FUNDO
JON
Një hap më tej fillon gjithësia. Pranë meje - palombarë që
ngjiten
në qiell,
astronautë që cekin fundin e oqeaneve.
Një botë fanepsjesh më rrethon.
Ç’ rrinte e fjetur brenda meje për vite me radhë
çfryn papritur llavën e miteve të përgjumura dhe vërshon
rrugëve të një Butrinti që shullëhet në zgrip të
hapësirave.
Kuaj lumenjsh gremisen nëpër kaskada.
I dal Noes përpara dhe marr në dorëzim listën me të gjitha
speciet e tokës që mbarti në arkën e
tij.
Përmbytja zmbrapset.
Toka që kërkonte është tek unë. Faret,
me një dritë radiumi ma bëjnë me shenjë si sinjalet e një
piste aeroporti në mes të natës.
Një hap më tej është gjithësia. Këtu, pranë meje,
valët nxjerrin në breg statuja. Të mos kesh mendjen,
gremiset një kapitel drite dhe tingujt vagnerianë,
nga tendosja e telave të hapësirës, jehojnë thellë
zbrazëtive.
Mbështetem mbi një mur resh që të mos vithisem.
Vë veshin dhe dëgjoj zërin e Thamosit që oshëtin nga
anijet
dhe lajmëron se Pani i Madh vdiq.
Drithërima e liqenit Pelod atje pranë,
me një simfoni të qarash, ndihet nga bregu tjetër.
Kush jam unë? Si më braktisën kështu perënditë pagane
dhe më lanë të vetëm në mes të sirenave që fillojnë të
mbushin
radhët e koreve jonike të polifonisë ?
Një botë fanepsjesh më rrethon.
2012
PRES TË IKI NGA KY TRUP
Pres të iki nga ky trup.
Nuk mund të banoj më
në këtë karakatinë të djegur nga ëndrrat e harruara ndezur
netëve të vetmuara,
nga zjarret që kaq herë e përpinë
e gati e shkrumbuan të tërin.
Kaq herë e kam lënë të lëngojë këtë trup
në pritje natë e ditë në zgrip të kohërave, buzë galaktikave,
nën ciatjet shurdhuese të
yjeve.
Nuk mund të rri më të gërmoj
në këto qytete të groposura kujtimesh,
ku era shtyn pelenat e poezive të vdekura,
se mos gjej në togjet e mbeturinave,
një përkëdhelje të humbur, guackën nga doli Afërdita
dhe poçin e një
dritëze të shuar nga stuhitë.
Ç’u bë u bë në këtë jetë. Tani jam një lypës,
që u shtrin dorën proverbave. Ndoshta
ato do të më falin për pak kohë password-in magjik për të
hapur
Sezamin e bukurive
që vetë nuk i mbërrita dot.
Në mos sot, nesër, do ta le këtë trup.
E kot është
të rri brënda këtyre eshtrave,
të kalcifikuara nga
vitet, nga pritja
dhe hungërimat e censorëve të dikurshëm.
LLOGARA
Mjegullat flenë ditën në fund të Jonit, pranë anijeve antike
të mbytura, në Gràmata.
Tufa-tufa, të verbëra, pa zhurmë dalin netëve
për të
ngjitur Qafën e Llogarasë
dhe mërzejnë në pyjet e pafund të pishave. Mbajnë ende
një erë thellësirash, algash dhe kullosin nëpër gremina
kuturu. Ngjeshen para veturës tënde dhe fenerët e verdhë
nuk e çajnë dot asnjë metër verbërinë e tyre.
Pisha të larta e të drejta si tempuj të hirtë. Asnjë hap
s’mund të hedhësh sepse nuk dihet në ç’epokë bie.
Nuk gjen dot portën e asnjë ylli për të trokitur.
Ti e humb durimin. “A ka njeri këtu?” –
dëgjon veten të flasë. Sheh dritën e një feneri që afrohet
dhe kujdestarin e fshatit turistik alpin që vjen të të marrë.
E nëse ende je i acaruar dhe kërkon një krevat pa mjegull,
ai ta bën me shenjë të heshtësh se mos zgjuan perënditë
dhe të thotë në vesh:
” Edhe ato, në një kabinë me mjegull flenë.”
Afër mëngjesit, mjegullat, zbresin sërish në Gràmata
dhe lëshojnë vezët e tyre në fund të Jonit,
si margaritarë në mes lëndinave të koraleve.
SUBTROPIKALE
Mos fantazo më kot për krokodilë,
po ndonjë nepërke duhet t’i ruhesh.
Këtu pylli i errët e i dendur është një makth pa fund.
Po të ngresh zërin, një mori cinxujsh zhaurrijnë
dhe bëjnë bolori gjithë gjiun me ullishtat, plazhet dhe
molin që zgjatet tej.
Mos provo të shuash kureshtjen,
mos thuaj se nuk je paralajmëruar për rreziqet
nëse do të ecësh mespërmes pyllit.
Mos u fut në oborrin e madh të një fabrike të braktisur.
Të gjitha ngrehinat, të gjitha sallat i kanë përshtatur
për strehim
gjallesat dhe rrjetat e
merimangave kanë vendosur kufijtë e zotërimeve,
të gatshme për të dhënë alarmin
si në një sistem survejimi elektronik.
Atëhere përpiqu të vesh në lëvizje duart
për të mënjanuar lianet sipër teje
po deshe të orientohesh i zhytur thellë në këtë humnerë
të gjelbër.
