........

lunedì 15 ottobre 2012

Timo Mërkuri: Kur flasim për "Artin Jonian"

Kur flasim për “Artin Jonian” 
Timo Mërkuri


Duke lexuar  librin  “Jashtë eklipsit”, duke medituar mbi ato poezi dhe poema, shumicën e të cilave e kisha lexuar edhe më parë, ku kalimthi e ku mendueshëm, varg pas vargu e poezi pas poezie,  po skicohej tek unë mendimi se duhet folur për Artin Jonian, ndoshta duke nisur që nga ky  libër. Kjo për faktin se edhe mendimet dhe konturimet e profilit të këtij arti,  tek ky libër janë “jashtë eklipsit”.
Unë nuk kam ndërmënd të hartoj ndonjë manifest apo traktat teorik për Artin Jonian, edhe për faktin se nuk jam teoricien letërsie, por  disa mendime të lindura gjatë leximit dhe të ballafaquara  në kohë, e ndjej si domosdoshmëri ti shpreh.
1-Ka ca kohë  që shprehja “Arti Jonian” ka fituar të drejtën e qytetarisë, jo vetëm nëpër biseda krijuesish, por edhe në median e shkruar dhe atë të folur, gjer në atë shkallë, sa që, me  të drejtë mund të flitet për një drejtim, rrymë, shkollë letraro-artistike me karakteristikat dhe veçoritë e saj. Fakti i egzistencës së një   shoqate  në Sarandë, me emërtimin “Klubi i Krijuesve Jonianë” dhe organi i saj letrar “Arti Jonian”, janë elementë plotësues në temën dhe idenë time për këtë shkrim. Jo vetëm kaqë,  por mund të themi se emërtimet e  mësipërme, si të Klubit ashtu dhe të Revistës, organ i saj, janë rezultante  dhe konkluzione të  kësaj teme, rrahur miqësisht nëpër biseda krijuesish, në takimet a promovimet letraro-artistike apo edhe nëpër bisedat në shëtitoren e qytetit, mbrëmjeve.
2-Të kuptohemi, nuk e kam fjalën këtu për “kulturën jonike” të antikitetit grek , por flasim për një botë kulturore moderne:
a-gjeografia e të  cilës,  shtrihet në disa shtete që lagen nga ujrat e mesdheut në tërrësi dhe kryesisht të Jonit, në veçanti duke përfshirë në të Shqipërinë Jugore, Italinë Jugore dhe Kalabrinë në veçanti, si dhe Greqinë Veriperëndimore dhe Qipron..
Është tjetër temë fakti  që kontaktet me njeri tjetrin këto shtete i kanë patur, herë herë  shumë të kufizuara, ose herë herë shumë “inatçore”, tipike “ballkanike”.
Kjo se ka penguar faktin që,  tejë klimës së acartë ndërshtetërore, nga të dy anët e piramidave, të çelnin dhe aromatizonin  ajrin të njëjtët trëndafila, apo që  në mes të luftanieve, që e shihnin njera-tjetrën me grykë-synë e topave, të  fluturonin pulëbardhat krahëëndër e ngjyrëpaqe.
b-hapërsira jetike e lëvizjes e së cilës nuk kufizohet nga  vijat e kufive shtetërorë. Piramidat dhe klonet ndajnë shtetet, ndajnë kontaktet fizike të  popujve, por nuk i ndajnë dot kulturat dhe artet, aqë më tepër kur ato kanë të njëjtin shtrat lindjeje.
Jo vetëm kaqë, por ndodh që kulturat dhe artet janë urat e para të miqësimit të popujve, kombeve dhe shteteve. Ballkani ka plot shëmbuj miqësimi të tillë.
c-datëlindja e së cilës nuk matet me vite e dekada, mandje mund të themi se ajo s’ka “lindur“ e tillë, por është   rritur ( dhe ritet çdo ditë) si e tillë, ashtu si fëmija që lind si fëmijë, por rritet si vajzë e bukur a djalosh çapkën.
ç-shikimin e tij plot dritë e ka drejt të nesërmes, pavarësisht se mund të jetë duke të folur për të djeshmen a për të sotmen.
3- Artin Jonian , unë e kuptoj si një hapërsirë të kaltër deti nëpër vargje ( prozë, pikturë a muzikë), plot jod e  lule të vockëla ulliri, që ndjell paqen edhe në mes të  rrebeshit, qoftë ky rrebesh lufte a ndonjë lloj tjetër.
Fjala poetike e Artit Jonian është si një pulëbardhë, që me lojën e saj nëpër e mbi valë, tërheq shikimin e meditimin, qoftë të një djaloshi të dëshpëruar  në fundbotë, nga dhimbja e refuzimit të dashurisë së parë, qoftë edhe e luftëtarit që shkon a vjen nga lufta. Kësaj pulëbardhe i ka hije të fluturojë mbi kryet e …lavdisë me një degë ulliri në sqep. Dhe në qoftë se  nuk mban  degë  a gjethe ulliri, atëherë ne i afrojmë një varg poetik, të kaltër si qielli dhe si shpirti jonë, të bukur si ëndra jonë, të patjetërsueshëm si ne vetë.
Të kultivosh Artin Jonian duhet:
- të jesh i madh sa bota joniane, të jesh fqinj(shpirtëror më shumë se fizik) me Poseidonin ( diku midis qytetit të Sarandës dhe Korfuzit, në thellësinë 5 mijë metra, thuhet se e ka selinë)
-të zgjosh te valët e detit Afërditën çdo mëngez (diku pranë ish Gurit të Madh, te plazhi i  vjetër  e ka patur tempullin e saj, ku detarët i blatonin dhurata)
- te  zhurma e kallamishteve, diku në Butrint, të dëgjosh vajin e Siringës a të Nimfave për Panin e Madh dhe të kesh kujdes mos trazon qetësinë e Amazonave monovise (me një gji) te fusha e Kerstrinës.
-ti lëshë në qetësi kodrat e Hermesit (Eremecit) mbi Sarandë dhe të soditësh  Zeuzin kur qëllon nga Maja e Vetëtimës me rrufetë e tij apo kur i pëshpërit Herës fjalë dashurie me fëshfërimën e lisave të Pilurit…(Prandaj kemi shumë këngë dashurie ne pilurjotët).
-të kërkoni bashkë me mua varin e Ankizmit, babait të Eneas, vdekur e varosur në Sarandë , prej nga mori edhe emrin qyteti Ankizmit (Onhezmit- më von) etj. etj.
-Duhet patur kujdes në Sarandë, miqtë e mi. Po të lëvizësh një gur, nën të zgjohet një legjendë, po të mënjanosh një shkure në breg, mund të soditësh një nimfë, sirenë a ndoshta vetë Afërditën.

