........

giovedì 24 novembre 2016

Zemrën ta nis në majë të një heshte

ZEMRËN TA NIS NË MAJË TË NJË HESHTE

Nuk shquhem se sulmoj fortesa,
as kuaj të drunjtë dërgoj për dhuratë,
vetëm zemrën ta nis majë një heshte
që portave tu hapësh kanatat!

          2012

venerdì 21 ottobre 2016

Noti Llambraqi



NOTI  LLAMBRAQI

Kur iu qep ajo sëmundja e keqe e njeriut
dhe mjekët, me keqardhje,
ia prenë biletën për amshim,
i vetmuar e priti te krevati
vdekjen 
që ta merrte.

E teksa priste, 
një zë prej hapësirash
e thërriste për së largu:
“Biri im, biri im!”,
një zë prej shpellash,
një zë prej guvash e thellësish.

Aq shumë nisi ta ndillte ai zë,
saqë krevati s’e nxënte më,
dhe kapi patericat aty pranë,
po këmbët s’e mbajtën
e u  rrokullis nëpër shkallë,
rrënjët e thara të ëndrrave
duke hequr zvarrë.

“Erdha, erdha, babush!”
i përgjigjet detit,
si një humnere të hatashme atje poshtë,
dhe gulçon, dhe çalon!
Ç’ ngazëllim kur te rëra mbërrin,
kur valët këmbët i lëpijnë
dhe deti i rrëfen magjinë:
“Ti rri tek unë, të mbaj mbi shpinë,
ashtu siç mbaj miliona peshq,
siç të mbajta në vegjëli!”
dhe e mbështolli me placentë.

Si një kërthi sërish u ndje!
Pa peshë, 
pa andralla  ish atje!

Dimër e verë lodroi si një delfin
harroi dhe vdekjen,
ëndrrat ju përtërinë.
Nuk di se ç’ është mes nesh tani,
njeriu peshk a peshku njeri!?

Ç’ forcë ja theu metastazat?
Ç ‘ vullnet ja ktheu jetën sërish?

Dhe shfaqet përballë me hapa të heshtur,
me dy bebe të ndezura e të kaltra sysh
 si një oshënar i lashtë i tempujve të detit,
i sapodalë nga thellësitë.

Dimër verë,  me pantallona të shkurtra,
me këmishën  mbi supet lakuriq,
me një palë shapka nga dalin,
të stërpikura me rërën e plazheve,
gishtërinjtë.

Me mjekrën e bardhë si një copë shkulmi...

Ikonë shenjtorësh, nëpër rrugë, në kryqëzim.
Njerëzve që shkojnë dhe natyrës
u fal mirësinë.

Ruajtësi i zjarrit



 RUAJTËSI I ZJARRIT

Në lashtësi vija i ngathët, ëndërrues,
dhe vëllezërit nuk më merrnin në gjueti,
po më linin te shpella si ruajtës të zjarrit,
që ditë e natë të mos fikej.

Kur ktheheshin me trofetë e shumta,
vinin në zjarr drerët për t’u pjekur.
Shpella  kundërmonte erën e mishit
dhe aventurat e tyre.

Lëkurët me brirët e degëzuar
i varnin në paretet prej guri,
ku përfytyroja përmes flakëve,
si në një ekran
pyllin, shigjetat,
rënkimin e kafshëve,  
brohoritjet e gjuetarëve.

Më pas, me lëngjet e bimëve,
që veç unë i dija,
vizatoja në mure skena gjuetie,
me drerë që u rritja së tepërmi brirët,
si shandanët që ende s’ ishin shpikur.

Kur nisëm të ndërtonim tempujt e parë
shtroja mozaikë
me motive nga fauna dhe flora,
pa harruar motivet surrealiste
të legjendave e të miteve.

Gdhendja statujat e perëndive,
shkallët e amfiteatrove,
portat e mëdha të qyteteve
me luanë dhe dragonj sipër tyre.

Dhe e kuptova  sa  dobi 
pati zjarri që mbajta ndezur,
zjarri që digjej brenda meje,
duke shtyrë mijëvjeçarët.