Ke aq mend sa t’u shmangesh keqkuptimeve.
Mirë bën që vendos të ndjekësh rrjedhën e një burimi
të të tregojë udhën.
Po nuk është faji yt kur sheh se edhe ai
humbet i
tëri në një tunel bimësie
subtropikale.
Mos klith ashtu i rrethuar nga gjarpërinjtë e ujit.
Të thashë, hiqi nga mëndja krokodilët,
për t’iu ruajtur sulmit të tyre si shushunjëzat.
Ec, ec. Më në fund do të arrish tek depot ushtarake
të nxjerra në ankand.
Një erë e rëndë vajrash e armatimesh dhe hiri i zjarreve
të kontrabandistëve
do të bëjnë ta kuptosh pse bimësia e harlisur
nuk guxon të të shoqërojë më tej.
Peripecitë tani kanë mbaruar. Pas bunkerëve
të mëdhenj fillojnë plazhet, shezlongët, çadrat,
restorantet
dhe zallamahia njerëzore e shumngjyrëshme
që endet pranë teje me rroba banjoje.
Nëse në mbarim të ditës do të ecësh mbi molin e vjetër
të kapësh diellin si një galerë me vela të kuqërremta,
mos u tremb
nga tufat e pulëbardhave që ngrihen me frushullimë para
teje.
Bëj edhe një hap më tej nëse ke dëshirë që edhe vetë
të shndërrohesh në një statujë të këtij perëndimi.
Po nata subtropikale e Bunecit është një mister
që ende nuk e kam jetuar.
ERDHE VONË, HYJNIA IME
Erdhe vonë, hyjnia ime. Nga pritja e gjatë
kaq herë e modelova shtatoren tënde.
Që në fëmijëri, gërvishtja në kujtesë
skena primitive
si skenat e gjuetisë
në artin prehistorik të shpellave.
Kur m’u forcuan kërcinjtë
fillova të shkelja këmbëzbathur
si një eremit nëpër gjiret e fshehta të
detit
dhe të prisja të vije si një Afërditë e
ngjizur nga
dallgët.
dallgët.
Ishe e fshehur pas çdo gjallese
që këlthiste në vijën e largët të horizontit,
pas çdo sinjali që më jepte një yll që
binte,
pas çdo dritareje që hapej.
Çdo shtjellë ere
më mbështillej si përqafimi yt i padukshëm
dhe Ylli i
Jugut më bënte roje netëve
se mos
shkalloja.
Atëherë, me një furçë më vunë të
zografisja
muret e zvetënuara të një epoke. Kisha
frikë
ta thoshja emrin tënd. Zbrisja në Butrint
dhe fshehurazi,
dilja të të prisja në portën Skea
nga patën hyrë dikur udhëtarët homerikë.
Ulesha në shkallaret e teatrit të lashtë
se mos kapja rastësish jehonën e zërit
tënd
në mes të ofshamave të tragjedive.
Shtrihesha në qelat nëntokësore të dyzetë
shenjtorëve,
larg të tjerëve, të lëpija plagët që më
shkaktonte pritja jote.
Erdhe vonë, hyjnia ime dhe m’u desh kaq
herë
të të modeloja, si në një studio ADN-je
dhe m’u desh kaq herë të urtësoja
zjarrminë
që më kapllonte.
Erdhe e rrethuar me një luzmë drite
atëherë kur bëhesha
gati të fikja shpresat,
dhe si një amazonë e rreptë më ringjalle,
me shoqërueset e tua të përjetshme:
poezinë në një krah dhe dashurinë në anën
tjetër.
2012
PËR
Ç’UDHËTIME GATITEN ANIJET?
Ndiej një padurim të turbullt. Nuk e di përse
shqetësohem,
nuk e di pse ky trishtim i qelqët më mbështjell
të tërin.
(Di vetëm se më pëlqen, se ndihem mirë me të.)
Vërtet, përse sa herë që vjen pranvera,
sa herë që bari vesh mishin e dheut të ftohur
nga erërat,
përse sa herë që mbi det nguten kopetë e yjeve
në
shtegëtim
zemrën time e shkundullojnë frushullimat e një
alarmi
kozmik?
Jam biri i brigjeve të gjelbra, biri i rërës dhe
i detit.
Fytyrën time nuk mund ta ndash kurrsesi
nga buzëqeshja e portokalleve, nga trungjet e
menduara të
ullinjve.
E kam harruar fare ditëlindjen siç ka harruar
deti të tijën.
Nuk e di
sa vjeç jam. Nuk e di
prej sa kohësh e kam pirë këtë dritë të kaltër
që rrjedh
sipër këtij dheu të gurtë.
Kam përshtypjen se u mblodhën aromat e tokës,
gjithë dritat, gjithë rënkimet e detit,
meditimet e ullinjve
dhe më krijuan mua.
Kam përshtypjen se jam çdo gjë
mbi këtë dhè që rrahin valët.
Ç’është që më turbullon? Pse qenia ime rri me
veshët e
ngrehura për të kapur sinjalet që shkëmbejnë
xixëllonjat
me
faret e largëta?
Ç’sekrete lundrojnë në ajër bashkë me pjalmin e
luleve?
Cili Euklid u jep mësime gjeometrie zogjve të
sapolindur
që stërvitin krahët për përballimin e hapësirave
të reja?