                      ”Këtu po të gërmosh
                       të duket se do prekësh dorën e një statuje
                       zgjatur drejt teje për ndihmë”

 pohon Agim Mato në një poezi të librit Jashtë eklipsit.
-Por ajo që ka më shumë rëndësi dhe që ka krijuar atë klimë specifike arti jonian, është fakti se të gjitha këto legjenda flasin për paqe, mandje edhe për pendim për luftërat e djeshme, flasin për qetësi e dashuri, mirëdashje e mirëkuptim dhe për shumë dhimshuri, qoftë edhe për Enenë, luftëtarin e çartur të Trojës, që këtu ka ardhur ti japë  vendprehjen e fundit të jatit. Prandaj është dhe pa shpatë. Ndoshta “ja dha” Virgjilit t’ja shpinte në Itali, ku e prisnin beteja të reja, duke lënë të nënkuptohet (ëndrahumburi) se, në këto vise, “ku kanë lindur perënditë” (sa shumë legjenda antike dhe të reja ka në brigjet joniane), njerëzit  duhet të jetojnë paqen e ...perëndive.
-Të kultivosh Artin Jonian do të thotë ti ngresh hymn jetës në mes të mortit, ti japësh frymë paqes në zgrip të luftës, të ngjyrosish me kaltërsinë e detit shpirtin e njerëzve, të mbjellësh në jetët e tyre një… ulli, pavarësisht se prej tyre mund të kesh hequr …të zitë e ullirit.”A e dëgjoni zhaurimën e një hymni që ngrihet sipër tyre”Pyet e spret përgjigje poeti Agim Mato te poema Ullinjtë.
-Te zemra jonë fillon deti, te zemra jonë fillon Arti Jonian dhe prej këtij det-arti ne nisim nëpër botë vargjet tona si pulëbardha.
-Te Arti Jonian rinë lirshëm legjendat e djeshme dhe marrëzitë e  dashuritë e sotme.
-Aty ka vënd për lavdinë e heronjve famëshumë, siç ka vend nderi dhe për  atë  puthjen e parë, të pafajëshme e të papërsëritëshme në magjinë e saj, të adoloshencës.
4-Në shkrimin e tij “Art-organika e poezisë së Agim Matos” prof.Fatmir Terziu bën një zbërthim mjeshtëror të asaj që unë do ta quaja “Pamje anatomike e poezisë së Agim Matos”. Mjeshtërisht miku ynë zbulon dhe  tregon   jo vetëm “trungun, lulet e gjethet e pemës poetike ( po të binim dakort që ta quanim kështu) por edhe rrënjët e kësaj poezie , mandje edhe “shkëmbinjtë që kapërcejnë këto rrënjë”. Unë e kam përshëndetur sinqerisht këtë analizë shkencore dhe vijoj ta rilexoj me kënaqsi, por tani  që i hyra këtij shkrimi, më duhet të them se miku ynë ka haruar një gjë pa treguar. Dhe pikërisht ka haruar të tregojë “ushqimin” që depërton nëpër këto rrënjë  arti dhe na jep atë lulim aqë të bukur poetik.
Në qoftë se më lejoni, unë do tju them se edhe bletët  mbledhin nektarin e luleve, por ndryshe është nektari i luleve të malit të Çajupit, psh  ku mbizotërojnë  disa tipe lulesh dhe ndryshe është  nektari i luleve të Malit të Sopotit, lule të cila janë të ndryshme nga ato të malit të Çajupit. Dhe për pasojë edhe mjalti i  prodhuar nga  bletët që mbledhin këto dy lloje nektari është i ndryshëm, edhe si aromë, por edhe si vlera kurative. Për vlera ushqyese flasim herë tjetër.
Atëherë le të shohim se ku, në ç’male a në ç’fusha  e “ka mbjellur pemën poetike” Agim Mato, për të  analizuar ushqimin që depërton nëpër  rrënjët-nerva.
5-Te poetët sarandiotë, ajo që të bie në sy menjëherë, është  fakti se  kanë një stil dhe një botë poetike të tyren, të dallueshme nga  poetët e tjerë të trevave të ndryshme shqiptare.
Nuk është vargu karakteristik, ajo që na dallon. Përgjithësisht  përdorim një varg të shkurtër, të lirë dhe të thyer, që të kujton përthyerjet e relievit bregdetas mbi  Detin Jon. Përmes një sintakse të goditur dhe një metafore fine, depërtojmë te zemra e lexuesit dhe gdhendim mesazhin e tyre. Por edhe vargjet e rregullta apo vargjet gati homerike (N.Kacalidha) janë relieve të  poezive të shokëve tanë.
Por jo, nuk janë vargjet, ato që i dallojnë, duke  i dhënë secilit profilin e vetë..
Është ajo hapërsirë e kaltër, gati qiellore,  plot yllësi metaforike apo plot njelmësi detare, ajo që të fton ti lexosh dhe rilexosh  dhe të pyesësh veten se nga vjen kjo ngrohtësi në këto poezi, në këto rreshta proze apo ngjyra pikture.
Ata, ngado që venë, detin e marin me vete. Kuptohet  se  jemi pjesë e detit dhe se deti fillon te zemra  e tyre, për të vazhduar më tejë, nëpër brigje. Por ata, gjithsesi e marim detin me  valët e stërkalat e tyre, me aniet e sanallet e peshkatarëve, me pulëbardhat  mbi valë e myshqet në fund të detit.
“Gjithë ditën fjalosemi me detin” pohon poeti për të deklaruar te Ode e fëminisë, fq 59, se :     -Jemi ende fëmijët e tu të përjetshëm/shtangur para magjive jonike. Figuracioni  detar vijon pothuaj në të gjitha poezitë dhe ajo që është më e bukura është fakti se nuk krijon asnjë monotoni,përkundrazi, krijon një bukuri detare, të admirueshme, ashtu si valët që përsëritin njera tjetrën, duke qënë dhe aqë të ndryshme nga njera tjetra. “Valët u ngjirën duke folur” dëshmon poeti lidhjen organike me detin .Por deti ska vetëm figuracion  dashurie por edhe dhimbjeje:

