........

martedì 24 dicembre 2013

Një pemë

 
NJË PEMË

  Jannis Ricos
 
 
 
Kjo pemë ishte rritur në pjesën e sipërme të kopështit,
e lartë, e vetmuar, e hollë – lartësia e saj
tradhëtonte ndoshta një ide sekrete të uniformitetit.
Nuk nxorri kurrë lule e fruta, vetëm një hije të gjatë
që ndante më dysh kopështin
dhe një përmasë e paaplikueshme për pemët e tjera
të ngarkuara e të përkulura.
Çdo mbrëmje kur perëndimi i lavdishëm shuhej,
një zog i çuditshëm ngjyrëportokalli hepohej në heshtje
 midis degëve si fruti i saj i vetëm – një këmbanë e vogël e artë
mbi një këmbanore të gjelbër shumë të lartë. Kur e prenë pemën 
zogu i vërtitej sipër me klithje të vogla të thekëshme,
duke vizatuar rrathë në ajër, duke vizatuar në perëndim formën
 e pashterëshme të pemës, si një kambanë e vogël
që lëkundej e padukëshme atje, më lart se vet pema.
 
Përktheu: A. Mato

giovedì 19 dicembre 2013

Vetmi kozmike



VETMI  KOZMIKE

Jam i spërkatur nga vegime qytetërimesh të largëta,
nga ciatja e sinjaleve të tyre manjetike,
nga modulet që lëshojnë qëniet inteligjente të dherave të
tjera  për tu identifikuar tek unë,
nga sistemet e tyre fluturuese që depërtojnë atmosferën
dhe studiojnë mënyrën time të jetesës.

Rrotull meje vërtiten disqe fluturues,
ulen në periferi të qyteteve,
lenë gjurmët e tyre në barin e përcëlluar të lëndinave,
ngihen sërish e zhduken duke lënë mbrapa
një fjollë drite të panjohur,
dëshmi të papërcaktuara kozmike,
silueta jashtëtokësorësh kuriozë.

Një ditë prej ditësh
do të ulem me ta,
si me fqinjtë e pallatit
dhe do të qajmë hallet e hapësirave që na rrethojnë.

Do të shkëmbejmë teknologjitë si cigaret,
pa diskutuar të drejtat për licensat, për autorësinë,
nuk do të flasim për luftrat, për ideologjitë,
për armët e shkatërrimit në masë, atomin, lëndët kimike,
për armiqësitë, për papajtueshmërinë e besimeve,
si një e keqe që na ka pllakosur prej shekujsh
këtu në tokën tonë.

Do të shënojmë me kujdes arritjet e tyre  në fushat e
e ndryshme të shkencës,
do të hetojmë mënyrën e tyre të jetesës,
në se rrojnë në qytete si tonat, 
ushqimet që konsumojnë,
në se kanë nepset tona, veset,
në se dashurojnë,
në se urrejnë.  Si e kanë të organizuar jetën sociale?
A kanë formacione shtetërore, politikanë,
hierarki burokratike, korrupsion?

A kanë artistë, vepra arti, romane, poezi, filma,
pasarela mode, bordello, drogë, gjeneralë?

A shkojnë në stadiume, a venë baste? Çfarë lloj sportesh
aplikojnë? A zihen rreth një topi, a rendin pas idhujve
që fitojnë miliarda?

Digjem nga kurioziteti për qeniet e largëta inteligjente
që duket se po shfaqen rrotull meje.


Vetmisë kozmike po i vjen fundi.

martedì 10 dicembre 2013

Feniksi



FENIKSI

Të thashë: më duket si në ëndërr
tek ndihem i përkujdesur
nga drita e syve të tu
dhe tërë qenia jote!

Sepse mua me kish munguar
prania e një njeriu të  bukur”,  ma ktheve ti,
duke aluduar për një lloj tjetër bukurie...

Shpesh mendoja:
kur do të lundrojë i qetë,  shpirti im?
Kur do të ngrihet në hapësirat e gjera të bukurisë
 së vërtetë,
që mendova se e humba për vite?

Ti erdhe!

Një hymn oshëtiu brenda meje
dhe bëri që Feniksi të ringjallej,
të përplaste krahët, të shkundëte hirin prej tyre
dhe të kapte kuotat që pata ëndërruar.
 
Sepse është ndërtuar jo prej materies, ai zog,
është një aliazh pasionesh, vetmohimi dhe
 shpresash.

Kurrë nuk kam derdhur
kaq shumë energji
dhe habitem ku ishte fshehur.

Morën kuptim hapat e mia,  
frymëmarrja ime.

Sa njerëz kujtojnë se rrojnë
dhe nuk e dinë se një gur varri rri mbi kokën e
 tyre,
një epitaf harrimi.

E kam gjetur nordin që ma patën mohuar
dhe tani symbyllur i përcaktoj koordinatat.

Jam me fytyrën e kthyer nga Gjithësia.



domenica 8 dicembre 2013

Zog i trembur



ZOG I TREMBUR

Duke dalë te dritarja e ëndrrës,
më sheh mua,
si nje zog të trembur.

Kam ardhur vet
apo më ke thirrur?

Me gjethin e një puthjeje
në sqep
shushurij nëpër xhama.

giovedì 5 dicembre 2013

Të falënderoj që ekziston

TË FALËNDEROJ QË EKZISTON


Kur erdhe ti
çuditërisht u  terratisën
perënditë e rreme
që vërtiten rrotull njeriut.

Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.

Nuk e dija që ekzistonte ai dritësim i syve të tu
që përshkëndiste mijëra nuanca të kaltra rreth e rrotull.
U frenua verbimi brënda meje
dhe një puhizë e lehtë ëndërre
filloi të shtyjë dy vela të bardha
për të mbërritur në farin e vetmuar
ku rroja si një eremit deti
i harruar nga lutjet dhe blasfemitë e të tjerëve.
Drita që solle papritur ma trembi vetminë
dhe, i pamësuar me të, nuk guxova 
të rri gjatë përballë teje,
që të mos vuaja.  Pyesja hijen time
prej Heminguei
dhe ajo bëhej më memece se unë.

Tani të falënderoj që ekziston.