“FUNDO” GJUHA E ARTIT
TË MITEVE
Fatmir Terziu
Poeti shqiptar Agim Mato i vendos dukuritë jetike,
“magazinimet” e tij të arta poetike, po aq edhe telajon me të cilën retushon
vargun modern, të lirë, pranë shpirtit të tij të mavijosur nga kohërat,
mendimeve dhe gjendjeve shpirtërore të hapësirës që flet dhe që hesht me të,
ato vargje me të cilat ato kanë udhëjetë sinonimie. Këtë penelatë artistike të
fjalës ai e realizon edhe në vëllimin më të ri poetik “Fundo”.
“Fundo” është ai që shtrydh detin “Jon”,
ai që “Pret të iki nga ky turp”; ai që peisazhon “Llogara”-në;
por edhe ai që na sjell në vëmendje “Socrealizmi”-n dhe më tej deri tek
“Gjith-përfshirje”-t.
“Fundo” është vetë arsyeja e
leximit. Arsyeja që në mjaft raste mungon. Këtu të tërheq, të gllabëron. Është
kështu se vetë fjala, apo arti i saj, kanë këtë funksion. Një funksion që
lidhet me vetë leximin e kuptimin e poezisë. E lexova disaherë poezinë tipike “Fundo”.
Pashë atë përfytyrim të bukur me të cilin, kohë më parë është krijuar një poezi
rreth të cilës debati lindi për “mitin”. Ai “mit” rreth të cilit Hegeli
iu vërvit në veprën “Platoni” gjendet në tre pika tek poezia
“Fundo”, me të cilin ky vëllim emërzohet. Këto tre pika janë si vijon:
1. Vetë nocioni i foljes së emërzuar fundo
(nga fundos) krijon një mit. Mit i cili vjen nga vetëndërlidhja e banorëve të
tokës me bregun dhe tërësinë e asaj që i lidh si mjete aspektuale të jetikës.
2. Adoleshenca është brishtësia e
pasqyrimit. Ajo është “pasqyra” me të cilën ne shohim rrugëtimin tonë të
fragmen-tuar. Kuptojmë të bukurën me syrin e “pasqyrave” të saj.
3. “Midis pinave të mëdha sa një bojë njeriu”
është mit më vete. Aty njeriu dhe shkencëtari formëzohen deri në mallëngjim.
Pra është një organizim më vete. I lexueshëm dhe i
mirëkuptueshëm. Deri në detajin më të thellë filozofik... Orga-nizim i përsosur
i artit të fjalës. Tipologjik!
Organizimi tipologjik
Organizimi i lirshëm i bashkëtingëlloreve krijon
efekt të ndjeshëm në vargjet e poetit Agim Mato. Një efekt thuajse të hershëm
të cilin e gjejmë lehtë tek Poradeci, më saktë tek poezia e tij “Gjeniu i
anijes”. Ndërsa Poradeci mbart edhe ngarkesë shprehëse të llojit imitues: “Vështroni
si shket sipër valash,/e tundet anija me nge.../...me krismë e me prush prejt
stërkalash/mi të shkrepëtiu një rrufe.”, tek poezia e Matos “Jon”
në disa raste bashkëvepron aliteracioni me asonancën e largët vargore si
përfundim i vetë vargut: “Një hap më tej fillon gjithësia. Pranë meje
-/palombarë që ngjiten në qiell,/as-tronautë që cekin fundin e oqeaneve./Një
botë fanepsjesh më rrethon./Ç’rrinte e fjetur brënda meje pë vite me
rradhë/çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe/vërshon/rrugëve të një
Butrinti që shullëhet në zgrip të hapësirave.”
Kështu ky organizim tipik i poetit Agim Mato,
është edhe një veçori tjetër e ndërlidhur me figurën e përsëritjes që ka bazë
imitimin e ndjesive të natyrës dhe të atyre që lidhësohen me qeniet e gjalla.
Ky fenomen është një tipologji poetike e radhë, ndoshta ajo që solli risi në
poezinë shqipe kohë më parë, por që tashmë me stilin tipologjik të Matos, na
jep një onomatope me karakter shprehës duke sjellë atmosferën me të cilën
lidhet kuptimi i pjesshem si
tek poezia “Llogara”: “dhe mërzejnë në pyjet e pafund të
pishave. Mbajnë/ ende një erë thellësirash, algash”. Lexo me kujdes
përsëritjen e ndjesisë (dihamës) së erës që vjen si erë thellësirash dhe si erë
algash. Pra vjen në dy përsëritje që sjellin atmosferën. Kështu mund të sillet
në vëmendje edhe poezia e Ismail Kadaresë “Vdekja e Moisi Golemit” ku
kemi përsëritjet zhurmore ‘ulurimë, kuje, lemeri’ “nën kërkëllimë zinxhirësh
frymëmarrje luanësh/ulurimë, kuje e lemeri/Gjeneral Moisi...”.