                  “Shkëmbinjë e nënujshëm të luftës së klasave
                  na e përmbysën barkën e dashurisë.

thotë poeti te poezia Dashuri e vdekur.
 Idenë e lidhjes me detin autori e jep ndjeshëm kur shkruan te “Shqetësimi pranveror”:

                       Kam përshtypjen se u mblodhën aromat e tokës
                       gjithë dritat, gjithë shqetësimet e detit 
                       vetë mendimet e ullinjve dhe më krijuan mua.
 
Pas kësaj,unë do të pyesja: A ka ndonjëri biografi më të bukur se kjo?
-Ata mund të  jenë  kudo duke shkruar, në një qytet a fshat larg bregdetit, për një temë larg aktualitetit, ndoshta edhe të rahur apo trajtuar nga  poetë e shkrimtarë të tjerë, para tyre. Por   gjithsesi do shkruajnë si bregdetas, të rritur dhe edukuar brigjeve të Jonit. (Kur them si bregdetas, nuk e kam fjalën si banorë në vijën bregdetare Llogara-Kepi i Stillos)  Nga bregdeti do ti marim figurat, ose do ti veshin ato me “mantelin” e ngrohtë bregdetar.
 6-Poetët sarandiotë përgjithësisht e mbartin me vete vendlindjen dhe vendorigjinën e tyre dhe e shtrijnë atë përmbi botë, duke “kërkuar” që gjithë bota të jetë si ajo,vendlindja apo vendorigjina bregdetare e tyre, e cila në subkoshiencën e tyre është më e bukura, më magjikja gati gati si një përrallë e gjallë.
 Agim Mato, nuk ka jetuar në Fterë, nga ka babain dhe pak fëmini ka kaluar në Konispolin e nënës së tij, por gati në gjithë poezitë e tij, dhe kryesisht te libri “Jashtë eklipsit”, nëpër vargjet e tij dhe në hapërsirat midis vargjeve, gjen kryesisht dhe gati përgjithësisht  Sarandën, Konispolin (nuk e kam fjalën vetëm për poemën “dekonspiruese”  “Qafa e Botës”) dhe …Fterën.
        Tërë këto shënja,këto strehë, murre,  hatulla
        I kam patur me vete që nga fëmijëria…
        Ndoshta pa to
        Nuk do kasha gatuar dot brumin e vjershave të mia...