sabato 8 ottobre 2016

Agim Mato - poetika si urë e komunikimit kulturologjik



Agim Mato - poetika si urë e komunikimit kulturologjik

                                                 Hyqmet HASKO



Poezia, si arti elitar i komuni-kimeve të thellësive, duke ardhur nga burime të ndryshme, vetëdije e kauza që nuk ngjasojnë me njëra tjetrën, sjell me vete magjinë e riciklimit të së bukurës dhe të udhëtimit të saj nga një trevë në tjetrën, nga një poet në tjetrin. Në këtë sens, rruga nga ku vjen poeti në rrugën e artit poetik bëhet vetë fytyra e poetit, vetë mbartja e tij emocionale, mesazhore e nëntekstuale në hullinjtë e befta të të thënës.
E parë në këtë këndvështrim, poezia është toka ku me sa duket ka ngulur kullën e tij estetike Agim Mato, me themele të ngulura fort në traditën më të mirë poetike shqiptare, të pasuruar me elementë të rinj të modernitetit, që e bëjnë poezinë e Matos një poezi me tone të forta liriko-dramatike dhe filozofike ekzistenciale.
Agim Mato është një letrar dinjitoz, një zë i veçantë në korin shumëzërësh të letrave tona kombëtare. Me emrin e tij lidhet një krjimtari e begatë poetike, një angazhim serioz në fushën e përkthimit dhe një personalitet kulturologjik, që bën aq shumë që kultura jonë kombëtare të unifikohet e të bëhet pjesë e plotë e vetëdijes së kombit shqiptar.
Nëse kërkojmë rrënjët e kësaj poezie, mund të themi se tematika e saj është e shtrirë më shumë në thellësi se në vijë horizontale, si rrokje temash nga përditshmëria, miti apo historia, pra ka të bëjmë më shumë me unin dhe transhendencat e tij se sa me realitetin e raporteve njerëzore apo të raporteve të tjera që e rrethojnë poetin.
Gjendja emocionale e poezisë së Matos shkon paralelisht me gjendjen e kujtesës dhe të unit të poetit, me rrekjen e tij të kahershme për të na përcjellë hapësirë të ndieshme e të tejndezura të pasionit të shkrimit poetik, një nga pasionet më të vjetra e më tundues të të gjallëve të kësaj bote.
Ajo që e bën unike poezinë e Matos në raport me simotrat e saj, janë strukura e zhdërvjellët poetike, figu-ra e gjallë dhe e freskët, imazhi fin, fuqia dhe thellësia e mendimit poetik, kontrapunti me të cilin vë në lëvizje përqasjet në kohë dhe hapësirë, moderniteti në shpali-min e të vërtetave estetike që na përcjell.
Në vëllimin poetik “Lundrimet” poeti kërkon rrënjët dhe ikjet e tij, palca e kujtimit dhe mirazhi kthehen në shëmbëlltyrë të imazhit estetik. Unin e poetit e gjejmë të shkrirë në  blunë e thellë të Jonit, kredoja e tij shkrihet e unifikohet në larminë e figuarve të gjalla që gjallojnë në poezinë e tij.
Duke qenë pinjoll i detit, Mato duket se ruan qetësinë dhe thellësinë e tij, por herë shpërthimet “zemrake”, siç mund të thoshte autori gjenial i “Nosi-tit”, e çojnë në pragje humnerash e dhimbjesh të tej-skajshme ekzistenciale. Bota e tij shpirtërore mplekset e nënvizohet simbolikisht në  botën e nënujshme ku pulsojnë ritmet e një jete të panjohur.
Nëse në vëllimet e mëparshme “Fundo” dhe “Jashtë eklispit” Mato dallohet për akurele të shpejtë, të vizatuar në ikje e ku mplekset dhe një vektor i ngjeshur mesazhor, në dy vëllimet e mëvonshme “Lundrimet” dhe  “Pluhuri i artë i përjetësive” imazhet poetike të Matos bëhen më të forta, mendimi më i ngjeshur, figurat më dinamike, trajtëzimi estetik më modern e duket se poeti është zhytur më thellë në përsiatjet e tij rreth vetes e të tjerëve dhe, siç thotë me të drejtë Borgesi: “Thellësia është e errët”.
Uji, vala, bregu, kripa, Jodi, rëra, mitologjia e detit, fuiqia shndërruese e kësaj mitologjie në psikologjinë e njeriut modern dhe të vetë unit të tij poetik vazhdojnë të përbëjnë trazimet e poetit, që janë trazimet e vetë njeriut bashkëkohor, në luftë me natyrën dhe vetveten, për të dëshmuar gjenin e tij, arkitipin shpirtëror, etik e social, me të cilin e lidh kohë-hapësira e përdishmërisë.
 Natyra e jashtme shkrihet në poezinë e tij me shpirtin e brendshëm të poetit, tingujt joshës të kohës shkrihen në notat e ndjesive që vallëzojnë në pentagramin e një muzike dehëse dhe shndërruese, në kuptimin e fuqisë së ndikimit tek njeriu bashkëkohor.
Poeti ngazëllen, qan, qesh, sfidon, ëndërron, ndizet nga pasioni i bukurive të fjetura që flejnë në gjirin e natyrës dhe në vetë shpirtin njerëzor, prek i ngazëllyer një realitet të thyer dhe bëhet pjesë e ëndrrës së kulluar.
Poezia e këtij poeti është një mozaik kërkimesh spontane dhe të vevetishme në shpirtin e fshehtë të gjërave, të pamjeve, mjediseve, dukurive, gjendjeve dhe peizazheve jetësore, tokës, bjeshkës, detit, bregut, ëndrrës, komunikmit dhe ndjesive njerëzore, ku autori vendos kamerën e tij vëzhguese dhe interpretative, si bartës i një psikolgjie moderne të njeriut bashkëkohor shqiptar.
Heroi i aktit poetik të poetit është vetë uni i tij, ajo vetvete e trazuar, e pjesëtuar me kohën dhe bashkëkohësinë, me kujtimet, mbresat, emocionet, të ndodhurat. Ky hero vuan, qan, qesh, ëndërron, mëkaton, ndjen pulsin e jetës dhe të dashurisë, kujton  të djeshmen që duhet kujtuar dhe ëndërron çaste e kohë që ende s’kanë ardhur.
Autori di të ruajë ekulibrin mes ndjenjes dhe mendimit, mes figurës dhe imazhit, mes gjendjes dhe mesazheve që burojnë nga materia poetike. Herë herë në poezinë e tij sundon mendimi, thellësia e mendimit dhe qasjeve, guximi poetik për të vështruar përtej fasadave, në thelbin e gjësë, aty ku një mendje e zakonshme nuk troket kurrë.
Poezia e Matos është një poezi e iluzionit, dhimbjes, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave moderniste, që iu përkojnë gjendje dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale.
Siç e thamë, protagonist i aktit poetik të poetit është uni i brendshëm, raportet e këtij uni me jashtësinë, me mungesat dhe shpresën e botës, me të mundurën dhe të pamundurën.
Duket se Mato nuk merr penën në dorë se duhet shkruar, por shkruan se nuk mundet të bëjë ndryshe, pasi shtytjet e poezisë nga brenda qenies së tij janë të vrullshme, të papërballueshme, të pamundura për t’u bërë zap.
Në poezitë e këtyre përmbledhjeve vihet re ritheksimi i prirjes së poetit edhe në tre librat e tjerë të tij, ku thellimi i orvajtjes për të ndërtuar paralele në kohë dhe hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, konturohen si një cilësi e artit të tij estetik. Këto “imazhe të vrara”, ku zhytet fiksacioni i tij poetik, ruajnë si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, ku ka pak diell e dritë, por aq mjafton sa për të kuptuar tisin e trashë e të rëndë të mungesës, vetmisë, paplotërisë, të cilat duket se e rrethojnë poetin dhe janë pjesë e udhëtimit të tij metafizik.
Poezia e Agim Matos është një poezi e gjendjeve impresioniste dhe moderniste, me një fantazi të vrullshme, me një kompleks figurash dhe trajtash që e bëjnë atë të freskët dhe me mesazhe universale.
Gjendjet e saj janë kujtesat, emocionet, përjetimet, ankthi dhe vetmia që poeti i ka marrë nga përjetimet vetjake dhe i mbart si një kredo e anatemuar e brezit të tij, e kohës dhe bashkëkohësit.
Një antaologji dinjitoze, e botuar së fundi me përzgjedhjen dhe përkujdesjen e Agim Matos, përcjell disa nga zërat më të ngrohtë e më komunikues poetikë të poetëve të jugut shqiptar dhe të Italisë, duke shërbyer më së pakti si një urë e re komunkimi estetik mes njerëzve të dy kombeve që kanë pasur në historinë e tyre shumë pika lidhjeje e që kanë bërë aq shumë për njëri-tjetrin.
Kjo antaologji është pjesë e punës së përkushtuar të Agim Matos për të promovuar poezinë shqipe, jo vetëm të tijën por dhe të kolegëve të tij jonianë e më gjerë, ku kontaktet e tij kulturologjike sidomos në Itali kanë qenë mbresëlënëse.
Agim Mato e përdor poetikën jo vetëm si kredo  të botës së tij shpirtërore, të pikave të kontaktit me botën e qytetëruar, por dhe si urë e komunikimit kulturologjik, për çfarë ka aq shumë nevojë ky vend që sapo është hapur dhe i duhet rrugë e gjatë për të bërë gjer tek një integrim i plotë me rrënjët e civilizimit europian.
Poezia e Matos është një ujëvarë që zbret ëmbël e hidhur në të njëjtën kohë nga kataraktet e një shpirti të ndjeshëm, të mbushur me pasion e dashuri për jetën dhe njerëzit, për tokën dhe detin, për gjithçka që vjen nga pasuria e thellësive jonaine me të cilat ai është i lidhur me një simbiozë unike.
Në thelb, poezia e tij është një poezi e trazimeve dhe dyshimeve ekzistenciale, e mungesave dhe  përjeti-meve moderne, e ritmeve të përndezura që sjellin një kontrapunt gjendjesh dhe emocionesh të denja për një poezi që buron nga shpirti i thellë njerëzor dhe shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij.
Poezia e Matos gjallon aromë lirie, aromë ndjeshmërie, mall dhe kujtesë, ëndërrim dhe klithje, trazim dhe etje. Ajo është një poezi që lexohet me një frymë dhe përjetohet po me një frymë si një zbulim, si një risi që sjell poezia e re shqipe, kudo që shkruhet dhe lexohet, në lumin e madh të poezisë së vërtetë mbarëshqiptare.