Për ç’udhëtime të panjohura gatiten anijet?
Në zemrën time dynden mjegullat e një rrëmeti të
bardhë.
Sarandë, 1969-2012
SHILLA DHE KARIBDA
“Hapini radiot - thoshnin nën
zë të pakënaqurit -
rrëshqisni sintonitë
e tyre si mbi xhama qiellorë,
të thyera nga grindja e ideologjive.
Tani një luftë e padukshme
zhvillohet në eter,
me antena,
me valë elektromanjetike,
me radarë.
Çdo centimetër kub ajër që
thithni mbushet me fjalime,
histeri,
nota proteste, paralajmërime,
kërcënime. Çdo centimetër kub ajër
mbushet me mijëra llogore,
aq sa nuk ka më vijë fronti.
Nuk e ndieni si është trashur
ajri prej tyre?”
Mbi kokat tona shqyenin njëra
tjetrën ideologjitë.
Të vetërrethuar
ishim
përballë gjithësisë.
Kinemaja dimërore
si një arenë teatrosh antikë,
pasditeve mbushej cit më cit
me ithtarë të eksituar
që ndiqnin “proceset e grupeve armiqësore”.
Në rresht ose
një nga një i nxirrnin në arenë dhe turma oshëtinte:
“Në litar, në litar!”
dhe autoparlantet sa një bojë njeriu atje jashtë,
shumfishonin jehonën : “Në litar, në litar!”
Jepeshin pretenca e vendime dënimesh nën duartrokitje,
fajësoheshin mediat e huaja,
orientimi i antenave
dhe urdhërohej heqja e tyre nga tarracat.
Gjithë natën autoparlantët
rrufisnin të përgjumur errësirat
qiellore,
derisa membranat e tyre,
të nesërmen,
imitonin bubullimat
dhe fillonin të dridhnin
ajrin me zë të ngjirur për sukseset në aksionet vullnetare
të së dielës.
Lëviznim sintonitë, shkelnim
“grup - grup”
mbi copra xhamash qiellorë
dhe dëgjonim të çuditur Radio
Tiranën,
midis Shillës dhe Karribdës
së luftës së ftohtë,
që kuiste edhe ajo
në të gjitha gjuhët e botës.
Artikujbërës, përkthyes të
stërvitur, glorifikonin parajsën
e
“Kështjellës së Pamposhtur të Adriatikut”
dhe shkonin të ushqeheshin
me dietën e varfër të një
doktrine
që po jepte shpirt.
Tej demagogjive, duke mbajtur frymën pezull,
dallonim motoskafët që tërhiqnin pas trupat pa jetë
të moshatarëve tanë,
të bërë shoshë nga plumbat,
ndërsa egërsirat e nëndetit, të ndezura nga gjaku,
i ndiqnin deri te bankinat.
Ndëshkoheshin komandantët e radhës në kufi
dhe shpeshtoheshin alarmet. Në mesnatë
na çonin nga gjumi për të zënë në kohë
rajonin e mbrojtjes dhe shkonim të gdhinim netët e zborit
nëpër barkun e gjarpërinjtë të transheve deri te kokat
e tyre prej bunkerësh.
Atje, në mes të humbëtirave,
të rrethuar nga cinxuj të shushatur yjesh që shqyenin sytë,
të rrethuar nga shamataja e parreshtur e dallgëve,
të rrethuar nga një harrim kozmik në
vetminë pa kuptim
të netëve,
me kundragaz në kokë, si jashtëtokësorë,
shpenzonim durimin e pritjes, me vështrimin e ngulitur
nga deti,
se mos shfaqeshin luftanijet e huaja,
me dritat e shuara
në portat e qytetit.
Atëhere lufta e ftohtë,
na kishte ftohur
vetveten, si qirinjtë.
Të vetëm, atëherë,
si në një karrotrec,
atdheun
rimorkionim në udhëkryq.
SOCREALIZMI
Nuk guxova të bëhem disident. Si të tjerët
u bija edhe unë tam tameve,
hymnizoja edhe unë
bukuritë e jetës së re që gjoja po lindëte, njeriun e ri
dhe thoshja me vete duke
psherëtirë:
”Ah, sikur të
ndodhte
vërtetë kështu!”
Me kujdes zgjidhja lajtmotivet, censuroja vetveten
për të mos shkelur në dërrasë të kalbur
dhe u zija frymën ironive që më qepeshin në buzë.
Atëherë ngrica plenumesh na ftohnin eshtrat
dhe shokët tanë
përfundonin psikiatrive.
Ishte koha
kur futnin në vrimë të gjëlpërës
metaforat,
kur shfrynin krahasimet si tullumbacet,
kur vinin ustallarë të shqepnin alegoritë
dhe vendosnin kamera të fshehta në tavanet
e ëndrrave
tona.
Më flakën nga radhët edhe mua. Me librat e mi
më qëllonin
si me gurë prapa shpine,
edhe pse ison më patën vënë të
mbaja.
Heshta si bilbili në degë, kur pylli i poetëve
oshëtinte.
I lehtësuar u ndjeva nga kori i hosanave,
po disident s’u bëra kurrë.
2012
ZHURMUESIT TELEVIZIVË
Qytetin e rrethonin nga të gjitha
anët zhurmuesit
televizivë
dhe mbushnin me fasha të zeza ekranet
si dërrasat që dikur gozhdonin portat e shtëpive,
për të izoluar të sëmurët
nga epidemia e murtajës.