 pohon me sinqeritet  te poezia “Tiranë e vjetër”
Natyra, ngjyrat, tingujt te poezitë janë të viseve tona jonike, vargjet plot përthyerje, janë malet e bregdetit jonik. Dhe “mirazhet e përmbysura të qytetit” tim Sarandë, mbi valët e detit Jon i shikon..Ndoshta te ai shkëmbi i madh, ku laheshim në fëmijëri dhe duke “notuar fundo zbuluam se shoqet tona ishin nimfa”.
Në një koment te Fjala e Lirë për një poezi tënden  kam shkruar instiktivisht që, kjo poezi vetëm në Sarandë mund të shkruhet. Pa dashur kisha qëlluar në shenjë, jo vetëm për atë poezi, por për gjithë  krijimtarinë e Agimit. Mandje gjer  në atë pikë, sa që vargjet e tij të përthyera, më konturojmë në fantazi shkallaret e qytetit tim, me ato bungovile metaforash e palma krahasimesh anës tyre..
7-Por nuk është vetëm natyra që mbartet në krijimet e  krijuesve jonianë. Ajo që ka më shumë rëndësi është se ata mendojnë e shkruajnë me psikologjinë e bregdetasit jonian, plot dashuri e dhimshuri. Sa shumë dhimbje ka në poezitë  e tyre dhe me sa art është derdhur ajo në format fine të vargjeve. Mjafton të lexoni ciklin poetik për detarin plak dhe të më jipni të drejtë.Po ska rëndësi dhe pos më dhatë mua të drejtë.Rëndësi ka të përjetoni magjinë poetike të vargjeve të këtij cikli.:

            -Mbi supet e detarëve
              hepoet arkivoli i detarit plak
             si një maunë që vozit drejt limanit të saj të fundit
                                                       (Varimi I kapedanit fq 74)
ose më tej:

           Lamtumirë kapedan!Kur tu hipim anieve
            do tu biem sirenave për ty
            do tu biem stuhive…
            dhe velat e tua do të zbardhëllejnë
            horizonteve detare. 
 
Dhimbja është pjesë e jetës së poetit(për këtë jam dëshmitar dhe unë) dhe pra,është pjesë e poezisë së tij:- Te porta e gurtë e dimrit…përpëlitet një zog, një zemër.Por më e madhe është dhimbja për  fatet e kombit;-Shqiponja ishte dëbuar nga flamuri Shqiponja fq 54 ose “rrotat e historisë kishin ngecur në baltrat e mesjetës.  Rrotat e historisë fq 53 vargje këto që gjithsesi të  ndjellin  brengë e dhimbje.
Ka aqë shumë dhimbje në këto poezi sa që guxojnë të akuzojnë dhe ti tundin kërcënueshëm gishtin edhe zotit: -Nga kush kishe frikë zot…atëherë…kur kishin frikë dhe shpresat të na trokisnin në dritare?
Por le të  nisim të lexojmë një tjetër poezi :- Tanket derdhin gjakun e luleve. Kur lexova vargun e parë, ndoshta duhej  ta ndërprisja  këtu leximin e poezisë, pa qënë nevoja të shkoja më tejë për të lexuar se:

                Dhe unë dëgjoj rënkimin e barit
                 tufën e zogjve shtegëtarë që vijnë nga larg 
                 dhe mërgojnë sërish të tromaksur
                 valën që ngjiret duke të folur…
Ky është Arti Jonian, mandje edhe kur je Far i vetmuar në Jug, ndarë nga njerzit nga …lufta e klasave…

             I nxirrosur e i gëryer nga rrotullimi i galaktikave, 
             i përmjerë nga yjet, i pëgërë nga glasa hënore. 
             i vetmuar e i haruar nga aniet…
-mandje ta kesh zili dhe fatin e Prometheut;

             Fat më të mirë kishte Prometeu
             kur i dërgonin Hermesin 
             ti ndëronte gozhdët atje lart….
            Të paktën këmbënte dy llafe…
Por shpresa është aty ku është dhimbja, dhe kjo e ka shpëtuar poetin,njeriun;-Dhimbjen për ty,si një bukë të hidhur e ndamë/dhe pushuam së qëni rivalë.fq 65 Afërdita)
8-Nuk e di sa dakort do jenë miqtë e mi  me mua, por unë mendoj se kjo botë magjike te poezitë e krijuesve saranditë në veçanti dhe  të lëvruesve të Artit Jonian në përgjithësi e ka burimin te bota e pasur e traditës popullore.  Ndoshta këtu duhet të citojmë Nobelistin Odisea Elitis kur thotë se;-“Asnjë revulucion, as në arte, as në jetë nuk ka më shumë shpresa suksesi nga ai që përdor si pikëmbështetje traditën”.  
Të gjithë lëvruesit e Artit Jonian janë njohës të hollë të artit popullor të trevave joniane dhe prej tij kanë marë jo vetëm tema (Dragoi  syrit të kaltër ) por në rradhë të  parë botën shpirtërore të njeriut jonian.
Por te Agim Mato ka një ndikim të jashtëzakonshëm edhe poezia e arbëreshëve, pjesë organike e Artit Jonian, jo aqë për temat se sa për atë bardhësi figurash e  kaltërsi horizonti  që egziston ,jo vetëm te këngët popullore arbëreshe, shumë prej të cilave ai i ka përshtatur në shqipen e sotme, por edhe te arti i kultivuar i tyre.
Më sipër përmëndëm faktin se në poezinë e Agim Matos dhe të poetëve të tjerë sarandiotë  mbizotëron dhimbja. Kjo është e shpjegueshme. Ata jetojnë në një trevë ku këngët e para që kanë dëgjuar, kanë qënë vajtimet e nënave dhe të gjysheve të tyre. Dhe po të kemi parasysh faktin se kënga iso-polifonike trashëgoi nga vajet atë bukuri emocionante, të admiruar e të vlerësuar jo vetëm prej nesh, atëherë është i kuptueshëm djepi ku u përkund dhimbja e  artit jonian.
Por ama , ajo që vlen të theksohet është fakti se tejë dhimbjes shohin jetën, shpresën te e nesërmia më e bukur, atë shpresë që jua kultivojnë dhe lexuesve,si te poezia e bukur e Lejla Malos:

