Josif Papagjoni
PLUHURI I ARTË I PËRJETËSIVE
Agim Mato ka një emër në
poezinë shqipe, nisur me tre vëllimet e tij poetike para vitit 1990: “Jug”, “Në
pragun e shtëpive tona”, “Buka e fjalëve” dhe më tutje me të tjerë si: “Jashtë
eklipsit”, “Fundo”, “Lundrimet”. Vëllimi i fundit, “Pluhuri i artë i
përjetësive”, poeti është gjithëpo ai, me imazhet dhe mbresat e detit dhe
brigjeve të tij si dhe gjithë leksikun zoomorf dhe litomorf që lidhet me to,
nga njëra anë dhe përjetimet për çka ngjet aty thellë, në shpirtin e tij, nga
fëmijëria vrapacake dhe naive tek rinia dhe flukset dashurore, më tutje me
shqetësimin e kohës, turbullirën dhe dhëmbët e hekurt të diktaturës, nën një
pafajësi sa rebele aq dhe të trishtë. Në rininë time dhe më tutje kisha qejf të
bisedoja me Agimin për letërsinë e veçmas për poezinë.
E kishte fituar qysh atëherë
në fundvitet ’60 më librin “Jug” statusin e poetit të lakuar, që shkruante
“ndryshe”, përtej robërisë së rimës dhe klisheve të ngulura, duke kërkuar
hapësira intime të një botë që këndellej e habitej nga stërkalat, guaskat,
pulëbardhat, fiqtë e detit, dallgët, anijet dhe njerëzit. Këtë qasje nuk e
largoi kurrnjëherë edhe në librat e tjerë, duke dëshmuar lidhjen e brendshme me
qytetin e tij. Asokohe e shihja shpesh që dilte vetëm buzë detit, i mjaftonte
vetvetja, meditimet dhe përjetimet e tij poetike. E dija se kishte një
“biografi” të keqe, andaj dhe nuk hapej lehtë. Pas vitit 1990 ai i mbeti besnik
po librit, po poezisë, madje ngriti edhe një biznes botimesh nën emrin domethënës
“Milosao” si dhe një medie elektronike që i shërbeu iluminizmit të qytetit dhe
banorëve të tij.
Si kredo poetike e vëllimit
“Pluhuri i artë i përjetësisë”, përveç detit të pranishëm gjithkund, fëmijërisë
me vrapin e pafaj të ëndrrave e lodrave, afërmendsh edhe Sarandës, më
duket se qëlloj në shenjë për çka ajo është, për vlerën dhe epërinë poetike
pikërisht me poezinë “Sa herë më është dashur”, të cilën dua ta sjell të plotë,
besoj pa gabuar përballë shijes së një lexuesi të kualifikuar:
“Sa herë më është dashur të
bëj betime,/ kam vënë në be kokën e nënë sime;/ kam vënë në be pa u trembur
këtë truall,/ këtë bukë që me lot e kam gatuar;/ këtë këngë që e mbartja mbi
supe si Sizifi,/ e ma shembnin në humnera dhe e ngrija sërishmi./ Më është
dashur të bëj be për dritën e syve të mi,/ për nderin që të parët më janë bërë
fli./ Për hapat që ime bijë sapo ka hedhur,/ për vatrën ku zjarri i vatrës rri
i ndezur./ Më është dashur… edhe be të rëndë kam bërë,/ se rëndë më ka peshuar
fjala e dhënë./ Dhe nëse do të vdes pa e mbajtur fjalën,/ si në baladë do të
shihni të ringjallem.”