domenica 2 ottobre 2016

Prend Buzhala: Libri i përtëritjes së krijuesit nëpër kohë



PREND BUZHALA


LIBRI I RIPËRTËRITJES SË KRIJUESIT NËPËR KOHË




(Agim Mato: "Jashtë eklipsit", vjersha dhe poema, Shtëpia Botuese "Milosao", Sarandë, 2012)

Kur Josë Ortega y Gasset, filozof dhe eseist  spanjoll, e konsideronte poezinë si një algjebër të lartë të metaforave, kishte parasysh semantikën e pasur e të ndërliqshme që ajo ia dhuron lexuesit. Nuk është e habitshme, prandaj, pse poeti Agim Mato nga Saranda, në të tre librat e tij poetikë "Jashtë eklipsit” (2012), "Fundo" (2012) dhe "Lundrimet..." (2014), qëmton simbolet, metaforat e figurat tjera të detit dhe të aktit poetik, nga njëra anë, si dhe kuptimet e pasura që t'i dhuron kjo poezi, nga ana tjetër. Kësisoj, nëse te libri "Jashtë eklipsit" hasim një biopoezi, të shtresëzuar me mitet, antikitetin, historinë dhe fëmijërinë... deri te një kozmologji e pasur lirike; te libri tjetër "Fundo" përthellohen biografemat e vuajtjes (poeti ishte i përndjekur edhe për shkak të poezisë, edhe për shkak të prejardhjes familjare), shpleksen kujtime, zbërthehen poetikisht reminishenca historike... deri te një rit i përhershëm në përsëritje si apokalips kohësh.
Ndërkaq, te libri më i ri, " "Lundrimet...", vjen më e konsoliduar e njëjta botë poetike, më e nuancuar, me poetikën e imazhit, me vënien në gërshet të mitit poetik mbi gjithësinë dhe botën e misterit e të enigmave, dashurisë dhe kujtesës ...e deri te një bibël poetike e vuajtjeve... Dhe, të gjitha këto së bashku, na e dhurojnë poetikën e detit.
Kësaj radhe, në aktin e leximit krijues, po qëndrojmë te vëllimi "Jashtë eklipsit" (2012).