                 Duhej të pikonte gjaku i saj
                  në vendet ku fillonin portat e shtëpive tona
                 që ne t ë vinim në jetë
                 dhe të dashuroheshim.
9-Të lëvrosh Artin Jonian nuk do të thotë të trajtosh me doemos tema “me det “
Kam lexuar me interesim ciklin poetik mbi Itakën të poetes kosovare Sabile Çekmezi-Basha, cikël i cili qëndron shumë lart artistikisht. Por ama, pasi e lexova, mu krijua përshtypja se Sabilja e kërkonte Itakën diku në… Kosovë, pranë Gjilanit a pranë Prishtinës, duke rendur në shpinë të kalit, si një amazonë e plagosur. Ajo ka të drejtë për …Itakën e saj, por jo për Itakën e …Homerit dhe të letërsisë. Itaka është lufta (jo gjaku I derdhur. Sa pak gjak që paska në këtë luftë të Odisesë. Skuq  prej tij vetëm syri i qikllopit. Sepse gjaku i derdhur dhe vrasjet e pretedentëve në shtëpinë e Odisesë, janë një episode që gjithmon analizohet më vetë, për tu mbyllur pastaj me paqen  e vrasësit-hakmarës Odise me të afërmit e viktimave uzurpatorë .. ) Por mbi gjithëçka, tek Odiseja i Homerit, është ajo klimë paqeje dhe shprese jonike e shoqëruar me njelmësinë e detit, nën një qiell të kaltër me fluturime ëndrash e pulëbardhash.
Kjo klimë mungon te Itaka e poetes kosovare, dhe s’ka si të jetë, se dhe ajo vetë s’kërkon ta thotë  jonianisht idenë e saj.
Me që hymë në këtë temë, le të shohim një poete tjetër nga Kosova, në mos gabohem bashkëqytetare me Sabilen, poeten Albina Idrizi. Në poezitë e saj s’kam lexuar asnjë varg për detin, s’përmëndet gjëkundi bregdeti, ishulli, pulëbardha apo ..guacka.
Por seç ka një ngrohtësi gati jonike, në vargjet e saj, që të bën të kthesh kokën me vëmëndje e të  pyesësh diçka. Unë s’e di burimin e kësaj ngrohtësie te ato vargje.Mund të jenë si pasojë e leximeve të shumta, e kontakteve njerëzore apo fantaziste, por përsëri dhe tek ajo mungon ajo hapërsirë nëpër vargje që të  lejojë ta profilizosh artin e saj si Art Jonian, gjë të cilën mendoj, se ajo as e ka menduar ndonjëherë. Çuditërisht, pra, më afër Artit Jonian qëndron një  temë …aspak joniane , sesa një temë me  Itakën e… shumëpoetizuar, duke të dhënë konkluzionin se tema  e poezisë, është gjëja më e fundit në këtë …temë.
10-Është një botë vërtet e bukur, gati magjike, bota e Artit Jonian. 
Mirë se të vini, miq.
    Ju presim.

