PROJEKTIMI I SË ARDHMES BRENDA KONCEPTIT TË PRITJES
(Parë te vëllimi poetik Shkretëtirë harrimi i Agim Matos)
1.
Hyrje
Shkretëtirë harrimi është
vëllimi më i ri poetik i poetit Agim Mato. Vjen si një botim i Shtëpisë botuese
“Faik Konica” në Prishtinë (2018). Ky autor, përmes kësaj përmbledhjeje të
plotë, prezantohet për herë të parë për
lexuesit në Kosovë. Përzgjedhja e poezive, konceptimi i antologjisë dhe
përgatitja e saj, është bërë nga profesor
Anton Nikë Berisha. Ky vëllim është një përmbledhje e poezive më të mira të Agim Matos, përzgjedhur nga
librat e tij poetikë të shkruar në vite. Vlen për t’u vlerësuar puna e profesor
Berishës për sqimën e përzgjedhjes së
poezive të këtij autori si dhe për shoqërimin e kësaj antologjie me një
parathënie të zgjeruar analitike për gjithë krijimtarinë poetike të Agim Matos.
Përmbledhja është organizuar në ciklet: Pagjumësia
e fjalëve, Shpirtësi deti, Shakullinë dallgësh, Pres të ik nga ky trup, Ujëvarë
bardhësie, Valle pulëbardhash, Bukuri e heshtur.
2.
Tragjizmi i pritjes, në rrugëtimin poetik të Agim Matos
...Edhe në baladat
më të trishta, ku pritja merr përmasën e të jashtëzakonshmes, formula e saj
magjike prej kohe, është mitike: nëntë vjet e nëntë muaj e nëntë javë e nëntë
ditë e nëntë orë ... . Pas kësaj hapësire të limituar, gjithçka zhbëhet.
E nisa me pritjen
baladeske këtë shkrim për Shkretëtirën e
harrimit të poetit Agim Mato, sepse gjithë vorbulla poetike e këtij libri,
sillet rreth poezisë antologjike Mea
culpa, që shërben si mitra ku ngjizen gjithë bërthamat e tjera poetike të
këtij vëllimi. Ndërsa vet kjo poezi, vjen si shkëndija në një natë të errët, që
sintetizon 30 vite pritjeje të takimit të poetit me Muzën e tij, me Lirinë e
tij, me procesin e krijimit të tij, me Poezinë e tij, me Librin e tij pikërisht
aty ku i kishte lënë: në minierën e braktisur të poezisë së tij.
Kur zbrita sërisht pas 30 vjetësh në minierën e braktisur
të poezisë,/ e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë/ duke kërkuar arin e
fshehur nëpër guva,/ veglat e mia të punës/ të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi me
perënditë, ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi,/ bëra të ngjitem lart, ku
prej kohësh përgatitesha për salltanetin e madh të vdekjes...[1] (Shkëputur nga poezia Mea culpa).
Treshi mitik këtë herë
shfaqet i dhjetëfishuar, çka rrit tragjizmin e pritjes që përgjatë këtyre
viteve të gjatë, që nuk u dihej fundi, dukej sikur horizonti i pritjes ishtë i
pakohë, ose mbikohor. Ngjashëm me një pritje absurde beketiane.
Po çfarë kishte
ndodhur me Agim Maton, me atë poetin e ri e plot ëndrra që sapo kishte spikatur
si talent në letrat shqipe? Pikërisht kjo spikatje dhe dalja nga kornizat
skematike të letërsisë së realizmit socialist, duke aspiruar lirinë poetike,
bëri që Zeusi i kohës të vendoste t’i hiqte të drejtën e botimit. Në këto
kushte, ishte sikur poetit t’i hiqej e drejta për frymëmarrje dhe këtu filloi
edhe kalvari i tij shpirtëror. Shtrihesha
në qelat nëntokësore të dyzetë shenjtorëve/ larg të tjerëve/ të lëpija plagët
që më shkaktonte pritja jote[2] –
thotë poeti. (Shkëputur nga poezia Erdhe vonë hyjnia ime).
Jetojmë në një qytet
të vogël, jemi miq mes poetësh dhe përsëri e njohim kaq pak njëri – tjetrin.