Trysninë e përbindëshave të
njëhershëm që ia ndalonin këngën si Orfeut qëmoti dhe e brengosnin, e detyronte
poetin t’i ngjante asaj guaskës së zbrazur, flakur mes guralecëve të yjeve, si
spirancë anijesh e këputur nga zinxhirët, “I mbyllur shpirti,/ E mbyllur
kënga,/ Rrethi i një laku më shtrëngonte në fyt,/ Dhe, oh, me sa kujdes i
hidhja këmbët/ të mos shkelja/ aty ku më prisnin greminat. (Rreth i
mbyllur i një kohe) E po kësaj natyre është dhe homazhi për mëmën, që
mbushte me frymë shtëpinë e vjetër, por në invers, teksa thuhet: “Bëhem
fëmijë, nuse, bëj vetë fëmijë,/ mbush me frymën time odat,/ i mbush me ju dhe
me të ikurit nga kjo jetë…
Darkave shoh dritat që ndizen
atje poshtë ku rroni/ dhe më merr malli./ Nuk po them,/ më djeg shpirti ajo
tufë engjëjsh që më thërret së largu,/ po unë si t’i lë kujtimet që më rëndojnë
në shpirt?” (Mëma)
Ose metonimia mbresëlënëse e ringjalljes së Tatës (babait) të sertë dhe
antikomunist, në shpirtin dhe vetëdijen e poetit, si një shëmbëllim ku përbuzja
ndaj diktatorit dhe diktaturës, logoritë groteske faqeçjerra të njerëzve të
indoktrinuar për vdekjen e tij, i shndërron në absurd dhe tinguj të përzishëm.
Portretimi me pak vija fizike
vizuale, por duke krijuar, përkundrazi, hapësira mallëngjyese dhe impakte
vetjake është një cilësi e lavdërueshme e poezisë së Agimit. Dhe këtu unë do të
veçoja pikërisht Noti Llambraqin, një personazh tejet i njohur në Sarandë,
portreti i të cilit, si e një Sokrati mjekërbardhë me pak çartje brenda,
sidomos penelata aq e ngrohtë, si prej vëllai, që ky oshënar i tempujve të
detit, kur mjekët ia kishin prerë shpresën e jetës nga sëmundja e pashërueshme
e kancerit, ishte po deti ai që e mori me vete në gjirin e tij dhe i ridha jetën
e mohuar, duke e shndërruar në një ikonë të qytetit, ashtu i lakuriqtë,
këmbëzbathur, si asketët e dikurshëm në kërkim të kushedi çfarë të vërtetash,
ndoshta, siç thotë poeti, një kumt e bard i “mirësisë”… (Noti Llambraqi)
Transformimi i “shenjave”
tradicionale të dashurisë me letra dhe zemra mbi kartolina, në komunikimet
virtuale me SMS, facebook dhe skype, në thelb mbetet po ajo, një
frymëmarrje dhe aromë ardhur tashmë nga ekranet. (Një klik larg) Një
homazh i bukur kushtuar nënës vjen i përthyer falë një intimiteti prekës, kur
natyra qesh mes lule bajamesh e fiqsh deti, dhe kur sikur Zoti ta kishte
kunguar, teksa ajo po lindte nga dritarja hyri një thëllëzë dhe asaj emrin
Thëllëzë ia vunë, si bekim Perëndie dhe ëndërr e bardhë pranvere. (Emri
Thëllëzë)
Poeti i drejtohet librit të
tij si të ishte një fëmijë i pafajshëm, ca më shumë i paditur, që do dal në
jetë para lexuesve e diçka nga kumtet e shenjta humane do të thotë. Por i
drejtohet edhe si një krijese të veçantë e të privilegjuar të kulturës, poetëve,
fantazisë, diturisë, ndaj dhe lindja e tij yshtë si akt ekzorcizmi i kujtesave
të vrara e të përgjumura të poetit, kundër censorëve dhe perëndive të rreme, që
ia dhunuan shpirtin dhe fjalën, prandaj: “Që të të sillja ty,/ lexova libra
që ende nuk janë shkruar,/ shkela vise që ende nuk gjenden në harta,/ mblodha
frytet e ideve/ që nuk kanë rënë ende në tokë.” (Ti libër) Zemërimi
që penën ia penguan poeti, ia dëshmonte hënës së fëmijërisë së largët që “hidhej
duke u penguar nëpër bokërimat e qiellit,/ atje ku yjet gremiseshin/ në mes të
grumbullit të reve/ që vraponin duke bubullirë/ me nga një vetëtimë të ngulur
mbi shpinë,/ si demat në arenë. (Kur shkruaja i zemëruar)
Dashuria në imazhet e mbetura
në mbamendjen poetike, e trembur nga s’ngrysja e kohës së vrazhdët, nëpër natë
gjendej në arrati, me detin pranë dhe dallgët e tij, ku velloja e hënës e
mbulonte të dashurën si fustan nusërie, ndërsa ylli i Afërditës i ulej në gisht
si unazë… Ka ndonjë vjershë si Kur dashuronim ku vargu bëhet flu,
delikat, si fryma, i brishtë si kërcell luleje a filiz, dhe asiherë vjen
shprehja e gjetur poetike: “Ajo që nuk e thoshim me zë/ ishte më e bukur se
fjalët,/ më e ëndshme se qumështi i yjeve/ që xixëllonjat pinin mbrëmjeve nëpër
qiell… Ndjenim në gjoks limfën e trupave tanë,/ duke u përndezur nëpër muzg./
edhe një puthje na dukej zhurmë.”