Kur arrestuan
mjeshtrin e riparimit të televizorëve,
më kot e kthyen përmbys shtëpinë për
të gjetur
radiot
trasmetuese që informatorët këmbëngulnin se ai
kishte,
më kot i çirreshin hetuesit të tregonte agjenturat e
huaja,
emrat, vendet, kodet, sekretet e nxjerra. Të vetmet
prova të “paligjëshme”
për pushtetin ishin
tranzistorët e kanaçet që përgatiste për marrjen e
kanaleve
të huaja televizive,
të porositura
enkas nga miqtë, që të shpëtonin nga ata zhurmues.
Ndërsa ata rregullonin antenat e
fshehura poshtë
çative,
në kërkim të një fjale të lirë,
duke ndjekur me shqetësim të rejat e botës,
të rinj dëgjonin Hit Parade
dhe flisnin nën zë për lirinë që u mungonte,
për basetat e mëdha, për flokët e gjata,
pa arritur ende
tek liria që aspironin më të guximëshmit.
Po kush i shpiku ato bubuzhina zhurmuesish
që
zhuzhurisnin dhe mundoheshin
të
vinin në karantinë ajrin që na rrethonte?
PËRPLASEM ME
HIJET
Përplasem me hijet.
Ha goditjet e tyre në errësirë.
Një vorbull e padukëshme ngjarjesh, personazhesh
ngrihet
rrotull meje si sekuencat e
përshpejtuara
të një kinemaje
bardhë
e zi, pa zë.
Vijnë e ikin me ngut si vrapi i rrëmbyer i hijeve mbi
lumë,
shushurijnë si luzmë e shurdhët bletësh. Një masë e zezë
afrohet dhe goditja është e fortë,
e pamëshirshme.
Nuk e di me ç’ajzberg kërcënues ngjarjesh jam ndeshur.
Jam
në mes të simplegadeve. Dëgjoj zhurmën e mbytur
nën ujë të shkëmbinjve që po
mbyllen për të më kapur në
rrezen e tyre. Bëj të iki,
të arratisem nga kjo varrezë gjigante e historisë ku kam
rënë.
Asnjë shkallë drite
për t’u ngjitur lartë, asnjë parmak ku të mbahem.
Dëgjoj të më thërrasin për
ndihmë dhe shkoj kuturu.
Shkel si mbi rrashta dinosaurësh
që shkërrmoqen duke
u rrafshuar
dhe ngelet vetëm hiri i tyre.
Dalloj gjurmët e Dante Aligierit para meje dhe drita
shfaqet pak e nga pak
si në daljen e një tuneli.
Vorbulla largohet,
dal pa kuptuar jashtë epiqendrës së saj
dhe atëherë nis të ulërij,
rend me një dëshirë të çmëndur të hyj sërish
tek ajo masë që tretet në hapësirë si një haluçinacion.
2012
MIQTË
Dy ditë me radhë na nxorrën nga klasat duke stërvitur
brohorimat dhe duartrokitjet tona për pritjen e “Hrushovit
të madh”. Në qiell
shihnim avionë të vegjël që kalonin mbi kokat tona
dhe shkonin të spërkatnin me helme monumentet e
Butrintit për të ngordhur gjarpërinjtë.
Më vonë (kur kishte ikur),
nëpër kafenetë e qytetit bregdetar flitej në konfidencë
për një lloj gjarpri që e kish pickuar në tru
atje në skenën e teatrin antik
dhe në vend të monumenteve,
shihte periskopë nëndetësesh rreth e rrotull.
Shqyem sytë kur na përqafoi me radhë
mësuesja jonë e rusishtes
dhe në ikje, pamë të shterrej drita që e rrethonte.
Asnjë luftanije ruse nuk shkeli më në portin tonë të
vogël dhe ne nuk shkëmbenim më
me marinarët guackat, fiqtë e detit dhe portokallet me
konservat e tyre të mishit.
Nuk do të zhyteshim më si foka
pranë skafeve të mëdha të çelikta,
që mbanin një erë të fortë katrani.
Kur erdhën kinezët,
dhjetë e nga dhjetë, njëzet e nga njëzet,
të tërë në rresht si tufa pinguinësh të shushatur,
nuk na e mbushnin më syrin,
me fytyrat e tyre prej alienësh,
dhe pyesnim:
nga ç’planet kishin zbritur,
ku i fshihnin anijet e tyre kozmike?
MARIE TUCI
Si i shkalluar, për ditë të tëra,
përsëritja emrin tënd
“Marie, Marie!”[1]
për t’u çliruar
nga makthi që më kapi
kur dëgjova për bukurinë që ta
shqyen bishat me thonj
nëpër qelira,
kur dëgjova të betoheshin me ironi se po të
bënin
shenjtore me
duart e tyre.
E makthi po më shtohej, po më shtohej, Marie.
Ata shpikën lloj lloj torturash
dhe i vunë në provë tek
dëlirësia e pafajësia jote.
E si u lodhën së pyeturi, si e humbën durimin,
të plandosën lakuriq në dysheme
brenda një thesi të madh prej lini, me grykën e lidhur,
në shoqërinë e një maceje të uritur të burgut.
