PROMOVOHET
KRIJIMTARIA
E POETIT AGIM MATO NË
BARI TË ITALISË
Qyteti i Barit në
Itali shquhet për jetën e gjallë letrare e artistike, falë grupit “La Vallisa”
me president profesor Daniele Giancane, poet, studiues, me mbi 50 tituj
librash. Grupi ka 30 vjet që boton revistën e tij letrare me të njëjtin titull
rregullisht çdo katër muaj. Në këto vite ky grup, zhvillon një veprimtari të
rrallë ditëve të hëna, që quhet “ E hëna letrare”, duke ftuar një poet, ose
prozator evropian, apo italian në laboratorin e vet, me një trupë të sprovuar
kritikësh e krijuesish që promovojnë në qytetin e tyre produktin letrar që
marrin në shqyrtim.
Të hënën e fundit të
nëntorit, (30 nëntor 2015) u ftuan në Bari poeti Agim Mato dhe prof. Anton Nikë
Berisha, nga letërsia shqipe. Njoftimet u kryen nëpërmjet “La Gaazzetta del
Mezzogiorno” dhe portalit “Puglia Live” ku theksohej se takimet do të
zhvilloheshin në Universitetin e Barit, në Librarinë Roma, në një nga sallat e
saj, ku mbidhet shpesh grupi i njohur dhe të nesërmen në bibliotekën e
Institutit “Gaetano Salvemini”. Në to theksohej se autori Agim Mato, me
përmbledhjet “Jashtë eklipsit”, “Fundo” dhe “Lundrimet”, të përkthyera nga
profesoresha Klara Kodra, dallohet për stilin energjik, dhe shpesh të ëmbël, që
e bën atë të penelojë me elegancë bukurinë e peizazhit shqiptar, por edhe të
denoncojë me forcë veprimet denatyrizuese të regjimit komunist, që çuan në
burgosjen e të atit, një disident politik, kur shkrimtari i ardhshëm nuk ishte
veçse tre vjeç. Gjithashtu bie në sy një qëndrim i shkëlqyer e vibrat mbi
aktualitetin dhe historinë, ku nuk mungon përçimi i fillit të mitit, si një
çelës sqarues me karakter antropologjik.
Takimet iniciohen nga profesor Daniele Giancane,
drejtori përgjegjës i revistës “La Vallisa” dhe promotor i një bashkëpunimi
midis Italisë dhe Shqipërisë.
Në Universitetin e Barit takimi u zhvillua me
studentët e shkencave të formimit, të psikologjisë dhe komunikacionit. Nicola
Accettura, poet dhe aktor, lexoi me një intonim profesional disa nga poezitë me
theks të ndjerë social, duke bërë edhe komentin e tyre. Profesor Anton Berisha
u ndal në panoramën e poezisë shqipe, me një analizë historike të saj, deri tek
poezia e sotme dhe ajo e autorit të pranishëm. Daniele Giancane vlerësoi shumë
përmbledhjen e paraqitur, me poezi të një thellësie dhe muzikaliteti me të
vërtetë të rrallë, duke e quajtur një poet të mahnitshëm.
Takimi më i rëndësishëm ishte ai që u zhvillua në
Librarinë Roma, ku morën pjesë, përveç grupit të Vallisës edhe të interesuar të
tjerë nga Bari, të cilët ishin informuar nga “Gazzeta del Mezzoggiorno”. Takimi
zgjati dy orë.
Profesor Daniele prezantoi krijimtarinë e poetit,
duke folur për jetën e tij dhe koloritin artistik. Të një niveli të lartë ishin
ndërhyrjet kritike të Gianni Palumbos, i cili analizoi gjerësisht, me njohuri
të thella motivet që merrnin shkas nga miti dhe elementet mitike që krijon nga
aktualiteti poezia. Ndërhyrje u bënë nga Angela Giannelli, Enrico Bagnato,
Renato Greco, Teodora Mastrototaro, Maurizio Evangelista etj. Si gjithmonë
Anton Berisha, me një ekskursion elegant në hullitë e poezisë shqipe dhe me
gjetjet simpatike nga lidhja e poezisë së autorin me detin, u imponohet të
pranishmëve.
Takimi i datës 1
dhjetor në institutin Salvemini të Molfettës, pas një udhëtimi të shkurtër me
tren, mbushi me mbi 100 studentë sallën e bibliotekës së Institutit. Sërish
këtu Gianni Palumbo tregoi erudicionin e vet dhe përzgjodhi motivet që u
shkonin përshtat studentëve, përzgjedhur disa prej tyre për t’i lexuar para
sallës. Ranë në sy ndërhyrjet e drejtorit të Institutit, Donato Ferarra, që me
shumë pasion u ngrit dhe i komentoi disa prej poezive. Folën Angela Giannelli,
Marco de Santis, Daniele Giancane, Anton Berisha, etj.
Agim Mato falënderoi
të pranishmit dhe u ndje i vlerësuar nga numri i madh i ndërhyrjeve, duke
shprehur se bashkëpunimi me “La Vallisën” do të konstituohet së afërmi me
marrëveshjen për botimin e antologjive poetike me titull “Poetë të Jugut”, në
shqip dhe në italisht.