I tërë vëllimi i parë përshkohet, si një fill i kuq, me biografemat lirike a me njësitë motivore, ideore e tematike të jetës personale dhe të vuajtjes. Vuajtja është e shumëfishuar, ajo ther jo vetëm ekzistencën e tij, por edhe ekzistencën e krijimit artistik. Ai e ka ndërtuar murin e tij ekzistencial, por edhe murin e tij të krijimit, për shkak se arti e kryen një funksion të fshehtë, të pahetueshëm, tejet fisnik, atë të lidhjes me botën, me njerëzit:

Me dhjetra vjet jam rropatur
buzë lumit të harresës,
Urën e Poezisë ndërtoja
Të më lidhte me njerëzit,
(poezia "I murosur")

Poezia "I murosur", e sintetizon kaq bukur fatin e krijuesit nëpër dhjetëravjeçarët që po e shkruanin këtë baladë të mundshme. Tash, ata rrënuesit, nuk enden vetëm natën, por në pikë të ditës; ata janë hafije e burokratë, kontrollorë e mbikëqyrës të gjithëfarsojshëm. Tash këtë baladë legjenda po e zbriste në realitetin konkret, në legjendën e jetës e në legjendën e poezisë: i murosuri ishte vetë poeti! Ai ishte dhe ndërtuesi dhe sakrifikuesi, që fuste brenda artit shpirtin e tij, mu si ata ustallarët e moçëm të Urës së Artës. Urë që qëndron dhe i sfidon kohët e shekujt... me amshimin e me dëshmitë e saj. Agim Matos, edhe historia edhe letërsia gojore, edhe miti edhe legjenda, e interesojnë për të krijuar rrezatime kuptimore e meditative për të kaluarën personale e të përbashkët dhe për të sotmen; historia dhe aktualiteti, mitologjia dhe trashëgimia popullore, janë temat bosht rreth të cilave ndërthuren dhe shprehin interesimet krijuese përgjithësisht në letërsinë tonë. Porse Mato arrin ta thurë me një komunikim të qartë, ku mesazhi dhurohet e, nëse ai është i paqartë, i stisur nga ndonjë mjegullim metaforik, bëhet për ta zbuluar artin nën velin e së bukurës estetike.
Nuk është e rastit, prandaj, përse kjo poezi mban datat e krijimit 1974-2011... si poezi që SIMBOLIKISHT shënjon dhe rrugën krijuese gjithë mundime deri te ky libër. Tek shqiptarët flijimi zakonisht lidhet me një urë ose me një kështjellë. Siç dihej, flijimi bëhej për nder të hyjnive për të fituar simpatinë e tyre, për lidhjen e botës së përtejme me të gjallët, flijimi bëhej për shpirtin në shenjë faljeje a kërkese. Ky mit i flijimit trajtohet si tematikë në shumë vepra të letërsisë botërore por edhe të letërsisë... në romane e në poezi, në drama e në tregime. Ato kanë dhe një mister brenda, për ta ruajtur mesazhin, si një bukuri e paprekshme nga dora e ligë... Urat kanë historitë e tyre, kanë legjendat e krijimit, mu ashtu si poeti dëgjon krijuesin urtak në punë në artit:

Kështu dhe veten murosa
në brendësi të fjalëve,
 që shpirti im të lidhte gurët
 dhe fanepsjen e mesazheve.

Poeti arrin që mrekullisht ta thurë mbindërtimin e tekstit artistik mbi atë historik a gojor... Mbiteksti lirik ngërthen dhe paradigmën e tekstit gojor.
E shkruar më 1991, menjëherë pas shembjes së diktaturës, poezia "Nga kush kishe frikë, o Zot?", shkreptin nga zemërimi fisnik, por edhe nga përmasat e përbindshme të frikës. Aq pushtuese ishte kjo frikë, sa prej saj "strukej" edhe vetë Zoti që "kishte braktisur" njerëzit!
I tillë vjen pas 30 vjetësh poeti... vjen "jashtë eklipsit", a errësimeve që zgjatën së tepërmi. Gati pafundësisht! Por diçka është shembur që të vijë në duar të lexuesve edhe arti poetik, edhe shtegtimi i gjatë... Frika u shemb, diktatura, u plandos si kështjellë prej letre, vetvetiu pothuajse... por ato i shembi vuajtja që kap përmasa tejkohësh, si një vuajtje përtej jetës! Si një ringjallje shpirti!
Te e fundit, a nuk e ka këtë përmasë të së madhëri-shmes shpirti shqiptar që ringjallet, si një Konstantin shqiptar a si një Jezus i vuajtjeve biblike të besimit?!
E pra, besimi nuk u shemb, besimi njerëzor si entitet i qenies.



Kësisoj, të duket sikur poezitë, të ardhura pas 30 vjetësh, thuren nga një strategji e posaçme kundrim-reflektimi i të madhërishmes që ringjall shpirtin e poetit. Thuren si poetikë e kujtesës e ku bartës i këtij narracion-lirizmi, është vetë folësi lirik, si ideografi poetike e autorit-krijues.
Poeti zë e pozicionohet nga katakombet e kësaj kujtese, që spërndritet nga shpirti krijues. Kujtesa për kohët që u jetuan, duhet të ketë qenë e fortë për krijuesin që u sprovua e u përbirua nëpër ato ngushtica kohësh, për ta skalitur atë në trajtën më të lartë e më të bukur të thënies, siç është poezia. Kjo kujtesë jeton në ne e brenda nesh, te secili prej nesh, mbetet thesar i përhershëm, i vazhdueshëm, që shpesh e shpesh na e ringjall të kaluarën. Aty këndon gjuha e djeshme e zemrës që u dhurohet zërave të sotëm "në bunacë", a "jashtë eklipsit".
Një bashkëkohës, J. M. Barrie, do të thoshte se Zoti na e dhuroi memorien që të na e krijojë mundësinë për të pasur lule dhe në ngricën më të madhe. E tillë, alkimia lirike e memories së Matos, vjen kaq e prekshme, kaq dramatike... lozonjare, e cila nuk do që të qetësohet dhe e çon peshë frymëzimin e poetit, e kreshpëron si qenie që e bart nëpër dekada "djepin e stuhisë." "Memoria është fëmijë që ecën mbi valët e detit... e ju asnjëherë nuk mund të thoni se ç'është ajo guacë e vockël e çka fsheh brenda vetes ajo, si të ushqen nga ajo largësi me gjërat e veta më të çmueshme" (Pierce Harris). Dikur kjo memorie humb në kohë e nëpër kohë, bëhet përjetësi që zhduk kufijtë e brendshëm e të jashtëm... antika zbret në kohën tonë, e sotmja shkrihet diku te një hapësirë e largët:

Sikur qyteti me anijet
që para syve tanë shfaqet,
të jetë thjesht si një mirazh
i ardhur që nga tokë e largët.
(poezia "Bunaca", 1988)

Aty vjen lirika "Far i vetmuar në jug", ku memoria poetike spastrohet nga mbeturinat e kohës, prandaj ajo është kujtesë e përndritshme e vuajtjeve dhe dhimbjes, e përvojave të hidhura dhe i të mbijetuarve, i të ringjallurve...
Kjo poezi e tëra shndërrohet në një kozmologji prometheike-mitologjike... si subjekt a vend i harruar nga "hartat e detit”, nga syri njerëzor...duke dhuruar dritë... dhe përsëri kaq i vetmuar, tejkohshëm!
Poeti, prandaj, e shkruan, një si "program poetik" mbi frymëzimin që e vë në ballë të librit, me titullin "Mea culpa". Këtë vetërrëfim mëkatnor ai mund ta ligjërojë vetëm nga rrëfyestorja lirike, e jo nga të tjerat që e profanizojnë të bukurën; se vetëm aty gjendet altari i shenjtëruar, ku mund t'i dhurohen të fshehtat, mëkatet e pabëra poetike, për të cilën pagoi shtrenjtë.
Rikthimi nuk është i lehtë.


Mitin e Fjalës Poetike, e kërkonte dhe ende e kërkon secili njeri artist, ashtu sikundër konceptin mbi frymëzimin e studiojnë dhe dijet e fushat tjera, poetika, filozofia, estetika, teoria e arteve, teoria e letërsisë etj. Që nga Aristoteli e deri te Hegël, apo që nga ai indusi i moçëm që e konsideronte frymëzimit si një "dehje e kthjellët" e deri te koha e sotme që preokupohen me fshehtësitë e Fjalës, me këtë mistikë të poetikës së imagjinatës krijuese. E secili akt krijues identifikohet me frymëzimin, me muzën. Pra, frymëzimi identifikohet me misterin, me mitin, e shpesh identifikohet me fshehtësinë hyjnore. Dhe kur Buzuku ligjëron për fëdigën (mundimin) e të shkruarit të librit të parë, metaforikisht ai na e sugjeron se fjalët iu ngjanë mundimit të lindjes së fëmijës nga nëna. Naimi e kërkonte frymëzimin te Engjëlli i Urtësisë, kurse Fishta te Zanat Mitike e te Gurtat e Betlehemit biblik. Lasgushi ynë këtë "naturë krijonjëse" e përkufizon si "frymë", "magji-dhëmbëse", "transfigurim", "tronditje shpirtërore", "krijim i ri prej lëndës së vjetër". Së këndejmi, endëzohet një hipertekst a mbiteskt, si thamë më parë. Nuk ka poet që nuk i ka kushtuar vargje meditative Fjalës, Muzës dhe Frymëzimit... U zgjatëm sadopak te ky fenomen estetik, për ta hapur një derë kundrimi mbi frymëzimin te poezia e bukur që qëndron në ballë të këtij libri.
Kur poeti shtegton nëpër brendinë e tij, në kërkim të thelbësores, esenciales ("duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva"), ai udhëton nëpër hapësirat e paprekshme e të shenjta të një tempulli monumental, ("si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt"), aty ku ai gjen emocionin e zjarrtë dramatik e të pastër të artit ("duke qëlluar me gjithë fuqinë magmën e trashë të kohës"), apo gjetjen e të bukurës kudo përreth ("tërë ai laborator kujtese/ tërë atë punishte arti që ma mbyllën me forcë/ tërë atë alkimi të shpirtit/..."). Mund t'i ndodhë që ky kërkim ta shpjerë nëpër greminat e zhgënjimit e të vetmisë së trishtë, dhe, së andejmi, ta lartësojë drejt majave të pikësynimeve...
Ai i ngërthen brenda një hapësire të mrekullisë, realitetet e ndryshme, më tutje aty ku hapet dera për tek realitetet e hirit të perëndishëm ("më rrethoi befas frushullima mizëri/ e krahëve të dëshirave të dikurshme..."). . Poeti tashmë e ka në dorë mësimin për fluturimin e imagjinatës.
Shpirti dhe poezia janë Një: duan të jenë qenieplotë. Asgjë tjetër nuk u intereson pos LIRISË... pa program jete...sepse frymëzimi vjen "pa orar", me uturimë; mbasi gjenden në ndërveprim të përhershëm për ta gjetur shprehjen e vet më të lartë: aty e shpalos Kodin e Thelbit të vet... vjen teksti me përvojat emocionale dhe përvojat e jetës... dhe vjen, më në fund, dhurata e mahnitshme e lirikës, ai teksti suprem i frymëzimit.