Minella Gjoni: Mbi krijimtarinë letrare të poetit Agim Mato


MINELLA GJONI


SHPËRTHIME EMOCIONALE ME NJË
MENDJE TEPËR RACIONALE

Poeti Agim Mato i takon plejadës së poetëve sarandiotë me një përvojë disadhjetëvjeçare. Ai shfaqet si një poet që pasi ka kapërcyer fazën e një krijimi parademokratik, në bazë të përvojës krijuese, përpiqet në mënyrë dinjitoze të trajtojë probleme thelbësore të jetës shqiptare. Agim Mato paraqitet si një poet lirik që nuk e shikon realitetin si një vëzhgues indiferent i jashtëm, por si një njeri i shqetësuar, meditues rreth çdo dukurie të jetës që kundron, analizon dhe përpiqet të hyjë në botën e brendshme të bashkëkohësve të vet. Poezitë e Matos i bashkon si një fill i vetëm mendimi filozofik se jeta është një luftë e gjatë dhe e vështirë, ka fitore dhe humbje, ka gëzime e dëshpërime. Prof. Fatmir Terziu në artikullin “Art-organika e poezisë së Agim Matos”, thekson: “Duke i bërë kësaj poezie, të ardhur në kohën e duhur (dhe e përkujdesur në një intinerar vitesh), si një përshkrim verbal e objektiv i punës së artit, vetë arti i fjalës që poeti Agim Mato na riciton mes vargjesh të tij, është forcimi i filozofisë me anë të tablove poetike të sintetizuara, gërshetuar këto me ndërhyrjet e vazhdueshme të nocionit lirik që bën përgjithësime të rëndësishme”.
Thelbi i poezisë së Matos qëndron në faktin se ai, duke ruajtur një frymë të këndshme romantike në trajtimin e jetës, jep një mesazh se duhet të duash me shpirt më të dashurit e vetvetes: Atdheun, vendlindjen, familjen, natyrën, dashurinë, duke e kthyer veten në një këngëtar të unitetit të brezave, të kalimit e fuqizimit të traditave tona nga një epokë në tjetrën.

Nga krijimtaria disavjeçare e Agim Matos është zgjedhur një cikël poezish, ku përmes tyre Matua do të tregojë larminë e dukurive të jetës, bukurinë e gëzimin e ardhjes dhe të ndërrimit të stinëve, të stinëve qe sollën lirinë e vërtetë. Poezitë në përgjithësi kanë intonacione retorike, me figura të zgjedhura. Vargjet janë të ndërtuara me kujdes e me figuracion të larmishëm. Ato ngjajnë me një bashkëbisedim të ngrohtë midis poetit dhe lexuesit, si midis dy njerëzve të afërt, të dashur me njëri- tjetrin e me interesa të përbashkëta shpirtërore. Shpesh Matua përmes personifikimeve dhe metaforave, jo vetëm e shpirtëzon dhe e gjallëron natyrën, por e kthen atë në ëndrrat më të bukura njerëzore.
Duke mënjanuar dalëngadalë karakterin retorik të poezisë së tij, Agim Matua thellon analizën e saj medituese dhe psikologjike dhe ruan e forcon në mënyrë të vazhdueshme muzikalitetin, shprehjen melodike dhe harmoninë ritmike të vargut. I pranishëm në poezitë e Matos është edhe peisazhi poetik. Përmes figurës së paralelizmit poetik, vërehet lidhja, harmonia ndërmjet natyrës dhe njeriut që me punën, gjallërinë dhe ekzistencën e tyre, mbajnë gjallë botën.
Përmes korpusit poetik, që ende poeti e ka “Pa titull”, Mato sjell në poezinë shqipe një sërë cilësish të reja që lidhen me një shkallë ndjeshmërie të lartë, me një vetëdije estetike të re, që e ka bazën në rivlerësimin e figurës e të shprehjes poetike dhe në tërësi me emancipimin e poezisë aktuale. Shenjat e dukshme të këtij moderniteti janë se ai e ndien veten kryekëput poet, krijues, duke e konceptuar poezinë të çliruar nga detyrime të natyrave të tjera politike a sociale. Këtë kredo të tij poeti Mato e paraqet në poezinë “Zili”, e cila zë vendin e një parafjale të veprës së tij poetike:

“Më kap zilia kur mendojse një rrënjë e vetme ulliri
Mund t’ia kalojë dobisë sime,
kur një lule me dritat dhe linjat e saj
ua kalon vjershave të mia.
Kur një bletë kthehet nga kullota e ngarkuar me nektar
dhe unë i kërkoj vetes llogari në mbyllje të çdo dite
Kur një yll shënon me përpikmëri rrugën e tij
dhe mua më duhet shumë punëpër ta gjetur.
Sa herë i mendoj të gjitha këto,
përpiqem të kem brenda vetes
një ulli
 një lule
 një bletë
 një yll”
(“Zili”)

Shumë poezi të Matos mbarojnë, por mbarojnë me një suazë. Ato vazhdojnë më vonë në fantazinë e lexuesit që njëjtësohet me situatat poetike. Ligjërimi poetik i tij në shumë poezi që mund të konsiderohen antologjike, është zhvilluar duke harmonizuar në vetvete shpërthimet emocionale me një mendje tepër racionale.
Prof. Fatmir Terziu shprehet: “Ndryshime të fuqishme shihen në stilin e tij të poezisë që plotëson ndjeshëm aspektet dy dhe tri dimensionale intriguese. Agim Matua prezantimin e poezisë së tij ka marrë përsipër që ta ridimensionojë në një rrugë të hapur, përtej kornizës tradicionale, duke filluar të ngrejë vargun në lidhje organike të ndryshme, të tilla lidhje që perceptohen si stërkala të ndritshme arti, të angazhuara parësisht me lëndën abstrakte dhe tradicionale. “Mbush një grusht me guacka deti”, ndoshta është njëra prej dhjetra e dhjetra poezive që e përcaktojnë qartë këtë rrugë të hapur poetike, duke vënë theksin tonik në një aliteracion artistik me theksin fundor, për të forcuar mesazhin filozofik të fabulës, me një arsye të qartë art-organike.