Si i shkalluar dëgjoj edhe unë tani
ulërimën e bishave: “Do të të shenjtërojmë, do të të
shenjtërojmë.”
e dup-dup me shkopinj, trupit tënd (trupit tim)
e dup-dup frustohet macja, rrëshqet e tmerruar mbi ne
me mjaullimën therëse deri në kupë të qiellës,
e na mbush me çikatriçe trupin dhe fytyrat
deri sa na bie të fikët, edhe më kot ulërijnë bishat:
“Do t’u shenjtërojmë, do t’u
shenjtërojmë!”
e dup-dup shkopinjtë që nuk i ndiejmë.
Dhe s’u përmendëm as nga kovat me ujë mbi thesin
e çarë, as nga të gajasurat,
as nga shpotitë
e atyre që shkuan ta festonin në
mejhane, duke larë
duart.
Jam i pushtuar ende nga makthi i kësaj dite, Marie,
i shtrirë përkrah teje dhe kafshëzës së gjorë. Dhe rastësisht
mbijetova,
ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë
copë e çikë ateizmin tim të
dikurshëm.
Për të bërë copë e çikë mosbesimin tim
gjersa të shpalla Perëndinë time, Marie,
altarin tim,
ikonën time të vuajtjeve, Virgjëresha ime.
NËN HIJEN E AKROKERAUNEVE
Nuk kam bredhur nëpër botë për të kërkuar shpirtin e
humbur
si një Harold. Më ka mjaftuar ky atdhe ku rroj
edhe atëherë kur perënditë e rreme
e kapnin për fyti këngën time
dhe e përplasnin në harrim.
Nuk e shkova ndërmend arratinë nga ky atdhe
prej guri, prej deti, prej telash me gjemba
edhe atëherë kur këto do të bëheshin
vuajtjet e mia, burgimi im.
Nuk doja të ikte Bilal Xhaferi.
Qava kur më la në duar sokëllimën e shpirtit
me jehonën që oshëtiu gjer
në Amerikën e largët
dhe përjetë e humba zërin e tij prej laureshe.
Pse iku Kadareja nuk e kuptova kurrë.
Lëndohem kur shoh se përditë bjeret atdheu.
Përditë pakësohet e pakësohet, pa e ndier,
edhe pse të tjerë përpiqen
ta mbushim zbrazësirën sadopak.
Për sa më sipër,
nuk e dëshirova
fatin e një Çajld Haroldi
të lodhur e të penduar
nga orgjitë londineze,
edhe pse e pat lëvduar karakterin dhe bujarinë time,
edhe pse e pat lëvduar fisin tim, të kapur fort pas
shkëmbinjve
dhe ullinjve
nën hijen
e Akrokerauneve.
GRUA
Ndieja brinjët të më dhimbnin.
Ofshaja ditëve, netëve rrija pa gjumë.
Më vinte zor t’u qahesha mjekëve,
t’u nënshtrohesha laboratorëve.
Ditë e natë. Në një moshë sa perëndia.
Po kur pashë siluhetën tënde
të brishtë, të imët, të dilte
nga brinjët e mia
dhe të fanepsej para meje
duke humbur në mes të turmës,
u vura të të gjeja ty,
në mes të atij rrëmeti
me plagën time të hapur,
gjersa e pikase dhe e qetësove
atë llavë që përvëlonte.
Në një moshë sa perëndia
u bëmë të dy të perëndishëm.
FUNDO
Në adoleshencë merrnim
fundo[2]
dhe rrëshqisnim mbi barin
e funddetit
si tufat e peshqve që
nxitonin të trëmbura
para trupave tanë.
Peshqit shpërndanin
ca cërka drite vezulluese
nga luspat e tyre
dhe fillonin të na
buçisnin veshët
nga të rrahurat e zemrës
së madhe të detit.
Duk - duk, duk - duk
dëgjohej
atje poshtë
gjersa ngjiteshim sërish
për të marrë frymë
dhe sërish të zhyteshim
në atë xham të lëngshëm
haluçinacionesh,
të gjenim se nga vinte
ajo oshëtimë
brënda mushkrive të
pafundme të detit.
Hetonim me kureshtje
thellësirat,
dhe ndienim sipër kokave
tona
të lundronin hijet
e barqeve të
anijeve.
Netëve gjumi na
zinte sërish në thellësira
duke shëtitur në qytetet
e nënujshme
së bashku me delfinët,
që s’e kuptonim
si shndërroheshin para
nesh në sirena.
Ato na bënin me shenjë
dhe ne i ndiqnim përmes
magjirave të detit,
midis pinave të mëdha sa
një bojë njeriu
që hapeshin dhe shihnim
të vezullonin
margaritarët brenda tyre
si në pallate të
koraltë...
dhe kur u
afroheshim sirenave,
duke mënjanuar meduzat,
dallonim të habitur
fytyrat engjëllore të
shoqeve tona.
SA HERË
Sa herë kam zbritur me nxit
për të shuar zjarrin e madh të ndjenjave,
o det, tek ti.
Sa herë më ke folur me mijra zëra
duke oshëtitur nëpër tërë qenien time
gjersa ndjehesha i çliruar
dhe i mbushur me kthjelltësi.
ÇUF – ÇUF
Kthehem në shtëpi, var në korridor xhaketën e rënduar
nga lodhja e ditës
ndërsa nga kuzhina dëgjohet çuf-çufi
i tenxheres me presion
si një tren që mbart prej vitesh jetën tonë.
Mbrëmja tani është një divan ku dremis i rrethuar nga ky
refren,
si një udhëtar filmash western.
