSHI
STILISTIKA BEFASUESE E POETIT AGIM MATO
Në një udhëtim prej lexuesi të
vemendshëm përgjatë vargjeve të krijuara
nga poeti Agim Mato përfton gjendje emocionale pozitive të veçantë. Kjo pasi
ndiehesh i qarkuar dhe i ngacmuar nga dhjetra e qindra njesi stilistike te
hijshme e origjinale të cilat të ngopin me kenaqësi estetike të llojllojshme.
Mendoj se figurshmëria e
poezisë së Agim Matos, që në krye të herës, ka dy boshte emocionale të lidhur ngushtë me njeri jetrin:
udhëtimin dhe detin. Uni poetik i të gjithë vëllimeve të publikuar tek lexuesi
nuk është një udhetar i zakonshëm që fluturon a zvarritet skrëkave a
shetitoreve në skaje të ndryshëm të vendit e të globit. Ai është një një lundërtar,
një peshkatar, një sfidues i gjithë elementëve të fshehur apo të shfaqur të
mosekzistencës që, duke u përplasur me ta, del kundërshtues dhe triumfues.
Valvitja e flamurit të jetës sfidon të këqiat e llojllojshme duke lënë pas
sakrificën për vazhdimësi gjithëkohore.
Poeti që në vëllimin e parë
poetik me titullin shenjues JUG (1970) prezantohet me një metaforë besasuese
dhe krahasimin e lindur nga mjedisi i vendindjes së bukur që shenjon identitet,
kolorit dhe origjinalitet: “stuhitë jugore kam sjellë,… portretin e peshkatarëve
si vet shkëmbinjtë e detit…”
Edhe prezantimi i heroit
lirik të poezisë, përmes përsëritjes artistike dhe enumeracionit të krijuar
prej elementëve të njohur të mjedisit jepet në raportin e përjetshëm bir –
natyrë, me nënteksin bir – nënë: ”jam bir I brigjeve të gjelbra, bir I rërës
dhe I detit…”
Përkufizimi për qytetin e
Sarandës krijon një polivalencë figurative origjinale dhe është nga më të
goditurat që i është bërë perlës së jugut: “Saranda - si një hënë e prerë është
ngulur në tokë…” Harmonizohen bukur krahasimi, epiteti dhe metafora duke
krijuar bashkëjetesë të përsosur me objektin të cilin përkufizojnë.
Tek vëllimi poetik “JASHTË
EKLIPSIT” – 2012, Agimi e ngre në nivel më të lartë cilësin e krijimit të figurës
stilistike, e fut atë në një furrë me temperaturë të lartë duke e pjekur dhe duke
e bërë më interesante e mbresëlënëse: “u ndezën motorrët e metaforave”, shkruan ai duke vetëthënë përgjegjësitë
krijuese që merr përsipër që t’u përcjellë lexuesve. Tanimë, imagjinata krijues
dhe parafytyrimi poetik janë të një shkalle të lartë pasi figurshmëria lind nga
ngjizja e detajeve jugorë, tokësorë dhe qiellorë:
“I vetmuar jam në jug,
Far i plakur mbi shkëmb,
I përmjerë nga yjet,
I pëgërë nga glasa hënore…”
Inversioni bëhet emocionues
dhe ndikues për kënaqësi estetike kur ndërtohet me ngarkesë figurative të menduar dhe të vendosur mes vargjeve në
formë origjinale. Vargje dhe figura të tilla të përcjellin veti estetike dy –
tri formëshe.
Dukuritë e kërcënimit të
ekzistencës së jetës njerëzore në kohën e diktaturës realizohen bukur përmes
metonimisë e metaforave të veçanta emrore. Krijimi i tyre lidhet ngushtë me përditëshmërin
e ngritur në art nëpërmjet detajeve të përzgjedhur tronditës:
“... Gazi i policisë angullinë
në të përpjeta:
Erdhi njëmbëdhjeta…
....Qënie që rriteshin në
vaskat e absurdit të
një doktrine…
....Tanket derdhin gjakun e
luleve…”
Stilistika e poezisë së Agim
Matos është e pakrahasueshme për nga eleganca dhe veçantësia edhe kur trajton
tema tërësisht të bashkëkohësisë. Ngjarjet absurde, tragji–komike, shkaterruese me pasoja negative në dhjetra e
dhjetra vite s’ka se si të jepen më saktësisht nga ana artistike se në vargjet rrënqethës
për vitin e çmendur ’97:
“shtrirë përtokë simetria e
zambakëve,
Algjebra e lulishteve,
Gjeometria e trotuareve,
Shtrirë përtokë shteti!...”
Meditimi, përgjithësimi dhe mëvetësia
e stilistikës poetike të poetit Agim Mato ngrihen në nivele edhe më të lartë
tek vëllimet e viteve të fundit. Kjo për faktin se në vargjet e tyre shpesh
poeti kapërcen pragun e arritur dhe futet në shtresat e konceptit estetik të
palimpsestit. Kjo është shkalla më e lartë që mund të arrijë filozofia krijuese
e në poeti, shkallë të cilën steka e lartesisë së figuracionit të krijuar nga
Agim Matos e ka zënë. Mendoj se ky nivel estetik duhet të jetë objekt i një
shkrimi tjetër më vete për të dalë më i plotë dhe më shenjues.