Duket sikur vendi i dikurshëm ku të kanë lënë pa frymëmarrjen shpirtërore e
poetike, i ka ende të freskëta ato gjurmë që dhembin dhe e vetmja mënyrë për
t’i tjetërsuar, është vetëm përmes vargut poetik. Duke iu shmangur rrëfimit të
drejtpërdrejtë, që edhe ai ka vlerën e vet. Mbase ishte i nevojshëm krijimi i
një distance gjeografike, distance gjuhësore
duke iu drejtuar një auditori të huaj, si
për të krijuar një distancë epike rrëfimi për të qenë i ftohtë e
objektiv në rrëfim e në zbulim shtresash palimpsesti të kujtesës mendore e
shpirtërore. Dhe pata rastin që të isha prezent në një rrëfim të trishtë të
Agim Matos përballë një auditori prej liceistësh në Bari të Italisë ku ishim të
ftuar të dy së bashku. Interesi i madh i atyre të rinjve italianë, për të
njohur sa më shumë nga jeta dhe krijimtaria e poetëve shqiptarë të ftuar,
ngacmuan kujtesën e Matos duke rrëfyer përmes detajeve të panjohura, gjithcka
çfarë ndodhte me një poet që i hiqej e drejta e të shkruarit e të botuarit për
arsye absurde, rrëfimi për ndjenjat e përziera brenda hapësirës kohore 30
vjeçare. Me dhjetëra vjet jam rropatur/
buzë lumit të harresës[3] – thotë
Mato (Shkëputur nga poezia I murosur).
Pikërisht këto detaje, ndjeshmëria
në rrëfim, njohja me një anë të panjohur të këtij poeti, më bënë edhe mua ta
shoh në një dritë tjetër krijimtarinë e tij poetike.
3.
Reflektimi i honit poetik në krijimtarinë e Agim Matos
Rasti i poetit Agim Mato, është unik në letrat
shqipe për sa i përket kësaj situate, sepse reflektohet si një vakum shkrimi
edhe në dorëshkrim, por jo vakum shpirtëror. Poeti ynë e ka ruajtur thellë në
vete të vërtetën e tij, të vërtetën e vendit të tij, të vendlindjes së tij, të
njeriut të tij që për rreth tridhjetë vjetësh heshtjeje, është shtresuar e
ngjizur, është pjekur e stërpjekur brenda shpirtit të tij[4], - shprehet Anton Nikë Berisha në parathënien e
librit.
Pikërisht, si ka
reflektuar në krijimtarinë e tij ky hon unik poetik i Agim Matos, në çfarë
trajtash është shndërruar, si u përball e u përplas me rrufetë e lirisë
hipotetike, si projektohej koncepti i së ardhmes dhe dimensioni i saj brenda
konceptit të pritjes, si komportohet në momentin që e ka lirinë e munguar dhe
si e menaxhon artin poetik në kushtet e reja, shfaqen dukshëm te vëllimi i
fundit poetik Shkretëtirë harrimi.
Ajo që vihet re në poezinë e Agim Matos të realizuar pas
akumulimit të tij 30 vjeçar nën diktaturë e të shpërfaqur në dekadat pas viteve
’90, shprehet më së miri nga studiuesi Minella Gjoni në librin Fjalë zemre, ku shkruan për këtë poet: Mato sjell në poezinë shqipe një sërë cilësish të reja që
lidhen me një shkallë ndjeshmërie të lartë, me një vetëdije estetike të re, që
e ka bazën në rivlerësimin e figurës e të shprehjes poetike dhe në tërësi me
emancipimin e poezisë aktuale. Shenjat e dukshme të këtij moderniteti janë se
ai e ndien veten kryekëput poet, krijues, duke e konceptuar poezinë të çliruar
nga detyrime të natyrave të tjera politike a sociale.[5]
4.
Projektimi i së ardhmes brenda konceptit të pritjes
Po çfarë
na thonë poezitë e Agim Matos, se çfarë ka ndodhur me poetin në kushtet e një
izolimi artistik? Cikli Pagjumësia e fjalëve e tregon më së miri se ndërgjegjia artistike letrare e Agim Matos, përmes
akumulimit shpirtëror, ka sofistikuar mjetet e “luftës” për një identitet midis
një veteje personale poet dhe një krijese e kushtëzuar nga rrethanat historike
dhe politike të kohës.