“Mbush një grasht me guaska deti
Ç’u bënë jetëzat brenda tyre
ndiej vetëm tringëllimën boshe
tek i trazoj në duar
.......................................
Si Hamleti rri e kundroj
këto kafkëza të vogla
llogore të braktisura të luftës për ekzistencë”.

Enumeracioni i Agim Matos, që theksohet duke emërtuar e numëruar disa nga vendet e tij më të dashura si “Saranda”, “Fterra”, “Arbëria”, “Qafëbota” nuk është thjesht një numërim i thatë. Me sistemin e vet të sintaksës poetike, Matua ngre një sistem të atdhedashurisë, të aktualitetit kombëtar të bashkëkombasve të vet. Vetë poeti shkruan se është bir i mëmës së dheut Fterrë dhe i perëndisë së ligjërisë, Sarandës, që e lindin njeriun dhe më në fund e presin në gjirin e vet. Tek “Fterra”, shprehet:

“Nëpër damarët e tyre ka rrjedhur lëngu i jetës
i mbartur nëpër kohëra drejt lirisë
si uji nëpër lugjet e drunjta drejt arave
të djegura nga etja”.
(“Fterra”)

Ndërsa në vijim te poezia “Saranda”:

“Si ta duroja mallin
që më grryente shpirtin
si acid”,.

Te “Fterra”:

“Këtu vetëm pak po të priresh
drejt vetmisë së pyjeve dhe shpellave
Secili një xulluf krenarie
një torbë këngësh
që lëkundet në degët e harlisura të shpirtit të tij”.

Te “Saranda”:

“E desha sa s’ka më detin tënd
të thellë e të tejdukshëm
si një qiell i lëngëzuar
limanin tënd ku akoma lëkunden
direkët e ëndrrave të mia fëmijërore”.

Ridimensionimi poezisë erotike

Edhe në poezitë erotike Matua sjell diçka të re. Mbështetur në letërsinë e traditës dhe në të njëjtën kohë mbi modelimin e rrymave aktuale moderne, ai krijon poezi me përfytyrim të ri dhe një dimension më të gjërë të erotikës sonë. Tek bukuria e vashës ai sheh lindjen e dashurisë. Në poezinë erotike është meditativ si tek e gjithë vepra e tij. Bukurinë e jashtme e sheh gjithmonë në harmoni me bukurinë shpirtërore.
Poezitë me tematikë dashurie poeti Agim Mato i ka thurur me variacione poetike e retorike të ngushëllimit. Në to është krijuar zgjedhja klasike e ligjërimit dashuror, ku një unë e një ti përpiqen të komunikojnë duke ndërruar vendet, nga që dashuria është e vetmja që gjithnjë synon bashkimin e njësimin e kuptimin e jetës.
Zjarrmia dashurore që shfaqet herë si mall “vitet që kaluam bashkë janë si një pyll i vogël që oshëtin nga kujtimet”, herë si lutje “Eja brenda bir, nuk dëgjon?/ shkalluan drurët”, herë si mallkim “atëherë dhimbjen për ty si një bukë të hidhur e ndamë”, herë si mungesë “S’e di sa e kërkova midis degëve ku shihja/ të lundronte vetëm dritarja e së dashurës sime”.
Këto përsiatje poetike vijnë përmes poezive “Tutje sanalleve të kthyera përmbys”, “Shkalluan drtirët nga era”, “Vitet që kaluam bashkë”, apo “Pulëbardhat”.
Ligjërimi alternues përbën thelbin shkrimor të poezisë “Afërdita”. Që në titull vërehet simbolika përmes një miti. Afërdita vetë është bukuria e pashtershme e një rinie të hershme që vinte si një hyjni deti.

“Nga erdhi papritur
në atë verë të largët të rinisë sonë
si një hyjni deti
.................................
dhe vinte në lëvizje
elitat e zemrave tona të njoma”
(“Afërdita”)

Duket se poezia është krijuar nga ndikimi i ndodhive dhe pamjeve mbresëlënëse mbi krijuesin.

“Deti i së dielës
me trëndafilat e bardhë të dallgëve
Ti u hodhe të mblidhje trëndafila
dhe harrove të dilje”.

Ngjyrimet e dhembjes shpërthejnë krejt konkrete:

“Mërmërima e detit
mos ishte zëri yt
që vinte i lodhur nga thellësitë
dhe thoshte ...jam këtu,
 jam këtu,
 jam këtu?
(“Afërdita”)

Në këto vargje nuk gjejmë më idealizim apo moralizim, sepse zemra nuk është gur, kur humbja lidhet drejtpërdrejt me Afërditën, që ka lënë vetëm një plagë në kujtesën mendore e shpirtërore të poetit apo të brezit që përfaqëson vetë poeti Mato. Ai e përfundon:

“Dhe pamë peshkatarët të sillnin kurmin tënd
Mbështjellë me një pëlhurë vele
sikur të sillnin direkun e thyer të lumturive tona”
(“Afërdita”)