Televizori është ndezur tre hapa më tutje
dhe nuk e kuptoj se cili film luan tani
brenda qenies sime.
Çuf-çuf, çuf-çuf ky
tren me rrapëllimën e hekurt përpin
ankthin e një kohe plot rreziqe,
me personazhe të zhurmshëm,
që hipin e zbresin nëpër stacione,
duke lënë prapa ofshamat e murrme
të shtëllungave të tymit.
Herë herë udhëtimi ngec.
Banda me maska u venë tritolin shinave,
sulmojnë Komisariatin, nga duken policët që ikin nga sytë
këmbët,
duke hedhur
pistoletat,
duke fluturuar në erë kapelet,
sikur papritur një asteroid përplaset në tokë e u sulet me
masën e
përbindshme të flakëve.
Bastisen repartet ushtarake
dhe sheshet
mbushen me një shtresë gëzhojash e xhamash të thyer.
Ekipe televizionesh me emër vijnë nga larg,
marrin në intervistë “rebelët” dhe i paguajnë të gjuajnë
kuturu vendstrehimin e perëndive, duke bërë stand up,
si në një sfond
lëkurkuqësh.
Gjithçka tani është në dorë të tyre. E kot ta them
si dështon, si shfryn tentativa
për rivendosjen e rendit dhe të dërguarit e shtetit
shkrumbohen të gjallë në emër të një absurdi!
E kotë të zgjatem për anijen e mallrave
që mirret peng në mes të gjiut
dhe nuk lirohet gjersa të dorëzohet shuma me gjobën e
kërkuar.
Po unë asnjë pikë loti nuk po derdh
për milionat e grabitura të bankave!
Vetëm tani që shoh
bibliotekën e qytetit të digjet fundemajë
vrapoj në ethe, më merret fryma
dhe ulërij për vithisjen e këtij tempulli.
Prek hirin në trajtë fletësh të mijëra e mijëra
librave
dhe shoh të gëlojë poshtë gishtrinjve të mi
flaka e mekur e shpirtërave të tyre. Pak erë të fryjë
dhe ajo flakë rindizet si një dhimbje
për t’u ringjallur nga hiri.
Çuf-çufi hesht. Zbres nga ai tren vitesh,
dora e sime shoqe fik televizorin, më tund në supe,
afron një pjatë dhe më pëshpërit: “Po ftohet...”
“Kush?” - them unë.
ARKA E NOES
Ndëshkimi erdhi. Në një karantinë të stërmadhe
ujrash ishte vënë toka,
për të dizinfektuar e shpëlarë nga veset
banesën e dikurshme të njerëzimit. Asnjë pipëtimë,
mbi Ujanën e pafund. Asnjë barkë
e vetmuar mbi të.
Vetëm
Noe pat shpëtuar
me Titanikun e tij të lashtësisë,
300 bërryla
të gjatë, skicuar
e ndërtuar sipas porosive hyjnore.
Kapiten Noe inspektonte çdo ditë çiftet e specieve
që duhet të shpëtonin
dhe rezervat e zahireve të udhëtimit.
Kur kishte nge, kundronte nga bashi qytetet dhe faltoret
e përmbytura që rrëshqisnin
atje poshtë
dhe orientohej nga gjurmët e karrove të dikurëshme.
Ishin rrotulluar sa e sa hëna,
kur Zoti, kishte hapur
të gjitha burimet e humnerës së madhe dhe dritaret
qiellore vollën për njëqind e pesëdhjetë ditë me radhë
Ujanën
ndëshkuese. Kudo,
ca peshq të mbufatur guvash ishin strehuar
nëpër sallat luksoze të pallateve mbretërorë,
në palestrat sportive e deri te pusetat e rrugëve.
Bibliotekën gjigante në Ninive me librat e saj prej
tjegullash e kishte mbuluar rëra. Noe ëndërronte
ta rihapte kur Ujana të
zmbrapsej
dhe poetët, të përjetësonin në të biografinë e tij
me emrin
e vjetër Up Napishtimi.
Ishte zotuar se do të krijonte
njerëzimin e ri, të virtytshëm.
Tre djemtë me gratë e tyre kishin filluar
të punonin në anije për riprodhimin
sipas shëmbëlltyrës së re. Ligësitë,
pabesitë ishin tretur
atje poshtë dhe s’kishin
nga ngjiteshin deri këtu në çastin e ngjizjeve të reja.
Edhe çiftet e gjallesave, si në një kovaleshencë
kruazierësh, pranë magazinave me bar,
projektonin shumfishimin e tyre.
300 bërrylshi lundronte në një vetmi ulëritëse.
I shqetësuar nga lindjet e para,
Noe lëshonte pëllumbat për të parë në se dheu fillonte të
lirohej nga ujrat,
e ata ktheheshin
të lodhur në kuvertë. Bënte sërish llogaritë
e zahireve
dhe përpiqej të ekonomizonte rezervat.
Po në të shtatëmbëdhjetën ditë
të muajit të shtatë,
siç profecia e kishte parathënë,
Titaniku ndali mbi shkëmbenjtë e malit Ararat.
Nën këmbët e tyre u shfaq Bota e pastruar
nga mëkatet,
u shfaqën lëndinat dhe pyjet e virgjëruara sërish
sikur të kishin lindur befas nga asgjëja.
