........

sabato 14 gennaio 2017

Bora dhe bananet e Tropikut në Sarandë


BORA DHE BANANET E TROPIKUT NË SARANDË



Me një gëzim naiv i pritën flokëzat e borës, bananet e tropikut

     në Sarandë,
bananet me krahët gjigantë e të gjelbër,
të gënjyera nga ngazëllimi i papritur i fëmijëve
që gjuanin me topa bore moshatarët
nëpër parqet e hutuara buzë detit.

Gëzimi zuri t’u mekej, kur pak e nga pak, shtresa e bardhë
                                                                        dhe e ftohtë e borës
filloi t’u rëndonte përsipër.
Atëherë krahët e tyre elegantë,
si krahë albatrosësh oqeanikë,
e humbën energjinë e lundrimit në ajër
dhe nuk e patën më forcën të hapeshin si më parë.
  
Po nata e pazakontë erdhi.

Bananet e tropikut, të pamësuara
me acarin, apo ngricat
nuk arrinin të ndalnin dridhmat me pelerinat e tyre të holla
 në shpatulla
dhe shtrëngoheshin për t’u ngrohur,
duke ndjerë t’u shqepen teshat e gjelbra,
e t’u boshatisen e damarët.


Mëngjesi i gjeti të gjunjëzuara,
në parqet ku rronin,
në një peizazh të bardhë e të panjohur bore
dhe kur hapën sytë, veten e panë me lemeri,
të katandisura me ca zhele të  zverdhura,
me gjymtyrë të këputura e pa jetë.

.



venerdì 6 gennaio 2017

Më ushton në damarë qenia jote



MË USHTON NË DAMARË QENIA JOTE

                                                                  Yllkës



 Më ushton në damarë qenia jote.

I mbështjellë jam nga përqafimi yt,
nga shtrëngimi i krahëve të tua
që zmbrapsin retë   
të mos më qaset zymtia e tyre.

I përjetuam dhe i lamë pas 
të gjitha padrejtësitë
që na rezervoi fati, 
po loti yt e lau si me finjë
të shkuarën e hidhur
dhe dita e ëndërruar erdhi.

Jemi plakur tashmë,   
xixëllonjë e fëmijërisë!
Drita që buron nga ty
ma mbush me dhembshuri 
shpirtin që mëkëmbet.

Më ushton në damarë qenia jote
dhe nuk i kam frikë hekurat
që më burgosin brenda teje.