Ku vete i dashuri i humbur, para Zotit a para Motit, lind të vdesë a vdes të lindë, a harron jeta dhe a harrohet jeta? Janë një mori pyetjesh pa përgjigje. Këtu njeriu është humbës i përjetshëm;qenie e pangushëlluar, kur mbetet pa bukurinë, dashurinë e mirësinë. Thotë tek poezia “Shkalluan drurët nga era”:
“Vij nga e dashura
dhe ndieja akoma aromën e buzëve të saj
si aromën e pjeshkës
dhe ndieja akoma të prekja supet e saj të brishta
që dukeshin sikur do të më thyheshin në duar.
Nata varej si një pjergull
mbi pullazin e shtëpisë sime”.
(“Shkalluan drurët nga era”)

Zjarrmia dashurore nuk shuhet kurrësesi dhe në fund shfaqet si një kredo jetësore:

“’Ende s’jemi thinjur
Ende zemrat tona
mbushin me gjak të bollshëm
Fenerin e dashurisë
që drita e saj kurrë të mos shterë”.

Motivi arbëresh në poezitë e Agim Matos

U është drejtuar viteve të hershme të historisë. E ka prekur thellë historia e arbëreshëve përtej detit. E ka rrokur këtë temë në poezitë “Ikja e arbëreshëve”, apo “Pëllumbat”. Është mbështetur në motive arbëreshe. Në ato poezi paraqiten tri dashuri: Atdheu, vasha, natyra. Në frymëzimin e poetit kanë ndikuar dhe lavditë e shqiptarëve të përtejdetit, që bashkë me ikjen morën me vete edhe emrin e pavdekshëm “arbëresh”. U larguan ata, të vrarë në shpirt, nën tingëllimat shurdhuese e të çrregullta të kambanave, mes dënesës e lotëve dëshpërues e mallëgjyes. Largimin për në një vend të huaj, të largët e të panjohur për ta, poeti Agim Mato e jep poetikisht:

"Për dy ditë dhe dy netë me radhë
nuk pushuan këmbanat.
Për dy ditë dhe dy netë me radhë
u drodhën në qiellin e shqetësuar të Arbrit”.
(“Ikja e arbëreshëve”)

Të gjitha këto janë vendosur, siç shprehej De Rada, në epokën e “Motit të Madh”. Ngjarjet, personazhet, natyra, ndjenjat apo konfliktet e kohës janë ngritur në art. Vazhdojnë në vijim vargjet e Matos:

“Kalorës të tjerë vinin
të tjerë zbrisnin nga kuajt
dhe ulnin djepat e mbuluara
me pelerinat e bëra shkrumb në luftra”
(“Ikja e arbëreshëve”)

Në poezinë “Ikja e arbëreshëve”, poeti nuk pasqyron veprimin, por efektet e ndjenjës, përjetimet e heronjve. Ndonëse në dukje fragmentare, poezisë nuk i mungon uniteti i ndjenjës dhe i mendimit. Prej këtej buron konçiziteti si një nga tiparet më kryesore të artit të poetit Mato. Ndërsa lirizmi vjen natyrshëm edhe pse me sfond epik:

“O sa të rënda
sa të rënda ishin ato spiranca,
sikur të ishin pleksur në rrënjët
e asaj nate të praruar”
(“Ikja e arbëreshëve”)

Idetë përcillen përmes një gjuhe poetike të përzgjedhur dhe një ndjeshmërie artistike të admirueshme:

“Sikur të ishin pleksur në hingëllimat e kuajve
që rendnin të trishtuar në bregun e ndarjes”.

Poezitë me motivin arbëresh i kanë të gjitha karakteristikat e shkrimit lirik të subjektit të dashuruar, erotika me shenjat shqiptare, dashuria si ndjenjë e triumfit dhe e humbjes, më në fund si forcë themelore e shfaqjes së individualitetit, imagjinata si fushë më e përshtatshme, e panjohur e ëndrrës së dashurisë, shpërthimi i saj individual si kacafytje me kufizimet kolektive.
Vargjet e poezisë ngrihen në rrafshin imagjinar e jo real, prandaj shpërthejnë zhvendosjet e mëdha në kohë e në hapësirë: rrethi, natyra, krahasimet e zgjatura, frazat poetike që lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një imagjinate poetike pa pengesat realiste shkak-pasojë.

“Po do të ngriheshin vajzat sa herë që të vinte-pranvera
sa herë që të vinte pranvera
“O e bukura More” do të këndonin vajzat
dhe do të lëshonin si pulëbardha shamitë e tyre”.

Moderniteti i kësaj poezie-poemë qëndron në dendësinë e figurave të shprehjes dhe herë-herë vijnë në trajtën e monologut me tone elegjiake:

“Dhe erërat i shtyjnë galerat drejt perëndimit
Pishtarë të huaj u vinin zjarrin shtëpive
Dhe ullinjve të tyre
Të tjera brigje i prisnin,
dhe vite”.

       Edhe pse vitet poetike kalojnë për Agim Maton, gjithmonë spikat individualiteti i tij krijues duke qenë një zë i veçantë në letrat shqipe.