AVENTURAT
E MIA
Në adoleshencë mbaja nën jastek librat e Tour Heyerdahlit,
dhe netëve, në gjumë, zhaurinin nëpër mure shkulmet e
oqeaneve,
këlthisnin shpesët dhe karabullakët e ishullit të Pashkëve,
rrëshqisnin speciet e lashta në truallin e Galapagos
si në truallin e një planeti të panjohur.
Bota duhej të kish ende hapësira të pazbuluara, mendoja,
duhej të kish ende shtigje të pashkelura, specie të
panjohura,
dete dhe liqene që ende nuk i kishte lundruar njeriu.
Përzgjidhja emrat që do t’u vija ishujve të rinj, deteve
dhe caqeve të reja të botës. Nën cilin diell, nën cilën
hënë
shtriheshin këto vende ekzotike, duke më pritur mua?
Ç’ njerëz i popullonin, ç’ perëndie i besonin?
Vetëm në Kontinentin e Ëndrrave pata shkelur
ku nuk grindeshin ideologjitë, strategët, politikanët,
ku nuk të trembnin bazat ushtarake dhe lufta e ftohtë
që e ndante botën me një perde të hekurt.
Koha ikte dhe unë rritesha buzë detit Jon, pa njohur dete të tjerë,
pa njohur toka të tjera jashtë kufijve që mbyllte kloni,
ku aventurat e mia ngecnin si laraska në telat me gjemba
dhe binin të alivanosura atje mbi brezin e frikshëm të sigurisë.
Po anijen time të ndërtuar me lëndën e prerë nga ëndrrat,
nuk e lagu asnjë det, velat e saj nuk i gufoi asnjë erë,
diejt oqeanikë nuk e poqën, që nuk e poqën në ballin tim
kripën e njelmët të lundrimeve.