Mik i detit, Agim Mato i
drejtohet atij me vargjet: “Vëllai im, det!/ Duke u futur çdo natë brenda
meje,/ ma zgjerove shpirtin,/ m’i fashite dhimbjet/ dhe më bëre t’i mëshiroj
ata që luftuan njeriun…” (Nuk jam bardi yt, o det) Më tutje,
brigjet që mbushen me fluturimet e pulëbardhave në gjirin e Sarandës, një
koncert i “dirigjuar nga erërat joniane si në skenën vigane të një amfiteatri”,
apo ngarendja këmbëzbathur shkëmbinjve të mprehtë të buzëdetit për të gjurmuar
vezët e pëllumbave që kurrë ai s’i gjeti, ndaj dhe me një dëshpërim të ëmbël
mbushur mall e nostalgji, poeti këlthet: “Ah, retë, retë – si t’i kërkoj
atje lart foletë?!...”
Diku gjetkë poezia merr forma
narrative me ndodhi të njohura, siç qe edhe katrahura dhe çmenduria e vitit
1997, kur u mbytën në det “katrat” e flotës detare ushtarake në Sarandë, duke e
shndërruar episodin në një ëndërr të frikshme, të çartur, sa dhe në një muze
fëmijësh e relikte historie nën ujë. Mëpastaj udhëtimi poetik ua hipën
metaforave domethënëse që hapen nëpër shtretër polisemantikë si: “Është një
vis i fshehtë i shpirtit/ me gërmadhat e ëndrrave të shembura/ dhe varrin e një
dashurie”. (Është një vis) Sakrilegj e klithmë dëshpërimi është
dhimbja dhe drama kur dheu, toka, zakonet, antropologjia, pemët, lulet, pyjet,
lumenjtë, kafshët e egra dhe gjithçka ku ti je lindur e rritur, atje ku ke
ngritur kasollen e jetës, ku ke frymuar, të rrëmbehet nga të pushtetshmit e
pashpirt apo industrializimi i skajtë, teknologjia, konsumizmi, duke prishur
rregullat e arta të natyrës dhe të vetë ekuilibrit.
(Letra e kryetarit të
Seatle) Shndërrimi i një përfytyrimi thuajse mitologjik, Vuvi i Tushit, që
fantazia e pafajshme e fëmijës së trembur i ka dhënë atij përmasat e horrorrit
dhe të përbindëshave, ja ku gjiganti përunjet dhe i jep ujë një fëmije,
shoqëruar plot dhelka e psherëtima dhembshurie për krijesën e tij të brishtë…
(Vuvi i Tushit) Një tjetër formë poetike është kur diku një fjalë e vetme
përsëritet, kuptimësohet e konvertohet në thelb e imanencë të vetë karakterit
të njeriut, siç janë rrudhat që poeti kurrë s’i fsheh, as i fshin, sepse aty
flenë të vërtetat e tij, si “një libër i hapur sizmik tërmetesh që tronditin”.
(Rrudhat) Herë tjetër uni poetik njënjësohet e bëhet bartësi i zjarrit, si
dikur Prometeu; tashmë jo aq zjarri olimpik hyjnor, por zjarri që djeg shpirtin
e shqetësuar poetik. Ndërsa tek poezia ‘Lisat’, Mato rrugëtimin e të
gjallëve që vdesin dhe të vdekurve që ngjallen në zemrat e të gjallëve e ngujon
në një detaj që i përket njëherazi sa të mundshmes, aq dhe alegorikes e
simbolikes teksa përcakton për martirin e radhës: “Le të mbijë lisi,/ le t’i
lëshojë rrënjët thellë/ në gjoksin e tij, në zemrën e tij…”
Në përmbyllje, pa e tjerrë më
gjatë, i uroj mikut tim dhe poetit me emër Agim Mato të tjerë libra dhe një
shpirt poetik që veç di të digjet për të bukurën, të mirën, lirinë…