Dhe Noe gjashtëqind e një vjeçar, siç rrëfejnë,
kishte ende energji të mbante rregullin,
të ndihmonte
elefantët e rinocerontët
se mos rrëshqisnin nëpër
portën e pasme të anijes,
të pamësuar kaq kohë me të ecurin,
të kontrollonte shpesët nëpër pupla
se mos zbrisnin me ta
edhe fara e së ligës si
pleshtat,
të shoqëronte me delikatesë ujkun me delen të miqësuar
nga
udhëtimi,
të ngazëllehej e t’u gëzohej të bijve atje lart në kuvertë
tek lëviznin drejt horizonteve krahët e tyre me ca
shenja të habitshme.
Po si ta merrte me mend, i gjori plak,
se në ato çaste,
bijtë e tij, Simi, Hami dhe Jafeti,
ende pa shkelur tokë,
grindeshin
duke ravijëzuar kufijtë e perandorive të nesërme?
Noe ndihte i qetë kafshët pa u menduar se të tjera
profeci
do të lindnin,
të tjera kataklizma do të projektoheshin,
dhe udhëtimi i tij biblik do të ngelej një eksperiment
i dështuar i Perëndisë.
2012
JUSUF GËRVALLA
Kur u dëshirova të vija tek ty, dyert e kufirit
u përplasën
para meje.
Ata që do të bëja shokë
vriteshin nëpër rrugë.
Dhe gjaku sërish u përzie
me qelqet e ditëve të tua të thyera,
me
shkrumbërat
e netëve të tua të djegura.
Kur do të bujtja në shtëpinë tënde
për të të kthyer vizitën
më ndalën te porta
dhe këngën që mbaja në buzë ma akuzuan,
sepse ishte kënga që këndoje edhe ti,
ajo këngë që e këndojnë të gjithë në gjuhën e
vet,
në
shpirtin e vet.
Dhe sëpata, që e mprehën tinëz,
hyri sërish në pyllin e rinisë sate,
pa e ditur si harliset një pyll pas krasitjes,
pa e ditur si bëhet më e pamposhtur dëshira për
të mos
qenë
më i huaj
në
shtëpinë tënde.
Limjon, 1982
ALI PODRIMJA
Bard i lashtë, që shtegtoje në
kuvende poetësh,
i zbehtë e i shkujdesur nga
kujtesa
dhe përplasja e meteorëve. Ditë
më parë ishim
të shushatur
para teje
kur mbërrite në
netët tona jonike,
duke hequr zvarrë lumin e një
dhimbjeje të shurdhët.
Ngatërroje linjat, stacionet,
ngjiteshe në një epokë tjetër,
shetisje kuturu nëpër pavione galaktikash,
spitalesh.
M’u kujtua ajo profecia kur
thoshje:
“Do të hyjmë në Paris”,
pa e kuptuar atëhere këmbënguljen tënde
që ëndërrat e Lumit
t’i varje në krahët e lejlekëve,
pa e kuptuar pse nxitoje marramenthi
metrove,
dhe përsërisje:
“nuk do të shkelim
asnjë mizë
nuk do të trembim
asnjë zog
nuk do të derdhim
zjarr vrer
mbi kokë të
njeriut”
Qysh atëhere
ne, poetët,
asnjë shpese e shprese nuk deshëm t’u
këputej fluturimi,
as një fije bari nuk deshëm t’i prekej
blerimit,
dhe natë e ditë u vumë përkrah teje të gërmojmë thellë
shpirtrave tanë,
të gatshëm që të nxenin lumenjtë e fatkeqësive
që shkaktonin tiranët.
që shkaktonin tiranët.
Bard i lashtë që shtegtoje në kuvende
poetësh,
nuk e kuptuam si na ike sërish drejt Francës
dhe le pas shpine, siç e pate profetizuar,
netët ballkanike, vallet, këngët,
baladat, përrallat.
Vetëm fyellin ta gjetën të
ngrohtë ende
nga malli i pashuar i tët
biri,
kur paskëshe humbur në rrethinat e Lodeve.
FATMIR TERZIU
Që të jesh fatmir, duhet të gjesh një terzi. Dhe
terziu,
me emrin Fatmir,
është diku në Londër. Veçse nuk ka nevojë të shkosh
aq larg
në këto kohëra të kibernetikës për të marrë masat
e një kostumi
në rrobaqepsinë e tij virtuale me tabelën
“Fjala e lirë” te porta.
Me metrin shirit hedhur krahëve, me shënjuesin në dorë
dhe lapsin te veshi,
orë e çast pret myshterinjtë e ardhur nga larg -
një ushtri poetësh ilirikë -
me shijet e tyre të çuditshme, me tekat dhe huqet,
me xhinglaminglat e retorikave, të stileve, metrikave. Në
vitrinat e tij
sheh të varura kostume gjithfarësh,
një laryshi shijesh e përceptimesh
që pak syresh i ngjajnë njera - tjetrës. Ti shkon me detet
e tua të mbështjella rolo nën sqetull,
bashkë me qiellin tënd me gjithë organikën e ndërlikuar
të kozmogonisë,
me një dosje ku ke palosur Bjeshkët si në librat
tredimensionalë për të vegjëlit,
me pyjet e ndjenjave të tua që oshëtijnë,
me hajmalitë e ëndrrave që ëndërrijnë
dhe përpiqesh të dimensionosh
në shtatin tënd kohën.
