........

giovedì 14 dicembre 2017

Kopshtet e kujtesës

KOPSHTET E KUJTESËS
 Antologji poetike në gjuhën greke, botuar në Athinë

U botua në Athinë antologjia poetike "Kopshtet e kujtesës" ku janë përmbledhur poezi nga dy libra të mi, "Jashtë eklipsit" dhe "Fundo". Antologjia ka 134 faqe dhe është botuar nga shtëpia "Odhos Panos" me pronar zotin Jorgos Hronas. Përkthyes është poeti i mirënjohur Andrea Zarballa.
Përmbledhja është shpërndarë në shumë librari të Athinës, Selanikut, Patrës, etj.

venerdì 8 dicembre 2017

Njeriu i zogjve



NJERIU I ZOGJVE


Çdo mëngjes, sa del rrezja e parë e diellit,
Sa shfaqet njeriu i zogjve te porta e atij parku të madh,
nga pemët, nis kori i gardalinave dhe kanarinave
në kafazet që lëkunden në ajër
nga frushullima e krahëve të tyre

“Shëët, shëët!” u drejtohet
dhe tund duart, duke u kërkuar të heshtin,
të mos ngatërrojë radhën e punëve.

Hap lesat prej teli, u hedh melin, farat e drithit,
të gjembaçëve, vezët e milingonave, krimbat e vegjël,
larvat, u mbush enëzën me ujin e freskët
dhe zogjtë atëherë e shprehin gëzimin
me ushtrimet akrobatike
në paralelet e vogla
pranë krevateve të tyre ajrore.

U sistemon me merak banesat,
u shkund çarçafët e reve
dhe nuk harron t’u shpupuritë puplat
nga frika e ndonjë paraziti.

Gjithë ditën dëgjohen këngët e tyre si nga një impiant i
         madh muzikor 
duke përhapur në ajër himnin harmonik të jetës.

Lumturohet edhe kujdestari plak, duke i dëgjuar,
si një dirigjent i sprovuar. Mbi sfondin e zërave
ngrihen herë here duetet e reja të të dashuruarve
si në konkursin e një festivali të pafund..


Në mbarim të punës
rruga e çon buzë një pylli
që oshtin nga kori i zogjve të lirë me të tjera ritme,
me të tjera pasione që të fal liria
dhe krahët e tyre i shndërron në diamante
për të prerë me përpikëri
xhamat e hapësirave të largëta.

Njeriu i zogjve i sheh duke fluturuar në formacionin
e një ëndrre
dhe i bëhet sikur ata çukisin atje lart,
midis Kashtës së Kumtrit,
farërat e ndritëshme të yjeve.


Dhjetor, 2017