Që në fëmijëri, gërvishtja në kujtesë skena primitive/ si
skenat e gjuetisë/ në artin prehistorik të shpellave./ kur m’u forcuan
kërcinjtë,/ fillova të shkelja këmbëzbathur/ si një eremit nëpër gjiret e
fshehta të detit/ dhe të prisja të
vije,/ si një Afërditë e ngjizur nga dallgët./ (…) Me një furçë më vunë të
zografisja/ muret e zvetënuara të një epoke./ Kisha frikë ta thosha emrin tënd.[6] (Shkëputur
nga poezia Erdhe vonë hyjnia ime).
Ky vakum shkrimi e
dorëshkrimi i Agim Matos, është i lidhur si me instiktin e ruajtjes së vetes,
si me instiktin e zhvillimit të qenies poet brenda tij, në pritje për një kohë
tjetër. Pas vetes, si pas një dritareje,/ qëndroja në pritje të lirive të
munguara[7],
- thotë poeti. (Shkëputur nga poezia Shembëllimi).
Një nga këto mjete
“lufte” për një identitet midis një veteje private poet dhe një krijese e
kushtëzuar nga rrethanat historike dhe politike të kohës, është projektimi i së
ardhmes poetike brenda pritjes së tij poetike. Kjo ndodh sepse e ardhmja nuk
është një atribut i jashtëm që i imponohet njeriut, por tipar thelbësor i
ekzistencës së tij dhe i përcaktimit të kuptimtësisë së saj.[8]
Kjo duket më së miri te vargjet e poetit: Dua ta mbledh hijen time, ta palos/ për ta lëshuar në një
kohë tjetër./ Dhe dua t’i ikë kësaj udhe/ që më zhduket nën këmbë/ si një
gjarpër i trembur. [9]
(Nga poezia Lëkurë e fjalëve
të kota).
Koncepti i të ardhmes te
poezitë e Agim Matos, shihet si tipar i ndërgjegjes artistike dhe bëhet njësh
me ndjesitë e brendshme, në varësi të luhatjeve shpirtërore e poetike
përkatësisht me situatat rrotull tij. Nga një anë ngre krye dëshira, besimi,
shpresa e nga ana tjetër dyshimi, ankthi, frika. Të gjitha këto, të shprehura
më së miri te poezitë e vëllimit Shkretëtirë harrimi. Megjithatë, ato që
shndrisin më shumë, janë shpresa dhe besimi.
Brenda shpresës
dhe besimit, ndërtohet edhe struktura e kohësisë me tri dimensionet e saj: të
shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke përcaktuar dhe raportin e rendin mes
tyre. Kjo duket në shumë poezi të Matos, por po veçoj Pres të ik nga ky
trup: Pres të ik nga ky trup,/ nuk mund të banoj më/ në këtë karrakatinë të djegur nga ëndrrat e
harruara ndezur./ Kaq herë e kam lënë të lëngojë këtë trup,/ në pritje natë e ditë në zgrip të kohërave, buzë
galaktikave.[10]
Pra, si përfundim,
vëllimi Shkretëtirë harrimi i poetit Agim Mato, mund të konsiderohet
edhe si një libër jete i tij, ku në vitet e gjatë të pritjes poetike, projektoi
të ardhmen, e cila gjendet e konkretizuar në faqet e tij, duke e vulosur këtë
të ardhme me moton poetike: Me lopatëzën e një ëndrre zhvendose errësirën
rreth e rrotull,/ hapi shtigjet që të lidhin me botën!
[1]
Agim Matos Shkretëtirë harrimi, Shtëpia
botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2018, fq. 31.
[2] Agim Matos Shkretëtirë harrimi, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2018,
fq. 31.
[3] Agim Mato, Shkretëtirë harrimi, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2018,
fq. 36.
[4] Anton Nikë Berisha, Tronditje shpirtërore si mesazhe poetike, nga libri i Agim Matos Shkretëtirë harrimi, Shtëpia botuese
“Faik Konica”, Prishtinë 2018, fq. 9.
[6] Agim Mato, Shkretëtirë harrimi, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2018,
fq. 33-34.
[7] Agim Mato, Shkretëtirë harrimi, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2018,
fq.128.
[8] A. Hoxha, Tipologjia e konceptit të së ardhmes në romanin shqiptar para dhe pas
viteve ’90: IAP, Prishtinë 2016.
[9] Agim Mato, Shkretëtirë harrimi, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2018,
fq. 35.
[10] Agim Mato, Shkretëtirë harrimi, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2018,
fq. 118.