........

giovedì 24 maggio 2018

Bohemi i fundit



BOHEMI I FUNDIT


“Ëndrra janë...
          Edhe dalin,
        edhe s’dalin!”
thoshte Petroja,
aty te limani i barkave të peshkimit,
ai bohemi i fundit lëkurëzeshkët,
rob i fatit dhe ëndërrimit.

Për vete as që nuk arrinte
të thurte ëndrra për jetën:
- ekrani i tyre në tru nuk i ndizej,
diku i ishte këputur filli i shpresës.


Përpiqej ta sendërtonte një ëndërr
dhe më kot e priste 
si çelja e një luleje te koka e krevatit
e t’i zbukurohej dita që gdhinte,
e t’i buzëqeshte fati.

Ngrihej nga shkretëtira e gjumit
dhe vinte me sytë e ënjtur në liman,
me një thikë që kurrë s’e hiqte nga dora,
e vetmja vegël pune që s’i ndahej.

Ulej në shkallët që zbrisnin te deti
dhe pastronte peshqit e blerë nga qytetarët,
për një shpërblim të vogël, simbolik,
nuk ngrihej nga shkallaret.

Kur dallga ngjitej me vrull
dhe i depërtonte në pantallona, hera herës,
nuk zmbrapsej
por reagonte me romuze,
duke i shkulur së qeshuri të tjerët.

Atëherë porositnin një  teke rakie për të
dhe e pyesnin:
“Ëndrrat, ç’ thonë?”

“Nuk dalin, plako!” qe përgjigjja.
dhe tundte ato pak qindarka që fitonte.

Një ditë, e gjetën buzë një ëndrre
me sytë e hapur,
të ngrirë drejt saj,
me ekranin e shuar brenda shpirtit...

...Dhe asnjeri nuk iu gjend që ta qajë.

sabato 19 maggio 2018

Shiu i verës



SHIU I VERËS



Këto re janë anije të ngarkuara me flori,
thanë fermerët
kur panë shiun të shkarkohet në plantacionet e jugut
mbi kurorat e  mandarinave, portokajve dhe ullinjve.

Zhurmat e gjetheve janë si pasthirrma gëzimi të tyre nga
kënaqësia e këtij dushi.
Ndihet afshi që çliron dheu
dhe ngjitja e limfës në kërceje duke bërë gati gjethet e reja
 dhe lulet.

Natyra është në një dasmë të vërtetë.

Mandarinat, me vellot e tyre të bardha,
si vajza që po u del turpi,
kthejnë sytë nga ullinjtë atje lart në tarraca, duke pritur
    një shenjë prej tyre.

Anijet e reve, një paradite të tërë
shkarkuan floririn e tyre,
gjersa e ngopën dheun e përtharë nga etja.

Kur ikën retë, si anije të lehtësuara, 
u shfaq dielli dhe një avull i bardhë, i bardhë,
si një mesazh falënderimi,
u ngrit nga rreshtat e plantacioneve.

2018

domenica 6 maggio 2018

Nuk jam ai që sheh



NUK JAM AI QË SHEH


Nuk jam ai që sheh.

Jam gjithë ëndrrat që më kanë ndjekur si një film që nga
fëmijëria e hershme,
jam ato pak dëshirat e realizuara
por më shumë ato të parealizuara.

Jam tërësia e mungesave dhe atyre që nuk i arrita t’i bëj.

Të gjitha i tërheq me vete
e s’mund të ndahem prej tyre.

Kisha kaq dëshira, kaq pasione! Me një ashensor drite
      ngjitesha në dritaren e një ylli,
dhe shihja atje poshtë,
si nga dritarja e Perëndisë,
gjithë padrejtësitë që s’kishin të sosur.

Shihja se ideologjia e instaluar
na ndante sipas origjinës, në klasa,
kontrollonte vizionet, synimet e secilit
dhe fabrikonte robotë njerëzorë,
të programuar në emër të një utopie.

Ne, që na quanin të papërshtatshëm
nga origjina,
na mohonin liritë, të drejtat.
Që utopia të shpëtonte prej zërave tanë
librat na i hiqnin nga libraritë, bibliotekat...

Nuk jam ai që sheh.

Jam tërësia e mungesave
dhe atyre që nuk arrita dot t’i bëja në jetë.



Maj 2018