Tek poeti Mato radha e fjalëve onomatopeike
nuk është aq e dendur sa në llojin e saj tek Kadareja. Ka një frymëmarrje më të
qetë e të qartë dhe nuk vjen si një prompt imitimi zërash, ashtu si në
fakt onomatopeja krijohet. Në rastin e Matos, përsëritja mes ndjesive, krijon
një lloj zhurme të brendshme dhe lakohet në ndjesinë tënde për të kuptuar
gjithshka lidhet me këtë gjeografi mbidet, me këtë “koordinatë”
topologjike kohërash, historirash dhe ndjesish...
Parimi organizues
Parimi organizues i grupit të tingujve në poezinë
e Agim Matos, sjell jo vetëm anën figurative tingullore, por edhe melosin
poetik, aq të dëshiruar në vargun e lirë. Këtë parim që e ndeshim në vëllimin
më të ri të poetit, që nga titulli ndjejmë këtë parim në thelbin e tij
metaforik. “Fundo” i përfjetur në një sfond bojëtipk të qielltë e
të ëmbël është mbartësi jo-numerik i poezisë postmoderne, por transmetuesi më
tipologjik i vargut të lirë, që flet pak dhe saktë. Hulumtimin e këtij parimi
organizues me vargun si njësi poetike, dhe strofën si njësi kompozicionale e
gjejmë në një ndërlidhje tektonike, ku çdo strukturë organizohet dhe
transmetohet me arkitekturë të veçantë poetike. Nuk janë thjesht figura të
përsëritjes. Por ato me të cilat poeti Irlandezo-Britanik Eddie Forde në
komunikimin e poezisë së Matos në gjuhën angleze do të shprehej “unë nuk di
shumë për Jonin (Detin), por me këtë rast e ndjej aromën e tij..., kështu më
flasin të paktën këto poezi...”. Diku do të na vinte në ndihmë edhe postulati i
të madhit T. S. Eliot: “unë nuk di shumë rreth zotave, por unë mendoj se
lumi është një kafe e fortë zot-ngrysur, xanxar dhe i vështirë. . ".
(tek Four Quartets). A nuk lexohet kështu edhe Joni, Deti me të cilin na
lexohet poezia e Matos? Ngjyrimet, jo thjesht ngjyrat, artikulimet, jo thjesht
zhurmat, përsëritjet, jo thjesht imitimet, e mjaft gjëra të tjera na dedikojnë
organizmin tipologjik të vargut tek vëllimi i ri i Matos. Na ushqejnë mitet.
Më qartë poezia “Zhurmuesit televizivë”,
duke na dhënë përsëritje të tilla si “emrat, vendet, kodet, sekretet e
nxjerra./ Të vetmet prova të “paligjëshme...” na jep të plotë jo thjesht
përsëritjen me ndryshim të pjesshëm, por thelbin e organizimit të mesazhit, ku
një lloj asonance flet në qetësinë e saj më të thellë, dhe dikton në majën e
saj më të lartë: “Qytetin, nga të gjitha anët, e rrethonin zhurmuesit
televizivë/dhe mbushnin me fasha të zeza ekranet,/si dërrasat që dikur
gozhdonin portat e shtëpive,/për të izoluar të sëmurët/nga epidemia e murtajës.”
Dhe kjo ndodh në një kënd. Në një qyetet. Në një
qytet me det. Në një det me halle. Në një breg të tij ku hallet përfundo-jnë në
hekura. Pas hekurave një “mjeshtër riparimi televizo-rësh”. Dhe më tej
përmbysja e shtëpisë “për të gjetur radiot” ato mjete të pashpirta, që hëngrën
shpirtra të pafajshmish, vetëm sepse dëshironin asonancën poetike të jetës, të
cilën Mato e tipologjizon me mjeshtrinë dhe stilin e tij.
Mato na sjell kohërat në vëmendje, por i bën ato
të jetojnë gjatë në ndjesi. Në ndjesi poetike e jetike, përpos vetë mitit. Në
ndjesi që shkojnë larg e jetojnë gjatë, duke u vetëbërë mite.
Nessun commento:
Posta un commento