Ai të tregon ca katalogë të mëdhenj të “Qepjes ndryshe”
ose “Kritikës ndryshe”
dhe atëherë e kupton se nuk është terziu Fatmir që të qep
kostumin,
por je ti që duhet ta përsosësh atë në pasqyrat e mëdha
të këtij
dyqani virtual.
2012
ANDREA ZARBALLA
Kur pres Andrea
Zarballanë për të pirë kafen,
gjithmonë më duket sikur
ai niset nga lashtësia për
të mbrritur
tek unë.
Vonon pak, sa të këmbejë
dy llafe me Ezopin,
një sentencë me Kavafisin
deri sa shfaqet te kthesa e bulevardit buzë detit
me flokët e tij prej
pulëbardhe
dhe sytë si një diell i
qetë mëngjesor.
Ato sy shkrepëtinin
dikur. Papritur e papandehur
atë dritë, pas së cilës
ishte marrosur,
ja mori Meri Zangali,
si për të feksur rrugën
për ku ishte nisur.
Ja mori, ndoshta, sepse
atje ku shkoi,
ajo nuk mund të qetësohej
dot pa atë dritë.
Ka njëzet vjet që Andrea
gatuan për Merin
në kuzhinën e vetmuar
dhe u përgjigjet
telefonatave të djemëve nga larg,
me zë të lartë, aq sa e
dëgjojnë edhe fqinjët.
Ah, sikur të shfaqej edhe
një herë
zëri i saj nga ana tjetër
e telefonit
dhe t’i kthente gjithë
mobiljet rreth tij
në pemët e lulëzuara të
Llazatit.
Përhumbem edhe unë,
ndërsa Andrea, më uron
mëngjesin
dhe bën sikur ka mijëra
vjet që jeta rrjedh e tillë,
sikur ka mijëra vjet që
ne, te kafe “Riviera”,
në vend të cigareve
këmbejmë poezitë në
gjuhët tona -
unë si një De Radë,
ai si një Kavafis.
KËRKOJ NDJESË
Pesëdhjetë vjet ai redaktoi librat e të tjerëve
si qukapiku i një pylli, që çukiti në çdo pemë,
duke i pastruar nga larvat parazitare
e nga vemjet e fjalëve të huaja.
Ende i ndjej ato çukitje në trungjet e librave të mi.
Emri i tij i vërtet nuk shënohet në libra,
vetëm tek porta e shtëpisë është një tabelë
ku shkruhet : PANDELI KOÇI.
Po ai mori emrin e një ishulli,
mbiemrin e një mali të gjelbër mbi çatinë e vendlindjes
dhe hyri në pallatin e letërsisë si Sazan Goliku.
Ai bujt çdo verë në Sarandë, si mik i imi,
në një zyrë të vogël, të shtëpisë botuese “Milosao”,
shkon në Prishtinë si mik i Ibrahim
Kadriut
e Ramadan Mysliut,
në Tiranë e gdhin netëve me Agim
Gjakovën,
në Shkup me Nehat Sopajn pijnë kafe nën hijen e Antinjës
së Skënderbeut
dhe sipër, në kalanë mbi det, me Hajro Ulqinakun
e moçëm kuvendon...
I kërkoj ndjesë që nuk arrita
në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes
e për këtë arsye po i shkruaj këto rradhë
e për këtë arsye po i nis me e mail
një foto gazmore shkrepur në verën e shkuar,
ku duket si një fëmijë i fshehur
në zgavrën e madhe të një rrapi
e po i shkruaj diçiturën:
“E, kalamaj-o, më gjeni dot?”
FJALËT E TUA
Fjalët e tua
janë si një mur i rrëzuar
që më ka zënë rrugën.
Rrokullis një shpifje,
sheshoj një thashethem,
i dredhoj një intrige
dhe sërish s’më nxe
ky shteg i hapur.
Sikur asgjë të mos ngelet
nga fjalët e tua mbi udhë,
pesha e tyre rëndon
sa një mal brënda meje.
GJITHËPËRFSHIRJE
Kush tha se ikën të djeshmit?
Të përfshira në një garë frenetike,
gjithë mediat, të të gjitha ngjyrave,
të shkruara a vizive,
servirin në një pjatancë memuarësh,
menunë e krimeve të tyre,
me pabesitë, komplotet,
e deri te rrëfimet e vejushave
të rëna nga vakti,
me fotot e mëdha në faqet e para:
Një thriller i pafund delirantësh
i rikthyer
për të frustuar kujtesën këtij populli.
Kush tha se ikën?
Të papenduar shfaqen
me një luk të ripërtërirë,
ndërsa bijtë e tyre
janë gjithmonë një hap përpara
për të kapur sërish kuotat
e humbura të etërve.
Të përpiktë në leksione
demokracie,
përhapin rreth vetes
një dritë gjithpërfshirëse.
Vetëm ne na kërkojnë
certifikata virgjërie.
[1] Lindi
në Ndërfushaz (Rrëshen-Mirditë), më 12 mars 1928. Shkollën e mesme e kreu tek
Motrat Stigmatine në Shkodër. E re dhe e bukur, ajo ra në sy, si aspirante në
jetën stigmatine. U arrestua më 10 gusht 1949 dhe pas torturave çnjerëzore vdiq
në Spitalin e Shkodrës më 24 shtator 1950. Është një nga 40 martirët katolikë
të Shqipërisë
[2] Fundo - marr fundo, zhytem
në fund të detit
Nessun commento:
Posta un commento