Tashmë te kjo poezi zë e këndohet deti, i përthelluar e i zgjeruar me motive të tjera, do të thoshim me motive jonike, antike, mitologjike dhe historike. Më tutje thuret një lirikë arkeologjike. Ndryshe, në ciklet "Parfum leshterikësh", "Nympheum", "Qumështi i yjeve" "Home", "Tri vegime", "Kronika të Arbrit" dhe "Poema", poeti nuk ka se si të mos hedhë spirancat e tij metafizike- metaforike e semantike, nëpër këto kika kundrim- frymëzimesh. Jugu dhe Deti Jon, Saranda dhe Butrinti, nuk mund të zbërthehen poetikisht, në të gjitha përmasat e thellësive e të lartësive, as në ato të gjerësive; ato kanë vertikalen që zbret nga lartësitë në thellësitë e pafund të detit dhe antikës, historisë dhe mitit, kanë dhe horizontalen simbolike, që e thurin golgotën a kryqëzimin e kohëve, të ekzistencës e të jetës. Kanë dhe përmasën metafizike e shpirtërore...
Poeti sikur na ligjëron: në fillim e në fund të çdo gjëje e gjithçkaje, është deti. Në të tri vëllimet e  sipërpërmen-dura poetike, Mato e qëmton poetikisht detin, duke kërkuar, hulumtuar, kënduar, rrëfyer, endëzuar e thukëzuar, metaforizuar e simbolizuar, kodifikuar e sintetizuar, me një përkushtim e zell. këmbëngulshëm e me pasion. Deti, te kjo poezi, na vjen me mahnitjet, bukuritë, fshehtësitë e ambientit ujror e mbiujor...jetësor
Detit Jon, pothuajse, poeti ia ndërton një Monument Poetik. Ai është një polifoni më vete ("deti na flet me mijëra zëra"), është dhe një poliptikon imazhesh ("ullmjtë e hirtë të shpateve kullosin si kuajtë"); është dhe thellësi e magjisë metaforike të lashtësisë ("Joni, një amforë lashtësie"),
. Dhe nuk ka se si të mos ketë edhe atë elementin autobiografik, meqë edhe vetë krijuesi është nga zona bregdetare ('Ode e fëmijërisë për detin"). Vetë ky ambient jonik përreth, kështjellat, shpellat, bjeshkët, bregdeti, njerëzit, peshkatarët, meteorologu plak, kapedani plak, gjahtarët e peshkut etj janë të atij ambienti. Ato përvoja të fëmijërisë së tij e të jetës së tij së andejmi, i ka bartur në përvojën e tij poetike. Aty, te ky bregdet, lindin e krijohen kujtime që jetojnë amshueshëm, përtej kohëve, krijohen miqësi të pafund, lojëra të paharrueshme, ngjarje peshkatarësh e marinarësh,
Aventura fëmijërore për kërkime, për kureshtje të pafund për njohjen e botës së detit, peshkimit, botës së faunës dhe florës detare, toponimisë e emërtimeve tjera bregdetare. Aty spikat një identitet krejt i veçantë shpirtëror.
Së këndejmi, Agim Mato do të kujdeset që të gërmojë  poetikisht e pandërprerë historitë e këtij vendi (ciklet "Qnmështi i yjeve", "Kronika e Arbrit"), i gërmon nëpër ngjarje njerëzish, nëpër histori emërvendesh, nëpër mite e legjenda, nëpër leksikun detar, nëpër këngë e frazeologjizma popullore. Lashtësi dhe bashkëkohësi gërshetohen dhe bëhen një, ashtu sikundër janë një mitologji dhe histori, mesazhe biblike apo mesazhe poetike. Dhe të gjitha këto, te poezia e Agim Matos marrin vlera të shenjta të autoktonisë. Spiralet e kryetemës së detit, lëvizin e zgjerohen, gjithnjë duke u përtëritur, duke u freskuar e thelluar, duke e përcjellë MESAZHIN përkatës të kohës, atë mesazh të ringjalljes. Dhe DETI është ajo shtysa që e vë në lëvizje këtë mesazh të madh të ringjalljeve shqiptare e jetësore, për ta mbajtur të pashprishur atë frymë autoktonie, atë frymë përtëritëse etnie e humanizmi, pa as më të voglën urrejtje ndaj të tjerëve.
Së këndejmi, nga vepra në vepër, shkon gjithnjë në rritje e në ngjitje ajo trajektorja e emrave, leksikut etnik autokton, jonik, miteve, legjendave, kohëve...

lunedì 19 settembre 2016

Diskursi i pluhurit të artë të përjetësive



DISKURSI I PLUHURIT TË ARTË TË PËRJETËSIVE

Dr Fatmir Terziu


Mesazhi themelor i vëllimit më të ri të poetit Agim Mato, “Mjeshtër i Madh”, i titulluar “Pluhuri i artë i përjetësive” është një gravitet mendimesh filozofike që agravojnë me mendimin tek përkohshmëria e jetës. Më saktë me një kuptim se në fund të fundit, të gjitha arrijnë dhe do të bëhen si pluhuri i rrëmbyer nga era, ndërsa “pluhuri i artë”, pluhuri që ra, bie dhe do të bjerë me dashje, apo pa dashje mbi të artën e Fjalës, mbi poezinë, artin e saj të bukur të fjalës i përket përjetësive. Poezia e këtij vëllimi është e bukur, por ndryshe nga vëllimet e tjera të poetit vjen me një nuancë “trishtimi’. E kuptojmë këtë në mjaft lidhje dhe mendime, në mjaft përjetime ku vetë vargu është produkti i mesazhit të tillë të jetës nën kapakë:

“U ndesha me censorë
që sterilizonin shpirtrat e poetëve
në dobi të ca perëndive të rreme
që kishin populluar dhunshëm planetin.
Për shumë kohë penën ma sekuestruan
si një armë të paligjshme
që nuk më takonte ta mbaja.
Për shumë kohë: “Sus!... sus!”, më ndëshkonin
dhe ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pa librat e mi.”

Dhe vetëkuptohet pse kjo nuancë trishtimi është zanafillë e tillë dhe trisht në pluhurin e përjetësive, kur autorit ia rrëmbejnë jetën, i vrasin ëndrrën dhe i ndalojnë jetë-frymën e Fjalës.
Ne lexuesit e mjaft poezie të këtij vëllimi, shpesh kuptojmë atë që perënditë e rreme menduan sikur do të ishin këtu përgjithmonë në këtë planet, sidomos, ndërsa ne jemi në përhumbjen e kohërave, ose kur lexojmë ende se si disa imagjinojnë se do të mbesin përgjithmonë të rrinj. Me këtë lloj mentaliteti, është e lehtë dhe mjafton për të injoruar pasojat e veprimeve të shkuara, është e lehtë të kuptohet trishti, por është mjaft e brendshme dhe normativisht e ndjeshme tek poeti që kërkon dhe thjesht vetëm nga libri:

“Ti libër, tani, je me kapakët e akullt e të pacënuar,
me fletët e pathyera
dhe me bukurinë që nuk dua ta gëzosh tepër.
Do të lenë shenja gishtat e padurimit mbi ty?
Mollëza gishtash të mësuara me prekjen e librave,
të mësuara me pluhurin e artë të përjetësive,
me pluhurin e pergamenëve të lashtë,
a do ta venë re praninë tënde? “

Por kjo shpesh, nuk është thjesht një retorikë dhe pyetje si e tillë, nuk është vetëm arsyeja e një mesazhi për fatin e librin dhe artit të bukur të fjalës, por  mund të çojë në një lloj absurdi tjetër tjetërsues për shumë njerëz, veçanërisht kur përballen me realitetin e vdekshmërisë së Fjalës, mosleximit, librit dhe vetë vdekjes së pluhurit të artë të përjetësive kur mjafton vetëm “Hani, pini dhe të jeni të gëzuar, sepse nesër do të vdesim.” Sokrati jo më kot ka shkruar se “Të gjithë ne jemi ajo që është pluhur në erë” dhe se “Jetët tona janë vetëm cipa e pluhurit të rënë nëpër gishtat e kohës.”
Mes mjaft leximeve të Matos dhe në këtë vëllim, kam kërkuar për kuptimin më të thellë të jetës, shpesh duke kërkuar në të gjitha vargjet e përjetimet e tij, edhe pse unë kam ndjerë një lexim ndryshe, edhe pse e kuptoja poetin teksa thoshte

“Vetëtimat çaheshin brenda meje
dhe ndjeja të më shponte hundët një si erë squfuri
që vinte nga hapësirat.”  

Megjithatë, edhe pse unë vendosmërisht besoj se kam gjetur tashmë përgjigjen, kjo nuk do të thotë se unë nuk kam mister mbi ndonjë arsyetim vargor, aq shumë sa që ka të bëjë me jetën në planetin tokë, veçanërisht vuajtja dhe e keqja, të dyja që kanë ardhur nga duar sistemi, nga duar të dukshme, ndryshe nga duart që përcaktojnë dhe shkruajnë fate njerëzore ... dhe sidomos kur meditoj në univers dhe vendin njerëzimit në të, në atë botë të rrethuar nga “perëndi të rreme”. Gjendja dhe bota e njerëzve të atillë vetëm në një varg të tillë, të lirë e të bardhë, duket aq e vogël dhe e parëndësishme, në krahasim me pafundësinë e të arsyeshmeve që citohen me forcën e artit, gjuhës dhe produktit të tij në poezinë e Matos.  
Dhe provat për këtë janë si rrjedhë e pastër, si ujërat që e ndoqën dhe e trazuan vargun e poetit, por janë dhe një vetëmbydhje e detyruar, një guaskë që oshëtin vetëm për veshin e  atij që e dëgjon, por duke na rikujtuar se ishte një spirancë e fortë dhe e qëndrueshme në rrënjë të thella:

“Isha  si një guaskë e zbrazur,
e flakur mes guralecëve të yjeve,
një spirancë anijesh e këputur nga zinxhirët isha,
me hekurin e udhëtimeve të ndryshkur.

Asnjë shpresë nuk i rrihte krahët rrotull meje
të m’i zgjonte ditët me klithma gëzimi.
I mbyllur shpirti.
E mbyllur kënga.
Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt,
dhe, oh, me sa kujdes i hidhja këmbët
të mos shkelja
aty ku më prisnin greminat.”

Mato ka tentuar të bëjë arsyetimin e ndryshuar paksa me metaforën, por që bën jehonë me të njëjtën temë themelore të natyrës së përkohshme dhe brishtësinë e jetës, kur ai paralajmëron lexuesit që të jenë të kujdesshëm kur të tjerët thurrin lëvdata për planet e jetës me fatet e jetës së tjetrit:

“Po kush përpiqej ta shuante atë lëndë
që ushqeu tek ne zjarrin e madh të shpirtit,
ende të ndezur pas kaq vitesh?”

Jashtë këtyre ndukjeve të ndjeshme plot trisht për jetën janë fatet e tjera, ato që zgjojnë kujtime dhe arsye të ndershme, arsye që sillen tek dashuria prindërore, dhe sidomos tek ajo për nënën.
E këtu simbolika vjen sa reale, jetike, aq edhe Hyjnore, aq sa shpendi me të cilin ngjizet rrëfimi vargor ka produkt filozofie të arsyeshme e të ndjeshme deri në dhimbje. Është emri “Thëllëzë” që hyn në këtë memorje me rrjedhën e hershme të 1916-tës. Të atij viti që ka jo pak lidhje të tjera:

“Kur erdhi në jetë nëna ime në Moskofilin
e mbushur me bajame dhe fiq deti,
në rrugën që të çon në shtëpinë me portën
e  gurtë të Karreçajve,
u dritësuan odat e lashta nga urimet dhe uratat.”

Në vazhdim të vargut kjo është një preambulë jete, një imazh, një ndikim, një rrëfim, një simbolikë, një ushqesë, që vetëm mjeshtri me duart e tij di ta stilojë, vetëm mendja e tij di ta skalisë, jo vetëm me penë, por edhe me penel. Një produkt i bukur, që ngjan me mjaft të tjerë, mjaft perla të hershme të artit.
Arti i poezisë së Matos shëmbëllen mesazh me pikturën e Martin Schongauer, (1435-1491), me atë pikturë ku Maria ishte gjithmonë edhe një simbol i urtësisë, ashtu si edhe ajo është e përfaqësuar shpesh me librin e hapur të urtësisë. Në linja të ndryshme poetike urtësia dhe simbolika e tillë sillen mes trëndafilave dhe shpendëve me një afërsi mesazhi, referohen tek trëndafila si dhe për palma me të cilat, kuptojmë artin dhe mesazhin për cilësinë më të lartë të Njeriut, lidhjen me jetën dhe aspektin e virgjër, që jo pak herë është i lidhur me një varg të tillë poetik dhe të frymëzuar nga jeta, ose dhe nga arti i portreteve: “Unë jam rritur gjatë sa një pëllëmbë në En-Gedit,/siç u rrit shkurra e Jerikos.” Jo më kot trëndafili i Jerikos shfaqet në këtë kopsht, ku del Maria dhe fati i saj, ashtu siç edhe shfaqet thëllëza në djepin e foshnjës së posalindur kur dimë se Mato shkruan thuajse ngjashëm:

“Atëherë hoxha u ngrit e tha:
“Mos u lodhni hiç për emrin,
Perëndia, që i qofshim falë,
deshi dhe e solli
e ne dhuratën s’do t’ia kthejmë.
Thëllëzë do të quhet,
për bukuri dhe urtësi
atyre do t'u ngjajë."

Kështu emri Thëllëzë mori një bekim njerëzor, dhe po kështu Maria është quajtur shpesh “Trëndafili i Jerikos”. Tema e Marisë së ulur në një kopsht u rrit si një ridimensionim arti, edhe pse ajo është një, e përsëritur dhe e ripërsëritur, veçanërisht në mesin e arteve piktoreske gjermane. Në pikturën e Martin Schongauer, shfaqja e  Marisë është e tillë: Ajo është e ulur me foshnjën Jezu në prehrin e saj në një kopsht të mbyllur. Është e ulur në atë kopsht trëndafilash ku u rrit. Ajo është ulur si “një zambak midis ferrave”, të cilat janë më pas ferrat e shkurret ku ajo u rrit. Ajo ulet në një “kopsht të mbyllur”, siç është shkruar në “Canticle e Canticles”. Trëndafila të vërtetë rriten rreth saj në një mbrojtje hyjnore. Trëndafilat janë të kuq, ngjyra e Pasionit të Krishtit. Virgjëresha është e veshur tërësisht në të kuqe, e cila është një ngjyrë e pazakontë për Marinë. Ajo është shfaqur zakonisht me një mantel blu. Por këto ngjyra për të do të kishin qenë shumë të ashpra në krahasim me kopshtin e trëndafilave të kuq dhe të gjelbër prapa saj. Tonet e kuqe përshtaten me pamjet harmonike dhe të japin një imazhëri me një ngjyrë shumë të ngrohtë në sfondin e gjelbër. Në rrit shkurret janë zogj; këto janë zogj të artë, zogj që prodhojnë metaforën dhe produktin poetik në mjaft inspirime, zogj që në qafën e të cilëve janë kthyer sërish në të kuqe pasi mbytet nga gjaku i Jezusit në Golgota. Trëndafila të mëdhenj të kuq, në lulëzim rreth Marisë, por edhe një i bardhë i vetëm që shfaqet rreth saj, duke treguar pastërtinë e saj.
Thuajse me të njëjtin kolorit shfaqet dhe përjetohet dhe poezia e Matos, kushtuar nënës së tij të shtrenjtë, dhe në mejtimin e sipërcituar dhe tek “Mëma”, apo dhe kur ai ikën në “Virtualitet” e kërkon fëmijërinë, rininë e trazuar në bardin e detit, apo dhe në parkun e zhytjes nënujore, ku lexon dhe zbërthen vallen e pulëbardhave, dhe kur hyn me një diskurs të thellë gjerë e gjatë në kohë, hapësirë dhe vend, në limanin e ditëve tona dhe tek sheh lisat:

“Ecin. Përballë lisat
Përballë malet pak çaste pas krismave,  pas betejave
me tymin e heshtjes që ngjitet dalëngadalë mbi  kreshta.
Dëgjohen tingujt e ndonjë zileje.
Këmbët e mushkave hapin gropa të vogla zhurme
në zallin e natës.”

Dhe sërish është atje, atje thellë me zemër tek “Mëma”:

“Këtu ku jam kambanën e kishës e tund era netëve
dhe kujtoj se dikush prej atyre që s’janë më e rreh
 gjuhëzën e saj të ndryshkur.
Çohem e rri shtuara në krevatin
ku akoma s’jam mësuar
me vendin bosh të orëziut tim, duke silloisur
jetën që më mblidhet si një komb para syve.”

Se ikja është e tillë, është si një pikë ujë..., është vetë diskursi i trishtit që simbolizohet nga fati i jetës, është vetë pluhuri i artë i asaj që mbetet në përjetësi, por dihet se edhe “...kombet janë si një pikë ujë në një kovë,/ata konsiderohen si pluhuri i një peshoreje;/ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël.” (Isai 40: 6-8, 15).
            Duke përfunduar duhet ritheksuar se Agim Mato është filozofi më vete. Ai edhe tek “Pluhuri i artë i përjetësive” nuk ka prurë thjesht “Poezi” nga vetvetja dhe përkujdesje redaktoriale nga i mirërespektuari, Alush Avduli, por memorje dhe vetëm memorje në astarin e artë të jetëgjatësive. Pra, është vetë Diskursi i pluhurit të artë të përjetësive.